3 Mars 2022 Fjala e Presidentit Meta në “Forumin Botëror për Kulturën dhe Një Paqe të Drejtë”, që zhvillohet në Maltë
I nderuar President i Maltës, Sh.T.Z. George Vella!
Shkëlqesia Juaj Marzouq Al-Ghanim, Kryeparlamentari i Shtetit të Kuvajtit,
E nderuar Presidente e Kosovës, Sh. S. Znj. Vjosa Osmani,
I nderuar President Sh. T. Z. Stjepan Mesiç,
Të nderuar kryetarë të Parlamenteve të vendeve përfaqësuese,
Kryetarë dhe përfaqësuesit e organizatave dhe fondacioneve kulturore, shoqërisë civile dhe botës akademike!
Të nderuar të ftuar!
Jam i nderuar që marr pjesë në Forumin Botëror për Kulturën e Një Paqe të Drejtë, 2022.
I shpreh mirënjohjen time Presidentit të Maltës, Sh.T.Z. George Vella, për mikpritjen e kësaj veprimtarie, për organizimin e këtij forumi, që mbahet veçanërisht në momente kaq dramatike – kur paqja, lidershipi i vërtetë, ndërmjetësimi dhe pajtimi midis kombeve dhe popujve janë një domosdoshmëri dhe urgjencë.
Teksa ne po flasim këtu, raketat dhe bombat po hidhen drejt qyteteve, spitaleve, shkollave dhe shtëpive të Ukrainës.
Shumë civilë kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur.
Kjo është një periudhë e zezë jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë botën.
Ajo tregon se të gjithë liderët botërorë dhe të gjithë aktorët kryesorë në politikë-bërje, në vendet e tyre dhe në arenën ndërkombëtare, duhet të jenë vigjilentë dhe të mos e marrin kurrë paqen si të mirëqenë.
Të gjithë ne jetojmë nën të njëjtin qiell, por shikojmë horizonte të ndryshme. Udhëheqja e vërtetë përfshin vizionin dhe vendosmërinë për të shikuar përpara, drejt një të ardhmeje më të ndritur, duke i shërbyer popullit, vendit si dhe duke mbrojtur paqen.
Udhëheqja e vërtetë do të thotë që të jesh i aftë për të parashikuar çdo rrezik potencial si dhe për të vepruar paraprakisht, duke punuar pa u lodhur e duke i frymëzuar njerëzit drejt rrugës së tolerancës, gjithëpërfshirjes dhe harmonisë mes qytetarëve dhe kombeve.
Udhëheqja e vërtetë tregohet nëpërmjet shembujve dhe jo vetëm fjalëve dhe opinioneve.
Udhëheqësit e vërtetë punojnë për të mbrojtur paqen në çdo kohë, dhe ata mund të parandalojnë konfliktet vetëm duke mundësuar dhe konsoliduar demokracinë për kombet e tyre.
Vetëm demokracia mund të parandalojë luftën dhe të ndërtojë besim mes kombeve.
Nëse qeveritë ofrojnë demokraci dhe begati në vendin e tyre për qytetarët e tyre, atëherë do të ketë respekt të ndërsjellë midis kombeve dhe qytetarëve të tyre, pavarësisht nga origjina, feja, etnia, forca dhe madhësia.
Sot në botë ka shumë konflikte dhe ato janë ndezur nga udhëheqës të papërgjegjshëm, përjashtues dhe të dhunshëm.
Udhëheqësit jodemokratikë i shtypin popujt e tyre, përçajnë kombet dhe u hapin rrugë ambicieve ekspansioniste, duke shkaktuar konflikte dhe duke kërcënuar paqen.
Bota sot po përjeton rritjen e rrymave populiste, nacionaliste dhe ekstremiste në disa vende, të cilat mbështesin me nostalgji ekspansionizmin, ringjalljen e koncepteve shtet-komb, ndarjet etnike e deri te ndryshimi i kufijve territorialë fatkeqësisht.
Ngjarjet e fundit në Ukrainë duhet të jenë një mësim dhe një kambanë alarmi për të gjithë liderët botërorë dhe aleancat demokratike.
Një thirrje zgjimi për përpjekjet e eksperimenteve territoriale në rajone të tjera.
Prandaj, duhen bërë përpjekje të mëtejshme dhe duhet të ndërtohen mekanizma më të fortë për të siguruar paqen në rajone të tjera të kontinentit dhe të botës.
Ruajtja e paqes në Ballkanin Perëndimor është gjithashtu thelbësore për paqen e Europës dhe botës siç e kemi parë deri më tani.
Ne jemi të përkushtuar për të promovuar paqen dhe për të bërë gjithçka për të ndaluar çdo konflikt në rajonin tonë.
Ruajtja e paqes në rajonin e Mesdheut është thelbësore për të tashmen dhe të ardhmen e shumë vendeve dhe kontinenteve, sepse rajoni i Mesdheut është djepi i qytetërimit.
Ky rajon i bukur dhe magjepsës ka shërbyer për mijëra vjet si një urë kulturore, historike dhe tregtare midis vendeve mesdhetare dhe kontinenteve të ndryshme, ku Malta është një shembull i kësaj.
Një mozaik magjepsës i kulturave dhe popujve të ndryshëm, aq i pasur me histori, vlera dhe tradita të kaluara dhe të tashme, që e bëjnë qytetërimin mesdhetar kaq unik dhe me ndikim në trashëgiminë botërore, çështjet ndërkombëtare, si dhe një potencial dhe kontribues të madh për paqen botërore në të ardhmen.
Është i bekur me qytetërime të mëdha dhe shumëllojshmëri kulturore, me histori dhe besime fetare të ndryshme, me kombe, burime natyrore e turistike, me popuj të mrekullueshëm dhe mikpritës.
Është vërtet një thesar botëror që duhet trajtuar si një trashëgimi e përbashkët, që duhet të bashkojë popujt dhe jo t’i ndajë ata.
Rajoni i Mesdheut përballet me një sfidë, jo vetëm për të ruajtur dhe forcuar paqen, por edhe për të mbrojtur mjedisin, trashëgiminë kulturore, zgjidhjen e çdo konflikti të mundshëm, marrjen e masave kundër efekteve të ndryshme klimaterike dhe të përqendrohet në edukimin e të rinjve si dhe mbi të ardhmen e tyre të begatë, që duhet mbështetur gjithmonë mbi paqen.
Vlerat tona më të mira kombëtare, dashuria për vendin dhe popullin tonë, toleranca për të tjerët, besimi në Zot dhe respektimi i integritetit njerëzor, duhet të bashkojnë vendet tona dhe qytetarët tanë, si dhe të shërbejnë si thelbi i paqes dhe bashkimit.
“Paqja nuk arrihet përmes dhunës; ajo mundësohet vetëm nëpërmjet mirëkuptimit!’ – ka thënë Ralf Emersoni, kështu që nuk ka vend për dhunë, përfshirë këtu edhe ekstremizmin fetar.
Harmonia ndër-fetare dhe bashkëjetesa janë arritur shumë herë në të shkuarën dhe mund të shndërrohen në realitet për çdo komb.
Shqipëria është një shembull i tillë për botën dhe për shekuj me radhë mbetet një model paqeje dhe harmonie mes komuniteteve fetare.
Të gjitha besimet në Shqipëri i bashkojnë njerëzit edhe më shumë nën dashurinë për vendin. Dhe kjo na bën krenarë dhe unë dëshiroj të falenderoj për këtë gjë edhe më shumë Imzot George Frendon e Maltës, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin edhe më shumë të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri.
Qeveritë duhet të investojnë në arsimin dhe rininë, të cilat janë bazat e tolerancës në një shoqëri dhe perspektiva e së ardhmes, dhe vetë themelet e arkitekturës së paqes.
Duhet bërë arsimi i fëmijëve në shkolla me një kulturë paqeje dhe tolerance, rritja e tyre duke i brumosur me shmangien e gjuhës së urrejtjes, pa diskrimin racor, fetar apo etnik.
Ato duhet t’i përkushtohen promovimit të tolerancës dhe harmonisë, bashkëpunimit ndër-kulturor, arsimimit të brezave të rinjë me vlerat e pasura historike dhe kulturore të popujve të Mesdheut.
Udhëheqësit e vërtetë duhet të luftojnë varfërinë dhe pabarazinë, sepse ato sjellin konflikte sociale dhe mund të ndezin radikalizmin duke paraqitur kërcënime ndaj harmonisë dhe qëndrueshmërisë vendase dhe rajonale.
Të nderuar të ftuar,
Paqja mbetet gjithmonë e brishtë dhe e kërcënuar, prandaj duhet të punojmë për të, çdo sekondë dhe çdo minutë.
Nuk është një dhuratë, por duhet fituar dhe mbrojtur në çdo kohë.
Nëse jemi neglizhentë dhe jo vigjilentë në paqe, një ditë do të zgjohemi në luftë.
Misioni i çdo lideri dhe aspirata e çdo kombi duhet të fokusohet rreth paqes dhe begatisë.
Duke ju shprehur edhe një herë mirënjohjen për këtë forum të rëndësishëm, që po ofron një kontribut të madh për paqen dhe harmoninë mes popujve, ju faleminderit!