Ambasadori i Portugalisë, Sh.T.Z. Pedro Nuno Bartolo i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta

Ambasadori i Portugalisë, Sh.T.Z. Pedro Nuno Bartolo i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti në një takim Ambasadorin e ri të Portugalisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Pedro Nuno Bartolo, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Duke e uruar për përmbushjen me sukses të detyrës së tij, Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira politike dhe miqësore ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.

Kreu i Shtetit u shpreh se mirëpresim një prani më të madhe të investitorëve portugezë në Shqipëri.

Presidenti Meta falenderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Portugalia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite në proceset e integrimit euro-atlantik.

“Kam besim të palëkundur, se Portugalia, që do të marrë Presidencën e Këshillit të BE-së në 6 mujorin e parë të vitit 2021, do të vijojë të na mbështesë në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE, që është objektivi më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë”, – theksoi Kreu i Shtetit.