26 Maj 2018 Fjala e Presidentit Meta në “Mëngjesin e Lutjeve” me temë: “Love your neighbor – Duaje fqinjin tënd!”
“Të nderuar pjesëmarrës,
Dua të falënderoj të gjithë organizatorët që zgjodhën Tiranën dhe Shqipërinë për organizimin e këtij “Mëngjesi Lutjesh”.
Kjo është nga ato ngjarje të pakta, por tepër të dobishme e frymëzuese të bashkëpunimit bipartizan në Shqipëri aq të domosdoshëm.
Me këtë rast dua të vlerësoj udhëheqjen e kësaj lutjeje të përbashkët nga zoti Dokle dhe zoti Mustafaj përmes shembullit më të mirë dhe të sinqertë të komunikimit dhe bashkëpunimit.
Ndihem i nderuar rreth kaq shumë miqve, të cilët u përkasin vendeve, besimeve dhe përgjegjësive të ndryshme, nën moton “Duaje fqinjin tënd”.
Ky është një parim njerëzor që vjen nga librat e shenjtë, e gjendur dhe shprehur në mënyra të ndryshme në secilin besim fetar, në mes të qytetarëve besimtarë dhe atyre laikë.
Misionarja e madhe e njerëzimit, Shën Nënë Tereza, i drejtoi pyetjen botës dhe secilit prej nesh: “Si mund të duash Zotin, të cilin nuk e sheh, nëse nuk do fqinjin tënd, të cilin e sheh, të cilin e prek, dhe me të cilin jeton?”
Ne shqiptarët ashtu si edhe në të kaluarën, vazhdojmë ndërtojmë të ardhmen tonë bazuar në këto vlera të larta dhe fisnike kombëtare dhe universale.
Jetojmë në kohë ndryshimesh të shpejta dhe globale.
Jetojmë në kohën kur teknologjia, interneti, rrjetet sociale kanë ndryshuar mënyrën e të funksionuarit të jetës tonë të përditshme.
Dashuria për fqinjin në këto kohë lehtësisht ose dhe padashje, mund të kthehet edhe në urrejtje për të.
Është e domosdoshme që ai të njihet mirë, të pranohet ashtu siç është dhe të respektohet për atë që është dhe mbi këto baza të ndërtohet një marrëdhënie dashurie dhe respekti të ndërsjellë.
Kjo, mendoj se është shtylla e filozofisë mbi të cilën është ndërtuar bota e civilizuar dhe demokratike.
Ne besojmë fort që së afërmi të bëhemi pjesë e Evropës së Bashkuar, duke bashkëjetuar në radhë të parë në mënyrë të sinqertë dhe në harmoni të plotë me të gjithë fqinjët tanë.
Si një vend ballkanik, e dimë mirë, se të duash fqinjin nuk është aq e lehtë, veçanërisht kur luftëra dhe tragjedi kanë ndodhur në të shkuarën jo të largët.
Në dy dekadat e fundit për fat të mirë është dëshmuar se, paragjykimet historike, diferencat fetare, etnike dhe kulturore mund të kapërcehen dhe t’i hapin rrugë mirëkuptimit dhe bashkëpunimit.
Shqipëria është kthyer në një model pozitiv në rajon, si një vend që ndërton marrëdhënie shumë të mira me të gjithë fqinjët.
Çdo komb në këtë rajon është diku shumicë, e diku pakicë.
Ne të gjithë e kemi mësuar se e vetmja zgjidhje për të jetuar në paqe dhe në harmoni është të respektojmë kudo pakicat dhe të jetojmë të gjithë në një shoqëri, e cila bazohet në radhë të parë në vlerat më të mira njerëzore dhe evropiane.
Paqja dhe siguria janë sot evidente në këtë rajon, por ato janë pranë mundësive historike për të qenë të pakthyeshme ndaj ne në këto momente dhe sot lutemi për zgjidhjen e shpejtë të çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, sepse kjo do të zhbllokonte procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe do të përshpejtonte integrimin evropian jo vetëm të Maqedonisë, por edhe të gjithë rajonit tonë.
Ndaj ne lutemi sot edhe për suksesin mjaft të dëshiruar e të shumëpritur të fazës finale të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, pasi të dyja këto ngjarje pozitive, të cilat janë plotësisht të mundshme që të ndodhin sipas motos “Duaje fqinjin tënd!” padyshim që do të ishin një moment historik për të gjithë Ballkanin dhe për të gjithë rajonin tonë, por edhe për të gjithë kontinentin.
Të orientuar drejt një vizioni të pakthyeshëm evropian dhe euroatlantik, nga ku buron më shumë besim dhe siguri, shqiptarët për fat të mirë, kudo ku ata ndodhen, kontribuojnë për një rajon gjithnjë e më bashkëpunues dhe ndërveprues në dobi të begatisë, mirëqenis dhe të ardhmes sonë të përbashkët.
Të dashur miq,
Shqipëria është një vend i bekuar me bashkëjetesën dhe harmoninë vëllazërore të besimeve të ndryshme fetare.
Fryma e tolerancës, bashkëjetesës dhe e mirëkuptimit ndërmjet këtyre besimve janë vlera të trashëguara prej shekujsh, që ne i ruajmë në traditën më të mirë shqiptare duke investuar më shumë dhe me më shumë përkushtim dhe përgjegjësi.
Meritë të veçantë dhe një kontribut të paçmuar kanë dhënë drejtuesit dhe klerikët e bashkësive tona fetare.
Pa arrogancë, pa retorikë helmuese, larg çdo shfaqjeje spektakolare, por në lutje e përulësi, ata na kanë udhëhequr me kurajë drejt këtij modeli bashkëjetese.
Ndaj lutemi që ky model të na udhëheqë të gjithëve së bashku, në punën e përditshme, si njerëz vullnetmirë, drejt së mirës të përbashkët, në respekt të njëri-tjetrit, si fqinji më i drejtpërdrejtë dhe i afërt për t’u dashur, sepse vetëm përmes bashkëjetesës dhe dashurisë për fqinjin, kontribuuojmë që fëmijët tanë të rriten në një vend, në një rajon dhe në një botë më të sigurt.
Faleminderit dhe Zoti ju bekoftë ju, familjet dhe vendet tuaja!”