17 Janar 2021 Fjala e Presidentit Meta në 100-vjetorin e Kongresit Bektashian
Sot është një ditë historike, sepse mbushen 100 vite nga përfundimi me sukses i Kongresit të Parë të Bektashinjve në Prishtë të Skraparit.
Në 14 deri në 17 janar të vitit 1921, një vit pas Kongresit historik të Lushnjës, personalitete ndër më të shquarat fetare, nga të gjithë trevat shqiptare, kurorëzuan me sukses të plotë një prej kauzave më të rëndësishme, atë të mëvetësimit prej dogmave të deriatëhershme, duke i dhënë frymë dhe jetë traditave më të vyera bektashiane në Shqipëri.
Kongresi i Prishtës, përbën një moment kyç në konsolidimin e shtetit shqiptar. Ai, shënoi zhvillimin e kombëtarizimit të institucioneve shpirtërore dhe fetare në vend.
I mbështetur plotësisht nga qeveria shqiptare e dalë prej Kongresit të Lushnjës, Kongresi i Parë Bektashian, pati meritën e madhe që përmes shfaqjes universale të besimit në Zot, si rrallë më parë u fol hapur për plagët morale dhe sociale të kohës dhe mbi të gjitha për t’i shëruar shpirtërisht këto plagë.
Udhëheqësit bektashian të asaj kohe, e patën kuptuar se Zoti dhe kombi përbëjnë një lidhje unike të pandashme, për të cilën nuk duheshin vetëm lutje, por edhe forcim i ndjenjës kombëtare, duke u harmonizuar me veprime konkrete.
Kanë qenë këto arsyet që tarikati bektashian, si një prej degëve të shëndosha të islamit frymëzoi përmes veprimtarive dhe teqeve, ndjenjat dhe virtytet më të ndjera atdhetare.
Ndaj, prej kohësh edhe përpara Kongresit të Prishtës, teqetë ishin ndër shkollat më të mira të gjuhës shqipe dhe jo vetëm kaq, por edhe të formimit atdhetar të shumë prej rilindasve dhe patriotëve tanë.
Padyshim roli i Teqesë së Frashërit është i njohur për të gjithë, për ndikim e madh, që pati sidomos në formimin atdhetar dhe patriotik të tre prej rilindësve tanë më të mëdhenj dhe më frymëzues edhe për vetë Pavarësinë e Shqipërisë, vëllezërve Frashëri.
Ashtu siç bën me dije edhe nga historiografia, Kongresi i Prishtës, pati meritën e padiskutueshme të hartimit dhe miratimit të Statutit të Parë, të këtij guri të fortë themeli në zhvillimet e ardhshme të Selisë së Shenjtë Bektashiane deri në ditët e sotme.
Përmes neneve të këtij Statuti, u sanksionua përveç të tjerave prirjet e këtij besimi, për t’u përshtatur me zhvillimet bashkëkohore, sociale dhe morale të shoqërisë shqiptare.
Koha tregoi se udhëheqësit bektashianë në vitet më pas, ishin ndër atdhetarët e parë që luftuan dhe u përpoqën deri fund për lirinë dhe pavarësinë e kombit tonë.
Kujtimi i ndritur i baballarëve, të cilët ideuan dhe zhvilluan Kongresin e Parë Bektashian, ndonëse kanë kaluar 100 vite, është ende i freskët.
Emrat e Baba Ahmet Turanit Tepelenë, Baba Sulejmani i Gjirokastrës, Baba Ahmet Elbasani, Baba Xhemal Përmeti, Baba Kamber Prishtës, Baba Hajdar Turani dhe shumë të tjerë, të cilët përbënin më pas dhe Këshillin Atëror të Kongresit, ku i bëjnë nder jo vetëm zhvillimeve të asaj kohe, por krejt rrjedhave historike të bektashizmit shqiptar dhe botëror.
Parë në një këndvështrim më të gjerë, Kongresi i Prishtës, me modelin e tij kombëtar dhe kohezionit social, u parapriu edhe kuvendeve të tjerë, siç ishte ai i Komunitetit Mysliman dhe Kishës Ortodokse Shqiptare më pas.
Ne ndihemi krenarë sot, që Selia e Shenjtë Bektashiane dhe klerikët e saj, jo vetëm ecin të sigurt në gjurmët e saj nga Kongresi i Parë Bektashian por edhe e pasurojnë çdo ditë këtë besim, duke e shndërruar në një faktor të fuqishëm dhe aktiv të vëllazërisë ndërfetare në Shqipëri, në rajon dhe kudo.
Sot, në veçanti nderojmë edhe përpjekjet madhore dhe heroike të të gjithë klerikëve të nderuar bektashianë, të cilët vuajtën persekucionin e regjimit totalitar.
Nderojmë Baba Reshat Bardhin dhe gjithë të tjerët, që nuk u përulën dhe nuk e humbën kurrë besimin e tyre.
Përkundrazi, gjetën forcë për t’i mbijetuar diktaturës dhe njëkohësisht për të bërë gjithçka, që ne sot, të kemi këtë shkëlqim jo vetëm të besimit bektashian, por edhe të gjithë besimeve të tjera në vendin tonë.
Sot ne, nderojmë Kryegjyshin Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe gjithë udhëheqësit e tjerë bektashian, që vazhdojnë këto tradita të shkëlqyera atdhetare të shënuara në Kongresin e Parë të Prishtës dhe që bëjnë përpjekjet më të mira, për të forcuar jo vetëm traditat atdhetare dhe patriotike të këtij besimi, por njëkohësisht për të forcuar edhe kohezionin social të vendit dhe shoqërisë sonë, duke qenë dhe një shembull bashkëpunimi me të gjithë besimet e tjera në vend.
Fatkeqësisht edhe pas 30 viteve nga rënia e regjimit totalitar, jo vetëm besim bektashian, por të gjitha besimet e tjera në vendin tonë kanë pengesat e tyre për të funksionuar më mirë, në një mënyrë më efikase pranë besimtarëve të tyre dhe të gjithë komuniteteve, të cilët kanë nevojë për lutjet dhe frymëzimin e tyre.
Është koha, që shteti dhe të gjitha institucionet menjëherë të respektojnë të gjitha të drejtat kushtetuese të besimeve në vend, duke filluar nga kthimi i të gjitha pronave dhe duke vazhduar me një mbështetje edhe më të madhe nga ana e shtetit, për këto besime.
Roli që ato luajnë është vendimtar, për stabilitetin e shoqërisë sonë, por njëkohësisht edhe për edukimin e më të rinjve, jo vetëm me besimin në Zot, por edhe me dashurinë për Atdheun, sidomos me atë kërkesë që sot, është mbarëkombëtare, për të ndalur largimin e të rinjve nga vendi ynë, në mënyrë që të garantojmë një të ardhme të sigurt, për Shqipërinë dhe për shqiptarët.