Fjala e Presidentit Meta në veprimtarinë përkujtimore të 45-vjetorit të Revoltës në burgun e Spaçit

Fjala e Presidentit Meta në veprimtarinë përkujtimore të 45-vjetorit të Revoltës në burgun e Spaçit

Jemi sot këtu, në rrënojat e amfiteatrit më të përgjakur të krimeve të diktaturës, për të prekur nga afër të vërtetën e një historie të pazakontë qëndrese heroike dhe për t’u takuar me ju dhe familjet tuaja, që keni përjetuar përndjekjet dhe dhimbjet e një diktature nga më të egrat në botë.

Spaçi, sikurse gjithë burgjet dhe kampet e diktaturës ka gjurmët e një persekucioni të pamëshirshëm, por edhe të një qëndrese që na bën krenar si popull.

Akti vetëmohues i martirëve të demokracisë Hajro Pashai, Dervish Bejko, Pal Zefi, Skënder Daja dhe gjithë kryengritësve të Revoltës së Spaçit ishte shkreptima që ndriçoi në errësirën e kohës egërsinë dhe të vërtetën e hidhur të shtetit totalitar.

Heronjtë e Spaçit sakrifikuan jetën dhe vitet e tyre më të bukura në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, të lirisë dhe të së vërtetës!

Në kujtesën e kombit ata do të jenë shembuj të vetëdijes qytetare dhe kombëtare për të ardhmen.

Sot është një ditë kujtese, por edhe reflektimi!

Prandaj përballja me të shkuarën dhe çlirimi i shoqërisë nga makthi i krimeve të diktaturës ngelet prioritet serioz për të gjithë politikën dhe shoqërinë tonë.

Përvoja botërore na mëson se tragjeditë e së kaluarës, nëse harrohen, janë të destinuara të rikthehen në një formë apo mënyrë tjetër.

Kështu zbehja e kujtesës historike krijon premisa jo vetëm për tendenca të totalitarizmit, por edhe të ksenofobisë, racizmit, ekstremizmit, krimit dhe përjashtimit.

Në këtë aspekt trajtimi me objektivitet dhe paanshmëri i të vërtetave historike merr një rëndësi të veçantë.

Ne jemi një komb evropian dhe historia jonë nuk mund të trajtohet jashtë perspektivës evropiane të Shqipërisë.

Mos harrojmë se vetë integrimi evropian është krijuar dhe ka në themel një aleancë kundër tmerreve të diktaturave të kaluara fashiste e komuniste.

Ky projekt vazhdon.

Në këtë këndvështrim vendi ynë duhet të vazhdojë trajtimin e të kaluarës me transparencë dhe drejtësi, për rehabilitimin, integrimin dhe dëmshpërblimin e plotë të shtresës së të përndjekurve politikë.

Disidenca shqiptare meriton jo vetëm të kujtohet në ngjarje të veçanta si kjo e sotmja, por edhe të shkruhet e të plotësohet e gjithë historia e saj.

Ngritja e një përmendoreje në kujtim të disidencës, viktimave të pafajshëm të diktaturës, vuajtjeve dhe përpjekjeve të tyre është një detyrim i të gjithë shoqërisë ashtu sikurse është edhe obligim gjetja dhe nderimi i të gjithë eshtrave të të vrarëve e të zhdukurve gjatë kësaj periudhe.

Uniteti shoqëror, paqja dhe mirëkuptimi social janë atribute të shoqërive të hapura, që nuk harrojnë tragjeditë e së shkuarës, që respektojnë njëri-tjetrin dhe kontribuojnë së bashku kundër çdo forme despotike të qeverisjes.

E vlerësoj lart misionin tuaj për ndriçimin e së vërtetës së përndjekjes dhe të terrorit të diktaturës komuniste për lartësimin e figurave të rezistencës demokratike dhe do të mbështes çdo nismë për ndërtimin e përmendoreve përkujtimore dhe në veçanti, të Muzeut të Burgut të Spaçit.

Në përfundim dua të theksoj se revoltat demokratike në të gjithë botën në përgjithësi kanë përdorur simbolika të veçanta nga kultura dhe identiteti shpirtëror e artistik i popullit të vet!

Para 45 vjetëve heronjtë e Spaçit zgjodhën simbol të aspiratës së tyre flamurin kuq e zi të Skënderbeut!

Këtu në Spaç ra për herë të parë ylli komunist, i cili do të binte një herë e përgjithmonë nga flamuri ynë kombëtar në dhjetor të vitit 1990.

Sot ky flamur padyshim që është një plotësim i ëndrrës së heronjve Spaçit për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe evropiane!

Lavdi martirëve të Revoltës së Spaçit!

Nder përjetë gjithë luftëtarëve, disidentëve dhe ish-të përndjekurve politikë të Shqipërisë!

Rroftë Shqipëria Evropiane!