Bledar DERVISHAJ – Këshilltar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut
Bledar Dervishaj lindi më 09 Nëntor 1976 në Korçë. U diplomua Jurist në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 2000.
Që prej diplomimit në vitin 2000, ka ushtruar në mënyrë të pandërprerë profesionin e juristit, kryesisht si pjesë e shërbimit civil në administratën publike dhe në pozicione të ndryshme të administratës shtetërore, me një përvojë 17-vjeçare, duke u shndërruar në një ekspert të së drejtës publike dhe administrative.
Në 25 shtator të vitit 2017 u emërua fillimisht Ndihmës Ligjor i Presidentit të Republikës SH.T.Z. Ilir Meta, ndërsa që prej datës 12 prill 2018 ai emërohet Këshilltar për Çështjet Ligjore i Presidentit të Republikës.
Përpara këtyre detyrave, në periudhën dhjetor 2013 – maj 2017, z. Dervishaj ka ushtruar funksionet e Këshilltarit Ligjor dhe Drejtorit të Kabinetit të Ministrit të Drejtësisë. Ai u bë pjesë e Kabinetit të Ministrit të Drejtësisë në muajin dhjetor 2013 si pjesëmarrës në Programin e Zhvillimit të Leadershipit “LEAD Albania”, program ky i zbatuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe Qeveria Shqiptare. Pas përfundimit me sukses të programit, në dhjetor 2014 ai vazhdoi të ofrojë shërbimet e Këshillimit Ligjor dhe të Drejtorit të Kabinetit të Ministrit të Drejtësisë gjatë periudhës në vijim deri në maj 2017. Në periudhën qershor 2017 deri në shtator 2017 z.Dervishaj ka ushtruar profesionin e lirë të Avokatit.
Në vitin 2006 z. Dervishaj ka mbrojtur titullin Avokat dhe është pjesë e Dhomës së Avokatisë Tiranë. Profesionin e Avokatit e ka ushtruar për një periudhë dy vjeçare, përkatësisht në vitin 2009, në vitin 2013.
Në periudhën 2006-2008 dhe gjatë vitit 2011 ai ka punuar në agjenci të ndryshme shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë në cilësinë e Inspektorit/Juristit dhe në pozicione të ndryshme mbikëqyrëse dhe drejtuese.
Pas përfundimin të studimeve në nëntor të vitit 2000 ai është bërë pjesë e shërbimit civil në administratën publike dhe ka punuar për një periudhë të gjatë kohe pranë Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit dhe Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, ku ka dhënë kontributin e tij deri në tetor 2006 si jurist në pozicione të ndryshme në Drejtorinë Juridike, si dhe në Drejtorinë e Privatizimit të Sektorëve Srategjikë dhe SME-ve.
Gjatë karrierës së tij ai ka ushtruar dhe detyra plotësuese publike, ndër të cilat veçohen role të tilla si: Anëtar i Këshillit Drejtues në Shkollën e Magjistraturës; Anëtar i Bordit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme; Anëtar i Këshillit Drejtues të Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror; Përfaqësues i Republikës së Shqipërisë në Komitetin e Konventës së Krimit Kibernetik pranë Këshillit të Europës; Drejtues i Projektit të Binjakëzimit të Bashkimit Evropian “Përmirësimi i Shërbimit Përmbarimor në Shqipëri”, përfaqësues i Ministrisë të Drejtësisë në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC) sipas veprimtarive për Planin Rajonal të Veprimit për sistemin gjyqësor.
Dervishaj ka qenë pjesë e grupeve të punës dhe përfaqësues i Ministrit të Drejtësisë pranë Kuvendit gjatë konsultimit dhe diskutimit në Komisionet përkatëse Parlamentare të paketës ligjore të Drejtësisë Penale pjesë e procesit të reformës në sistemin e drejtësisë, që përfshinin Kodin e Procedurës Penale, Ligjin për Mbikëqyrjen e Komunikimeve Elektronike, Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, apo projektligje të ndryshme të lidhura me organizimin e Ministrisë së Drejtësisë, profesionet e lira, sistemin penitenciar, organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative, ndihmën juridike, tarifat gjyqësore, ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile, shërbimin përmbarimor etj.
Dervishaj ka dhënë kontributin e tij si pjesë e grupit për përmirësimin dhe konsultimin e Reformës së Pronave “Ligji për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit” si dhe në përshtatjen e legjislacionit për barazinë gjinore në çështjet e pronësisë, apo në shumë reforma të tjera ligjore, organizative dhe institucionale të cilat kanë qenë pjesë e fushës së veprimtarisë të ministrive ku ai ka shërbyer.
Në kuadrin e zhvillimit të vazhdueshëm personal dhe profesional, z. Dervishaj ka marrë pjesë në trajnime dhe kualifikime në fusha të ndryshme si: administrimi publik, përmirësim dhe hartim legjislacioni, evidentimi dhe procedimi penal i krimit kibernetik, çështje të Bashkimit Evropian dhe të stabilizim-asociimit, standarde të konkurrimit të lirë dhe transparent në prokurimin publik, aplikimi i teknologjisë së informacionit elektronik në administratën publike, zhvillim të aftësive drejtuese, aftësi negociuese dhe zgjidhje e konflikteve, etj.
Në veprimtarinë e tij publike z.Bledar Dervishaj është anëtar i rrjetit Alumni i Programit “Lead Albania”, i cili realizon vullnetarisht projekte dhe veprimtari të ndryshme që trajtojnë çështje të ndjeshme për shoqërinë shqiptare.
Dervishaj është njohës dhe folës i rrjedhshëm i gjuhëve angleze dhe italiane. Ai është i martuar me zonjën Oneida Dervishaj dhe kanë dy fëmijë: Jonis dhe Aldrin.