Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë mortore dhe homazhet shtetërore në nder të Adem Demaçit

Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë mortore dhe homazhet shtetërore në nder të Adem Demaçit

Jemi mbledhur sot këtu t’i japim lamtumirën e fundit heroit të pashembullt të rezistencës për liri e dinjitet kombëtar e njerëzor.

Në jetën e tij prej shqiptari të ndershëm e fisnik, ai kurrë dhe asnjëherë nuk u dorëzua dhe nuk u step.

Por qëndroi gjithmonë në këmbë e stoik, ballë për ballë me të keqen dhe tiraninë, në luftë me ata që shtypnin me dhunë popullin dhe kombin tonë.

Qëndroi, luftoi dhe fitoi!

Duke u bërë për të gjithë shqiptarët, modeli dhe shembulli i përkushtimit për Atdheun, i sakrificës dhe i dashurisë për të, i vetëmohimit dhe i dedikimit me gjithçka e pa cak për lirinë e popullit!

I dashur Baca Adem,

Jeta jote ishte luftë, dhe ti këtë luftë e fitove!

Jeta jote ishte sakrificë pambarim, por ti ia dole t’i përballosh e t’i sfidosh ato si rrallëkush, e me urti e fisnikëri, sepse ti ishe dhe mbete Adem Demaçi i Kosovës, dhe Kosova dashuria e shpirtëzuar në Ty!

Evropa dhe e gjithë bota të njohu, si ‘Mandela i Evropës’, si ‘Saharovi’ shqiptar, si i burgosuri politik me më shumë vite burg të vuajtura në ish-Jugosllavi.

Por në fakt ti ke qenë, je e do të mbetesh përjetë Adem Demaçi shqiptar, maratonomaku i palodhur i lirisë!

Ti, je njeriu, je prindi, shoku e miku përherë pranë, je intelektuali e qytetari, shkrimtari e gazetari i pakompromis, mbrojtësi i të drejtave të njeriut pa marrë parasysh se cilit komb i takojnë, politikani i veçantë në veprime dhe qëndrime, humanisti i shquar, ti je Adem Demaçi, njeriu ndryshe i nënqiellit tonë.

Sot fjalët Bacë janë të mangëta për ty.

Sot dhimbja e rëndë është sa një mal!

Prehu në paqen e përjetshme heroi ynë!

I lehtë të qoftë dheu i Kosovës që aq shumë e deshe, dhe që gjithçka ia fale me besnikëri dhe fisnikëri!

Lamtumirë, Baca Adem Demaçi!

Heroi ynë i përjetshëm i përpjekjeve për liri.