21 Korrik 2022 Ambasadori i Brazilit i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot Ambasadorin e ri të Republikës Federative të Brazilit në Shqipëri, Sh.T.Z. João Tabajara de Oliveira Júnior, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Presidenti Meta i uroi suksese Ambasadorit João Tabajara de Oliveira Júnior për përmbushjen e misionit diplomatik në Shqipëri dhe i shprehu vullnetin për forcimin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve tona, në fushat me interes të ndërsjellë në planin dypalësh politik, ekonomik, tregtar e turizëm.
Kryetari i Shtetit dhe Ambasadori i Brazilit vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve dhe shprehën dëshirën për vazhdimin dhe zhvillimin e pasurimin e tyre në të ardhmen.
Presidenti Meta dhe Ambasadori João Tabajara de Oliveira Júnior vlerësuan edhe rëndësinë e bashkëpunimit në planin shumëpalësh, në kuadër të organizatave ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të OKB-së, gjatë mandatit dyvjeçar të Shqipërisë dhe Brazilit, si anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit.