Deklaratë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta lidhur me situatën e arsimit në Shqipëri

Deklaratë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta lidhur me situatën e arsimit në Shqipëri

Dua të ndaj me të gjithë opinion publik një shqetësim madhor lidhur me situatën e arsimit në vendin tonë, si një tregues i qartë i problemeve me të cilat ndeshen të rinjtë tanë, por njëkohësisht dhe si një pengesë madhore për një të ardhme më me perspektivë për ta dhe për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Renditja e Shqipërisë e fundit në rajon dhe në Europë për shtrirjen dhe cilësinë e arsimit, është një sinjal i fortë alarmi për të gjithë shoqërinë dhe një dëshmi për tronditjen e rëndë të sistemit në tërësi.

Është një këmbanë alarmi që bie për Qeverinë, Kuvendin, shoqërinë civile, për organizatat rinore dhe në mënyrë të veçantë për familjet shqiptare!

Është e papranueshme, që sipas INSTAT më pak se 30% e pjesës më aktive të shoqërisë tonë përkatësisht të moshës 25-39 vjeç, të jetë me arsim të mesëm.

Është përjashtuese dhe diskriminuese, që vetëm 20% e vajzave dhe e grave në këtë grupmoshe aktive, të zotërojnë këtë nivel arsimi.

Është e patolerueshme, që ndërsa arsimi 9-vjeçar është një detyrim ligjor për qytetarët e Shqipërisë, të kemi rreth 40% të popullsisë të moshës 25-39 vjeç, vetëm me arsim fillor, ndërkohë, që sipas EUROSTAT mesatarisht 81% e popullsisë aktive në Bashkimin Europian zotërojnë të paktën arsim të mesëm.

Nuk e meritojnë Universitetet tona, edhe për shkak të traditës së dikurshme të shkëlqyer, stafi akademik dhe studentët tanë, renditjen të fundit në rajon dhe në Europë për shkak të mosfinancimit të kërkimit shkencor, ndërtimit të kapaciteteve laboratorike bashkëkohore dhe mundësive shumë të pakta të konkurrimit në projekte zhvillimi dhe platforma teknologjike të kohës.

Të gjitha këto janë premisa dhe nxitëse, për fak të keq, të braktisjes masive të vendit nga rinia dhe të shpopullimit të Shqipërisë në tërësi.

Prandaj pamëdyshje do ta cilësoja krizën në arsim, një krizë të rëndë ekzistenciale të shoqërisë tonë për sot dhe për nesër.

Një drame kombëtare, sepse i heq Shqipërisë, pasurinë e saj më të çmuar, rininë dhe burimet njerëzore, si promotorë të përparimit dhe të modernizimit të saj.

Me këtë rast i bëj thirrje Kuvendit dhe Qeverisë për ndërmarrjen sa më parë të reformave rrënjësore për ta shëndetësuar arsimin nga fiktiviteti dhe gangrena e militantizmit partiak.

Hapjen e sistemit dhe freskimin e tij me prurje cilësore pedagogjike dhe akademike, që do të jenë hartuesit dhe zbatuesit e reformave të vërteta dhe transformues të sektorit.

Për ta nxjerrë atë nga koma, për ta rigjallëruar dhe futur në binarët konkurrues të tregut europian të dijes dhe të teknologjisë.

Vetëm me një arsim konkurrues dhe cilësor ne do t’u japim të rinjve tanë shpresë dhe siç thoshte Gëte, rrënjë për t’u fiksuar dhe krahë për të fluturuar, por jo jashtë Shqipërisë.