Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të Organizatës Shqiptare të Dhuruesve të Gjakut dhe doktorit Halit Gërbeshi me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”

Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të Organizatës Shqiptare të Dhuruesve të Gjakut dhe doktorit Halit Gërbeshi me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”

Ju falënderoj për praninë tuaj në këtë aktivitet të sotëm që shënon 2-vjetorin e themelimit të Aleancës për Dhurimin e Gjakut!

Pikënisja e themelimit të saj ka qenë një takim në Ditën e Talasemisë, më datën 8 maj 2018 me Musa Zenelajn, i cili fatkeqësisht, nuk ndodhet më midis nesh.

Pasioni dhe përkushtimi i tij për kauzën humane dhe me rëndësi të jashtëzakonshme të dhurimit të gjakut dhe për të ndihmuar fëmijët talasemikë, më prekën por dhe më nxitën në ngritjen e një strukturë si Aleanca.

Aleanca lindi si domosdoshmëri për të ndihmuar ata fëmijë e të rinj të cilët kanë lindur me talasemi. Por lindi edhe si nevojë për të sensibilizuar shoqërinë tone, për një kauzë kaq humane sa është dhurimi vullnetar e i vazhdueshëm i gjakut, dhe po ashtu, për të forcuar e rritur solidaritetin për të dhuruar gjak për të gjithë ata që kanë nevojë.

Jeta është shpesh e paparashikueshme dhe mund të na vendosë përpara momenteve mjaft të vështira, ku secili prej nesh apo familjarët tanë, mund të kenë nevojë për gjak.

Prandaj, duhet të kujtojmë gjithmonë, që të dhurosh gjak do të thotë të shpëtosh jetën e dikujt, që një ditë mund të jetë prindi, fëmija, i afërmi ynë ose dhe ne vetë.

Sot, pas 2 vitesh jetë të Aleancës për Dhurimin e Gjakut, ndihem krenar për punën dhe angazhimin e anëtarëve të saj. Dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve për përkushtimin tuaj për këtë kauzë dhe angazhimin për të siguruar furnizim të vazhdueshëm me gjak, për ata që kanë nevojë.

Aktiviteti i sotëm tregon qartë se në këto 2 vite, kemi pasur një shtrirje gjeografike të gjerë, nga Shkodra në Konispol, nga Pogradeci në Sarandë, nga Berati në Cërrik, nga Kavajë në Divjakë, e kudo ku njerëzit kanë më shumë nevojë.

Falë impenjimit dhe kontributit të dhuruesve të ndryshëm janë përballuar situata të vështira siç janë stina e verës dhe ajo e dimrit, kur mungesa e furnizimit me gjak ndihet më shumë.

Ndërkohë, dëshiroj të falënderoj shumë edhe ato institucione, shoqata, komunitete fetare dhe individë, kryesisht të rinjtë, që, edhe pse nuk janë pjesë e kësaj Aleance, kanë dhënë kontributin e tyre duke iu përgjigjur pa hezitim ftesave të Aleancës për të dhuruar gjak.

Falenderimi im shkon për të gjithë dhuruesit vullnetarë të gjakut, që bëjnë të mundur vazhdimin e jetës për qindra e mijëra të sëmurë në Shqipëri.

Edhe pse shkenca ka përparuar mjaft, gjaku nuk prodhohet dot artificialisht. Prandaj, kjo e bën dhurimin e gjakut aktin më të çmuar e më me vlerë në botë dhe i bën dhuruesit vullnetarë të gjakut që të jenë heronj të vërtetë. Cilido që dhuron gjak është hero pasi shpëton një jetë, dhe siç ka thënë edhe shenjtorja jonë Nënë Tereza, kush shpëton një jetë shpëton një botë të tërë.”

Situata e këtij viti me Pandeminë COVID-19 vuri në sprovë të madhe të gjitha sistemet shëndetësore në botë, për shkak të mungesës së dhuruesve të gjakut, si rezultat i kufizimeve apo mbylljeve totale. Ato muaj izolimi sollën shumë problematika e vështirësi veçanërisht për të sëmurët kronikë, pasi mungesa e furnizimit me gjak rrezikonte shëndetin dhe jetën e tyre.

Ndaj në këto kushte kam një falenderim të veçantë sidomos për të të gjithë ata të rinj e të reja shqiptarë dhe ata qytetarë, që iu përgjigjën thirrjes për të dhuruar gjak, edhe në situatën e mbylljes së vendit për shkak të Pandemisë. Kurajua dhe solidaritet i tyre janë për t’u admiruar gjithmonë.

Kjo situata dramatike e Pandemisë në vendin tonë por edhe në gjithë botën dhe gjesti i jashtëzakonshëm i dhuruesve vullnetarë të gjakut në këtë situatë, më kujtojnë fjalimin e Winston Churchill si Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, në1940-ën, vitin e parë të Luftës së Dytë Botërore kur u tha britanikëve: “Nuk kam çfarë t’ju ofroj përveçse gjakut, mundit, lotëve dhe djersës. Ashtu edhe dhuruesit tanë vullnetarë të gjakut me shpirt human, zemërgjerësi dhe shqiptarizëm, pa egoizëm, kanë dhuruar dhe ofrojnë ç’ka kanë më të shtrenjtë: gjakun e tyre, për të shpëtuar bashkatdhetarët e tyre”.

Ne duhet të ndërtojmë një shoqëri që jep, dhuron, ndihmon dhe përkujdeset për të tjerët. Nëse shembulli i përkushtimit të dhuruesve të vazhdueshëm të gjakut do shtrihej në të gjithë sektorët e jetës, shoqëria dhe vendi ynë do ishte më i mirë do të ishin shumë më mirë se sa jemi sot.

Do kishim një qeverisje shumë më të mirë, do të kishin institucione shumë më të forta dhe funksionale, do të kishim një klasë politike që vë njerëzit e thjeshtë mbi veten. Padyshim që do kishim shumë herë më pak korrupsion, më pak krim, më pak dhunë, por do të kishim shumë më tepër tolerancë dhe respekt për dinjitetin njerëzor dhe do kishim një shoqëri shumë më të bashkuar e të shëndetshme.

Edhe një herë, falenderoj të gjithë kontribuesit në kauzën e dhurimit të gjakut, në këtë 2-vjetor të Aleancës, dhe shpreh bindjen që angazhimi i të gjithë anëtarëve të saj do të vazhdojë të mbetet maksimal edhe në ditët, muajt e në vitet në vazhdim.

Në vlerësim tim të punës së jashtëzakonshme të bërë në këto dy vite për dhurimin vullnetar të gjakut, nga shoqata, institucione dhe individë, dëshiroj të vlerësoj një nga shoqatat më aktive në dhurimin e gjakut: Organizatën Shqiptare të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut dhe gjithashtu edhe një mjek shqiptar të Kosovës, doktor Halit Gërbeshi.”

E themeluar nga Doktor Natale Capodicasa, mjeku italian por tashmë plotësisht shqiptar, Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, pas 15 vitesh kontribut në fushën e dhurimit vullnetar të gjakut, ka shërbyer që të kemi një rritje të numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut dhe shtim të gjakut të sigurtë, veçanërisht për talasemikët e të sëmurët kronikë.

Kjo organizatë punon që të nxisë dhe të përhapë në Shqipëri praktikën e dhurimit anonim, vullnetar, pa pagesë dhe të herë pas hershëm të gjakut dhe të përbërësve të tij, si akt i një solidariteti human.

Kontributi i saj i jashtëzakonshëm për dhurimin vullnetar të gjakut është shtrirë nga promovimi i dhurimit vullnetarë të gjakut në shkolla e universitete në sesione verore kur ka mungesë të theksuar gjaku, në ngritjen e një rrjeti të qëndrueshëm dhuruesish në mbështetje të njerëzve në nevojë në raste fatkeqësish natyrore siç ishte tërmeti i 26 Nëntorit dhe Pandemia Covid-19.

Për të gjithë këtë angazhim dhe punë të jashtëzakonshme të bërë në këto 15 vite, vlerësoj Organizatën Shqiptare të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”

Tani kam kënaqësinë të vlerësoj një mjek ortoped-traumatolog shqiptar të Kosovës dhe njëkohësisht të Shqipërisë, dhe veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, doktor Halit Gërbeshi.

Doktor Gërbeshi vjen nga një eksperiencë e gjatë në fushën e mjekësisë, por njëkohësisht ai është edhe një dhurues i rregullt i gjakut prej vitesh, që kur ishte student mjekësie në Tiranë dhe mësoi për fëmijët talasemikë, por edhe më vonë kur si mjek shikonte nevojat e përditëshme për gjak në sallën e operacionit.

Përballja me nevojat e këtyre pacientëve bëri që t’i lindte një ide: nuk mjaftonte vetëm dhurimi i tij individual, duhej ngritur një grupim dhuruesish vullnetarë të gjakut, duke përfshirë së pari, miqtë e tij. Këtë ide e vuri në zbatim në një moment simbolik dhe të rëndësishëm në historinë e kombit tonë: 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Që nga ai moment, Grupi Gjithëkombëtar i Gjakut vazhdon të japë një kontribut të jashtëzakonshëm për kauzën e dhurimit vullnetar të gjakut. Ata kanë ndihmuar me qindra njerëz në nevojë dhe kanë frymëzuar shumë të tjerë, që vazhdojnë të dhurojnë rregullisht, sepse kanë kuptuar që dhurimi i gjakut, përveç se shpëton jetë, është edhe i shëndetshëm për organizmin.

Rrugëtimi i doktor Gërbeshit, me Grupin e themeluar prej tij, ka kaluar në të gjitha trojet në rajonin tonë ku jetojnë shqiptarë, duke dhuruar qindra njësi gjaku për bashkëkombasit tanë. Ndërkohë që vetë doktor Gërbeshi ka dhuruar rreth 50 herë deri tani duke u bërë shembulli më i mirë i një dhuruesi të rregullt gjaku. Unë jam i bindur që ky rrugëtim do të vazhdojë edhe në vitet në vazhdim.

Për kontributin e jashtëzakonshëm, si dhurues i rregullt i gjakut dhe po ashtu, për punën e palodhur për nxitjen e dhurimit vullnetar të gjakut, në të gjithë vendet e rajonit ku banojnë shqiptarë, dëshiroj t’i akordoj doktor Halit Gërbeshit titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”.