Biografia

Ilir Meta – President i Republikës së Shqipërisë

Presidenti_Ilir_META-1024x683

Të dhëna vetjake dhe formimi profesional:

Ilir Meta lindi më 24 Mars 1969, në Skrapar.

U diplomua për Ekonomi Politike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ku dhe përfundoi studimet pasuniversitare.

Aktiviteti politik:

 

Ilir Meta e filloi aktivitetin e tij politik në vitin 1990, si pjesëmarrës aktiv në lëvizjen studentore. Ai ishte një ndër themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste të Shqipërisë (FRESSH).
Gjatë viteve të anëtarësisë së tij në FRESSH, Ilir Meta ka mbajtur poste të larta drejtuese në vitet 1992-1995 si Nënkryetar dhe në vitet 1995-2001 si Kryetar i këtij forumi.
Aktiviteti politik i Ilir Meta në strukturat e Partisë Socialiste ka qenë intensiv.
Ai u zgjodh anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues në Kongresin e Qershorit të vitit 1992 dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste nga viti 1993, deri në korrik të vitit 2003, kur ai dha dorëheqjen.
Në vitet 1993-1996, Ilir Meta ka mbajtur postin e Nënkryetarit të Partisë Socialiste dhe atë të Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, nga viti 1994 deri në 1996.
Gjatë kësaj kohe Partia Socialiste në saje të kontributit të Ilir Meta vendosi marrëdhënie me shumë parti socialiste, parti të majta dhe socialdemokrate të Europës, si dhe Partinë Socialiste Europiane dhe Internacionalen Socialiste.
Gjatë periudhës 1997-1998, Ilir Meta u zgjodh Kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës.
Ilir Meta, më 6 shtator 2004, themeloi një forcë të re politike në Shqipëri, Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI).
Ilir Meta u zgjodh në krye të LSI në prill të vitit 2005, duke respektuar dhe zbatuar për herë të parë parimin “Një anëtar, një votë”.
Ilir Meta është rikonfirmuar në krye të LSI, në zgjedhjet e tetorit 2012 dhe në ato të fundit, më 6 nëntor 2016.
Ai ka qenë Sekretar Shteti për Integrimin Europian në Ministrinë e Punëve të Jashtme në mars-tetor 1998 dhe më pas Z/Kryeministër dhe Ministër i Koordinimit Qeveritar (tetor 1998-tetor 1999).
Gjatë periudhës nëntor 1999-shkurt 2002 ka qenë Kryeministër i Shqipërisë, i rikonfirmuar edhe pas zgjedhjeve parlamentare te vitit 2001.
Gjatë kësaj periudhe u shënuan arritje të dukshme dhe suksese në qeverisjen e vendit, si stabilizimi i parametrave makro-ekonomikë, përmirësimi i ndjeshëm i rrjetit rrugor në vend, privatizimi i suksesshëm i disa prej sektorëve strategjikë të ekonomisë, vendosja e rendit dhe funksionimi i ligjit në të gjithë teritorin e vendit, etj.
Në Shkurt të vitit 2002, për të shmangur krizën brenda maxhorancës politike dhe qeverisëse të asaj kohe Ilir Meta dha dorëheqjen nga detyra e Kryeministrit.
Më pas Ilir Meta u zgjodh Z/Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme (korrik 2002-korrik 2003).
Në periudhën shtator 2009-shtator 2010, Ilir Meta ka qenë Z/Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme e me pas Z/Kryeministër dhe Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (shtator 2010-janar 2011).
Nga viti 1992 Ilir Meta, është zgjedhur pa ndërprerje deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë.
Në shtator të vitit 2013 Ilir Meta u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, pozicion të cilin e mbajti deri më 28 prill 2017, ditë kur u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë.

Vlerësime dhe të tjera :

 

Në vitet 2003-2004, Ilir Meta ka qene anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin i drejtuar nga ish Kryeministri i Italisë, Xhuliano Amato. Ky komision përgatiti Raportin e rëndësishëm për të Ardhmen e Rajonit të Ballkanit dhe shtroi rrugën për pavarësimin e Kosovës.
Ilir Meta ka qenë i ftuar si lektor në konferenca dhe institucione akademike, politike dhe diplomatike brenda dhe jashtë vendit, si në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, Akademia Evropiane e Berlinit, Universiteti i Harvardit, si dhe në disa akademi dhe universitete në Europë dhe SHBA.
Për aktivitetin e tij politik, kontributin e suksesshëm në qeverisje dhe rolin e tij konstruktiv në rajon Ilir Meta është vlerësuar me titullin “Personaliteti më pozitiv në politikën e jashtme të Vitit 2010” ( në mars 2012) nga Instituti Ndërkombëtar (IFIMES) në Ljubljanë, nga Presidenti i nderit i këtij instituti, Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç.
Ai është vlerësuar nga disa qytete të Shqipërisë dhe të rajonit me titullin e lartë “Qytetar Nderi”.
Ilir Meta flet shqip, anglisht dhe italisht.
Ilir Meta është i martuar me Monika Kryemadhin dhe kanë tre fëmijë, Borën, Besarin dhe Erën.