Deklaratë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta

Deklaratë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta

Si President i Republikës, në mbështetje të nenit 84 dhe 93 të Kushtetutës, kam dekretuar sot shpalljen e ligjit nr. 35/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Shpallja e ligjit u vlerësua e nevojshme në situatën pandemike që po kalon vendi ynë, për arsye se kohëzgjatja, pasojat apo mundësia e ripërsëritjes së një situate të tillë, mbeten ende të paparashikueshme për vendin tonë, por edhe për mbarë botën.

Kam ndjekur me vëmendje maksimale shqetësimet e bëra publike nga aktorë të ndryshëm mbi propozimin dhe miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal.

Shmangia e procedurave të përshpejtuara në miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar nuk është një kërkesë vetëm formale kushtetuese, që duhet të respektohet nga komisionet e përhershme parlamentare dhe vetë Kuvendi.

Përkundrazi, është një kërkesë kushtetuese që në thelb kërkon kryerjen e ndryshimeve në ligje të rëndësishme me një konsultim dhe konsensus të gjerë dhe shterues.

Ndaj, edhe Institucioni i Presidentit të Republikës iu përgjigj kërkesës për bashkëpunim dhe konsensus nga ana e Kuvendit dhe Qeverisë për ndryshimet në Kodin Penal.

Diskutimi i gjerë tekniko- juridik ka çuar në përmirësime thelbësore të produktit final të votuar nga Kuvendi.

Nisur nga këto zhvillime, nga kjo gjendje e fatkeqësisë natyrore në të cilën ndodhemi, por mbi të gjitha, për shkak të boshllëkut ligjor që ka Kodi Penal sa i përket trajtimit të veprimeve që kryhen me dashje dhe qëllimin kriminal për përhapjen e sëmundjeve infektive, Presidenti vlerëson se iniciativa e Kuvendit dhe e Qeverisë që mbrojtja e shëndetit publik të garantohet edhe nga normat penale, përpos atyre administrative, duhet mbështetur.

Presidenti i Republikës konstaton se mes draftit të propozuar fillimisht nga deputetët, atij të miratuar në Komisionin përgjegjës për Çështjet Ligjore dhe përmbajtjes së ligjit nr. 35/2020 të miratuar në seancë plenare, ka shumë ndryshime thelbësore pozitive, të cilat kanë reflektuar një pjesë të sugjerimeve të Avokatit të Popullit, të shoqërisë civile, të ekspertëve të së drejtës dhe të Institucionit të Presidentit të Republikës, që lidheshin veçanërisht me:

– Llojin dhe masën e dënimit penal në përputhje me parimin e ligjshmërisë dhe të sigurisë juridike;
– Qartësimin e veprimeve apo mosveprimeve që ngarkojnë me përgjegjësi penale;
– Aplikimin e sanksionit penal në mënyrë të përshkallëzuar, vetëm pasi të jetë aplikuar më parë sanksioni administrativ;
– Përcaktimin në mënyrë të qartë të përgjegjësisë penale në rastin e përhapjes së sëmundjes infective, të përfshirë në listën e sëmundjeve infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin sipas ligjit të posaçëm, vetëm për veprime të kryera me dashje dhe nga personat e diagnostikuar si mbartës të saj;
– Saktësimin e rrethit të subjekteve, duke bërë që norma penale të aplikohet vetëm mbi:
 personat “që janë paralajmëruar më parë me një masë administrative për respektimin e masave”,
 personat “e diagnostikuar si mbartës”, apo
 për personat “të cilëve iu është njoftuar detyrimi i zbatimit të urdhërimeve nga organet kompetente”.

Këto përmirësime thelbësore të dispozitave, që kanë ulur dukshëm masat e dënimit si dhe kanë evidentuar më qartë elementet dhe format e konsumimit të këtyre dy figurave të veprave penale, respektojnë më shumë parimin e sigurisë juridike dhe proporcionalitetit.

Ndërkohë, Presidenti i Republikës vlerëson se është e domosdoshme që përpara hyrjes në fuqi të këtyre dispozitave të reja në Kodin Penal:

• Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Komiteti i Ekspertëve dhe Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, duhet të vlerësojnë plotësimin e kuadrit ligjor apo nënligjor që lidhet drejtpërdrejt me aplikimin e legjislacionit penal, si dhe përcaktimin e qartë dhe shterues sipas ligjit nr. 15/2016 të listës së sëmundjeve infektive të rrezikshme, që lidhen me zbatimin e masave të jashtëzakonshme, procedimin administrativ apo penal;
• Të gjitha kufizimet, masat e veçanta apo rregullat, shkelja e të cilave sjell sanksione administrative e më pas, penale, të nxjerra nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave apo çdo organ tjetër i ngarkuar nga ligji, duhet t`i nënshtrohen një fushate të gjerë e të vazhdueshme informimi publik, përpos botimit të detyrueshëm dhe brenda afatit në Fletoren Zyrtare;
• Fushata e informimit duhet të përfshijë edhe normat e reja penale;
• Pushteti vendor dhe Qeveria duhet të rrisin kapacitetet e tyre për t`iu përgjigjur në kohë kërkesave dhe nevojave më jetësore të shtresave më në nevojë dhe sidomos të pensionistëve, të cilëve iu është kufizuar totalisht liria e qarkullimit;
• Njoftimi i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë i personave të diagnostikuar, karantinuar apo izoluar, dhe i të afërmve të tyre dhe personave të tyre të kontaktit, duhet të jetë i dokumentuar.

Rritja e numrit të testimeve duhet të jetë qëllim i vazhdueshëm i Qeverisë.

Një bashkëpunim midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Institutit të Shëndetit Publik, Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Prokurorit të Përgjithshëm, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është i domosdoshëm për hartimin e udhëzimeve integrale, që do të orientojnë Policinë e Shtetit, prokurorët dhe gjyqtarët për aplikimin e dispozitave të reja të Kodit Penal, bazur në kritere të qarta teknike dhe aktet ligjore e nënligjore në fuqi.

Miratimi i këtyre udhëzimeve dhe publikimi i tyre duhet t`i paraprijë hyrjes në fuqi të dispozitave të reja të Kodit Penal, për të patur një zbatim objektiv, në përputhje me parimet kushtetuese dhe me rrethanat që kanë diktuar miratimin e këtyre normave të reja penale në këto momente.

Presidenti i Republikës mirëpriti edhe ndryshimet e tjera në Kodin Penal që trajtojnë dhunën në familje, në të gjitha format e shfaqjes së saj, ndërkohë që shihet me rezervë riformulimi jo i qartë sa i takon një pjese të rrethit të subjekteve të shtuar në dispozitën e dhunës në familje.

Presidenti i Republikës gjen edhe njëherë rastin t`u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë me durim dhe përpikmëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet e bëra publike për shkak të pandemisë globale.

Po kështu, gjej rastin të theksoj rëndësinë e rritjes së transparencës në menaxhimin e pandemisë dhe sidomos të rëndësisë së përkujdesit të shtuar për shtresat më të prekura nga kufizimet dhe pasojat ekonomike e sociale.