Deklarata e Presidentit Meta gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryetarin e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Šefik Džaferović

Deklarata e Presidentit Meta gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryetarin e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Šefik Džaferović

Kënaqësi e jashtëzakonshme të mirëpresim sot në Tiranë dhe Shqipëri, Presidentin e Bosnje-Hercegovinës, z. Džaferović.

Pavarësisht rrethanave të ndërlikuara prej pandemisë që kanë kufizuar aktivitetin diplomatik të të gjithë ne, Kryetari Džaferović ishte i vendosur në angazhimin e tij për të zhvilluar këtë vizitë zyrtare, si shprehje e drejtpërdrejt e vullnetit për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Gjatë takimit shumë të përzemërt dhe vëllazëror që patëm, diskutuam për të gjitha çështjet e marrëdhënieve dypalëshe, ashtu edhe në rrafshin rajonal dhe ndërkombëtar.

Ndër to, dëshiroj të ndalem në disa prej çështjeve kyçe:

Ramë dakord që marrëdhëniet të forcohen me një ritëm të ri, në mënyrë që të bashkojmë përpjekjet, jo vetëm midis dy vendeve, por mundësisht dhe me vendet e tjera të rajonit, që t’u japim të rinjve tanë një perspektivë më të shpejtë, më të prekshme europiane, në mënyrë që të dekurajojmë largimin e tyre nga vendet tona.

Po kështu, dialogu shumë i mirë politik, që kemi patur në nivel presidencial, besojmë që do të nxitet edhe në të gjithë nivelet e tjera, që t’i përgjigjemi realisht dhe konkretisht vullnetit dhe respektit reciprok, që kanë dy popujt dhe njerëzit tanë për njëri-tjetrin.

Në mënyrë të veçantë, të rrisim shkëmbimet ekonomike dhe tregtare, si dhe të bashkojmë përpjekjet midis dy vendeve, por edhe me Malin e Zi dhe vende të tjera, për të përmirësuar infrastrukturën ndërlidhëse si një përparësi e jashtëzakonshme.

Nënshkrimi i pritshëm i marrëveshjeve për bashkëpunimin ekonomik dhe për njohjen e lejeve të drejtimit midis dy vendeve, do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në këtë drejtim.

Vlerësova si mjaft të dobishëm një bashkëpunim më të ngushtë midis Dhomave të Tregtisë, agjensive në fushën e promovimit të investimeve të huaja direkte dhe eksporteve; si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, të tilla si forume biznesi dhe ekonomike, ekspozita dhe panaire.

Konfirmova me kënaqësi rritjen e numrit të vizitorëve nga Bosnje-Hercegovina përpara kësaj situate pandemike. Në këtë drejtim, do të na duhet të nxisim më tej, organizimin e aktiviteteve që do të promovonin më mirë vendet tona dhe potencialet e tyre turistike, që janë të jashtëzakonshme.

Ne duhet të shfrytëzojmë çdo mekanizëm dhe instrument të agjendës ndërlidhëse në rajon, për të rigjallëruar jo vetëm ekonomitë tona të brendshme, por edhe bashkëpunimin dypalësh e rajonal.

Ndërtimi i Korridorit të Gjelbër për harmonizimin dhe vendosjen e një protokolli unik të procedurave që lejojnë kalimin pa pengesa të ilaçeve, pajisjeve mjekësore dhe ushqimeve ndërmjet vendeve të rajonit me njëra-tjetrën dhe me Bashkimin Europian gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, që është një shembull i shkëlqyer për t’u ndjekur në të ardhmen.

Ne jemi dy vende që do të përfitojmë nga një mbështetje edhe më e strukturuar dhe afatgjatë e BE-së për ekonomitë e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet Planit Europian për Ekonominë dhe Investimet në rajon, që do të shpallet pas dy ditësh.

Në këtë kuadër, e urova Presidentin Džaferović për përparimin e arritur së fundmi në përmbushjen e disa prej prioriteteve kyçe të BE-së, duke shpresuar që vazhdimësia në këtë drejtim do të çojë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat dhe çeljes së negociatave të anëtarësimit me BE.

Shqipëria ka qenë gjithmonë në krah të Bosnje-Hercegovinës dhe do të vijojë të mbështesë fuqimisht, sovranitetin, integritetin territorial, kohezionin social, dhe përparimin e saj në proceset europiane dhe euro-atlantike, veçanërisht tani në vigjilje të 25-vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit.

Shpreh bindjen dhe dëshirën tonë, se zbatimi i plotë i “Dejtonit” të konsolidojë akoma më tej, bashkëjetesën ndëretnike në Bosnje, por edhe në të gjithë rajonin tonë.

Sepse bashkëjetesa ndëretnike e Bosnje-Hercegovinës është kyçe, për të ardhmen europiane të të gjithë rajonin tonë edhe pse ky nuk është një objektiv që arrihet lehtë.

Jam i bindur se udhëheqësit e Bosnje-Hercegovinës do të mobilizojnë të gjitha energjitë e tyre më pozitive që të rinjtë të bëhen urat e ndërtimit të këtij procesi që ka nevojë për reflektim dhe për përulësi.

E inkurajova Presidentin Džaferović që të vijojnë përpjekjet për zgjidhje pragmatiste për njohjen e dokumenteve dhe lehtësimin e regjimit të vizave për shtetasit nga Kosova, si në rastin e njohjes së diplomave, të dakordësuar edhe në nivel rajonal.

Për ta mbyllur me një notë edhe më pozitive, do të doja të ndalesha edhe tek një tjetër urë e përbashkët që lidh dy vendet tona, siç janë shqiptarët që jetojnë në Bosnje-Hercegovinë dhe pakica boshnjake që jeton në Shqipëri.

Jam i lumtur që Klubi “Bajram Curri”, themeluar në Sarajevë, që në vitin 1968, vazhdon të jetë qendra e trashëgimisë kulturore shqiptare, ku vazhdojnë të organizohen ngjarje në përkujtim, të datave historike dhe mësimin e gjuhës shqipe.

Ashtu siç konfirmoi edhe Presidenti, komuniteti shqiptar është mjaft mirë i integruar dhe ka një kontribut të çmuar në sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës për të cilën ne jemi krenar.

Nga ana tjetër edhe komuniteti boshnjak, tashmë i njohur zyrtarisht si pakicë kombëtare në Shqipëri, është një gur themeli i çmuar i marrëdhënieve tona dypalëshe.

Bashkë me Presidentin Džaferović do të kemi kënaqësinë që të takohemi me anëtarë të këtij komuniteti të mrekullueshëm në Borakë, për të vlerësuar të gjitha arritjet e tyre, por edhe për të ndarë mendime për projekte të përbashkëta në dobi të dy vendeve tona, por njëkohësisht edhe të ruajtjes dhe forcimit të identitetit të tyre në vendin tonë.

Gjithashtu dua ta falënderoj Presidentin Džaferović, por edhe dy kolegët e tij të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, për vendimin për të hapur ambasadën e tyre në Shqipëri.

Dua të shpreh keqardhjen për mbylljen që iu bë ambasadës sonë në Sarajevë, një vendim i qeverisë, për të cilin nuk kam qenë dakort as në cilësinë time të mëparshme si Kryetar i Kuvendit kur ka ndodhur, për arsye se Shqipëria rolin e saj më të rëndësishëm për paqen dhe për stabilitetin, mund dhe duhet ta japë në rajonin tonë.

Së dyti, Bosnje-Hercegovina është një shtet shumë i rëndësishëm për paqen dhe për stabilitetin dhe të ardhmen europiane të rajonit tonë.

Shqipëria e ka mbështetur, e mbështet dhe do ta mbështesë në mënyrë të palëkundur sovranitetin dhe integritetin e Bosnje-Hercegovinës.

Kemi një komunitet shqiptar, mjaft të rëndësishëm dhe aktiv atje, sikurse kemi edhe komunitetin boshnjak këtu në vendin tonë.

Kemi kaq shumë mundësira dhe kaq shumë qëllime të përbashkëta, sa duhet të ecim me një ritëm krejt tjetër në gjithë konkretizimin e marrëdhënieve tona që nga ana politike dihet që janë të shkëlqyera.

Shpresoj, qeveria që është në detyrë ta dëgjojë, ta hapë përpara 25 Prillit Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bosnje-Hercegovinë, sepse pas 25 Prillit do të hapet patjetër.

Bosnje-Hercegovina meriton vëmendje maksimale nga ne edhe si vend anëtar i NATO-s, por dhe si një vend që do të bëhet patjetër anëtar i Bashkimit Europian.