Ilda ZHULALI u emërua Këshilltare për Integrimin Evropian e Presidentit të Republikës në shtator 2017.
Më herët, ajo ka mbajtur detyrën e Këshilltares Politike në kabinetin e Presidentit të Republikës, nga prilli 2014 deri në korrik 2017.
Znj. Zhulali ka përvojë të pasur në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe fusha e saj e ekspertizës përfshin çështjet e integrimit europian dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjatë karrierës, ajo ka përfaqësuar shtetin shqiptar në takime e konferenca të nivelit të lartë.
Pas kthimit në Shqipëri në vitin 2001, ajo nisi punën si diplomate karriere në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku ka ushtruar detyra të ndryshme si eksperte për rajonin, Drejtore dhe Drejtore e Përgjithshme për Çështjet Evropiane, deri në tetor 2013.
Ilda Zhulali u diplomua me medalje ari në Kolegjin Amerikan të Selanikut, Greqi, në vitin 2001, për “Histori dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare me përqendrim në Marrëdhëniet me Jashtë”. Ajo mban dy tituj akademikë si studentja më e mirë e klasës së diplomuar 2001 dhe është përfituese e bursës së plotë për vitet e studimit.
Në vitin 2003-2004 fiton bursën Chevening dhe kryen me meritë “Studimet Pasuniversitare për Diplomaci” në Universitetin e Oksfordit, Mbretëri e Bashkuar.
Zonja Zhulali zotëron gjuhët angleze dhe italiane, dhe është njohëse e turqishtes dhe greqishtes. Ajo është e martuar, dhe ka një djalë.