Ambasadori i Holandës, Sh.T.Z. Reinout Vos i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta

Ambasadori i Holandës, Sh.T.Z. Reinout Vos i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot Ambasadorin e ri të Holandës në Shqipëri, Sh.T.Z. Reinout Vos me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Kreu i Shtetit i uroi Ambasadorit Vos suksese në misionin e tij në Shqipëri për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve tona.

Presidenti Meta vlerësoi rritjen e investimeve holandeze në Shqipëri dhe nënvizoi nevojën e qëndrueshmërisë dhe vijueshmërisë më tej të bashkëpunimit ekonomik e tregtar me këtë vend të rëndësishëm dhe shfrytëzimin e potencialeve ekzistuese në interesin e përbashkët.

Kreu i Shtetit e falenderoi Ambasadorin veçanërisht për qëndrimin e fundit inkurajues të Holandës dhe të Parlamentit të saj për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare të Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe mbështetjen, që vendi i tij i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Presidenti Meta i shprehu mirënjohjen Ambasadorit Reinout Vos për ndihmën e shpejtë dhe shumë të vyer, me trupa dhe helikopterë, që vendi i tij dha në përballimin e situatës së vështirë të krijuar nga zjarret në Shqipëri.