Fjala e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta në Takimin e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian

Fjala e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta në Takimin e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian

E nderuar zonja Hajdari,
Të nderuar zoti Kryetar i Kuvendit, zoti Kryeministër,
I nderuar Ambasador Soreca, Shkëlqesi Ambasadorë,
Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian,

Në këtë mbledhje të parë që zhvillon Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian pas vendimit të Këshillit Europian të 25 marsit, u përcjell vlerësimet maksimale Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të BE, për përpjekjet e tyre të palodhura në favor të vendimit të shumëpritur politik, të çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Komisioni Europian dhe vendet anëtare meritojnë mirënjohjen tonë më të thellë pasi edhe pse në një gjendje të paprecedentë të krijuar për shkak të pandemisë, e ruajtën të paprekur angazhimin dhe mbështetjen ndaj Shqipërisë, sikundër patën premtuar.

Vendimin e 25 marsit dhe konkluzionet e Samitit virtual të Zagrebit, do të duhet t’i lexojmë me kthjelltësinë dhe pjekurinë e duhur, dhe besoj se edhe ky takim i shërben këtij qëllimi.

Ecja përpara në rrugën europiane kërkon së pari dhe mbi të gjitha një sjellje europiane, ku duhet të mbizotërojë dialogu, bashkëpunimi gjithëpërfshirës, dhe ndërtimi i urave të mirëbesimit ndërmjet institucioneve dhe me qytetarët.

Kjo bindje më ka udhëhequr në të gjithë veprimtarinë time si President i Republikës, me thirrjet dhe nismat për përgjegjshmëri, bashkëpunim, dhe përqendrim në agjendën e integrimit europian, si përparësi e të gjitha përparësive.

Zbatimi i vërtetë i kushteve, që kanë ardhur në rritje, dhe i detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, duhen marrë më seriozisht.

Vetëm një proces i besueshëm, ku vullneti politik vihet në shërbim të vendit dhe interesave madhore, do të mund të parandalojë krizat e njëpasnjëshme toksike që fatkeqësisht kanë minuar besimin e qytetarëve dhe dëmtuar imazhin e Shqipërisë.

Jemi të gjithë të paralajmëruar nga metodologjia e re e Bashkimit Europian, që thekson se aty ku përparimi nuk është i vërtetë do të ketë ndëshkim, deri në kthim prapa të procesit të integrimit dhe arritjeve të deritanishme.

Kjo do të ishte fatale për ne, dhe unë jam i bindur që nuk ka përse të ndodhë, ndërkohë që nuk duhet të harrojmë që 20 vite më parë kur u përfshimë në procesin e Stabilizim Asociimit ishim në një korsi me Kroacinë, dhe shumë më përpara Malit të Zi apo Serbisë.

Ndaj besoj se jemi ende në kohë për të reflektuar, duke nisur me heqjen dorë nga politika e vendosjes përpara faktit të kryer, e cila e minon dialogun, bashkëpunimin dhe besimin ndërmjet palëve.

Dialog nuk do të thotë vetëm të flasësh por edhe të dëgjosh. Bashkëpunim nuk do të thotë vetëm të marrësh por edhe të ofrosh.

Në këtë kontekst dua të vlerësoj se marrëveshja që u dakordësua së fundmi në Këshillin Politik për reformën zgjedhore, ishte një hap i rëndësishëm përpara. Çmoj kontributin jashtëzakonisht konstruktiv që luajti në këtë proces veçanërisht Komisioneri Varhelyi, Bundestagu gjerman, partnerët europianë në vendin tonë, si dhe SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.

Inkurajoj që kjo dakordësi të vijojë për të gjitha ndryshimet e nevojshme të reformës zgjedhore dhe të finalizohet me miratimin e shpejtë në Parlament.

Padyshim sfida e vërtetë do të jetë zbatimi besnik i Kodit të ri Zgjedhor, dhe sjellja e secilit aktor për të siguruar një proces zgjedhor me integritet që mbron dhe respekton votën e lirë të qytetarëve.

Inkurajoj gjithashtu që në plan-veprimin e hartuar nga qeveria të reflektohen kontributet e të gjithë anëtarëve të Këshillit, të zbërthehen një për një të gjitha kushtet e vendosura, si dhe të përcaktohen qartë aktorët përgjegjës, termat konkretë e të matshëm të veprimit dhe kostot financiare për çdo zë.

Konsolidimi e më tej zbatimi i këtij plan-veprimi duhet të vërtetojë se Shqipëria jep rezultate!

Ne i kemi dhënë vlerësimet tona paraprake, por vlerësimet përfundimtare të Institucionit të Presidentit të Republikës për këtë Plan-Veprimi të hartuar nga qeveria do t’i keni shumë shpejt në dispozicionin tuaj pas kësaj mbledhjeje.

Nga ana ime, si President i Republikës, do të vazhdoj përpjekjet e mia të pandërprera në dobi të përparimit të qëndrueshëm dhe të besueshëm të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, si një qëllim mbarëkombëtar i të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Faleminderit.