2 February 2021 Presidenti Meta vlerëson me Titullin “Mjeshtër i Madh” aktorin e mirënjohur Petrika Riza: Artistët janë krenaria e vendit dhe figurat më të dashura nga publiku. Ata janë frymëzim për brezat
Presidenti Meta vlerëson me Titullin “Mjeshtër i Madh” aktorin e mirënjohur Petrika Riza: Artistët janë krenaria e vendit dhe figurat më të dashura nga publiku. Ata janë frymëzim për brezat.
2 shkurt 2021
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” aktorin e mirënjohur korçar Petrika Riza: “Në vlerësim të kontributit profesional për artin shqiptar me interpretimin me nivel të lartë artistik të roleve të paharrueshme në skenën e teatrit dhe ekranin e kinemasë. Me mirënjohje për aktorin e rrallë, i cili portretizoi mjeshtërisht dhe realisht personazhet dhe dramat e tyre psikologjike, duke bërë që loja e tij të mbetet e pashlyeshme nga kujtesa e publikut shqiptar”.
Në fjalën e Tij përshëndetëse në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, duke iu drejtua familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të artit të pranishëm në ceremoni, Kreu i Shtetit u shpreh:
“Të nderuara personalitete të shquara të artit dhe të skenës, të nderuar pjesëmarrës, në vijimësi të aktiviteteve në nderim e vlerësim të artistëve tanë, kam nderin t’i akordoj sot Titullin ‘Mjeshtër i Madh’ artistit të njohur Petrika Riza, një personalitet i shquar i teatrit korçar dhe të kinematografisë shqiptare, i cili me punën dhe pasionin e tij e ka ngritur dhe zhvilluar artin skenik në nivele të larta.
Petrika Riza, artisti i mbi njëqind roleve në dramë, komedi dhe kinematografi, me një karrierë 45 vjeçare dhe me një pasion të pandërprerë për artin skenik, ka dhënë një kontribut të çmuar në piedestalin e artit korçar dhe atij shqiptar, që tashmë mban edhe vulën e qartë të personalitetit të tij të veçantë artistik.
Për talentin, gjallërinë e interpretimeve dhe lojën e tij aktoriale, ai është duartrokitur dhe është dashur gjithmonë nga spektatorët dhe artdashësit.
Karriera dhe puna e gjatë krijuese e zotit Petrika Riza, aktorit dhe më pas drejtorit të Teatrit ‘Andon Zako Çajupi’ në Korçë, është e stolisur hollë në dhjetëra e dhjetëra personazhe në dramë, komedi dhe kinematografi, duke u shpalosur përpara spektatorit, si një artist i kompletuar shumë planesh, i cili ka lëvruar me shumë sukses të gjitha interpretimet e tij.
Ai ka interpretuar në skenë shumë role të rëndësishme dhe protagoniste, si Xhaxha Madhi te ‘Rruga e Madhe’, Xhon Kelleri tek ‘Ishin të gjithë bijtë e mi’ dhe spoti Filothe te ‘Plumbat e shkronjave’, komisari te ‘Përbindëshi’, prokurori te ‘Denoncimi’ e shumë role të tjera.
Në kinematografi Petrika Riza ka interpretuar në dhjetëra filma, ndër të cilat kujtojmë rolin e Rustemit tek ‘I teti në Bronz’, Naimi në filmin ‘Yjet e netëve të gjata’, roli i dhespotit te ‘Mësonjëtorja’, Kajmekani te ‘Kush vdes në këmbë’ e shumë personazhe të tjera të gdhendura nga publiku.
Në kujtesën e publikut si drejtor i Teatrit ‘Andon Zako Çajupi’, ai ka realizuar bashkëpunime të suksesshme me artistët më në zë të kohës, si Violeta Manushi, Luftar Paja, Fadil Hasa, si edhe me regjisorë të shquar si Piro Mani, me të cilin vunë në skenë komedinë greke ‘Zonjusha 39 vjet’, e cila u vlerësua si një nga shfaqjet më të suksesshme të realizuar nga trupa e Teatrit të Korçës.
Vlen të përmendet edhe drama e autorit të mirënjohur Ruzhdi Pulaha ‘Kohë pa emër’ e cila në Festivalin Teatror të Komedisë ‘Ballkan 2000’, u vlerësua nga juria si shfaqja më e mirë dhe mori çmimin e parë.
Të nderuar miq, artistët janë krenaria e vendit dhe figurat më të dashura nga publiku. Ata janë edhe frymëzim për brezat e ardhshëm.
Spektatorët korçarë dhe mbarë publiku i gjerë shqiptar nuk kanë për ta harruar kurrë forcën aktoreske, mjeshtërinë artistike, zërin e ngrohtë dhe potent, si edhe origjinalitetin e interpretimeve të artistit Petrika Riza. Faleminderit!”