3 Dhjetor 2021 Ambasadori i Spanjës, Sh.T.Z. Álvaro Renedo Zalba i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot Ambasadorin e ri të Spanjës në Shqipëri, Sh.T.Z. Álvaro Renedo Zalba me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Presidenti Meta i uroi Ambasadorit Zalba suksese në misionin e tij diplomatik në Shqipëri, për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve tona.
Kreu i Shtetit vlerësoi rritjen e shkëmbimeve të fundit politike mes dy vendeve dhe nënvizoi rëndësinë e vijueshmërisë më tej të bashkëpunimit, sidomos në fushën ekonomike e tregtare, turizëm, art, kulturë dhe arsim, duke shfrytëzuar potencialet ekzistuese reciproke.
Presidenti Meta e falënderoi Ambasadorin veçanërisht për qëndrimin mbështetës të Spanjës për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare të Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe ndihmën që vendi i tij i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian.