28 Janar 2022 Deklaratë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta lidhur me sulmet kibernetike ndaj disa mediave online në vend, kritike me Qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës
Jam i detyruar për shkak të censurës, që vjen nga afera e inceneratorëve dhe jo vetëm, të mosreflektimit në media të qëndrimit të Presidentit të Republikës, për një shqetësim shumë serioz të komunitetit të gazetarëve ndërkombëtarë, t’ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës, të më ndjekin sa më shumë në “Facebook” dhe në rrjetet sociale.
Nuk është më një fakt i panjohur, që censura po mbretëron kudo, dhe kjo është në dëm të interesit të qytetarëve dhe të publikut.
Ne do ta thyejmë censurën me të gjitha mjetet dhe të gjitha mënyrat!
Solidarizohem me shqetësimin serioz të komunitetit të gazetarëve të pavarur, vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe dënoj me ashpërsi sulmet kibernetike dhe presionet e gjithanshme ndaj disa mediave online kritike me Qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës.
Ky model i neveritshëm i dhunimit të lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së medias, që synon vendosjen e tyre nën kontroll nëpërmjet presionit, dhunës e shantazhit, në shkelje flagrante të Kushtetutës, ligjeve dhe Konventave ku aderon vendi ynë, meriton nga drejtësia një përgjigje të qartë dhe të menjëhershme ligjore.
Duke sjellë në vëmendje regresin vit pas viti të Shqipërisë në raport me lirinë e medias, pa garantimin e së cilës nuk ka demokraci dhe nuk mund të ketë çelje të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, i ftoj organizatat më prestigjoze botërore e europiane të gazetarëve të mbështesin kolegët e pavarur dhe kurajozë shqiptarë, të cilët si gjithmonë do të më kenë në krah në përpjekjet e përbashkëta për demokratizimin dhe europianizimin e plotë të vendit.
Dhunimi në rritje i lirisë së mediave ka ndihmuar në rritjen dramatike të korrupsionit dhe të kapjes së shtetit.
Të gjithë të bashkohemi për lirinë e medias dhe të refuzojmë orkestruesit e dhunës dhe censurës!