Intervistë e Presidentit Meta për televizionin Fax News

Intervistë e Presidentit Meta për televizionin Fax News

Gazetari (Bledian Koka): Zoti President, Ju falënderoj shumë që pranuat këtë intervistë me Fax News!

Presidenti Meta: Faleminderit! I uroj suksese Fax News-it në këtë sfidë që ka ndërmarrë si televizioni më i ri në vend.

Gazetari: Faleminderit! Zoti President, më lejoni që ta filloj këtë intervistë me Ju me aktualitetin e ditës. Sot, ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri ka dhënë dorëheqjen nga mandati i tij, duke akuzuar kundërshtarët dhe aleatët. A i theksoi edhe njëherë akuzat në fakt ndaj jush, se keni qenë i pari që keni kërkuar largimin e tij. Largimi përfundimtar, në njëfarë mënyre, të zotit Tahiri nga politika. A e konsideroni një fitore personale?

Presidenti Meta: Kam “zero” koment për këtë pyetje dhe më vjen keq meqenëse ishte pyetja juaj e parë.

Gazetari: Gjithsesi më lejoni që të insistoj në mungesën e komentit tuaj. Ju si aleati kryesor dhe bashkëkryetari i koalicionit i keni kërkuar Kryeministrit në 2015-tën largimin e zotit Tahiri për shkak të informacionit që keni patur për lidhjet e tij me krimin e organizuar. Përse nuk e largoi Kryeministrit atëherë zotin Tahiri?

Presidenti Meta: Nuk dua të përsëri edhe njëherë përgjigjen e mëparshme. ‘Zero’ koment për këtë çështje.

Gazetari: E kuptoj. A besoni se e ka tashmë drejtësia rrugën e hapur për gjykimin e plotë dhe të paanshëm të zotit Tahiri?

Presidenti Meta: Mendoj se drejtësia nuk duhet të ndikohet nga askush në rrugën e saj për të ndjekur dhe zbardhur çdo çështje dhe çdo individ, kushdo qoftë.

Gazetari: Zoti President, jeni njohur besoj me raportin e Komisionit Evropian për rekomandimin e çeljes së negociatave. Një pjesë e raportit ju është dorëzuar dhe Ju. A e meriton Shqipëria çeljen e negociatave me ato arritje që ka shënuar deri tani ashtu si evidentohen edhe në këtë dokument.

Presidenti Meta: Unë mendoj se “Po”! Pasi çelja e negociatave nuk është anëtarësim, është fillimi i rrugës për anëtarësim. Mendoj që Shqipëria që me kalimin e reformës në drejtësi me konsensus në korrik të vitit 2016 e ka siguruar çeljen e negociatave, pavarësisht nga formalizimi i këtij vendimi, i cili duhet të punojmë edhe më shumë në ditët dhe javët që vijnë që të ndodhë në qershor pas këtij rekomandimi pozitiv që ka bërë Komisioni Evropian.

Gazetari: Ndërkohë zonja Merkel në takimin e fundit që pati me Kryeministrin Edi Rama foli për disa parakushte ose disa kushte shtesë, të cilat kanë të bëjnë së pari me përforcimin dhe përmirësimin e ekonomisë së vendit, por edhe me luftimin e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit. Në një farë mënyre duket se largimi i zotit Tahiri është një pjesë e plotësimit të kërkesave të zonjës Merkel. Po me çështjen ekonomike, si mendoni se do bëhet?

Presidenti Meta: Mendoj se janë dy qasje lidhur me rëndësinë që ka çelja e negociatave, me vështirësitë për marrjen e një vendimi të tillë dhe me ndikimin që ata do të kenë në trajtimit e disa problemeve të rëndësishme me të cilat ndeshet vendi, por të cilat janë dhe çështje kyçe për anëtarësimin në BE. Në radhë të parë kanë të bëjnë me standardin e funksionimit të institucioneve dhe sundimit të ligjit në vend. Në këtë drejtim unë mendoj që qasja më pozitive që kanë të gjithë aktorët në vend, është që çelja e negociatave e ndihmon Shqipërinë t’i adresojë më mirë problemet apo shqetësimet që kanë edhe partnerët ndërkombëtarë apo që janë artikuluar edhe brenda vendit, në kuptimin që çelja e negociatave do të thotë më shumë instrumente për të ndihmuar Shqipërinë në këtë proces transformimi. Do të thotë dhe një monitorim më i ngushtë nga e Komisionit Evropian, nga ana e Bashkimit Evropian dhe natyrisht edhe një motivim i të gjithë aktorëve vendas për të arritur standarde më të larta në këtë proces, i cili do të bëhet gjithnjë e më obligativ.

Gazetari: Qeveria shqiptare ka kërkuar me ngulm çeljen e negociatave duke parë një lloj hezitimi që kanë disa prej vendeve skeptike në BE. Kryeministri Edi Rama ka folur duke paralajmëruar se, nëse nuk do të ketë çelje të negociatave në qershor ose një shtyrje të dytë siç ndodhi në vitin 2016, atëherë Ballkani por edhe Shqipëria mund të bjerë pre e ndikimit rus. A besoni ju tek ky rrezik në Ballkan dhe konkretisht në Shqipëri zoti Meta.

Presidenti Meta: Unë mendoj se Shqipëria në dhjetor të vitit ’90 ka vendosur rrugën e saj, që është rruga e integrimit evropian dhe e përcaktimit euro-atlantik të saj. Kjo është një rrugë e pakthyeshme. Ne jemi tashmë vend anëtar i NATO-s. Presim çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. Nuk është një rrugë e lehtë si për Shqipërinë, e cila duhet të motivohet edhe më tej për përmbushjen e standardeve që kërkohet, ashtu edhe për BE-në, i cili nuk përjeton momentet më entuziaste për sa i takon politikës së zgjerimit. Për të gjitha arsyet të cilat dihen. Por, i cili sigurisht ka patur edhe disa zhgënjime të tij nga anëtarësimi i disa anëtarëve në BE, ku disa problematika nuk është se janë zgjidhur përfundimisht edhe me bërjen anëtar të BE të këtyre vendeve.

Kjo ka bërë BE-në që të jetë edhe më kërkues ndaj vendeve si Shqipëria që synojnë të çelin negociatat dhe të anëtarësohen në BE dhe natyrisht kjo nuk ka pse të na dekurajojë ne, por duhet të na motivojë më tej për të demonstruar arritje, progres, qëndrueshmëri, respekt të parimeve të qeverisjes së mirë, të parimeve demokratike në vend dhe standardeve evropiane në çdo sferë. Ne nuk kemi asnjë zgjidhje tjetër dhe as një rrugë tjetër, nuk është se kemi disa alternativa edhe po lëmë një alternativë dhe po zgjedhim një tjetër. E vetmja rrugë e jona është kjo rrugë.

Gazetari: A do të ishte dekurajuese Zoti President një refuzim i dytë nga Këshilli Evropian dhe nga vendet anëtare për çeljen e negociatave? Meqë jemi këtu dhe po ju pyes në mënyrë të drejtpërdrejtë: a e ndieni të nevojshme të merrni edhe ju pjesë në një tur diplomatik me homologët tuaj, them me Mbretin e Spanjës apo qoftë me Presidentin e Gjermanisë për t’i bindur që të mos votojnë kundra nesh?

Presidenti Meta: Mendoj se Presidenti i Gjermanisë është një ndër më mbështetësit e një vizioni strategjik për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit tonë në Bashkimin Evropian. Dhe nuk mendoj se problemi është thjesht çështja e lobingut. Unë mendoj se përparimi është dokumentuar qartë. Edhe fushat ku kërkohet përparimi i mëtejshëm janë bërë më se të qarta. Dhe jam i sigurt se e vetmja rrugë që na ndihmon të ecim drejt një vendimi pozitiv në qershor evitimi i kësaj gare ku të gjithë aktorët kërkojnë të bëjnë opozitë, dhe marrja e përgjegjësive, e qeverisë në radhë të parë, por edhe vetë opozitës, për të demonstruar edhe përgjegjshmëri më të lartë, edhe përqendrim më racional në ato përparësi ku kërkohet të raportohet përparimi çdo ditë, çdo javë.

Gazetari: Zoti President, çfarë nënkuptoni me të gjithë aktorët që janë në garë për të bërë opozitë, përveç opozitës? Dhe kundër kujt bëhet kjo opozitë?

Presidenti Meta: Pse mendoj se të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë në këtë proçes dhe jo të garojnë se kush do të mbajë fajësinë në rast se negociatat nuk do të çelen në qershor. Dhe unë jam personalisht optimist, kuptohet me këmbë në tokë, që kjo është tërësisht e mundshme dhe nuk duhet të shpikim as armiq të brendshëm, as armiq të jashtëm, por duhet të tregojmë se jemi një vend, i cili ka institucione, i cili i respekton këto institucione, edhe ku aktorët marrin përgjegjësi. Përgjegjësi në qeveri, përgjegjësi në opozitë, përgjegjësi në krye të institucioneve të pavarura.

Gazetari: E kuptoj. Meqë po flasim për armiqtë e brendshëm dhe ata të jashtëm, a besoni se ekziston në Shqipëri rreziku i fondamentalizmit islamik, dhe akoma edhe më tej, ajo që ka deklaruar Kryeministri Rama gjatë qëndrimit në Gjermani, se ky fondamentalizëm islamik mund të nxitet përmes ndikimit rus?

Presidenti Meta: Unë jam i bindur se Shqipëria ka vetëm një rrugë: atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shqiptarët janë të vendosur në këtë rrugë. Politikanët dhe gjithë klasa drejtuese në vend duhen ta lehtësojnë këtë rrugë dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. Dua të çmoj shumë edhe aktin mjaft të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm të të gjithë krerëve të bashkësive tona fetare, pas miratimit të rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian. Ku të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve fetare, në një deklaratë të përbashkët përveç se vlerësuan këtë rekomandim, bënë thirrje që të ecet në rrugën e bashkëpunimit për të përmbushur të gjitha sfidat që kërkon çelja e negociatave, sepse ne e kemi tashmë të qartë që të gjithë pavarësisht nga dallimet apo besimi fetar, jemi shqiptarë. Por njëkohësisht edhe të gjithë jemi evropianë. Kështu që nuk e shoh një rrezik të tillë si rrezik me bazë në vend, pavarësisht se këtë harmoni ndërfetare dhe këtë orientim të qartë evropian të të gjithë aktorëve në vend nuk duhet ta marrim si të dhënë njëherë e përgjithmonë, por duhet ta kultivojmë dhe ta forcojmë çdo ditë.

Gazetari: Këto deklarata të Kryeministrit Rama, të kësaj natyre, a e dëmtojnë këtë lloj harmonie fetare, këtë pasuri që kemi ne?

Presidenti Meta: Nuk dëshiroj që të bëj komente për pyetje, të cilat nuk mund t’i gjykoj në kontekstin se si janë dhënë përgjigjet, por mund të jap një mesazh të qartë: ne kemi bashkësi fetare mjaft të përgjegjshme, me tradita të forta patriotike dhe të përcaktuara qartë në orientimin evropian të vendit.

Gazetari: Zoti President, përpara se të kaloj te pyetja tjetër: dua të bëj një pyetje të fundit përsa i takon integrimit, ose çelja e negociatave. A besoni se është një proces i pranueshëm, një proces që vjen me kushte për arrestime të figurave të larta në Shqipëri nga Bashkimi Evropian? A është kjo mënyra se si ne duhet ta pranojmë rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian?

Presidenti Meta: Mendoj se Bashkimi Evropian kërkon standardet evropiane të sundimit të ligjit në vend dhe në këtë drejtim unë besoj se përqendrimi te këto standarde, te reformat që po zhvillohen, te ajo e drejtësisë në veçanti, por edhe te reformat e tjera që kanë të bëjnë me pesë përparësitë kyçe, do të japin në fund fare rezultanten përfundimtare të një qëndrimi për çeljen e negociatave.

Gazetari: Le të shpresojmë. Zoti President, revista amerikane “Mother Jones” botoi një artikull ku fliste për një lobim të kryer nga Lëvizja Socialiste për Integrim në kohën kur ju e drejtonit atë, dhe ku pretendohet se është bërë nëpërmjet kompanive “off shore” me lidhje ruse për të ndikuar, për të rritur le të themi, praninë e LSI-së apo tuajën personale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Departamentin amerikan të Shtetit. Besoj se e mbani mend këtë lloj kontrate. Si qëndron e vërteta e saj? Dhe a ka një kontratë në fund të fundit?

Presidenti Meta: Mendoj se nuk keni gjetur personin më të përshtatshëm apo edhe kohën më të përshtatshme për të bërë një pyetje të tillë. Megjithatë nuk mund të refuzoj të përgjigjem për arsyet që nuk kanë të bëjnë me funksionin tim sot, nga 24 korriku i vitit të kaluar, me funksionin e Presidentit, për të cilën gazetari që ka bërë një pyetje, ka marrë edhe një përgjigje, që pjesërisht është botuar, nga Drejtori i Kabinetit të Presidentit. Por meqenëse ju përmendët faktin se unë kam qenë në drejtim të Lëvizjes Socialiste për Integrim për këtë moment që është përshkruar në atë mënyrë që ju e keni ndjekur, mund t’ju them se kam lexuar me vëmendje përgjigjet e pyetjeve që i ishin drejtuar zëdhënësit apo drejtorit për shtypin të LSI-së, zotit Shaban Sulçe, të cilat çuditërisht nuk ishin publikuar, pra përgjigjet e këtyre pyetjeve. Dhe mund t’ju them që përgjigje mjaft të sakta, mjaft transparente, dhe me një fjalë mund të them që kemi të bëjmë me një zero të vërtetë përsa u takon të gjitha aludimeve dhe insinuatave për atë periudhë.

Gazetari: Ju kuptoj. A keni paguar para ju zoti Meta për të qenë i pranishëm në inaugurimin e Presidentit Donald Tramp dhe për të përforcuar raportet me administratën Tramp?

Presidenti Meta: Është një mashtrim, për arsye sepse…

Gazetari: Gjithmonë i referohem artikullit të “Mother Jones”? Besoj se kuptohemi qartë.

Presidenti Meta: Unë po jua jap përgjigjen ju, nuk po ia jap përgjigjen askujt tjetër. Është një mashtrim pasi unë kam marrë pjesë, së bashku me zotin Vasili, si kryetar i Parlamentit me ftesë të komitetit organizator të ceremonisë dhe është gjithçka e verifikueshme, edhe për shkak të kamerave të sigurisë që ne nuk kemi pasur asnjë lidhje. As unë dhe as zoti Vasili me rastin në fjalë.

Gazetari: Si e keni siguruar ftesën për të qenë i pranishëm në inaugurimin e Presidenti Tramp?

Presidenti Meta: Unë kam qenë vazhdimisht në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe jam takuar vazhdimisht me nivele nga më të lartat. Kam marrë edhe vlerësime nga më të lartat, të cilat janë edhe publike, edhe zyrtare, si nga kryetari i Komisionit të Ligjeve që është nga figurat më kryesore të Kongresit, zoti Pit Seshion, si nga kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare zoti Mekoll në Kongresin e shumë personalitete të tjera, kështu që gjithçka është absurde dhe mendoj se përgjigjet e zotit Sulçe kanë qenë tepër shteruese.

Gazetari: E kuptoj. Artikulli i “Mother Jones” zoti Meta erdhi pikërisht në ditën kur Kryeministri Rama po zhvillonte vizitën në Gjermani, një vizitë që nga mediat u konsiderua si një lloj shuplake që Berlini zyrtar i dha Tiranës për mënyrën të paktën se si e kishte adresuar çështjen e negociatave. Po ta shikojmë mirë edhe artikullin, në vetvete ishte një artikull narrativ, por i mungonin faktet. A e shikoni realisht dhe a e konsideroni këtë si një sulm personal ndaj jush? Mënyrën se si, qoftë edhe lidhjen e kohës – lidhjen e kohës po e bëj unë, ma lejoni këtë, – faktin që realisht aty nuk kishte dokumente konkrete që të faktonin kontratën në fjalë?

Presidenti Meta: Mendoj se përgjigjet e zotit Sulçe kanë qenë jashtëzakonisht shteruese dhe transparente. Të ashtuquajturat fakte apo lidhje që nuk ekzistojnë meritojnë gjithmonë të shumëzohen me zero.

Gazetari: Cilat janë raportet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë me administratën e Shteteve të Bashkuara? A keni parashikuar ju një vizitë në SHBA dhe nëse po, a është siguruar ky takim apo kjo vizitë përmes lobimit?

Presidenti Meta: Besoj se gjithçka është bërë e qartë. Në detyrën e Presidentit të Republikës nuk kam asnjë raport me asnjë lloj kompanie apo individi. Marrrëdhëniet i mbaj në mënyrë zyrtare përmes Ambsadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë apo përmes ambasadës sonë në Usahsington dhe duhet të kemi parasysh që në moshën 30-vjeçare jam takuar me Presidentin Klinton, jam pritur nga Presidenti Bush. I kam kaluar prej kohësh këto pasionet për takime për shtrëngime duarsh, për përqafime, për bërje fotosh, kështu që sa herë të jetë e nevojshme dhe e domodoshme do të bëjëm takimet që do të duhen, por gjithmonë në mënyrën më transparente dhe në respekt të partneritetit strategjik midis dy vendeve tona.

Gazetari: Meqë kujtuat takimin që keni patur me z. Klinton, më keni rrëfyer një herë një moment të takimit që keni patur me z. Klinton dhe një premtim që i keni bërë atëherë kur keni qenë 30 vjeç. Sot që jeni President i Republikës a besoni që e keni realizuar sadopak atë premtim që i bëtë atëherë z. Klinton?

Presidenti Meta: Besoj se jam përpjekur të bëj gjithmonë më të mirën për vendin tim dhe këtë do të vazhdoj ta bëj pa u lodhur.

Gazetari: A mendoni se ia keni arritur në një masë a në një përqindje?

Presidenti Meta: Unë gjithmonë do të bëj më të mirën.

Gazetari: Mbetemi sërish te raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e pranuat se normalisht dhe natyrshëm i keni këto raporte nëpërmjet Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, por edhe Ambasadës sonë në SHBA. A janë zbutur raportet tuaja me Ambasadorin Lu? Ju pyes sepse në një letër që i ka drejtuar Departamentit amerikan të Shtetit, ish-kryeprokurori Llalla ka deklaruar se Ambasadori Lu i kishte kërkuar arrestimin tuaj me pretendimin se po bllokonit reformën në drejtësi?

Presidenti Meta: Unë nuk dëshiroj të merrem me letra dhe as me diskutime për të cilat nuk kam qenë asnjëherë prezent. Ambasadori ka dhënë një përgjigje publike dhe zyrtare për këtë çështje, ashtu sikurse ambasadori edhe publikisht pas kalimit të reformës në drejtësi me konsensus në Parlament ka vlerësuar rolin tim për arritjen e kë tij konsensusi, i cili theksoj është përcaktues për rekomandimin pozitiv edhe për hapjen e negociatave me BE-në, sepse ka qenë një kusht prej kohësh dhe çdo vonesë, në drejtim të çeljes së negociatave ka patur të bëjë me rezultatet e zbatimit të reformës.

Gazetari: Ju shpreheni se në raportet tuaja me z. Lu, gjithmonë takimet tuaja zyrtare bëhen me dëshmitarë. Për çfarë ju duhen dëshmitarët në takimet më Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nga se druheni në këto takime z. Meta? Po ju referohem deklaratave tuaja

Presidenti Meta: Këto janë gjëra fare normale, marrëdhëniet tona janë institucionale dhe të qëndrueshme, të cilat do të vazhdojnë edhe kur unë të mos jem më President i Shqipërisë, edhe kur z. Lu të mos jetë Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, duke ju referuar këtu edhe pozitave të mëparshme. Kjo është një gjë tepër normale kur bëhet fjala për një partneritet strategjik midis dy vendeve dhe komunikimeve sidomos në rrugë institucionale.

Presidenti: A e besoni ju deklaratën e ish-kryeprokurorit të përgjithshëm se një ambasador amerikan ka kërkuar arrestimin tuaj? Po shtoj këtu edhe faktin se ju vetë një vit më parë dolët në media, nuk ishit kaq i qetë sa sot dhe thatë se askush nuk mund t’i bëjë presion Ilir Metës e nëse duan ta arrestojnë, le ta bëjnë. Po ka qenë një deklaratë e cila vjen pak a shumë në të njëjtën kuadër të asaj që thotë ish-kryeprokurori në letrën drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit. E besoni ju realisht këtë gjë, po ose jo?

Presidenti Meta: Unë nuk besoj se ka ndonjë arsye për të diskutuar çështje të tilla. Unë këto historitë më arrestime i kam dëgjuar që në gusht të vitit 1993, kur ndodhi një rebelim në qytetin e Poliçanit, deputet i të cilit isha edhe nuk habitem për faktin që arrestimi është pjesë e retorikës sonë edhe politike, edhe institucionale dhe është tregues i një politike me paranoja.

Gazetari: A i keni kërkuar shpjegime Ambasadorit Lu në takimin e fundit që kishit, informacione nëse kjo deklaratë ishte e vërtetë?

Presidenti Meta: Nuk ka patur asnjë arsye për të kërkuar shpjegime. Qëndrimi i tij ka qenë i qartë. Kemi diskutuar për çështje të tjera të bashkëpunimit tonë.

Gazetari: President, a keni një koment për raportin e “Freedom House”, në të cilin kritikohet zgjedhja juaj si Kreu i Shtetit ku thuaj tekstualisht se “opinioni publik e perceptonte figurën tuaj si të korruptuar”?

Presidenti Meta: Nuk mendoj se ia vlen të humbasim kohë me një përmendje tërësisht të pavend, jashtë kontekstit edhe të objektivit të këtij raporti, pra për një keqpërdorim të vetë emrit të “Freedom House” për arsye, sepse sikurse ju vetë si gazetarë profesionist e dini, menjëherë është bërë e qartë se kush është personi që ka përgatitur këtë raport në mirëbesim nga ky institucion. Gjithashtu janë të qarta për këdo që ka bërë një kërkim, dhe gazetat dhe portali të cilit i referohet të cilat janë skajshmërisht do të thosha ekstreme dhe të njëanshme, kështu që asgjë më shumë sesa as keqardhje.

Gazetari: Ndërkohë në një intervistë të dhënë për mediat gjermane Kryeministri Rama është pyetur nëse do të kishte një arrestim të Presidentit të Republikës. Duket se retorika kundër figurës tuaj sa vjen dhe shtohet. A ju shqetëson ky fakt z. President?

Presidenti Meta: Një nga vizitat e mia të para ka qenë në Berlin me ftesë zyrtare të Presidentit të Gjermanisë, madje pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe marrëdhëniet tona janë shumë të mira. Janë tepër konstruktive, pastaj në qoftë së ju prisni nga unë që të merrem me pyetje të porositura që riciklohen herë pas here, për hall të cilitdo, kjo është një humbje kohe.

Gazetari: Pra, thoni që të intervistuarit edhe porosisin pyetje?

Presidenti Meta: Këtë e thatë ju.

Gazetari: Unë bëra një interpretim logjik të asaj që thatë ju. Le ta gjykojë publiku se çfarë thamë ne të dy…

Presidenti Meta: Kjo është një gjë e parëndësishme. Unë jam këtu dhe do vazhdoj të qëndroj këtu në krye të detyrës sime me transparencë dhe përgjegjshmëri maksimale, pa u ndikuar nga askush dhe për asnjë gjë.

Gazetari: Meqë po flasim për integrimin, z. President, një nga shqetësimet kryesore që kanë vendet e anëtare, por edhe raportet e Departamentin Amerikan të Shtetit, ka të bëjë me shndërrimin e Shqipërisë si një nga vendet e trafikimit të drogave të forta, nga dje një vend prodhues i kanabisit sot jemi një vend i trafikimit të drogave të forta. Por edhe rasti me konkret është padiskutim ai i sekuestrimit të 613 kg kokainë në portin e Durrësit. Jo më larg se ditën e djeshme rreth 2 ton e gjysmë kanabis sativa u sekuestruan në brigjet e Italisë me prejardhje nga Shqipëria. Lëvizja e gjithë kësaj lënde narkotike, por edhe paraja e pisët kriminale që gjenerohet në këtë mes, a e ka vënë në rrezik sigurinë kombëtare dhe a jeni i gatshëm të thërrisni Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të parë se çfarë po ndodh?

Presidenti Meta: Lufta kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në tërësi është një luftë vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë si një vend demokratik, si një shtet ku sundon ligji, ku garantohen të drejtat e qytetarëve. Si një vend ku është e padiskutueshme liria e sipërmarrjes dhe iniciativa e lirë dhe për këtë besoj se qeveria dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese kanë patur, kanë dhe do të kenë mbështetjen time më të plotë, më të fortë dhe më inkurajuese, pasi ky është dhe kërcënimi më serioz edhe përsa i takon perspektivës së procesit të integrimit europian. Që do të thotë se edhe pas çeljes së negociatave, çështjet kryesore përsëri do të vazhdojnë të mbeten çështjet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit me funksionimin transparent të të gjitha institucioneve. Kështu që ne do të vazhdojmë në këtë drejtim dhe jemi në bashkë punim me të gjitha institucionet.

Gazetari: Mendoni se policia po bën maksimumin për t’i parandaluar, por edhe për t’i hetuar dhe për t’i zbardhur të paktën rastet konkrete që përmendë e që e kthyen Shqipërinë në një vend me rekorde historike. Nuk kishte ndodhur ndonjë herë që të ishin kapur 613 kg kokainë në portin e Durrësit…

Presidenti Meta: Absolutisht që kjo është çështje serioze dhe padyshim çdo nënvlerësim apo çdo tolerim i kanabisit do të sillte pasoja të tilla, sepse për grupet kriminale nuk ka problem nëse merresh më kanabis apo droga të forta, merresh edhe me gjërat edhe më të rënda. Rëndësi ka fitimi maksimal dhe kuptohet, në momentin që ata krijojnë një infrastrukturë dhe arrijnë një fuqi të caktuar financiare pastaj këtë mund ta përdorin për çdo gjë. Por këto çështje po hetohen dhe shpresojmë që hetimet të jenë të plota dhe gjithëpërfshirëse, duke bashkë punuar ngushtë edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Është një gjë mjaft pozitive që edhe DEA po angazhohet gjithë një edhe më shumë në këto sfida dhe hetime, por është edhe një gjë mjaft pozitive që edhe në polici ka nisur një proces, që quhet gjithashtu procesi i Vetting-ut, që synon të fuqizojë dhe kompaktsojë këtë institucion mjaft të rëndësishëm dhe që është në vijën e parë të kontaktit dhe luftës me krimin e organizuar në mënyrë që të kemi rezultate shumë të mira në të ardhmen dhe shpresojmë për këtë gjë.

Gazetari: Meqë po flasim për policinë, a keni një vlerësim për punën e Ministrit të Brendshëm, z. Fatmir Xhafaj

Presidenti Meta: Unë inkurajoj gjithë ministrat që të përmbushin me përgjegjësi maksimale detyrat e tyre. Kuptohet që detyra e Ministrit të Brendshëm është një sfidë mjaftë e vështirë edhe e inkurajoj dhe e mbështes për të arritur të gjitha ato objektiva që ai i ka bërë publike .

Gazetari: Flasim për Vetting-un në drejtësi z. President. Gati 50 gjyqtarë dhe prokurorë janë larguar nga sistemi i drejtësisë për shkak të Vetting-ut. A mendoni se Vetting-u po funksionon në mënyrën e duhur pa patur eksese dhe pa larguar ndoshta njerëz nga sistemi i drejtësisë që nuk e meritojnë të largohen? E keni patur këtë si shqetësim?

Presidenti Meta: Procesi i Vetting-ut është një proces i vështirë, sepse është një proces kompleks. Ka qenë një proces i domosdoshëm dhe është shumë e rëndësishme që të zbatohet në mënyrën më transparente dhe më korrekte. Nuk është një proces, ku nuk janë parashikuar edhe gabimet apo vlerësimet e gabuara, prandaj janë krijuar edhe institucionet ku edhe të gjithë subjektet që i nënshtrohen Vetting-ut kanë të drejtë të ankohen për t’u rishikuar gjithë ato rastet ku ata pretendojnë se mund të jenë bërë gabime.

Gazetari: Por nga ana tjetër Vetting-u ka krijuar edhe vakum në funksionimin e institucioneve siç është rasti i Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se ishte me pesë anëtarë, tani ka mbetur edhe me katër. A ishte parashikuar ky moment z. President? Në rregull Vetting-u, por edhe institucionet e drejtësisë ku janë….

Presidenti Meta: Mendoj se është shumë e rëndësishme të ecim sa më shpejt të jetë e mundur pa cenuar cilësinë e këtij procesi dhe duke garantuar gjithmonë transparencën dhe qëllimet e mira të tij për të cilat u realizua Vetting-u.

Së dyti, mund të them se si President, kam kërkuar nga KED për të vënë në funksion të përmbushjes së detyrave të saj dhe për këtë arsye prej kohësh kemi hapur në mënyrë transparente edhe mundësinë e gjithë kandidatëve për dy vende vakante, që ka si përgjegjësi Presidenti i Republikës për t’i propozuar dhe shpresojmë që KED, të funksionojë sa më shpejt të jetë ë mundur me përgjegjshmëri të plotë ashtu sikurse edhe Kuvendi ka nisur kë të proces, ë të evitojmë situata të cilat nuk do të na ndihmonin në tërësi për të gjitha ato përgjegjësi që kanë këto institucione të rëndësishme kushtetuese.

Gazetari: A është alarmante situata, apo është e menaxhueshme deri në momentin që ato do të zgjidhen?

Presidenti Meta: Situata pa dyshim që kërkon një ritëm më të shpejtë dhe unë shpresoj që të gjithë do të përmbushin përgjegjësitë e tyre.

Gazetari: Z. President, organi i akuzës drejtohet prej 5muajsh nga një Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme. Duke qenë se jeni kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare a keni një vlerësim për punën e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme dhe në informacionin tuaj, përsa kohë do drejtohet nga një Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme dhe a ju duket anakronike kjo situatë?

Presidenti Meta: Çështja e Prokurorit të Përgjithshëm me ndryshimet e reja kushtetuese është një çështje që i takon ekskluzivisht Kuvendit, që ka bërë edhe zgjedhjen dhe natyrisht i takon edhe në të ardhmen institucioneve të drejtësisë. Përsa i takon çështjes së Prokurorisë unë mund të them se inkurajo Prokurorinë të përmbushë me përgjegjshmëri detyrat e saj, pavarësisht se klima politike në vend, nuk është mjaft ndihmuese, por si çdo lloj polarizimi ngado që vjen nuk mendoj që është kontribuues për forcimin e institucioneve të pavarura dhe njëkohësisht edhe për efektivitetin e tyre maksimal.

Gazetari: Pati një valë procedimesh penale nga Prokuroria e Përgjithshme muajt e kaluar, duket sikur tashme është pushuar. A keni vërejtur ju z. President një lloj anshmërie sesi Prokuroria e Përgjithshme që drejtohet nga Arta Marku, ka një lloj anshmërie apo jo?

Presidenti Meta: Nuk do dëshiroja të bëhesha pjesë e këtyre debateve. Për mua është e rëndësishme që sistemi i drejtësisë, si institucionet të cilat janë në një moment tranzitor, si institucionet e reja, duke patur në konsideratë ato të Vetting-ut që po funksionojnë, por edhe të tjerat që janë në një proces krijimi, të funksionojnë në mënyrë të pavarur, sepse kjo është edhe pritshmëria e opinionit publik.

Gazetari: A keni vënë re raste abuzive në mënyrën se po funksionin sistemi i drejtësisë me procesin e Vetting-ut. Nëse do të vinit re raste të tilla që dalin në pah, a keni mundë si të ndërhyni z. President, t’i parandaloni ato, pra kapjen politike atë që është dhe frika më e madhe në raport më sistemin e drejtësisë?

Presidenti Meta: Presidenti, nuk ka asnjë rol kushtetues dhe asnjë instrument për të ndërhyrë në procesin e Vetting-ut. Përkundrazi janë të përcaktuara qartë edhe institucionet, të cilat mund të rishikojnë vendimet e komisioneve të Vettingut, janë të përcaktuara si Kolegji i Apelimit e kështu me radhë, dhe natyrisht kemi dhe partnerët ndërkombëtarë që monitorojnë këtë situatë, është edhe media edhe shoqëria civile. Pra është detyrë e të gjithëve për ta ndihmuar këtë proces në krijimin e besueshmërisë se drejtësia e re është një drejtë si e pavarur e pandikuar nga politika, e cila do të përkthehet në një besim më të madh për qytetarët shqiptarë.

Gazetari: Zoti Presidenti, raportet tuaja me Kryeministrin Rama njohën padiskutim pikën e tyre më të ulët gjatë fushatës zgjedhore të viti të kaluar, kur edhe pse ishit zgjedhur ndërkohë në postin e Presidentit të Republikës, vendosët të mbanit postin e kryetarit të LSI-së deri në përfundim të zgjedhjeve. Cilat janë raportet aktuale me Kryeministrin Rama? Me aq sa dimë, keni pasur vetëm dy takime: takimi i parë për emërimin e shefit të ri të SHISH, z. Bendo dhe takimi i dytë ishte ai që solli edhe PO-në tuaj për fillimin e negociatave me Greqinë për çështjen e detit…

Presidenti Meta: Takimet e mia janë institucionale, si me Kryeministrin, si me ministrat apo me drejtues të institucioneve të ndryshme dhe i konsideroj si marrëdhënie normale, marrëdhënie pune.

Gazetari: A ju ka detyruar Kryeministri Rama që të jepnit plotfuqishmërinë tuaj për grupin që do të negociojë me Greqinë çështjen e detit? Po i referohem takimit tuaj të fundit që keni pasur me z. Rama…

Presidenti Meta: Mendoj se takimi për këtë çështje ka qenë mjaft konstruktiv dhe Kryeministri është pajtuar me të gjitha qëndrimet e mia përsa i takon mënyrës se si duhet të zhvillohen këto negociata gjithmonë në respekt të Kushtetutës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Gazetari: Mandati juaj si President dhe mandati i qeverisë Ram 2 ka kohëzgjatje të njëjtë. A keni bërë ju një vlerësim për mënyrën se si po qeveriset aktualisht vendi z. President? A jeni i kënaqur?

Presidenti Meta: Mendoj se të gjithë duhet të kontribuojmë për mirëqeverisjen e vendit dhe në këtë drejtim mendoj që vlerësimin e bëjnë qytetarët. Për mua si President është e rëndësishme të bashkëpunoj me qeverinë dhe të jap të gjithë mbështetjen time për gjithçka të mirë që realizohet dhe që ndihmon vendin.

Gazetari: Meqë thoni se vlerësimet i bëjnë qytetarët, ju si qytetar i parë i Republikës së Shqipërisë, në çfarë drejtimi mendoni se qeveria shqiptare nuk po performon si duhet dhe nga ana tjetër, duke përdorur edhe fuqinë si President do t’i bënit thirrje të fokusohej akoma më tepër? Mendoni që ekonomia shqiptare është më e fortë dhe ka pësuar rritje? Ka një shqetësim për praktikat e Bankës së Shqipërisë për de-eurizimin e ekonomisë dhe zhvlerësimin e monedhës euro. A janë këto shqetësime që mund të krijojnë situata të pakëndshme në të ardhmen?

Presidenti Meta: Unë mendoj që qeveria por edhe të gjithë aktorët e tjerë i ndjekin këto çështje në vijimësi dhe çdo ndjeshmëri për një problematikë në rritje në të ardhmen në çdo fushë, qoftë ekonomike apo kudo tjetër, të reflektohet në kohë. Ajo që dua të theksoj gjithmonë është dialogu për çështjet më të rëndësishme të qeverisjes së vendit dhe një klimë më e mirë bashkëpunimi, pasi shndërrimi i konfliktit në një filozofi të sjelljes politike në vend apo edhe në një mënyrë qeverisjeje vetëm shteron energjitë pozitive të të gjithë aktorëve. Të vetë qeverisë dhe përfaqësuesve të saj, të vetë opozitës, të biznesit dhe sipërmarrjes dhe të qytetarëve. Ne kemi nevojë që secili të përmbushë përgjegjësitë e ti dhe të krijojmë një ambient sa më të sigurt për qytetarët tanë, për të rinjtë tanë, sa më të besueshme për ata në radhë të parë por edhe për partnerët e huaj e sidomos për investitorët e huaj nga të cilët duhet të shohim më shumë.

Gazetari: A ka më shumë propagandë në mënyrën se si po qeveriset vendi se sa punë konkrete z. Meta, a e ndjeni këtë?

Presidenti Meta: Nuk jam në Parlament këtu, jam në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe nuk ia lejoj vetes që të hyj në komente të njëanshme, por unë besoj që ka nevojë patjetër për më shumë punë nga të gjithë. Nuk mund të kënaqet askush me arritjet e deritanishme dhe të gjithë duhet të kënaqemi atëherë kur të ndalojë çdo i ri i këtij vendi së ëndërruari për ta gjetur Evropën jashtë Shqipërisë.

Gazetari: Kur iu pyeta për qeverisjen, po mendoja për atë që ndodhi gati një muaj më parë në rrugën e Kombit. Banorët e Kukësit dhe jo vetëm u ngritën në një protestë për të kundërshtuar vendosjen tarifës. Së pari si e keni përjetuar si President këtë moment?

Presidenti Meta: Natyrisht që nuk ka qenë një moment i këndshëm për askënd. Vetë situata e krijuar e cila duhet të ishte shmangur me kohë, nuk besoj se i shërbeu dikujt, në radhë të parë unë dua të nënvizoj rëndësinë e dialogut për çdo nismë të tillë. Kjo është e rëndësishme aq më tepër në një rast të tillë kur kemi të bëjmë me një vepër madhore, e cila lidh Shqipërinë me Kosovën dhe padyshim vetë qeveria e ka pranuar më pas se duhet të kishte realizuar një proces konsultimi me komunitetin. Ajo që unë duhet të theksoj se në çdo rast ka qenë e domosdoshme dhe është e domosdoshme një konsultim edhe me qeverinë e Kosovës, pasi është mjaft e rëndësishme mirëmbajtja e rrugës por është shumë e rëndësishme që kjo rrugë të vazhdojë të përmbushë atë funksion për të cilin u ndërtua, për t’i dhënë një dinamikë tjetër marrëdhënieve të gjithanshme, jo vetëm ekonomike dhe të tregtisë, midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Gazetari: Por në vlerësimin e Presidentit të Republikës, qytetarit të parë të këtij vendi, a duhet të ketë tarifë në Rrugën e Kombit? A mendoni se shqiptarët e kanë paguar një herë rrugën dhe paguajnë taksa të mjaftueshme jo vetëm për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, por edhe të gjithë rrugëve të Shqipërisë?

Presidenti Meta: Mendoj që kjo është një çështje për të cilën qeveria dhe Kuvendi duhet të marrin përgjegjësitë e tyre në mënyrë më transparente, por edhe më të mençur, edhe më racionale. E theksoj edhe një herë, mirëmbajtja është shumë e rëndësishme, por është gjithashtu jetike që kjo rrugë të përmbushë misionin për të cilin është bërë një investim madhor si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova.

Gazetari: Vendosja e tarifës e dëmton këtë qëllim z. President?

Presidenti Meta: Edhe sikur të mos vendoset tarifë, por boll që të ndalojnë makinat edhe siç ndalonin më para, është një frenim psikologjik. Për më tepër, të mos harrojmë se Kosova po përfundon një autostradë fantastike me Maqedoninë, ku unë kalova edhe para pak kohësh gjatë rrugës për në Shkup, edhe dola nga Kaçaniku, një investim madhor, i cili mund ta relativizojë mjaft rrugën dhe investimin që ne kemi bërë deri tani në rast se nuk do të merrnim vendime të llogaritura mirë dhe me mençuri.

Gazetari: Z. President, ka një shqetësim në rritje nga qytetarët kryesisht për bumin e ndërtimeve në kryeqytet, ku hapësirat publike ë dukje sa vijnë e tkurren, ndërsa betoni ka krijuar një avantazh në dëm të interesit publik. A ka vend për shqetësim në këtë drejtim apo besoni se ky është trend normal i zhvillimit të një kryeqyteti si Tirana?

Presidenti Meta: Natyrisht që Tirana ndeshet me sfida të mëdha, por mendoj që duhet gjithmonë të jemi të kujdesshëm sa i përket hapësirave publike sepse to janë sakrifikuar mjaft në të kaluarën dhe mund të krijohen probleme edhe për cilësinë e jetës së qytetarëve të kryeqytetit, i cili edhe kështu siç është pavarësisht nga procesi që ka pësuar në disa shërbime, ende vuan nga problemet e ndërtimeve të pakontrolluara të pas viteve ‘90 dhe është e domosdoshme tani, kur të gjithë pretendojmë cilësi më të larta jetese në të gjithë vendin dhe padyshim edhe në kryeqytet, që çdo investim, çdo ndërtim që bëhet në kryeqytet të ketë parasysh këto shqetësime.

Gazetari: Cili është qëndrimi i Presidentit të Republikës lidhur me projektin e shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e teatrit të ri me partneritet publik dhe së bashku me teatrin edhe ndërtimin e disa kullave të tjera shtesë në qendër të Tiranës…

Presidenti Meta: Unë besoj se është shumë e rëndësishme të punohet në dialog me komunitetin e artistëve dhe të punohet në transparencë të plotë me ta. Për të tjerat nuk dëshiroj t’i komentoj.

Gazetari: Negociatat me Greqinë për caktimin e kufirit detar janë rikthyer sërish në temë dite pasi ju dhatë miratimi tuaj. Një ditë më parë Ministri i Jashtëm i Greqisë, Kotzias ka deklaruar në një intervistë për mediat greke se marrëveshja pritet të përmbyllet në fund të muajit maj ose në fillim të muajit qershor. A është e vërtetë sepse gjithmonë opinioni publik shqiptar e merr vesh se çfarë ndodh me çështjen e detit nga mediat greke? Keni informacione realisht se çfarë po ndodh duke qenë se tashmë keni edhe përfaqësuesin tuaj në grupin negociator?

Presidenti Meta: Së pari, me duhet të nënvizoj përmbylljen e një marrëveshjeje të tillë, e cila është çështje e hapur prej 10 vjetësh. Së dyti, të gjitha veprimet e mia si President kanë qenë në respekt të Kushtetutës dhe të vendimit të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, e cila disiplinon qartësisht rolin e Presidentit dhe të gjithë institucioneve se si duhet ecur drejt një marrëveshjeje të tillë dhe besoj se grupi negociator i ka të qarta të gjitha kërkesat e mia si President i Republikës në respekt të vendimit të kësaj gjykate, për të përmbushur detyrimet e tij të cilat janë mjaft të rëndësishme që të përmbushen me përgjegjësi të plotë larg çdo lloj presioni nga cilido, përfshirë këtu edhe deklaratat mediatike.

Gazetari: E lexoni si presion deklaratën ministrit grek, i cili thotë se marrëveshja do të përmbyllet në fund të këtij muaji?

Presidenti Meta: Për mua nuk ka asnjë afat përveçse një marrëveshje të drejtë, të ndershme për të dyja palët dhe natyrisht që unë mund të flas për palën tonë, e cila e ka edhe për detyrë të mbrojnë interesin kombëtar në mënyrën më të përgjegjshme, më atdhetare dhe më profesionale. Nëse kjo mund të kishte ndodhur dje, do të ishte shumë mirë. Se kur do të ndodhë, këtë nuk mund ta parashikoj dhe askush nuk duhet ta paragjykojë, por të gjithë duhet të punojmë në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme.

Gazetari: Dhe nëse nuk plotësohen kushtet, ato që përmendet ju, mënyra se si është shprehur Gjykata Kushtetuese për zgjidhjen e çështjes së detit, a e shikoni në vetvete deklaratën e z. Kotzias për afatin e arritjes së marrëveshjes si një presioni që bën pala greke për qëndrimin vendit fqinj për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe nëse është kështu, a do ta lejoni një marrëveshje të tillë duke qenë se tashmë nuk keni as mekanizmin e Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar?

Presidenti Meta: Unë nuk vlerësoj se deklarata në fjalë i drejtohet palës shqiptare. As nuk e di ekzaktësisht se cila është deklarata dhe nuk mund të komentoj deklaratat e një ministri të një vendi tjetër, kur e ka thënë, si e ka thënë apo pse e ka thënë. Ato kanë objektivat e tyre dhe ne i respektojmë objektivat e tyre. Objektivi im si President i Republikës së Shqipërisë është zbatimi i qartë, i plotë i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në të gjithë elementët e tij. Unë për këtë kam dhënë autorizim.

Gazetari: A do ta firmosni ju dhe homologu juaj Pavlopulous marrëveshjen përfundimtare për delimitimin e detit z. President? Flitet se një nga kushtet që keni vënë për dhënien e autorizimin për nisjen e negociatave ka qenë pikërisht ky, që marrëveshja të mbajë firmën tuaj dhe atë të Presidentit grek, Pavlopulous….

Presidenti Meta: Është një “fake news” meqenëse jemi në FAX News.

Gazetari: Në fakt, a do të ishte mirë që kjo marrëveshje të firmosej nga dy presidentët duke qenë se në preambulën e saj do t’i jepte fund një serie problematikash që ka pasur Shqipëria me Greqinë, qoftë ligji i luftës, qoftë çështja e delimitimit detar?

Presidenti Meta: Për mua kjo është tërësisht e parëndësishme se cili do ta firmosë. Vetëm një gjë ka rëndësi për mua si President i Republikës së Shqipërisë, që kjo marrëveshje të mbrojë interesin kombëtar të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar sepse kemi të bëjmë me një marrëveshje historike për shkak se një herë ndodh në histori dhe nuk është një detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë që janë sot, por është detyrim edhe ndaj gjeneratave të ardhshme që do vijnë më pas. Pra është një përgjegjësi e madhe ndaj duhet përmbushur me përgjegjësi të plotë kombëtare dhe natyrisht edhe profesionale.

Gazetari: E thënë kështu siç e thoni ju, duke fiks si ato marrëveshjet që firmosen nga Presidentët e Republikës…

Presidenti Meta: është mendimi juaj.

Gazetari: Në fakt, çështja e negociatave me Greqinë dhe sidomos grupi negociator pati një moment fort të dyshimtë për shkak të përbërjes. Bëhet fjalë pikërisht për praninë në këtë grup të z. Artur Meçollari, i cili nga informacionet që siguroi FAX Neës rezultoi të ishte një person i larguar nga Forcat e Armatosura i akuzuar për spiunazh. A keni kërkuar informacione për figurën dhe integritetin profesional të z. Meçollari dhe fakti që ai është ende sot në grupin negociator do të thotë se keni marrë garancinë se figura dhe integriteti i tij janë të pacenuara?

Presidenti Meta: Institucioni i Presidentit ka kërkuar përmbushjen e kritereve apo standardet e figurës për të gjithë negociatorët pa përjashtim nga të gjitha institucionet. Përgjigjet institucionale që kanë ardhur këtu nuk e bënin të pamundur për secilin prej tyre që janë tashmë negocatiorë për të qenë në këtë detyrë.

Gazetari: Meqë po flasim për raportin me vendet partnere. Që prej një viti kur keni marrë detyrën ajo që bie në sy është mungesa e një takimi me Presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Ju keni pasur një urim prej tij, siç keni pasur prej shumë nga krerët e shteteve të botës,. Por pyetja është si i keni ju raportet z. Meta me z. Erdogan?

Presidenti Meta: Nuk e kam ndjerë mungesën e një takimi të tillë sikurse ju e thatë kemi pasur edhe shkëmbime mesazhesh. Kemi pasur edhe një bisedë telefonike me rastin e zgjedhjes sime, ku z. Erdogan më ka uruar. Ashtu sikurse kam pasur edhe kënaqësinë të takohem me Kryeministrin e Turqisë së fundmi në Baku dhe jemi në kontakte të vazhdueshme edhe me Ambasadorin e Turqisë këtu.

Gazetari: A do të keni një vizitë të shpejtë në Turqi apo nuk është parashikuar ende asgjë?

Presidenti Meta: Nuk kemi asnjë urgjencë për më tepër që atje ka zgjedhje në qershor.

Gazetari: Turqia i kërkon prej kohësh me ngulm Shqipërisë që të mbyllë ato që njihen si institucione arsimore Gyleniste. Si mendoni, si duhet ta adresojë Shqipëria këtë çështje? Sipas informacioneve që kemi duket se ia keni bërë një herë të qartë Presidentit të Turqisë në kohën kur ishit Kryetar i Kuvendit se nuk jeni pro kësaj kërkese të Ankarasë….

Presidenti Meta: Nuk dëshiroj të bëhem pjesë e debateve dhe e këtyre historive. Ne jemi një vend demokratik, jemi një vend i cili duhet të tregojë çdo ditë që është vendi i sundimit të ligjit, dhe në këtë drejtim çdo koment tjetër për mua është i panevojshëm.

Gazetari: Si e keni parë aksionin e çuditshëm që u ndërmor me dëbimin e 6 shtetasve turq të cilët konsideroheshin si Gylenistë, por sipas informacioneve njëri prej të deportuarve kishte edhe pasaportë shqiptare. Nëse do të ndodhte një situatë e tillë edhe ne Shqipëri si do ta vlerësonit? I druheni një situate të tillë edhe në Shqipëri?

Presidenti Meta: Kosova është e pavarur dhe drejtuesi e institucioneve të saj kanë përgjegjësitë e tyre. Unë nuk dua të bëhem pjesë e debateve për çështje të tilla, për mua është e rëndësishme të respektojmë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të respektojmë ligjet e Shqipërisë.

Gazetari: Pavarësisht se njëri prej tyre kishte edhe pasaportë shqiptare, a nuk e bën edhe atë një çështje të Shqipërisë, z. President?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë ankesë drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë nga shtetas shqiptarë.

Gazetari: Si e shikoni rolin e opozitës aktuale? A mendoni se me Ilir Metën kryetar të LSI-së qasja e pakicës parlamentare do të ishte më dinamike? Ju mungon politika aktive z. Meta?

Presidenti Meta: Nuk kam dëshirë fare të kthehem as pas dhe as të bëjë komente bazuar mbi supozime. Opozita ka përgjegjësitë e saj në një sistem demokratik dhe urojmë t’i përmbushë me përgjegjësi maksimale.

Gazetari: Cili ishte impresioni i parë që patët si President apo qoftë edhe i bashkëshort, kur patë znj. Monika Kryemadhi të qëllojë me çizme në drejtim të Kryeministrit Rama?

Presidenti Meta: Mendoj se dialogu është i pazëvendësueshëm dhe është ai që i duhet më së shumti edhe Kuvendit edhe politikës shqiptare, edhe shoqërisë sonë në tërësi.

Gazetari: A ndiheni keq kur e dëgjoni Kryeministrin Rama, kur i adresohet kryetares së LSI-së me termin “maçoku me çizme”?

Presidenti Meta: Nuk para e ndjek shumë Kuvendin për shkak të angazhimeve të tjera dhe deputetët mbajnë përgjegjësi vetë për veprimet e tyre.

Gazetari: Po nga eksperienca personale z. Meta, por edhe duke e njohur mirë, cilat janë arsyet që e shtynë znj. Kryemadhi të bëjë një akt aq të fortë?

Presidenti Meta: Mund t’i drejtoheni vetë znj. Kryemadhi.

Gazetari: A është e vështirë për ju ta ndani raportin bashkëshortor dhe si Presidenti i Republikës me Kryetaren e LSI-së? E këshilloni ju znj. Kryemadhi apo ajo ju?

Presidenti Meta: Është shumë e lehtë dhe e thjeshtë për mua, unë bëj detyrën time dhe bëj politikën e Presidentit të Shqipërisë.

Gazetari: Pas pak muajsh mbushet një vit nga marrja e detyrës suaj si President i Republikës. Cilat janë momentet kryesore që i veçoni në këtë vit të parë të mandatit tuaj? A keni bërë një bilanc?

Presidenti Meta: Shpresoj ta bëjmë një bilanc më 24 korrik dhe shpresoj shumë dhe duhet të punojmë shumë që ta bëjmë me një tjetër moment pozitiv, atë të çeljes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

]]>