11 Tetor 2019 Fjala e Presidentit Meta në konferencën e Bankës së Shqipërisë në bashkëpunim me “London School of Economics”
Është kënaqësi për mua që të përshëndes këtë konferencë vjetore kaq të rëndësishme mes Bankës së Shqipërisë me prestigjiozen “London School of Economics”.
Fokusi i kësaj konference në ‘Perspektivën e Ndërmjetësimit Financiar’ thekson rëndësinë që sistemi financiar ka për zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit dhe për procesin integrues të tyre në shoqërinë europiane.
Modeli tradicional i ndërmjetësimit financiar i bazuar në kanalizimin e mjeteve financiare në funksion të zhvillimit dhe rritjes ekonomike është mbështetur edhe nga përvoja shumëvjeçare e disa prej bankave të vendeve të Eurozonës.
Bankat qendrore dhe autoritetet mbikëqyrëse po përballen me një mjedis sfidues për hartimin e politikave jo vetëm në vendet në zhvillim, por dhe në ekonomitë e vetë vendeve më të zhvilluara.
Në nivel makro-ekonomik trendet e mëdha globale si: situata ekonomike dhe financiare – ndryshimet demografike dhe sociale – zhvendosjet e fuqisë ekonomike globale – urbanizimi i shpejtë – ndryshimet klimatike dhe mungesa e burimeve të mjaftueshme – si dhe përparimi teknologjik – janë të lidhura me sektorin bankar, por në mënyrë më të veçantë dhe shumë influencuese janë edhe ndryshimet demografike dhe sociale – krijimi i kërkesave të reja konsumatore – pritshmëritë e grupeve të interesit – si dhe risitë teknologjike – të cilat sjellin ndryshime të mëdha, që nga marrëdhëniet e klientëve deri në modelin e biznesit.
Situata makro-ekonomike dhe financiare globale, ajo e Eurozonës si dhe në veçanti e vendeve partnere ka një ndikim të rëndësishëm në ekonomitë e rajonit tonë.
Përmes marrëdhënieve tregtare dhe financiare si dhe emigracionit, ekonomia jonë është e lidhur ngushtë me ekonominë e Eurozonës dhe ndikohet nga zhvillimet ekonomike dhe financiare te këtyre vendeve.
Investimet e vendeve europiane në ekonominë shqiptare kanë qenë një prej faktorëve më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik në mënyrë të drejtpërdrejtë apo edhe përmes ndikimit në aktivitetin financiar.
Goditjet e ndryshme me natyrë ekonomike dhe financiare apo ndryshimet rregullatore dhe institucionale të nxitura nga këto goditje me origjinë në Eurozonë kanë dhënë ndikim të ndjeshëm, jo vetëm në nivelin e çmimeve, kursin e këmbimit apo natyrën dhe masën e ndërmjetësimit financiar, por edhe në strukturën, madhësinë dhe formën e biznesit dhe të sistemit bankar.
Eksperienca e vendit tonë ka treguar se sa e vështirë ka qenë ruajtja e ritmeve të rritjes ekonomike e përjetuar në vitet para krizës globale financiare.
Ulja e ritmeve të rritjes është reflektuar edhe në tregues të tjerë makro-ekonomikë sikurse në realizim të inflacionit nën objektivin e Bankës së Shqipërisë apo edhe në rënie të ritmit të kredidhënies drejt sektorit privat të ekonomisë.
Kundrejt këtyre prirjeve, politika e Bankës së Shqipërisë ka realizuar zbutjen e efekteve negative të tyre.
Zbatimi i politikës monetare konvencionale të Bankës së Shqipërisë ka mundësuar ndërhyrjet e duhura në kohën dhe në masën e nevojshme pa cenuar parimet bazë themeltare ku mbështetet administrimi i mirë i politikës monetare dhe i regjimit të kursit të këmbimit.
Në tërësi, kuadri i politikave të ndjekura nga Banka e Shqipërisë në drejtim të rritjes së rezervave valutore, të zbutjes së ndikimit negativ të kursit të këmbimit në normën e inflacionit, të hartimit të një kuadri rregullator në funksion të nxitjes së kreditimit të ekonomisë në monedhën vendase janë elementë të rëndësishëm të një pakete politikash që promovojnë stabilitetin makro-ekonomik e financiar dhe duhen mbështetur.
Megjithatë, mbetet shqetësim fakti që bankat në Shqipëri kanë efektivitet shumë të ulët në ekonomi. Ato japin kredi një përqindje shumë më të ulët nga depozitat që disponojnë.
Duke iu referuar vlerësimit të kryer nga Banka Qendrore Europiane vërehet se gjatë 10 viteve të fundit Shqipëria ka raportin më të ulët të kredisë ndaj depozitave dhe raportin më të ulët të aktivëve të sistemit bankar ndaj PBB-së.
Sipas Bankës Qendrore Europiane një nga arsyet pse bankat kanë frenuar kreditimin në Shqipëri lidhet me dobësitë në sundimin e ligjit. Për këtë arsye, një kthim në shinat e ligjshmërisë dhe forcimit të shtetit të së drejtës, të funksionimit të plotë, të shpejtë e të besueshëm të gjyqësorit, si edhe lufta konkrete ndaj korrupsionit do sillte një ndikim tejet pozitiv, në fuqizimin e kontributit të sistemit bankar, për rritjen ekonomike më të lartë të vendit.
Sistemi financiar shqiptar ka pësuar ndryshime të rëndësishme në terma të sipërmarrjes aksionere.
Ristrukturimi i sistemit financiar në ekonomitë europiane është shoqëruar me ristrukturimin e filialeve të këtyre bankave edhe në ekonomitë e rajonit tonë.
Po kështu, ndryshimet në kuadrin rregullator të Eurozonës kanë nxitur bankat e pranishme në Shqipëri dhe në rajon të rishikojnë pozicionet e tyre në rajonin e Ballkanit perëndimor dhe në vendet e Europës Juglindore.
Këto ndryshime kanë sjellë një konsolidim më të madh të sistemit financiar në Shqipëri si dhe përfshirjes te aktorëve të rinj në tregun financiar.
Bankat kanë përmbushur tradicionalisht një numër funksionesh thelbësore në sistemet ekonomike, duke përfshirë shndërrimin e depozitave të klientëve në financim afatgjatë për korporatat dhe individët, si ndërmjetëse në mekanizmat e transferimit të parave, përfshirë sistemet e pagesave; si ndërmjetëse dhe krijuese e tregut në tregjet e letrave me vlerë; dhe si mbështetëse e politikave publike për qeveritë, duke zgjeruar huadhënien për sektorët e favorizuar, ose për të nxitur rritjen.
Depozitat e siguruara dhe qasja në fondet e bankës qendrore kanë mundësuar që bankat të kenë një akses më të madh në likuiditete dhe me kosto të ulët.
Duke u ndalur te rëndësia e teknologjisë, dua të theksoj se risitë teknologjike prezantojnë një dimension të rëndësishëm të perspektivës së ndërmjetësimit financiar.
Sfidat dhe vështirësitë me të cilat është përballur industria financiare në nivel global kanë nxitur promovimin e këtyre risive teknologjike në funksion të ofrimit të produkteve dhe shërbimeve financiare.
Mjetet e krijuara nga këto risi teknologjike po krijojnë çdo ditë mundësi të reja në formën e produkteve dhe shërbimeve inovatore në tregjet financiare.
Zonja dhe zotërinj,
Bankat tradicionale duhet të përditësojnë fokusin e tyre strategjik për t’u përshtatur sa më mirë me zhvillimet e kohës.
Markat dhe reputacioni i tyre mbeten potencialisht të fuqishme dhe ofruesit e shërbimeve bankare alternative ende vuajnë nga mungesa e besimit.
Bankat duhet të zgjerojnë produktet inovatore, të cilat kanë potencialin të nxisin produktivitetin dhe efiçencën në ndërmjetësimin financiar.
Shërbimet dhe produktet e mundësuara nga këto risi teknologjike kanë kapacitetin të prekin shtresa të popullsisë, të cilat nuk janë ndjerë ende partnerë të aftë për bankat tradicionale, ose nuk e kanë demonstruar fleksibilitetin e nevojshëm për të përfituar nga shërbimet financiare të banking-ut tradicional.
Një vlerësim gjithëpërfshirës i potencialeve dhe risqeve që shoqërojnë risitë financiare ndihmon në hartimin e kornizave rregullatore të këtyre aktiviteteve në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike, të mbrojtjes së konsumatorëve dhe të ruajtjes së ekuilibrave financiarë e makro-ekonomikë të vendit.
Bashkë-ekzistenca e risive financiare me industrinë ekzistuese bankare duhet të sjellë zhvillim dhe zgjerim të mundësive të reja si për aktorët ekzistues të industrisë financiare ashtu edhe për sipërmarrjet e sektorit real.
Është e nevojshme që këto zhvillime të përkrahen dhe të mbështeten veçanërisht në ekonomi të vogla në zhvillim, sepse mund të rrisin përfshirjen financiare.
Një përfshirje më e madhe financiare shoqërohet me potenciale të reja edhe për rritjen aq të dëshiruar ekonomike dhe rrjedhimisht edhe për sipërmarrjet tradicionale të biznesit në këtë industri.
Adaptimi i këtyre mundësive të reja nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e autoriteteve financiare i shërben vetë stabilitetit financiar të vendit.
Së fundmi, dua t’ju falënderoj për këtë ftesë dhe të inkurajoj Bankën e Shqipërisë dhe LSE për kontributin tejet pozitiv nëpërmjet adresimit të këtyre çështjeve në një nivel akademik dhe institucional, i uroj kësaj konference punime të mbara! Po kështu në kuadër edhe të provokimeve të lëshuara nga z. Ahmetaj edhe sa më shumë ide të reja për një rritje ekonomike më të lartë dhe më të qëndrueshme.