Deklaratë e Këshilltarit për Çështjet Ligjore të Presidentit të Republikës, z. Bledar Dervishaj

Deklaratë e Këshilltarit për Çështjet Ligjore të Presidentit të Republikës, z. Bledar Dervishaj

PËRSE U KTHYEN PËR RISHQYRTIM 10 LIGJET, PËRMES TË CILAVE QEVERIA DHE KUVENDI, NDRYSHUAN REFORMËN NË DREJTËSI

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar përfaqësues të organizmave të shoqërisë civile, dhe të huaj në Shqipëri,

Sot, fatkeqësisht dëshmuam se si Seanca Plenare e Kuvendit që po i përfundon mandati, rrëzoi 10 Dekrete të Presidentit të Republikës, që kishin kthyer për rishqyrtim në Kuvend, 10 ligje që prekin themelin e Reformës në Sistemin e Drejtësisë.

Ndërsa prisnim që të paktën të dëgjonim në diskutimet e deputetëve, përpjekje për të argumentuar ligjërisht rrëzimin e Dekreteve, fatkeqësisht, dëgjuam vetëm retorikë politike, fjalë boshe, pa asnjë vlerë për shoqërinë dhe shqiptarët, pa asnjë vlerë për Sistemin e Drejtësisë, dhe një gjuhë përbaltëse e aspak të denjë për një shtet të së drejtës.

10 Ligje, që prekin zemrën e Reformës në Drejtësi, Kuvendi arrin t`i shqyrtojë për herë të dytë, brenda 1 dite!! Këtë ritëm dhe aftësi juridike e profesionale do ta kishte zili çdo vend europian për deputetët e tij!

Kuvendi në një ditë më datë 23 mars 2021, miratoi 10-ligje të hartuar nga Qeveria, që ndryshojnë thelbësisht reformën në drejtësi. Këto ligje ndryshuese, janë kthyer për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës, përgjatë muajit prill.

Ndërkohë që, ligjet e reformës në drejtësi, që u ndryshuan sot brenda 1 dite nga ky Kuvend ilegjitim, janë hartuar, konsultuar, dhe miratuar, pas një analize 2-vjeçare të të gjithë sistemit të drejtësisë, dhe pas një procesi të gjerë konsultimit publik në vitet 2015-2017.

Reforma në Drejtësi në këto vite (2015-2017) i’u besua një grupi ekspertësh të nivelit të lartë, dhe iu hoq Qeverisë.

Roli i Kuvendit në vitet 2016-2017 në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë ishte rol çertifikues i produktit të grupit të ekspertëve të nivelit të lartë të huaj dhe vendas, pa patur të drejtën për të ndërhyrë në thelbin e tyre. Në të gjitha hapat, reforma në sistemin e drejtësisë u çertifikua përpara se të shkonte për miratim në Kuvend, nga Komisioni i Venecias.

Ndaj pyetjet që i bëhen Kuvendit dhe të gjithëve, janë këto:

– Përse Qeveria sot rrëmben Reformën në Sistemin e Drejtësisë, rrëmben drejtësinë?
– Përse nuk u konsultuan këto ndryshime me Komisionin e Venecias për të siguruar një Opinion objektiv dhe të pavarur?
– Përse u hodh poshtë puna e ekspertëve të pavarur të Nivelit të Lartë, ashtu siç u ndërtua dhe miratua kjo Reformë në vitin 2016, dhe pse sot këto ndryshime miratohen me kaq urgjencë?

Kushdo kupton që ky veprim i sotëm i Qeverisë është që të rrëmbejë drejtësinë, si dhe të mbulojë gjithë paligjshmërinë në implementimin e saj, duke shkelur çdo parim dhe duke e kthyer drejtësinë në një drejtësi të Qeverisë, dhe jo drejtësi për qytetarët.

Gjatë kësaj periudhe që përkonte me fushatën zgjedhore, Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është marrë publikisht me mënyrën antikushtetuese se si Qeveria dhe Kuvendi ndryshuan reformën në drejtësi, por përmes Dekreteve të mirë arsyetuara këto ligje antikushtetuese i janë kthyer Kuvendit për rishqyrtim me kërkesën që Kuvendi të merrte kohën e nevojshme për reflektim, për plotësimin e mangësive të konstatuara.

Kjo edhe për të mos shmangur vëmendjen nga procesi zgjedhor.

Por meqë Kuvendi, në mënyrë të përsëritur përcjell informacion të pavërtetë, jemi të detyruar të sqarojmë opinionin publik.

Ftoj gjithësecilin, të aksesojë faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës, për tu njohur me arsyet e vërteta, se përse këto 10-ligje të Kuvendit që ndryshuan reformën u kthyen për rishqyrtim në Kuvend nga Presidenti i Republikës.

Nëse do lexoni arsyet kushtetuese dhe ligjore, të cilat deputetët tanë kanë për detyrë t`i lexojnë, por që më shumë preferojnë të lexojnë whatsup-et dhe sms-të urdhëruese nga lart e të veprojnë sipas tyre, do kuptoni se si pak e nga pak, çdo tullë e ngrehinës së Reformës në Drejtësi e vendosur në vitin 2016, sot, jo po dëmtohet e po hiqet, por mënyrë të shëmtuar dhe të fshehtë, po shkulet.

Këto 10 ligje të hartuara nga qeveria dhe të miratuara nga Kuvendi në datën 23 mars 2021 kanë këto shkelje:

– Janë shqyrtuar përmes një procedure të përshpejtuar (brenda 5-ditëve) nga data 18 – 23 mars 2021! Kjo bie në kundërshtim flagrant me kërkesat e nenit 81 dhe 83 të Kushtetutës së Shqipërisë. As mos të përpiqet më kot ndonjë prej deputetëve të Kuvendit, të sqarojë se kur nis procedura e shqyrtimit në Komision, e kur duhet të përfundojë, se të gjithë ne, dimë aritmetikë, dimë ti përllogarisim ditët kalendarike.

– Kjo shpejtësi shqyrtimi, ka bërë që ndryshimet ligjore të jenë realizuar jo vetëm në kundërshtim me Kushtetutën, por dhe procedurën e përcaktuar nga Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë (nenet 26-28).

– Këtë shkelje Kuvendi e ka përsëritur 10 herë me radhë, për të gjitha ligjet ndryshuese.

– Ndryshimet ligjore janë miratuar në mungesë të një procesi konsultimi gjithëpërfshirës, me shoqërinë civile, apo edhe me të gjitha organet përgjegjëse të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

Këtë e dëshmojnë fare qartë edhe raportet përkatëse të Komisionit për Çështjet Ligjore, që një herë citojnë se aktet janë bërë nga një grup i përbashkët pune në Ministrinë e Drejtësisë me institucionet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, e një herë citojnë se këto projekligje u janë çuar organeve të drejtësisë për mendim!!

Nëse janë hartuar bashkë me organet e drejtësisë, atëherë përse do tu dërgoheshin për mendim kur kanë qënë pjesë e grupit të punës?! Dhe pse disa komente nga një pjesë e këtyre institucioneve janë dhënë pikërisht gjatë shqyrtimit në komision dhe/apo nuk janë marrë parasysh?!

– Ndryshimet janë realizuar nga qeveria në mungesë të plotë të transparencës me publikun. Askush nuk u informua se çfarë po ndryshohej dhe përse po ndryshohej! As shoqëria civile, as aktorët realë që japin drejtësi përditë.

– Procedura e ndjekur për këto ndryshime ligjore është kundërshtuar njëzëri nga 71 organizata të shoqërinë civile, (si Komiteti Shqiptar i Helsinki, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Instituti i Studimeve Politike, dhe shumë të tjerë që kanë marrë pjesë gjatë procesit të konsultimit publik të reformës në vitin 2016. Edhe këto organizata evidentojnë në deklaratën e tyre publike se çfarë shkeljesh kushtetuese proceduriale ka kryer Kuvendi i Shqipërisë.

– Ndryshimet ligjore të bëra nga ky Kuvend sot në vitin 2021, cenojnë rëndë klimën e besimit tek Reforma në Drejtësi e miratuar me unanimitet të plotë me 140 vota në vitin 2016, si dhe tek implementimi i reformës, në Sistemin e Drejtësisë.

– Propozimet e të 10 projektligjeve janë hartuar nga qeveria sipas vullnetit të saj, ndërkohë që sipas procedurës parlamentare kamuflohet sikur këto të jenë propozime të deputetëve të Kuvendit, duke dhunuar kështu parimin e ndarjes e balancimit të pushteteve të përcaktuar në nenin 7 të Kushtetutës.

– Këto veprime tregojnë dhe një herë se në çfarë gjëndje është sot Qeveria dhe Kuvendi, ku të dy këto organe janë bashkuar në një trup të vetëm, ndërkohë që sipas Kushtetutës ato duhet të funksionojnë dhe të qëndrojnë të ndara.

Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare rezulton se ndryshimet në ligjet e reformës nuk i ka hartuar Kuvendi, por Qeveria, ndërkohë që vetëm për të shmangur procesin e detyrueshëm të konsultimit publik dhe transparencën, këto projektligje në të njëjtën datë janë propozuar nga disa deputetë të ndryshëm, sikur të ishin produkt e propozim i tyre.

– Si mundet të citohet në relacione se ligjet janë hartuar nga një grup pune nën drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe më pas këto nisma të nënshkruhen si propozime deputetësh?!?!

– Ky është rasti flagrant që tregon ku ka arritur arroganca e këtyre deputetëve, dhe e veprimtarisë së ligjvënësit, që nuk pyesin, e as përpiqen të mbulojnë, apo të mundohen të fshehin shkeljet që bëjnë, të paktën nga ana proceduriale, të paktën sa “për sy e faqe”!

– Mjafton vetëm fakti që këto 10 ligje, janë hartuar, propozuar, konsultuar, shqyrtuar dhe miratuar përmes një procedure tërësisht antikushtetues dhe pa konsultim të gjerë publik, gjë që bën të detyrueshme kthimin e tyre për rishqyrtim në Kuvend, në mbështetje të nenit 85 pika 1 të Kushtetutës, për plotësim të mangësive të konstatuara.

– Disa prej këtyre ligjeve, prekin thelbësisht përbërjen e trupave gjyqësore kolegjiale. Tanimë do të kemi trupa gjyqësore me përbërje të cunguar. Ndryshimi i trupave gjykuese në shkallët e gjyqësorit, përmes reduktimit të numrit të gjyqtarëve në përbërje të tyre, rrezikon të cenojë pikërisht interesin publik për një drejtësi profesionale, efektive, të paanshme, të pakundërshtueshme për nga cilësia e vendimmarrjes së saj.

– Nga ana tjetër, ndryshimet ligjore, të miratuara në fund të këtij sesioni parlamentar, janë përpjekje për të mbuluar mangësitë, shkeljet, dhe mosveprimin e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, kryesisht të Këshillt të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), por jo vetëm, përgjatë fazës së implementimit të reformës, të cilat me veprime apo mosveprimet e tyre, apo shkeljet që kanë kryer, kanë tejkaluar, çdo afat të arsyeshëm për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese duke e tejzgjatur këtë proces dhe duke mos iu përgjigjur në kohë nevojës jetike që ka vendi për një Gjykatë të Lartë dhe një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale.

– Nga një vështrimi kronologjik i të gjitha fakteve rezulton se, Këshilli i Lartë Gjyqësor, një organ ky i konstituuar në 20 dhjetor 2018, ka paraqitur vonesa të pajustifikuara në shpalljen, verifikimin, vlerësimin e kandidatëve për plotësimin e të gjitha vendeve vakante në Gjykatën e Lartë.

– Ndaj ishte e papranueshme që përmes këtyre ndryshimeve ligjore, të krijohet një terren absurd, duke legjitimuar ritmin e ngadaltë dhe të papranueshëm të KLGJ-së, që për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, i cili sipas këtyre dispozitave të miratuara është parashikuar që mund të zgjasë deri në 31 dhjetor 2023.

– Ndryshimet ligjore nga ana tjetër përpiqen që të mbulojnë përgjegjësinë e Kryeministrit, dhe përfaqësuesve të mazhorancës në Kuvend apo qeveri, që me deklarimet, apo me veprimet e tyre aktive, në adresë apo në bashkëpunim me ish-anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, sollën bllokimin e veprimtarisë së këtij organi (KED) për vitet 2017-2018, duke bërë që vendet bosh të krijuara në Gjykatën Kushtetuese të mos plotësoheshin në kohë.

Këto veprime dhe bllokimi i veprimtarisë së KED-së, nxorën praktikisht jashtë funksionit Gjykatën Kushtetuese për gati 3 vjet, ose saktësisht për 33 muaj, e për pasojë nxjerrjen jashtë kontrollit kushtetues të veprimtarinë dhe vendimmarjes së Kuvendit dhe të qeverisë për 3 vite radhazi.

– Kuvendi i Shqipërisë, përpara se të kalonte në pranimin a priori të projektligjeve të qeverisë, duhej të merrte informacion nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, mbi këtë pyetje:

Kur do të përfundojnë procedurat e ngritjes në detyrë për 8 vendet vakante në Gjykatën e Lartë të shpallura për aplikim prej këtij organi (KLGJ), që prej muajit shtator 2019 (një vend vakant); shkurt 2020 (gjashtë vende vakante), dhe korrik 2020 (një vend vakant)?

Faktet tregojnë se, nëse Këshilli i Lartë Gjyqësor do të kishte treguar efektivitet, vendosmëri, përgjegjshmëri në punën e tij, edhe procedurat për plotësimin e këtyre 8 vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, të shpallura tashmë prej më shumë se 1-viti, do të kishin përfunduar, dhe sot Gjykata e Lartë do të kishte në përbërje të saj 15 anëtarë.

Në këtë mënyrë, sot nuk do të ishte e nevojshme që Kuvendi, përmes ndryshimit të bërë përmes nenit 4 të ligjit nr. 45/2021, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, ulte kuorumin vendimmarrës në Gjykatën e Lartë, për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo situatë, patjetër që është e papranueshme për Presidentin e Republikës dhe për këto arsye, nuk e ka dekretuar me shpallje ligjin nr. 45/2021 që ndryshon ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, por e ka kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

– Ndërkohë që edhe më e rëndë paraqitet situata në ligjin nr. 50/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

– Përmes këtyre ndryshimeve, veç të tjerave synohet që në sistemin e drejtësisë Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) të emërojnë si magjistratë, Ish-Gjyqtar apo ish-Prokuror, pa kaluar më parë procesin e rivlerësimit kalimtar, pra pa kaluar vetting-un, kjo në kundërshtim me atë që përcakton Kushtetuta në 179/b të saj.

Kushtetuta (neni 179/b, pikat 4, 7) kërkon detyrimisht që nëse ish-Gjyqtarët apo ish-Prokurorët duan të rikthehen në sistem, ata duhet të kalojnë më parë me sukses, procesin e rivlerësimit kalimtar, pra vetting-un, përmes organeve të vetting-ut që e realizojnë atë, që janë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

– Ndërkohë që ky Kuvend, e anashkalon këtë detyrim kushtetues, duke krijuar një ‘deriçkë’ të vogël, që verifikimin e ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve, jo vetting-un, ‘verifikimin’ ta kryejnë KLGJ dhe KLP.

Atëherë lind pyetja, për Kuvendin, për qytetarët, për Këshillin e Lartë Gjyqësor, për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për të gjithë:

Kë duhet të zbatojmë?

Kushtetutën e miratuar në korrik 2016 me 140 vota, apo ligjin që ka miratuar ky Kuvend sot, që po i përfundon mandati ???!!!

Presidenti i Republikës, dikur në pozitën e Kryetarit të Kuvendit bëri të mundur votimin e Reformës në Drejtësi me 140 vota. Ai e do më shumë se askush procesin gjithëpërfshirës të konsultimit, të rregullt e procedurial në miratimin e çdo ndryshimi që prek sadopak ligjet e miratuara në konsultim të plotë.

Sot, Kuvendi të cilit po i përfundon mandati humbi mundësinë të tregonte jo vetëm integritet moral, por edhe juridik, përballë funksionit që nuk e ka ushtruar prej kohësh siç duhet, atë të ligjbërjes cilësore, transparente, të pa kapur, në funksion, dhe vetëm të interesit publik.

Të gjitha dekretet dhe arsyetimet shoqëruese të Presidentit të Republikës i gjeni në faqen zyrtare të institucionit.

Ju faleminderit!