Ambasadori i ri i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Meer Abdalla Yousif Alraeesi, i dorëzon Letrat Kredenciale Presidentit Meta

Ambasadori i ri i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Meer Abdalla Yousif Alraeesi, i dorëzon Letrat Kredenciale Presidentit Meta

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta pranoi Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Emirateve të Bashkuara Arabe në vendin tonë, zoti Mohamed Meer Abdalla Yousif Alraeesi, me rezidencë në Athinë.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e miqësore midis dy vendeve, si dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe asistencën financiare që Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë dhënë Shqipërisë përmes Fondit të Zhvillimit të Abu Dhabit (ADFD).

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi vëmendjen që Presidenti i Emirateve Sheikh Khalifa bin Zayed dhe Princi i Kurorës së Abu Dhabit, Sheikh Mohammad bin Zayed, i kushtojnë marrëdhënieve me Shqipërinë.

Duke u ndalur në mundësitë e bashkëpunimit ekonomik, Presidenti Meta ftoi biznesin e Emirateve të Bashkuara Arabe për të rritur praninë e tyre me investime në Shqipëri dhe nënvizoi se mundësitë janë të shumta dhe kuadri i përbashkët ligjor i favorizon ato.