Deklaratë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta

Deklaratë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta

Javën e kaluar, ju premtova për një komunikim javor për të bërë sa më transparente veprimtarinë e Presidentit sipas rolit të tij kushtetues, por edhe për të qenë sa më i hapur ndaj jush për çështjet më të rëndësishme.

Transparenca në drejtimin e institucioneve është themeli i funksionimit të shtetit të së drejtës, por edhe i respektimit dhe garantimit të besimit të qytetarëve ndaj institucioneve.

1. Gjatë kësaj jave, ka vijuar shqyrtimi i kërkesave për shpallje për 8 ligje të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë:

Nga këto, 3 ligje janë shpallur me Dekret nga Presidenti:
1) Ligj nr. 52/2020 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, i ndryshuar
2) Ligj nr. 53/2020 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, i ndryshuar”
3) Ligj nr. 57/2020 “Për pyjet”

Ndërsa 2 ligje janë kthyer për rishqyrtim në Kuvend.

1) Ligji nr. 43/2020Për aktivitetet e turizmit detar”, është kthyer, duke bartur një shqetësim të madh për cilësinë e procesit ligjbërës, por edhe së gjuhës së akteve të miratuara.

Fusha e aktiviteteve zbavitëse të turizmit detar, duhet të zhvillohet nën një regjim të sigurtë juridik, por këtë regjim të sigurtë nuk e garanton mungesa e qartësisë dhe koherencës së dispozitave ligjore me Kushtetutën dhe pjesën tjetër të legjislacionit në fuqi.

Përdorimi sidomos i emërtimeve në gjuhë të huaj, i shkronjave që alfabeti ynë nuk i njeh, në aktin më të lartë me fuqi detyruese që nxjerr Kuvendi i Shqipërisë, jo vetëm shkel parimin se gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është gjuha shqipe, por cenon drejtpërdrejtë dhe identitetin kombëtar, të mbrojtur posaçërisht që nga preambula e Kushtetutës sonë.

Uroj që Kuvendi të reflektojë mbi këto çështje.

1) Është kthyer gjithashtu për rishqyrtim në Kuvend edhe Ligji nr. 58/2020 për miratimin e shtesës së koncesionit të një porti në Porto Romano Durrës.

Për këtë ligj, ashtu si dhe për koncesione të tjera të kthyera, konstatohet se procedura e aplikuar nga autoritetet kontraktore, anashkalon procedurat e hapura dhe transparente të konkurrimit të parashikuar në ligjin për koncesionet dhe PPP-të, duke hyrë në marrëdhënie të drejtpërdrejtë negocimi vetëm me një subjekt.

Këto shkelje cenojnë qartë konkurrencën e lirë duke shkaktuar rrezik të lartë për financat publike, cenojnë parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike, por mbi të gjitha, Kodin Detar dhe sigurinë mjedisore. Për këtë ligj, në Institucion kanë mbërritur shqetësime edhe nga operatorë të tjerë ekonomikë, që kanë marrëveshje kontraktuale me shtetin shqiptar për operimin në portin e Durrësit.

Shqetësim për këtë ligj ka ngritur edhe Komisioni Europian, duke i kërkuar qeverisë shqiptare një seri shpjegimesh mbi procedurat e ndjekura nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për nënshkrimin e këtij koncesioni praktikisht të ri.

Përveç arsyeve të dhëna në Dekretin e Presidentit, Kuvendi i Shqipërisë dhe qeveria shqiptare, duhet të vlerësojnë me shumë kujdes shqetësimet e ngritura nga Komisioni Europian dhe operatorët e tjerë ekonomikë ankues.

2. Institucioni i Presidentit ka vijuar komunikimin me Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke kërkuar ndjekjen me përparësi të procedurave për plotësimin e të gjitha vakancave në Gjykatën e Lartë, sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

3. Kam zhvilluar një bashkëbisedim, nëpërmjet një video-konference, me përfaqësuesit e “Europa Nostra”, të cilët i falënderova për angazhimin e tyre për promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit tonë.

U ra dakord për domosdoshmërinë e nisjes së një hetimi ndërkombëtar për çështjen e shembjes së paligjshme dhe arbitrare të Teatrit Kombëtar, çka tronditi të gjithë opinionin publik vendas dhe ndërkombëtar.

Po kështu u ra dakord për të vijuar bashkëpunimin edhe për shumë çështje të tjera në vendin tonë që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore, edhe si pjesë e trashëgimisë europiane të kulturës.

4. Njëkohësisht dua t’ju sqaroj se pas furtunës në gotë që u ngrit javën e kaluar, kam bërë disa prononcime publike për t’i bërë plotësisht të qartë dhe transparente opinionit publik përpjekjet e mia të sinqerta për të ndërtuar konsensus mbi axhendën e integrimit europian të Shqipërisë.

Brenda disa javësh do të propozohet edhe kuadri negociator për Shqipërinë nga Komisioni Europian. Por për fat të keq, edhe kësaj here përpjekjet e mia që ky moment ta gjente vendin më të bashkuar, më të përgatitur dhe më të angazhuar në axhendën e reformave, u minua.

Tashmë secili aktor le të marrë barrën e përgjegjësive të veta përballë qytetarëve dhe partnerëve europianë. Siç e bëra publike gjatë kësaj jave, unë do të kaloj tani më pak kohë me Tiranën politike, dhe do t’u përkushtohem më shumë Shqipërisë së qytetarëve.

5. Lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, dua të nënvizoj se si President i Republikës së Shqipërisë gjithmonë kam respektuar Kushtetutën dhe institucionet e Republikës së Kosovës, dhe këtë do ta bëj gjithmonë.

Është shumë e rëndësishme që në Kosovë të mbizotërojë sjellja europiane ndaj institucioneve.

6. Për çështjen e Kodit Zgjedhor, edhe unë jam i kënaqur që ndjek në media pasqyrimin e deklaratave të aktorëve politikë dhe diplomatikë, që ka përparime.

Mezi pres që palët të mbajnë fjalën dhe në datën 31 maj 2020 të përmbyllen me konsensus në këtë tryezë të Këshillit Politik të gjitha ndryshimet që kërkohen me aq ngulm prej kohësh nga Bashkimi Europian, por dhe nga partnerët e tjerë.

Menjëherë do t’i firmos këto ndryshime sapo të vijnë, në mënyrë që të japim një lajm të mirë nga Tirana edhe për qytetarët, por sidomos për partnerët ndërkombëtarë, pavarësisht se do të jetë një lajm i pamjaftueshëm për atë që pritet sepse serioziteti i këtyre ndryshimeve do verifikohet nga zgjedhjet në terren.