Fjala e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta në Takimin e Udhëheqësve të Procesit të Brdo-Brijunit

Fjala e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta në Takimin e Udhëheqësve të Procesit të Brdo-Brijunit

Tiranë

I dashur President Duda,

Zonja Mogherini,

Të dashur kolegë!

Sot, në fjalën time dëshiroj të përqendrohem në tri çështje kryesore:

Së pari, në procesin e integrimit të vendeve tona.

“Paqja botërore nuk mund të zgjasë nëse nuk bëhen përpjekje krijuese dhe proporcionale ndaj rreziqeve që e kërcënojnë atë… Europa nuk do të bëhet menjëherë, apo sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete, që fillimisht krijojnë një solidaritet de facto”.

Ky ishte prologu i deklaratës së Shumanit, që frymëzoi bashkëpunimin e mirëfilltë dhe krejtësisht të ri politik, për të pamundësuar një luftë tjetër në Europë. Ky ishte vizioni largpamës që krijoi paqen, bashkimin dhe begatinë europiane.

Na duhet të pranojmë faktin se Bashkimi i sotëm Europian është rritur përtej përfytyrimit të Shumanit. Ai është zgjeruar, thelluar dhe forcuar me guxim, vendosmëri dhe palodhur.

Në këtë kontekst, dua të theksoj dy mesazhe kyçe:

Së pari, Vendet tona kanë ende shumë për të mësuar nga themeluesit dhe filozofia e këtij projekti historik, mbi çfarë mund të konsiderohen ide pionere, nxitëse të një epoke të re të bashkëjetesës në rajonin tonë.

Së dyti, padurimi i vendeve tona për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian është tregues i qartë se ngrehina politike, ekonomike dhe shoqërore europiane mbetet po aq strategjike për ne, sa ç’ka qenë edhe më parë.

Në këtë kuadër, shpresoj që vendi im dhe Republika e Maqedonisë së Veriut të çelin sa më parë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe që Kosova të përfitojë liberalizimin e vizave pa vonesa të mëtejshme.

Çështja e dytë: bashkëpunimi rajonal.

Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj të pazëvendësueshëm si faktor paqeje, stabiliteti dhe sigurie në rajon. Ne do të vazhdojmë të përmbushim përgjegjësitë tona të shtuara si anëtarë të NATO-s për një fqinjësi paqësore dhe të sigurt, përfshirë vendosmërinë për të qëndruar përkrah aleatëve strategjikë në luftën globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Mosmarrëveshjet e vjetra, kokëforta e të paepura dypalëshe është e mundur të kapërcehen me zgjidhje që shohin drejt së ardhmes dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë kanë mundësi të përmirësohen edhe më tej në rajonin tonë, nëse kanalizohen drejt perspektivës së duhur europiane dhe euroatlantike. Në këtë drejtim, pesha dhe rëndësia e Marrëveshjes së Prespës është e jashtëzakonshme, dhe si e tillë meriton të çmohet si një arritje e madhe.

Ftesa e NATO-s për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte vendimi i duhur, në kohën e duhur. NATO-ja duhet të jetë krenare që në 70-të vjetorin e saj zgjerohet me anëtarin e 30-të, duke shtrirë edhe më tej perimetrin e paqes dhe sigurisë.

Duhet të pranojmë gjithashtu se Bashkimi Europian dhe vendet e tij anëtare e kanë vendosur rajonin tonë në rend të ditës, duke ndjekur politika plotësuese me ato të zgjerimit.

Procesi i Berlinit, që synon ndërlidhjen dhe pajtimin rajonal do të vazhdojë, dhe gjatë këtij viti do të organizohet në Poloni. E vlerësoj tej mase faktin që Samiti i Poznanit do t’i japë vëmendjen e merituar çështjeve të arsimit dhe rinisë, duke synuar mënjanimin e pengesave frustruese rajonale.

Është po aq domethënës fakti që Gjermania dhe Franca, themeluese të Bashkimit Europian, i kushtuan vëmendje të veçantë rajonit tonë në mes të fushatës politike për zgjedhjet europiane. Urojmë që Samiti i Parisit t’i japë një dinamikë të re e konstruktive këtij procesi.

Shqipëria do të mbështesë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Një proces konstruktiv ka potencialin të prodhojë marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme, tërësore dhe të zbatueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe kontribuon për paqen, stabilitetin e perspektivën europiane të rajonit.

Ngjashëm me shembullin e Marrëveshjes së Prespës, mbeten jetike dhe të domosdoshme si bashkëpunimi i përgjegjshëm dhe serioz ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, ashtu edhe një koordinim më i mirë ndërmjet BE-së dhe ShBA-ve mbi perspektivën e dialogut dhe të rajonit.

Si çështje të fundit, dua të nënvizoj se si vende në proces anëtarësimi në Bashkimin Europian, jemi zotuar për të respektuar parimet dhe vlerat e demokracisë liberale.

Përqendrimi tek mirëqeverisja dhe sundimi i ligjit, ndërtimi i institucioneve funksionale demokratike, ekonomia e tregut, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lirive politike të popujve tanë, janë shtyllat kryesore të reformave të qëndrueshme.

Të gjithë kemi një rol vendimtar për ndërtimin e kësaj të ardhmeje për qytetarët tanë, duke gëzuar mbështetjen e miqve europianë, përfshirë edhe premtimin për të shpërblyer arritjet e rezultateve të besueshme dhe konkrete.