18 Nëntor 2019 Fjala e Presidentit Meta në konferencën ndërkombëtare “Feja si një instrument për paqen”
I nderuar Ambasadori Sam Brownback, Shkëlqesia Juaj. Hashim Thaçi, z. Ivan Brajoviç, z. Talat Xhaferi, z. Nikolla Selaković, z. Gramoz Ruçi, shumë i dashur Kardinali Troshani, të nderuar udhëheqës të besimeve fetare të vendit dhe rajonit.
Shkëlqesi Ambasadorë – studiues dhe ekspertë të lirisë fetare nga brenda dhe jashtë vendit, aktivistë nga e Shtetet e Bashkuara, Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian.
Jam shumë i nderuar që, në vazhdim të nismës për avancimin e lirisë fetare, t’ju uroj mirëseardhjen në këtë konferencë me temë: “Feja si një instrument për paqen” të organizuar në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit të SHBA-ve dhe për këtë kam një falënderim të veçantë për Ambasadorin Brownback dhe ekipin e tij.
Të nderuar miq! Zonja dhe zotërinj!
Historia e shoqërisë njerëzore është edhe ajo e besimeve të ndryshme, që kanë qenë forca shtytëse të zhvillimit, shtylla të rendeve shoqërore, baza të moralit dhe vlerave të dinjitetit njerëzor, forca të bashkimit mes popujve dhe kombeve, themele të sigurta të paqes, burim i shpresës për të ardhmen.
Diversiteti fetar është padyshim një nga pasuritë më të mëdha që shoqëria njerëzore ka trashëguar që nga lindja e saj dhe deri më sot.
Ndërsa etërit e kombit tonë e konsideruan fenë si një instrument të paqes dhe bashkimit dhe jo si një shkak për luftë, përçarje, apo përjashtim.
Për shkak të një rëndësie të tillë në historinë e kombit tonë që ka edhe besimi në zemrën e kombit tonë, gjuha shqipe ka një fjalë të artë që është fjalë besa, një fjalë unike e cila vështirë se mund të gjejë përkthimin e saktë në çdo gjuhë të botës.
Do të thotë “besim” – të vendosësh besimin te njëri-tjetri.
Kjo është një nga fjalët më të rëndësishme në gjuhën shqipe, sepse përfaqëson frymën, shpirtin dhe karakterin e kombit tonë.
Besa i shtyu shqiptarët t’i tregonin mbarë botës një shembull të jashtëzakonshëm kurajoje dhe solidariteti në një nga momentet më të errëta të Luftës së Dytë Botërore, kur mbrojti të gjitha familjet hebreje në Shqipëri.
Asnjë hebre i vetëm nuk iu dorëzua pushtuesit në Shqipëri, sepse populli ynë, njerëzit e thjeshtë nga të gjitha besimet bënë gjithçka për të mbrojtur jetët e tyre.
Shqipëria ishte i vetmi vend ku në përfundim të Luftës së Dytë Botërore numri i hebrenjve ishte disa herë më i madh sesa përpara nisjes së saj.
Shqiptarët janë ndër popujt që përgjatë gjithë historisë së tyre, nuk kanë njohur asnjëherë luftëra dhe konflikte fetare.
Kjo është arsyeja pse harmonia e shkëlqyer, toleranca dhe bashkëjetesa fetare në Shqipëri, të cilën Papa Françesku e quan “vëllazëri fetare”, janë një shembull dhe frymëzim për mbarë botën.
Të nderuar miq!
Megjithatë, në emër të fesë, historia është e mbushur me momente të errëta të luftërave, gjenocideve dhe shkatërrimit.
Fatkeqësisht kjo u dëshmua edhe gjatë viteve ‘90 në rajonin tonë dhe plagët ende nuk janë mbyllur plotësisht.
Ndaj pajtimi i plotë në këtë rajon ka ende rrugë për të bërë dhe ndaj jemi sot përsëri këtu së bashku.
Në këtë proces besimi i vërtetë ka një forcë pajtuese të jashtëzakonshme.
Për gjysmë shekulli Shqipëria përjetoi një diktaturë ateiste totalitariste më të egra dhe brutale në botë.
Krerët dhe klerikët e këtyre bashkësive u vranë, u burgosën dhe u martirizuan.
Por falë Zotit disa prej tyre arritën t’u mbijetonin burgjeve komuniste, sikurse kemi sot edhe një prej tyre këtu, të nderuarin Kardinalin Ernest Troshani.
Ashtu sikurse sot na mungon edhe një prej tyre, At Zef Pllumi, i cili në burgjet komuniste i vendosi vetes vetëm një mision “Rro për me tregue” në mënyrë që të na jepte përmes rrëfimeve të tij më pas në vitet e demokracisë dëshmitë më rrënqethëse të persekutimit dhe martirizimit të klerikëve tanë të paharruar.
Të nderuar pjesëmarrës!
E drejta për të ndjekur bindjen fetare është themelore për çdo qytetar, por edhe garanci për një shoqëri të begatë, paqësore, demokratike dhe të drejtë.
Por, sot fatkeqësisht vetëm 20% e popujve të botës kanë mundësinë ta praktikojnë lirshëm besimin e tyre.
Pjesa tjetër e popullsisë botërore është e privuar nga kjo e drejtë themelore.
Ky fakt tragjik shpjegon kërcënimet e sotme nga terrorizmi dhe ekstremizmi.
Me dhjetëra të krishterë vriten sot çdo ditë në botë për shkak të besimit të tyre në Krishtin.
Shumë bashkësi myslimane janë të diskriminuara ose paragjykohen vetëm nga pamja e tyre e jashtme.
Anti-semitizmi ekziston ende sot.
Feja nuk duhet kurrsesi të shërbejë për paragjykime. Feja duhet të jetë një instrument për paqen.
“Ta falënderojmë Zotin për mundësinë që kemi, gjithë së bashku, sot, për këtë dhuratë të paqes, që na kujton se jemi krijuar pikërisht për ta jetuar këtë paqe,” thoshte Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza.
Ndërkohë do të doja të kujtoja një njeri mjaft vizionar, kryetarin e parë të Muslimanëve të Shqipërisë pas diktaturës, Hafiz Sabri Koçi, i cili në një përballje me përfaqësuesit e disa shoqatave ekstremiste me ndikime të huaja muslimane në vitin 1994 iu drejtua atyre: “Unë nuk do t’ju lë juve të shkatërroni vendin tim siç keni shkatërruar vendet tuaja.”
Ky është shembulli në mbrojtje të besimit të vërtetë, por edhe të atdheut, edhe të paqes, edhe të bashkëjetesës.
Të nderuar miq!
Të gjithë ne kemi detyrime kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, ndaj edhe duhet të angazhohemi më shumë për të luftuar varfërinë dhe për të përmirësuar standardet e jetesës për qytetarët tanë.
Është fakt që terrorizmi dhe ekstremizmi fetar lindin kryesisht nga varfëria, kushtet e vështira të jetesës, emigracioni i detyruar ekonomik, mungesa e mundësive, dhe kur shpresa për të ardhmen shuhet nga keq-qeverisja.
Qeveritë duhet të krijojnë më shumë vende pune, të sigurojnë arsim të mirë, të hartojnë ligje që promovojnë harmoninë fetare dhe që mbrojnë të drejtën e lirisë së fesë.
Ne po hasemi me një nivel të lartë emigracioni, eksodin e rinisë sonë dhe mungesën e mundësive, si rrjedhojë, duke i bërë vulnerabël komunitete dhe shtresa të caktuara.
“Mos lejoni që Shqipëria të vuajë dimrin demografik të Europës”, na ka porositur Papa Françesku gjatë takimeve me të.
Jam, i sigurt se ky nuk është vetëm një fenomen që na ka prekur ne, por të gjithë rajonin tonë dhe duhet ta përballojmë së bashku.
Ndaj me këtë rast dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, që nuk ka reshtur së apeluari kundër kësaj traume kaq shqetësuese për vendin.
Ndaj ne lutemi që rinia jonë ta ndërtojë këtu të ardhmen dhe bijtë e larguar të shqipes të kthehen në atdheun e tyre për një jetë të mirë dhe të sigurt.
Shqipëria është e angazhuar në procesin e saj të integrimit për anëtarësimin në BE ashtu sikurse edhe vendet e tjera të rajonit.
Në veçanti do të doja të falënderoja të gjithë udhëheqësit e besimeve tona fetare, të cilët kanë qenë të bashkuar dhe në mbështetje të plotë ndaj integrimit europian të vendit.
Panorama gjeopolitike e rajonit tonë na detyron të bashkohemi në përpjekjet tona për të vetmin projekt dhe aspiratë realiste që kemi të përbashkët dhe që na garanton bashkëjetesën me të gjithë popujt e këtij rajoni e që është integrimi në BE.
Të nderuar miq!
Në vendin tonë garancitë Kushtetuese të lirive dhe të drejtave të besimit janë çimentuar në 2 nene të posaçme të Kushtetutës që në vitin 1998.
Me plotësimin e Marrëveshjeve të veçanta me çdo Bashkësi Fetare të ratifikuara në parlament, në vitet 2004 dhe 2008, kuadri ynë ligjor është i kompletuar.
Gjatë tre dekadave të fundit Shqipëria ka respektuar dhe i përmbahet nenit 18 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut për lirinë e fesë.
Por, siç vërehet edhe në raportet e Departamentit të Shtetit, komunitetet fetare në Shqipëri po përballen me vështirësi në blerjen e tokës për ndërtimin e vendeve të adhurimit, ata po hasen me çështje që lidhen me tarifat e pushtetit vendor.
Me probleme në mbrojtjen e titullit në disa prona. Probleme në marrjen e pronësisë së xhamive, si dhe manastiret dhe kishat apo objekteve që konsiderohen si vende të trashëgimisë kulturore.
Autoritetet fetare kanë shprehur vazhdimisht shqetësime për ndikimin e huaj dhe ndërhyrjen në organizatat fetare shqiptare.
Kjo është një çështje që ngjall shqetësime dhe kërkon përgjegjshmëri dhe vëmendje të vazhdueshme.
Sigurimi i të drejtës së pronësisë së aseteve dhe tokave, do t’i bënte bashkësitë fetare më të pavarura, dhe plotësisht imune nga çdo ndikim dhe ndërhyrje e huaj malinje.
Bashkësitë tona fetare, duke u kthyer pronat dhe asetet e tyre do të siguronin një vetë-financim të mjaftueshëm për të administruar punën e tyre pa asnjë varësi apo ndikim të huaj negativ dhe përçarës.
Gjithashtu, duhet një vëmendje më e madhe ndaj shtresave në nevojë për të hartuar dhe implementuar politika më sociale dhe më përfshirëse për të gjithë ata të cilët janë më vulnerabël ndaj çdo lloj ndikimi negativ.
Ndaj duhet të vazhdojmë për të ndërmarrë iniciativa të reja ligjore, për të zbatuar ligjet ekzistuese më mirë, nisma dhe politika sociale për t’i ofruar ndihmë njerëzve, të cilët e përballojnë jetesën me vështirësi dhe për t’u dhënë shpresë.
Duhet gjithashtu të sigurojmë më shumë mbrojtje për minoritetet, të respektojmë të drejtën e vetë-përcaktimit individual fetar, dhe të nderojmë të gjitha pakicat.
Shqipëria beson fuqimisht në politikat e fqinjësisë së mirë me shtetet e tjera në rajon, me të cilat kemi pasur lidhje të forta dhe duhet të forcojmë edhe më tej marrëdhëniet tona kulturore, sociale dhe ekonomike.
Shqipëria e përshëndet dhe mbështet iniciativën e Shteteve të Bashkuara dhe planet e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Pompeo, për krijimin e Aleancës Ndërkombëtare të Lirisë Fetare, një aleancë e kombeve me të njëjtën mendje, të përkushtuar për të luftuar persekutimin fetar në të gjithë botën.
Të gjitha shtetet në rajonin tonë u janë bashkuar Koalicionit Global kundër terrorizmit, por ne duhet të sigurojmë një stabilitet politik për secilin nga vendet tona dhe rajonin tonë, në mënyrë që t’u krijojmë siguri popujve tanë dhe të arrijmë zhvillimin e ekonomive, por edhe të mos lejojmë shfaqjen e çdo ekstremizmi fetar, diplomacinë e butë nga faktorët e tretë dhe ndikimin e huaj negativ.
Sot rajoni ynë përballet me shumë sfida të përbashkëta në lidhje me kampet në Siri në të cilat gjenden me dhjetëra gra e fëmijë nga disa prej vendeve tona.
Kohët e fundit i gjithë opinioni publik u trondit rëndë nga rasti i Alvin Berisha, vogëlushit shqiptar i cili mbeti i mbyllur në kampin Al-Hawl të Sirisë.
Falë gazetarisë profesioniste të huaj dhe vendase ky rast u vu në vëmendjen e opinionit publik.
Por, ka edhe kampe të tjera në të cilat ndodhen me dhjetëra gra dhe fëmijë shqiptarë dhe nga vendet e tjera të rajonit tonë.
Duhen ngritur urgjentisht qendra të rehabilitimit për t’u kujdesur dhe për t’u siguruar që persona të tillë të integrohen në shoqëri dhe të rehabilitohen nga traumat e përjetuara.
Viktimat e këtij fenomeni duhen të identifikohen, duhet të mbrohen e përkrahen dhe të ndihmohen në mënyrë që të bëhen pjesë e jetës normale, pranë familjes së tyre, dhe të integrohen në shoqëritë tona në mënyrë dinjitoze.
Shfrytëzoj këtë mundësi për të shprehur vlerësimin tim të thellë, për të gjithë udhëheqësit fetar në vendin tonë, të cilët kanë dhënë një kontribut të madh dhe të rëndësishëm për harmoninë fetare në Shqipëri.
Të cilët kanë edukuar dhe udhëzuar komunitetet dhe ndjekësit e tyre, në çdo kohë, për rëndësinë e paqes, jetës, dinjitetit, respektit, dashurisë për njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha për vendin tonë.
Të bashkuar ata kanë mbajtur qëndrime të njëjta pro paqes dhe të mirës së vendit, për tejkalimin e krizave, duke u treguar gjithmonë koherent dhe të unifikuar në mesazhet e tyre.
Puna juaj na bën krenarë dhe udhëheqja juaj shpirtërore e mban vendin tonë të bashkuar sidomos në momente të vështira.
Ndërkohë do të doja t’ju ftoja të vazhdoni me atë pasion që ju e bëni çdo ditë të promovoni vlerën dhe rëndësinë e familjes.
Sepse familja është një institucion i shenjtë dhe duhet mbrojtur nga të gjithë çdo ditë.
Vazhdoni të edukoni dhe inkurajoni të rinjtë tanë në mënyrë që të forcojmë vlerat e familjes, në mënyrë që t’i edukojmë edhe më mirë për t’i mbrojtur nga droga, nga lojërat e fatit dhe nga të gjitha veset e tjera në mënyrë që t’i edukojmë edhe më mirë për të qenë një rini e shëndetshme, për të qenë të rinj njerëzor, tolerant, të edukuar, të cilët me aftësitë e tyre, me talentin e tyre i shërbejnë shoqërisë çdo ditë duke qenë vërtetë një shpresë për të ardhmen e vendit.
Në botën e sotme, rinia jonë ka nevojë për udhëzimet dhe drejtimin tuaj më shumë se kurrë.
Të dashur miq!
Liria fetare është thelbësore për paqen dhe stabilitetin ndaj dhe jemi këtu.
E konsideroj veten të privilegjuar që jemi mbledhur sot në kryeqytetin e vendit tonë për një çështje kaq fisnike dhe të rëndësishme për të gjithë, për fëmijët tanë dhe për të ardhmen tonë.
Ndaj çdo forme fondamentalizmi, ekstremizmi, terrorizmi ideologjik apo dogmatik mund të përballemi vetëm duke qenë të bashkuar.
Të bashkuar rreth vlerave universale dhe njerëzore që i shërbejnë paqes dhe prosperitetit për qytetarët dhe vendet tona.
Ju faleminderit!