Fjala e Presidentit Meta në vlerësimin kombëtar tematik të INFOÇIP-it

Fjala e Presidentit Meta në vlerësimin kombëtar tematik të INFOÇIP-it

Shteti për fat të keq, nga garanti i vijës së parë i marrëdhënieve të punës që duhet të ishte, është kthyer në shkelësin më problematik të tyre. Këto të dhëna janë të rëndësishme për të analizuar objektivisht situatën dhe për të hartuar politika konkrete dhe masa konstruktive. Është e nevojshme që, të gjitha institucionet përgjegjëse, si Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Departamenti i Administratës Publike, Inspektoriati Shtetëror i Punës, Komisioneri i Shërbimit Civil, Sindikatat, të angazhohen objektivisht për t’i dhënë zgjidhje kësaj gjendjeje. Ndërkohë që disa institucione duhet të zgjohen nga letargjia ku kanë rënë dhe të marrin menjëherë masat menjëherë, pa asnjë vonesë. Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe gjithë mekanizmat e tjerë të kontrollit shtetëror të efiçensës së përdorimit të financave publike, duhet të denoncojnë çdo rast abuzimi dhe çdo person përgjegjës. Është e papranueshme që ngarkesa në sistemin gjyqësor, apo dëmet në buxhetin e shtetit, të vijnë nga po vetë institucionet publike nëpërmjet keqfunksonimit të tyre, ndërkohë që të gjitha kostot që vijnë nga këto procese gjyqësore, duhet t’i paguajë e gjithë shoqëria dhe të gjithë taksapaguesit e pafajshëm. Ka ardhur koha që të shtrohet për diskutim dhe për t’u miratuar me ligj evidentimi i përgjegjësisë direkte të zyrtarit publik kur ai shkakton pushime të padrejta nga puna. Me përgjegjësi direkte të zyrtarit, nënkuptoj qoftë përgjegjësisë penale të tij, përgjegjësi, kjo e cila duhet të qartësohet edhe më shumë si një dispozitë e veçantë në Kodin Penal, por edhe përgjegjësinë e drejtëpërdrejtë financiare për çdo dëm që i shkaktohet buxhetit të shtetit. Ka ardhur koha që të sanksionohet me ligj që në rastet e pushimeve të padrejta nga puna, fatura e përballimit të dëmit t’i kalojë në ngarkim zyrtarit që ka marrë vendimin e padrejtë dhe që gjykata e ka konstatuar si shkelje. Dëmi nuk mund t’i ngarkohet më taksapaguesve shqiptarë, të cilët nuk kanë asnjë përgjegjësi për këtë situatë, përkundrazi janë të dëmtuarit kryesorë. Ndërkohë, mendoj se në këtë treyezë është e nevojshme të përmendim dhe të diskutojmë edhe mbi sektorin sindikal, i cili ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në këtë drejtim, sidomos përpara se një çështje pune të përfundojë në gjykatë. Kontratat kolektive duhen garantuar përpara se ato të zgjidhen padrejtësisht nga administratorë publikë apo privatë të papërgjegjshëm. Sindikatat duhet të rikthehen në rolin e vet të natyrshëm, të garantuesit dhe promovuesit të kontratave kolektive të punës. Dialogu social dhe garantimi i kontratave kolektive duhet të rigjejë një artikulim të ri dhe mbi të gjitha të efektshëm në promovimin e të drejtave në punë. Së bashku me rolin garantues të gjykatës, kjo mund të ishte zgjidhja e duhur për të respektuar më mirë të drejtat në punë në Republikën e Shqipërisë. Një sistem qeverisës që nuk promovon punën dhe burimet e ligjshme të jetesës, është një sistem i destinuar të dështojë. Kuvendi dhe qeveria, duhen të bëjnë çmos që e gjithë forca kryesore e punës, ta japë kontributin e vet këtu në Shqipëri, duke ofruar mundësi, por edhe siguri për të drejtat në punë për të gjithë të rinjtë me qëllim dekurajimin e tyre për t’u larguar nga vendi. Përfitoj nga rasti të falënderoj INFOÇIP-in për këtë vlerësim tematik kombëtar, por dhe mbështetësit e saj, Ambasadën Suedeze në Tiranë, ‘Olof Palme Internacional Centre dhe National Endowment for Democracy’, që bënë të mundur realizimin e këtij monitorimi! Dhe meqenëse tema kryesore ka të bëjë me punën, ju uroj: Punë sa më të mbarë!]]>