10 Maj 2018 Fjala e Presidentit Meta gjatë ceremonisë së dekorimit të doktorit të shquar gjirokastrit, Vasil Laboviti (pas vdekjes)
Kam nderin dhe privilegjin që të dorëzoj këtë vlerësim të veçantë për një personalitet mjaft të spikatur dhe të dashur për Gjirokastrën, i cili me një humanizëm të jashtëzakonshëm e përkushtim profesional, qytetar dhe njerëzor ka lënë gjurmë të thella me shërbimin e tij për më shumë se katër dekada, me më shumë se pesëdhjetë mijë ndërhyrje dhe operacione.
Njëkohësisht dashurinë e dhembshurinë e përkushtimin e tij, ai e ka treguar në mënyrë të veçantë edhe gjatë periudhës së Luftës Antifashiste për të shpëtuar qytetin, e sidomos për të shpëtuar qytetarët dhe njerëzit nga masakrat dhe ndëshkimet e pushtuesit nazist.
Një njeri që ka lënë gjurmë të forta edhe përsa i takon zhvillimit të mjekësisë në këtë qytet dhe në të gjithë krahinën. Një njeri i formuar dhe i edukuar në shkollat më të mira të kohës në Evropë. Dhe mbi të gjitha një njeri, i cili në çdo moment të shërbimit të tij tregoi dashurinë për njerëzit, për qytetin, përkushtimin e tij për të bërë atë shërbim e për të lënë atë vepër, për të cilën ne e nderojmë sot edhe pas kaq kohësh me shumë mirënjohje dhe admirim.
Dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë ndërmarrë nismën për këtë dekorim, të cilët kanë qenë të shumtë, e të cilët kanë menduar se në këtë mënyrë ne thjesht bëjmë diçka! Nuk mund të bëjmë gjithçka për të vlerësuar edhe për të vendosur atje ku duhet një figurë, e cila në fund fare është një figurë që është vendosur në kujtesën e në ndërgjegjen e çdo gjirokastriti dhe mendoj se kjo është arritja më e madhe për çdo figurë e për çdo personalitet.
Prandaj ju falënderoj të gjithëve që jeni bashkuar në këtë ceremoni nderimi për doktorin e shquar, për humanistin e jashtëzakonshëm të Gjirokastrës, të mbarë kësaj krahine, doktor Vasil Labovitin!