Fjala e Presidentit Meta në veprimtarinë “Mbrëmja e Kulturës Gjirokastrite”

Fjala e Presidentit Meta në veprimtarinë “Mbrëmja e Kulturës Gjirokastrite”

Ju përshëndes dhe ju uroj mirëseardhjen në Presidencë, në këtë mbrëmje të veçantë të kulturës gjirokastrite!

Është një kënaqësi të kemi mes nesh mbartësit dhe interpretuesit e një trashëgimie kaq të vyer sikurse është tradita gjirokastrite.

Ne të gjithë ndihemi krenarë me trashëgiminë e vyer të të parëve tanë!

Mbrojtja dhe promovimi i vlerave shpirtërore, monumentale, artistike dhe folklorike të popullit tonë duhe të përbëjnë një nga prioritet më madhore për të gjithë ne.

Shoqëria jonë edhe pse hera herës në kushte të vështira ka ditur të ruajë trashëgiminë kulturore që ka krijuar në shekuj, përndryshe ato nuk do të kishin ardhur deri në ditët tona.

Larmia e folklorit, pasuria arkeologjike e monumentale, pasuria shpirtërore, e kostumeve popullore si dhe muzika jonë popullore kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe institucioneve të trashëgimisë botërore.

Çdo pjesë e territorit shqiptar është e pasur me vlera dhe gjurmë të kulturës të çdo etape historike.

Nga ky thesar i madh i trashëgimisë sonë, padyshim që Gjirokastra dallon dhe absolutisht që ajo është kampione edhe e diversitetit brenda vetes.

Gjirokastra ka pritur dhe organizuar për dekada Festivalin Folklorik Kombëtar, manifestimin më të madh folklorik të të gjitha trevave shqiptare.

Por gjithashtu Gjirokastra është edhe ndër pasuritë kulturore mijëravjeçare të Shqipërisë që renditen denjësisht edhe në thesarin e kulturës botërore, UNESCO.

Prezenca e kulturës gjirokastrite sot këtu është për të treguar me finesë disa nga perlat e pasurisë së vet kulturore dhe etnografike.

Të nderuar pjesëmarrës,

Ky aktivitet është një inkurajim për të gjithë qytetarët, specialistët dhe forumet qytetare që janë mbartës, mbrojtës dhe zhvillues të traditave tona të shkëlqyera.

Do të doja me këtë rast të falënderoj nga zemra ‘Forumin për Ruajtjen e Vlerave të Gjirokastrës’ për këtë nismë të çmuar.

Si President dua t’ju siguroj se do të jem gjithmonë me ju për edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve, sidomos të të rinjve dhe fëmijëve me dashurinë për trashëgiminë e të parëve tanë.

Si dhe në nxitjen e të gjithë faktorëve politikë në vend, shoqërorë dhe ndërkombëtarë për harmonizimin e politikave të zhvillimit ekonomik dhe turizmit me gjallërimin folklorit dhe restaurimin e monumenteve për t’i mbrojtur të gjitha ato vlera që Gjirokastra ka arritur t’i ruajë deri më sot, edhe për të ardhmen.

Ju falënderoj të gjithëve për praninë tuaj! Ju urojnjë mbrëmje të këndshme, sepse pashë që një nga arritjet më të mira të kësaj mbrëmjeje është që gjirokastritët do të takohen me gjirokastritët në Tiranë dhe do jeni të mirëpritur gjithmonë për të shfrytëzuar këto ambiente, këto hapësira për çdolloj aktiviteti që i shërben ruajtjes së traditave të Gjirokastrës dhe të gjirokastritëve!

]]>