Fjala e Presidentit Meta në Takimin e parë të “Aleancës së Dhurimit të Gjakut”

Fjala e Presidentit Meta në Takimin e parë të “Aleancës së Dhurimit të Gjakut”

Është kënaqësi për mua, të jemi të gjithë së bashku, për institucionalizimin e një kauze humane dhe me rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tonë, për çdo qytetar dhe familje shqiptare: “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.

Kjo Aleancë lind si nevojë për të sensibilizuar e ndërgjegjësuar shoqërinë tonë për nevojën e dhurimit vullnetar të gjakut, për të ngritur solidaritetin për të dhuruar gjak për ata që kanë nevojë e për të nxitur vullnetarizmin, sepse dhurimi vullnetar i gjakut mbetet ende një sfidë për ne.

Të gjithë ne, drejtpërdrejtë apo nëpërmjet familjarëve tanë, kemi pasur nevojë në një moment në jetë për trasfuzion gjaku. Ndërkohë që grupe të tëra shoqërore si të sëmurët talasemikë apo të tjera kanë nevojë të vazhdueshme për gjak, ashtu siç kanë nevojë ata që ju nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale apo që pësojnë aksidente.

Të dhurosh gjak është një akt humanizmi dhe solidariteti dhe jam i bindur se kjo Aleancë do të punojë për ta forcuar këtë solidaritetin, ashtu siç do të punojë fort për të nxitur vullnetarizmin duke motivuar e inkurajuar të gjithë qytetarët dhe sidomos të rinjtë tanë për të dhuruar gjak.

Strategjia Kombëtare për një Transfuzion Gjaku të Sigurtë apo Ligji për Transfuzionin hodhën themelet e standardizimit të dy prej boshteve kryesore të sigurisë së gjakut: Dhurues cilësor dhe Testim Cilësor. Kjo njëkohësisht u shoqërua edhe me ndryshimin në raportet e dhuruesve të gjakut duke rritur numrin e dhuruesve vullnetarë në vend.

Edhe pse prej vitesh vëmë re një qëndrueshmëri të dhurimeve vullnetare falas të gjakut, zhvillimi i vazhdueshëm i mjekësisë, përmirësime në drejtime të tilla si trajtimi i pacientëve me talasemi dhe jo vetëm, rritja e ndërhyrjeve kirurgjikale gjithnjë e më sfiduese apo dhe faktorë të tjerë, kanë rritur edhe nevojat për gjak.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 2% e popullsisë në botë ka nevojë për gjak çdo vit. Kërkohet domosdoshmërisht që dhe ne të arrijmë këtë objektiv për të paktën 2% dhurime në vit. Kuptohet që mënyra e vetme dhe më e rëndësishme për arritjen e këtij objektivi është nxitja e dhurimit vullnetar dhe falas të gjakut, që është dhe objektivi kryesor i ‘Aleancës për Dhurimin e Gjakut’.

Ndërkohë që, arritja e mjaftueshmërisë me 100% dhurim vullnetar deri në vitin 2020, është tashmë edhe një platformë globale veprimi e lançuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Nisur nga domosdoshmëria për të realizuar objektiva të tillë si:

– Rritja e numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut;
– Arritja e objektivit 100% dhurim vullnetar e falas të gjakut nëpërmjet krijimit të një mjedisi inkurajues;
– Arritja e objektivit prej 2% të dhurimeve të popullsisë;
– Nxitja e kulturës së dhurimit vullnetar të gjakut;
– Ndërtimi dhe mbajtja e një baze të qëndrueshme të dhënash të dhuruesve vullnetar;
– Ofrimi i një shërbimi të kujdesshëm e cilësor ndaj dhuruesve;

jam i sigurt se ne do të arrijmë të gjithë këto objektiva përmes një:

1. Sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi të vazhdueshëm të qytetarëve për çështjen e dhurimit vullnetar e falas të gjakut, nëpërmjet organizimit të fushatave promovuese ku në qendër të jenë figura të njohura publike të fushave të ndryshme: të artit, të shëndetit, të shkencës, sportit, të mediave, etj.
2. Organizimi i sesioneve të dhurimit të gjakut në çdo kohë dhe periudhë të vitit, duke arritur tek dhuruesi nëpërmjet sesioneve të lëvizshme të dhurimit sidomos gjatë periudhës së verës kur nevojat janë dhe më mëdha.
3. Mobilizimi, edukimi dhe motivimi i të rinjve tanë si një brez i ri i dhuruesve vullnetarë të gjakut, nëpërmjet takimeve në universitete të ndryshme publike dhe private, dhe në çdo mjedis rinor në bashkëpunim me organizatat rinore dhe shoqatat e ndryshme.
4. Koordinimi me universitetet për t’iu ofruar studentëve njohuri bazë për gjakun, parandalimin e HIV / AIDS-it, dhe për të promovuar dhe organizuar sesione për dhurimin vullnetar të gjakut.
5. Mundësisht edhe futja në kurrikulat mësimore e informacionit për dhurimin e gjakut, ku nxënësit të ndihmohen të kuptojnë se si funksionon ai dhe sa i domosdoshëm është, por njëkohësisht dhe si mund të përdoret në mënyrë të shëndetshme për të shpëtuar jetë.
6. Ngritja e një rrjeti të solidaritetit për dhurimin e gjakut nëpër Shqipëri, nëpërmjet përfshirjes së Shoqatave dhe Kryetarëve të Bashkive, përmes organizimit të aktiviteteve të ndryshme publike si koncerte apo aktivitete sportive, duke u fokusuar sidomos në zonat me më prioritet ku dhe kërkesat janë më të mëdha sidomos përsa i takon kategorisë të talasemikëve, si Lushnja, Fieri, etj.
7. Krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për dhuruesit e gjakut duke e bërë dhurimin e gjakut një experiencë të sigurtë, por edhe të këndshme.
8. Stimulimi i dhuruesve që dhurojnë rrallë për t’i kthyer ata në dhurues të rregullt. Njohja e kontributit të dhuruesve të rregullt për shoqërinë, nëpermjet krijimit të një statusi të veçantë për ta.
9. Fuqizim i ndikimit të ditës botërore të dhurimit vullnetar të gjakut dhe eventeve kombëtare të dhurimit të gjakut nëpërmjet edukimit, mobilizimit dhe përfshirjes së komunitetit dhe krijimit të rrjeteve komunitare në mbështetje të dhurimit vullnetar e falas të gjakut.
10. Bashkëpunime me shoqata vendase, evropiane, universitete etj, për projekte apo studime të ndryshme në Shqipëri mbi çështjen e edukimit dhe promovimit të kauzës së dhurimit të gjakut.
11. Konferenca shkencore dhe takime të ndryshme ndër-institucionale, me qëllim dhënien e një vizibilitet më të madh çështjes së dhurimit të gjakut në vend.

Këto objektiva të shoqëruara edhe me mjaft ide dhe me një koordinim, jam i bindur shumë efikas të të gjithë të pranishmëve këtu, të gjithë institucioneve, shoqatave, forumeve që përfaqësohen dhe të gjithë atyre që do të na bashkohen, do të japin një kontribut të çmuar në mënyrë që kjo çështje dhe kjo kauzë mjaft humane të marrë një zgjidhje përfundimtare dhe mjaft të sigurt për shoqërinë tonë në një kohë shumë të afërt.

Falënderoj të gjithë të pranishmit, sepse shumë nga mendimet dhe idetë që unë shpreha në çeljen e këtij takimi, janë si rezulat i takimeve që kemi zhvilluar më parë. Menjëherë do të doja të hapja këtë forum.