Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të Ambasadores së Republikës së Kroacisë, Sanja Bujas-Juraga

Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të Ambasadores së Republikës së Kroacisë, Sanja Bujas-Juraga

Kam kënaqësinë të organizoj këtë ceremoni për ju si një mike e veçantë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ka njerëz që përkushtohen, sakrifikojnë, kanë një botë, i japin energjitë dhe përkushtimin e tyre për të mirën e të tjerëve, për të përmirësuar marrëdhëniet midis njerëzve dhe kombeve dhe një ndër ta është Ambasadorja Sanja Bujas-Juraga.

Unë ndjehem i privilegjuar të nderoj veprën fisnike të kësaj gruaje fisnike. Puna dhe kontributi i saj, si Ambasadore e Republikës së Kroacisë në Shqipëri, i dha edhe më shumë peshë marrëdhënieve tona historikisht të shkëlqyera me Kroacinë.

Gjatë mandatit të saj si Ambasadore këtu, ajo u dallua për veprimtarinë dinamike diplomatike dhe kontributin e vyer në përparimin e përgjithshëm dhe forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe.

Dëshmi e qartë është nënshkrimi i Partneritetit Strategjik midis dy vendeve, që do t’i japë një përmbajtje më të fortë bashkëpunimit tonë në të ardhmen.

Ne i jemi mirënjohës Kroacisë dhe Ambasadores Juraga për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre të sinqertë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Për t’u përmendur gjithashtu se vëmendja jonë ndaj Arbanasve të Zarës u rrit si kurrë më parë.

Historia e marrëdhënieve të ngrohta midis kroatëve dhe shqiptarëve i ka rrënjët në kohërat më të hershme dhe veçanërisht në kohërat më të vështira të kombeve tona. Kurdoherë kemi pasur mbështetjen e shtetit kroat, qeverive kroate, kemi pasur mbështetjen e njerëzve me origjinë nga ky vend.

Ne e themi me gjithë zemër se populli kroat ka qenë gjithmonë me ne, në ditë të mira dhe të këqija. Po kështu, shqiptarët kanë mbështetur Kroacinë dhe kroatët në ditët e vështira të historisë së tyre.

Të nderuar miq,

Jam i lumtur që pata mundësinë, në cilësinë e Presidentit të Republikës dhe në detyrat e mia të mëparshme, të kem marrëdhënie miqësore me një Ambasadore të nderuar, një diplomate e respektuar dhe me familjen e saj. Sanja dhe bashkëshorti i saj, Prof. Dr. Ivan Juraga do të mbahen mend gjithashtu për mbështetjen e tyre të dhënë në laboratorin e ri të Universitetit të Tiranës.

Në fund, më lejoni t’i uroj sa më shumë suksese në karrierën e saj të ardhshme, pasi jam i sigurt se ajo do të përfaqësojë vendin e saj në mënyrën më të mirë siç bëri në Shqipëri. Faleminderit shumë.