Ambasadori i ri i Republikës Sllovake, Peter Spišiak, i paraqiti Letrat Kredenciale Presidentit Meta

Ambasadori i ri i Republikës Sllovake, Peter Spišiak, i paraqiti Letrat Kredenciale Presidentit Meta

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta pranoi Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Republikës Sllovake në vendin tonë, zoti Peter Spišiak.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit midis dy vendeve.

Duke iu referuar vitit 2018, si vit i kremtimit të 25-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, Presidenti Meta nënvizoi se, ky vit na gjen me një bilanc pozitiv në marrëdhëniet tona.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi intensifikimin e mëtejshëm të dialogut politik dypalësh e shumëpalësh midis dy vendeve, si dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën e turizmit.

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme të Sllovakisë për Shqipërinë, në kuadër të procesit të integrimit evropian, si dhe shprehu besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe për marrjen e vendimit dhe çeljen e negociatave të anëtarësimit.

Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu rolin dhe kontributin e Sllovakisë për forcimin e stabilitetit dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përmes edhe eksperiencës dhe rolit në Grupin e Vishegradit (V4).