28 Janar 2022 Deklaratë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta lidhur me nivelin tepër shqetësues të borxhit publik
Objektivi kryesor i politikës ekonomike duhet të jetë kthimi sa më parë i raportit të borxhit ndaj Produktit të Brendshëm Bruto në një rrugë rënëse.
Përndryshe, niveli i borxhit në vitet në vazhdim do të mund të shkaktojë një krizë serioze duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë e financave publike.
Edhe, Ligji i Buxhetit për vitin 2022 nuk bëri transparent nivelin real të borxhit të vitit 2021, si dhe një vlerësim të të gjitha risqeve potenciale të rritjes, dhe mbi këtë bazë marrjen e masave parandaluese për uljen e tij.
Ministria e Financave në relacionin e Ligjit të Buxhetit raportoi që stoku i borxhit është 80% e Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2021, ndërsa FMN e vlerëson në 80.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ndërsa në parashikimet e reja të Kuadrit Makroekonomik 2023-2025, të miratuar së fundmi Ministria e Financave raporton se borxhi publik i vendit vlerësohet të ketë arritur në 80.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2021.
Por përsëri kjo nuk pasqyron nivelin real te tij.
KLSH vlerëson se stoku i borxhit publik i raportuar për vitin 2020, që mbartet në vitin 2021, paraqitet i nënvlerësuar bazuar në respektimin e kërkesave ligjore për raportimin e detyrimeve të prapambetura.
Në llogaritjen e stokut të borxhit për vitin 2021 do të duhej të përfshiheshin të gjitha detyrimet e prapambetura të Qeverisë qendrore dhe lokale, rimbursimi i plotë i TVSH-së në rreth 24.2 miliard lekë, vendimet e gjykatave ndërkombëtare në rreth 405.2 milion euro, si dhe detyrimet e nënhuasë në 62.5 milion euro. Vlera reale e borxhit publik në fund të vitit 2021 mund të llogaritet në më shume se 84.0% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në këtë nivel të stokut përsëri nuk janë përfshirë çështjet në shqyrtim në gjykatat ndërkombëtare; detyrimet e reja shtesë të papaguara të Qeverisë së përgjithëshme që mund të krijohen; detyrimet e nënhuasë; riskun në rritje të portofolit të PPP me mbështetje buxhetore ose me ofertë të pakërkuar; të garancive shtetërore; rrezikut të luhatjes së kursit të këmbimit; risku i normave të interesit, që vazhdon të jetë i konsiderueshëm; risku si rezultat i zgjatjes së situatës pandemike dhe efektet reale të paparashikuara të saj; si dhe efektet e pritshme mbi ekonominë, të rritjes së çmimeve të karburanteve dhe energjisë elektrike.
Vlera totale e projekteve Partneritet Publik Privat në vitin 2022 do të arrijë në mbi 45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Projektet e Partneritetit Publik Privat i kanë lejuar Qeverisë të ndërmarrë investime të reja klienteliste pa ndonjë rritje të menjëhershme të shpenzimeve apo borxhit të raportuar të qeverisë, të paktën në afat të shkurtër.
Por financimi i tyre jashtë bilancit publik rezulton në mungesë të transparencës lidhur me detyrimet e ardhshme.
Angazhimet financiare do të ndikojnë në qëndrueshmërinë e ardhshme të financave publike, duke shtuar rreziqet fiskale.
Borxhi bruto i Qeverisë së përgjithshme është treguesi kryesor që përdoret gjatë analizës, por kjo nuk është e mjaftueshme për të vlerësuar qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike dhe besimin e investitorëve.
Treguesit e borxhit duke përfshirë borxhin për banorë, kosto e shërbimit të borxhit, shpenzimet për interesat dhe ndjeshmëria ndaj normave të interesit, maturimi i borxhit, përbërja e borxhit në valutë, raportet e borxhit të jashtëm ose të eksporteve ndaj PBB-së, marrëdhëniet ndërmjet borxhit dhe të ardhurave tatimore, kredibiliteti i institucioneve, që janë mbartës të borxhit, janë tregues shumë të rëndësishëm për të vleresuar qëndrueshmërinë dhe aftësitë e rimbursimit të borxhit.
Në vartësi të karakteristikave individuale të treguesve të borxhit të vendeve pavarësisht nivelit të tij, përcaktohet dhe besimi i investitorëve tek ekonomia e vendit, si dhe aftesia për të siguruar një stabilitet dhe qëndrueshmëri të administrimit të borxhit.
Nëse bëjmë krahasim me ekonomi të tjera të rajonit të cilat emetuan Eurobonde në vitin 2021, ekonomitë e vendeve të rajonit gëzuan një besim më të madh tek investuesit. Shqipëria doli në tregun ndërkombëtar dhe emetoi Eurobondin në vlerën 650 milionë euro me normë interesi afatgjatë 3.75 për qind, që është mbi dy herë më e lartë se vendet e rajonit.
Republika e Maqedonisë së Veriut emetoi Eurobondin në vlerë prej 700 milionë euro me normë interesi 1,625%. Serbia doli në tregun ndërkombëtar të kapitalit me Eurobond prej 1 miliard euro dhe arriti normë interesi prej 1,65 për qind.
Treguesit e borxhit e vendit tonë si borxhi publik për banorë, kosto e shërbimit të borxhit, shpenzimet për interesat e borxhit, raporti i borxhit publik ndaj të ardhurave tatimore dhe raporti i borxhit kundrejt eksporteve krahasuar me vendet e rajonit, janë përkeqësuar, si :
Shqipëria ka nivelin më të lartë të borxhit publik për banorë pas Malit të Zi. Niveli i borxhit publik për banorë është rritur mbi 53 % në vitin 2021, në krahasim me vitin 2013.
Shërbimi i borxhit është rritur nga 4.16% e PBB në vitin 2013 në 6.11% e PBB në vitin 2020
Shpenzimet për pagesat e interesave të borxhit publik, janë rritur nga 2.1% të PBB në vitin 2019, në 2.7% të planifikuara për vitin 2022, në 2.9% e PBB në vitin 2023 dhe në 3.1% të PBB e parashikuar në vitin 2024.
Raporti i borxhit publik kundrejt të ardhurave totale i llogaritur për vitin 2020 është rreth 2.96 për Shqipërinë, 0.88 për Bosnjën, 0.94 për Kosovën, 1.43 për Serbinë, 1.79 për Maqedoninë e Veriut, dhe 2.47 për Malin e Zi.
Raporti i borxhit publik kundrejt eksporteve të mallrave, i llogaritur për vitin 2020, është 12.8 për Shqipërinë, 1.1 për Maqedoninë e Veriut, 1.3 për Bosnjën, 1.7 për Serbinë.
Gjithashtu, në periudhën 2000 – 2021, produktiviteti i borxhit i matur si raport i zgjerimit të Produktit të Brendshëm Bruto kundrejt zgjerimit të stokut të borxhit është përkeqësuar.
Në periudhën 2000-2005, për çdo 100 lekë të marrë borxh, prodhimi është zgjeruar në 193 lekë.
Në periudhën 2005-2013, për çdo 100 lekë të marrë borxh prodhimi është zgjeruar në 128 lekë.
Në periudhën 2013-2021, për çdo 100 lekë të marrë borxh, prodhimi është zgjeruar në 84 lekë, në një nivel më të ulët se rritja e borxhit.
Një strategji rigoroze e administrimit të borxhit është e domosdoshme për të arritur një ulje graduale të borxhit publik. Ulja e borxhit do të kërkonte rritje më të lartë ekonomike dhe sidomos të të ardhurave publike, që kërkon një luftë rigoroze kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit.
Do të kërkonte mos miratimin e PPP të reja me mbështetje buxhetore ose me ofertë të pakërkuar, si dhe mos krijimin e detyrimeve të tjera të papaguara të institucioneve qendrore dhe vendore. Do të kërkonte gjithashtu përmirësimin e treguesve financiarë të ndërmarrjeve publike dhe në veçanti të sektorit energjitik, si dhe masa të tjera për të përmirësuar treguesit e performancës qeverisëse.
Duke vlerësuar situatën kritike në të cilën ka arritur niveli i borxhit publik për të parandaluar një humnere ekonomike e financiare dhe drama të mëtejshme sociale, kërkoj nga Kuvendi dhe institucionet financiare të huaja dhe vendase, të bëhet sa më parë një vlerësim real dhe transparent i borxhit publik duke përfshirë të gjitha detyrimet aktuale dhe ato të pritshme të Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu duhet të bëhet dhe një analizë e ndikimit të tij në qëndrueshmërisë e financave publike dhe në përkeqësimin e parametrave makroekonomikë, me pasojë cenimin e interesit publik të përgjithshëm.