7 Qershor 2022 Ambasadori i Armenisë, Sh.T.Z. Tigran Mkrtchyan i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot Ambasadorin e ri të Republikës së Armenisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Tigran Mkrtchyan me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Presidenti Meta i uroi suksese Ambasadorit Tigran Mkrtchyan në përmbushjen e misionit diplomatik në Shqipëri, duke nënvizuar vullnetin për forcimin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve tona, në fushat me interes reciprok në planin dypalësh politik, ekonomik, tregtar, turizëm e kulturë.
Kryetari i Shtetit konsideroi komunitetin armen në Shqipëri si një urë të rëndësishme në zhvillimin e marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve.
Presidenti Meta dhe Ambasadori Tigran Mkrtchyan vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit shumëpalësh, në kuadër të organizatave ndërkombëtare dhe nismave rajonale ku të dy vendet janë anëtarë.