9 Maj 2018 Ambasadorja e re e Irlandës, Orla O’Hanrahan i paraqiti Letrat Kredenciale Presidentit Meta
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta pranoi Letrat Kredenciale nga Ambasadorja e re e Irlandës në vendin tonë, zonja Orla O’Hanrahan.
Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit midis dy vendeve, si dhe mbështetjen pa rezerva që Irlanda i ka dhënë Shqipërisë, si për anëtarësimin në NATO ashtu edhe për integrimin në BE.
Duke u ndalur në procesin e integrimit evropian, Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për qëndrimin e deklaruar nga Irlanda në mbështetje të çeljes së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe vijimit të procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Nisur nga niveli i ulët i shkëmbimeve ekonomike e tregtare, Presidenti Meta nënvizoi nevojën për një vëmendje më të madhe në këtë drejtim dhe eksploruar më mirë potencialet reale që të dy vendet kanë.
]]>