19 Tetor 2020 Deklaratë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta në bashkëbisedimin javor me gazetarët
Të nderuar gazetarë,
Pas njohjes me përmbajtjen e Aktit Normativ Nr.32, datë 12.10.2020, që ka nisur efektet e tij që javën e kaluar, jam thellësisht i shqetësuar!
Çdo lloj mase që merret për arsye shëndetësore, e çertifikuar nga ekspertë, është e mirëpritur për të garantuar parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Por përmbajtja e Aktit që gjobit qytetarët për mosmbajtjen e maskave është një maskaradë, sepse:
– shkel në mënyrë flagrante të drejtat e qytetarëve,
– mund t’i lërë pa drita në fund të muajit, në mes të dimrit,
– i shantazhon deri në humbjen e lirisë;
– e shndërron OSHEE nga një kompani që ka për detyrë furnizimin me energji elektrike, në një instrument policor, ndoshta edhe elektoral, që ekzekuton në mënyrë të paligjshme gjoba!
Nuk është zgjidhje t`i lësh njerëzit pa drita!
Nuk është zgjidhje që në fund të muajit, kur mos të kenë mundësi të paguajnë dot dy herë gjobat e përfshira në faturën e OSHEE, t`ua presësh dritat dhe t`i shantazhosh me burg qytetarët!
Çdo ndodhë me familjet, që në situatë tepër të vështirë ekonomike, do mbifaturohen me shumat e gjobave dhe në fund të muajit do jenë në pamundësi për të paguar?
Do shkojë OSHEE t`u presë dritat?!
OSHEE ka për mision të furnizojë me energji elektrike në mënyrë të pandërprerë.
OSHEE nuk mund të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për mosmbajtjen e maskës. A e ka këtë mision OSHEE?!
Akti Normativ i Qeverisë, në 3 fjali tërësisht të paqarta dhe të mjegullta, shkon shumë më tej në qëllimet e tij dashakeqe.
Synon që përmes ndëshkimeve administrative, të kalojë në një hap tjetër për t`i bërë me precedentë penalë qytetarët shqiptarë, duke i detyruar të përfundojnë para dyerve të prokurorisë e të gjykatave dhe të harrojnë problemet themelore në të cilat Qeveria e ka zhytur vendin dhe me të cilat qytetarët ndeshen çdo ditë!
I bëj thirrje Qeverisë të reflektojë menjëherë.
I bëj thirrje Kuvendit ta shqyrtojë sa më parë këtë Akt Normativ dhe ta ndryshojë atë!
Barrierat mbrojtëse, maskat e distancimin fizik, duhet t`i respektojmë të gjithë, për të mbrojtur veten, të afërmit dhe njerëzit tanë, për të mposhtur sa më shpejt këtë pandemi të rrezikshme, dhe jo për t`i shpëtuar ndëshkimit të Qeverisë në mënyrë arbitrare!
Përballimi dhe parandalimi i pasojave të pandemisë kërkon ekspertizë, bashkëpunim, koherencë, mirëkuptim dhe humanizëm. Jo rregulla arbitrare që ndryshojnë në mënyrë kontradiktore dhe vazhdimisht për të njëjtën çështje.
Jo ndëshkime të paligjshme dhe të paqarta që ia lë në dorë 3 ministrave për t`i detajuar ato jashtë gjithë parashikimeve ligjore.
Qeveria duhet të nxjerrë rregulla që sensibilizojnë shoqërinë dhe nxisin qytetarët për bashkëpunim, jo t`i trembin ata për të fshehur paaftësinë e menaxhimit të kësaj situate.