Brunilda Paskali – Këshilltare e Presidentit të Republikës Për Çështjet Sociale

Brunilda Paskali – Këshilltare e Presidentit të Republikës Për Çështjet Sociale

 

Brunilda Paskali u lind në 05 Shtator 1965 në qytetin e Korcës.  Znj. Paskali është diplomuar në Fakultetin Filologjik, Dega Gjuhë Angleze në vitin 1987. Gjatë periudhes 1989-1990 ka dhënë provime pasuniversitare në fushen e Psikologjisë, Didaktikës dhe Filozofisë.

 

Për një periudhë kohore rreth 20 vjecare, ka drejtuar kompaninë e saj “Wisdom” me aktivitet në fushën e edukimit  dhe gjatë kësaj kohe ka kryer specializime të ndryshme në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë.

 

Znj. Paskali mban gradën Master në Diplomaci dhënë nga Universiteti I Norwich, Vermont, SHBA në fushën e Menaxhimit të Konflikteve.

 

Gjatë viteve 1988-2013 ka punuar si Pedagoge e gjuhës Angleze, Shefe e Departamentit Shkencor dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare si dhe Pedagoge në Fakultetin e Psikologjisë pranë Kolegjit Universitar “Wisdom”.

 

Në vitet 2010-2011, znj. Paskali ka qenë Këshilltare e Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë.

 

Nga Tetor 2013 deri Gusht 2015, znj. Paskali ka mbajtur detyrën e Zv. Ministres së Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipermarrjes. Znj. Paskali, në këtë detyrë, ju ka dhënë një mbështetjen të madhe grave dhe vajzave, vecanërisht në fushën e sipërmarrjes.

 

Gjatë detyrës si Zv. Ministre e MZHETTS ka bashkëpunuar me organizata kombëtare dhe ndërkombëtare për fuqizimin e gruas në sipërmarrje dhe ka marrë pjesë në shumë konferenca e evente me këtë tematikë.

 

Znj. Paskali ka ndërmarrë, gjatë kësaj periudhe, një sërë nismash në favor të grave sipërmarrëse si Plan Veprimi për Gruan Sipërmarrëse 2014-2020, krijimi i lehtësirave për gratë sipërmarrëse nëpërmjet granteve të ndryshme etj.

 

Nga Shtator 2015 deri Shtator 2017, znj. Paskali ka mbajtur detyrën e Nënkryetares së Bashkisë së Tiranës. Znj. Paskali vazhdoi të mbështesë cështje e fuqizimit ekonomik dhe politik të gruas edhe në rolin e saj si Nënkryetare e Bashkisë Tiranë.

 

Me nismën e saj, filloi puna për krijimin e Aleancës së Grave Këshilltare të Bashkisë Tiranë, një model që u përhap në të gjitha bashkitë e vendit dhe që, me vonë, coi në krijimin e rrjetit të Aleancës Kombëtarë të Grave Këshilltare.

 

Me iniciativën e drejtëpërdrejt të zonjës Paskali u krijua Fondi i Grave Sipërmarrëse nga Bashkia Tiranë që mbështet vajza dhe gra për hapjen apo konsolidimin e një sipërmarrje biznesi. Ky fond funksionon në mbështetje të grave dhe vajzave prej vitit 2016 e në vazhdim.

 

Po kështu, znj. Paskali ndërmori disa nisma të tjera në mbështetje të fuqizimit të grave dhe vajzave, nisma që konkluduan me firmosjen e Principeve të Fuqizimit të Gruas dhe po kështu me firmosjen e Kartës Europiane për barazinë e grave dhe burrave në jetën vendore.

 

Prej Janarit 2018 në vazhdim znj. Paskali mban detyrën e Këshilltares së Presidentit të Republikës për cështjet sociale.Në rolin e saj si këshilltare për cështjet sociale, znj. Paskali vazhdon bashkëpunimin e ngushtë dhe promovimin e shoqatave të grave dhe vajzave, të të rinjve dhe  kategorive të ndryshme në nevojë.

 

Znj. Paskali flet rrjedhshëm gjuhën Angleze dhe Italiane dhe mjaftueshëm gjuhën Spanjolle.