Deklaratë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mbi provat e reja që faktojnë veprimtarinë kriminale të të kallëzuarit Ardian Dvorani

Deklaratë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mbi provat e reja që faktojnë veprimtarinë kriminale të të kallëzuarit Ardian Dvorani

Sot jam këtu, për të informuar opinion publik dhe institucionet përgjegjëse, mbi fakte të reja të dala në dritë mbi veprimtarinë kriminale të të kallëzuarit Ardian Dvorani, gjatë kryesimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2019.

Prej sot, do të përgatitet dhe depozitohet një shtesë në kallëzimin penal që kam depozituar në muajin nëntor 2019, për këtë shtetas:
– jo vetëm për të thelluar hetimin penal ndaj tij për veprat penale që ka konsumuar, dhe pasojat e të cilave po i vuan ende sistemi i drejtësisë për shkak të mosplotësimit të kuorumit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe sepse
të kallëzuarit Ardian Dvorani, duhet t`i ndalohet menjëherë ushtrimi i veprimtarisë kriminale përmes shpërdorimit të funksionit publik, me qëllimin e pastër, të nxitur nga presioni politik, për Kapjen e Gjykatës Kushtetuese!

Të kallëzuarit Ardian Dvorani duhet t`i ndalohet menjëherë veprimtaria e organizuar kriminale për vonimin e procesit të plotësimit të kësaj Gjykate, që vendin e fundit vakant në të, t`ia ruajë vetes!

Sot, jam këtu para jush, për t`ju treguar sa larg shkon koordinimi mafioz për kapjen e drejtësisë, kur:

– Kryetari i Kuvendit, me shkresën me nr. prot. 3973, datë 8 Nëntor 2019, i drejtohet Kryetarit të KED, duke i kërkuar informacion mbi ecurinë e procesit të emërimit/zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese; dhe kur
– I kallëzuari Ardian Dvorani, që lihet ende i lirë të ushtrojë funksion publik, brenda ditës i përgjigjet kërkesës së Kryetarit të Kuvendit, me shkresën me nr. prot. 716/1, datë 8 Nëntor 2019, duke:
• Keqinformuar dhe fshehur informacion mbi vullnetin e shprehur dhe të administruar shkresërisht të Presidentit të Republikës për ushtrimin e kompetencave të tij në emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, sipas vakancës së shpallur; dhe
• në cilësinë e tij personale, pa zhvilluar asnjë mbledhje të Këshillit të Emërimeve në Drejtësië, pa patur kompetencën ligjore të përgjigjet për çështje të tilla dhe aq më pak të kryejë intepretime të ligjeve dhe të Kushtetutës, konstaton si të jetë vetë organi i emërtesës, zgjedhjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.

Nëpërmjet këtij komunikimi shkresor, i kallëzuari Ardian Dvorani, pa asnjë kompetencë të shprehur në Kushtetutë apo ligj, dhe duke mashtruar opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar, ka shtrembëruar faktet dhe ka abuzuar me detyrën me qëllim që në bashkëpunim me Kuvendin, t`i rrëmbenin Presidentit të Republikës kompetencën për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.

I kallëzuari Ardian Dvorani, që ushtron ende funksionin e Kryetarit të KED-së, duhet t`i përgjigjet tashmë SPAK-ut, se:
Përse nuk thirri Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, të shqyrtonte dhe të shprehej për shkresën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë?
– A është në kompetencën e tij që të përcaktojë vullnetin e gjithë Këshillit, duke e përfaqësuar në marrëdhëniet me të tretët, pa marrë autorizimin e anëtarëve të këtij Këshilli?
– Me kë bashkëpunoi, apo kush e urdhëroi, që të përgatiste, nënshkruante dhe përcillte në kohë record brenda disa orësh, një përgjigje në shkelje të rëndë të çdo të drejte dhe detyrimi ligjor, nën përgjegjësinë e tij vetjake dhe diktatin politik!
– Ndërkohë që Këshilli, vetëm 1 ditë më parë, në mbledhjen e datës 7 nëntor 2019, dakordësoi se nuk mund të komentonte qëndrimin e Presidentit të Republikës, pasi do të përbënte tejkalim kompetencash, si mundi Ardian Dvorani të thyente këtë rregull të Këshillit, për t`iu përgjigjur kërkesës së Kuvendit?

Për këto arsye do të marr pjesë në seancën plenare të Komisionit të Venecias, në mënyrë që e gjithë Europa të ndërgjegjësohet për grushtin e shtetit që po ndodh këtu.