15 Prill 2020 Intervistë e Presidentit Meta për emisionin “Byro Politike” të gazetares Juli Xhokaxhi në “Abc News”
Pyetje (Juli Xhokaxhi): Zoti Meta përshëndetje, mirëmbrëma.
Presidenti Meta: Përshëndetje Juli, mirëmbrëma juve dhe të gjithë teleshikuesve tuaj!
Pyetje: Faleminderit që jeni në “Byro Politike” në mbrëmjen e sotme në këtë situatë. Pyetja e parë është për shëndetin dhe nuk dua ta shmang këtë, si jeni me shëndet së pari?
Presidenti Meta: Jam shumë mirë. E rëndësishme është të vazhdojmë këtë punë të nisur për të mbrojtur shëndetin e të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Pyetje: Dhe në mënyrën sesi po menaxhohet mbrojtja e shëndetit të qytetarëve shqiptarë, cilat janë kënaqësitë dhe pakënaqësitë tuaja zoti President?
Presidenti Meta: Situata paraqitet e qëndrueshme. Sigurisht që çdo lloj vlerësimi është relativ, pasi çdo lloj bilanci nuk është një kënaqësi për faktin që për fat të keq kemi jetët e humbura të disa qytetarëve tanë, kemi disa qindra të prekur dhe njëkohësisht kemi një jetë shoqërore përveçse edhe ekonomike të ngadalësuar, të bllokuar.
Pra, kjo situatë në çdo rast nuk është një kënaqësi, megjithatë duhet të jemi tërësisht të ndërgjegjshëm, që situata mund të ishte shumë më e vështirë dhe bilanci mund të ishte shumë i trishtuar dhe tragjik nëse nuk do të ishin marrë një kompleks i tërë masash dhe nuk do të ishte realizuar një ndërgjegjësim tërësor i të gjithë shoqërisë.
Për këtë unë dua të falënderoj të gjithë qytetarët që në këto javë kanë treguar përgjegjshmëri dhe durim.
Njëkohësisht dua t’i ftoj të vazhdojnë në këtë mënyrë, pasi armiqtë tanë tani kur situata paraqitet relativisht e qëndrueshme dhe me tendenca përmirësimi, janë padurimi dhe shkujdesja, pasi këto mund të favorizonin degradimin e situatës.
Në këtë drejtim ne sot zhvilluam një mbledhje të dytë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për këtë çështje për të bërë një bilanc të situatës në javët e fundit dhe po kështu për të shikuar mundësitë e ecjes përpara, jo vetëm drejt mbajtjes së situatës të qëndrueshme për sa i takon menaxhimit të pandemisë, por njëkohësisht edhe perspektivës së daljes sa më shpejt të jetë e mundur nga kjo situatë me shumë kufizime, që natyrisht sjell edhe shumë shqetësime të karakterit ekonomik, social, shoqëror dhe njerëzor për gjithë qytetarët tanë.
Jemi në rrugën e duhur dhe duhet të vazhdojmë të gjithë së bashku në këtë mënyrë, pasi vetëm ky bashkëpunim dhe ky ndërgjegjësim do të na ndihmojë që në fund të gjithë kësaj sfide dhe beteje të jemi maksimalisht të qetë për bërjen e detyrës të secilit prej nesh.
Pyetje: Unë e di që mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nuk bëhen plotësisht transparente për publikun, sepse hyjnë në ato që quhet sekret shtetëror normalisht se ka të bëjë me sigurinë e vendit, por do doja t’iu pyesja së pari çfarë ndryshoi nga mbledhja e kaluar? Sepse keni thirrur dy mbledhje të tilla në një hark kohor të shkurtër duhet thënë në këtë situatë të pazakontë për vendin dhe e dyta u fol konkretisht dhe pati konkluzione ose vendime konkrete për disa nga çështjet që diskutohen sot, që lidhen që nga aspekti ekonomik ashtu dhe te pjesa tjetër e ndryshimeve që priten të ndodhin ditën e nesërme në Parlament për Kodin Penal, për ndëshkimet e qytetarëve që thyejnë masat?
Presidenti Meta: Mbledhja e sotme ishte një vazhdimësi, një “follow up” i mbledhjes së para tre javëve dhe një vlerësim në disa aspekte. Në aspektin e parë të menaxhimit të pandemisë, një vlerësim për situatën aktuale dhe për ecurinë në të ardhmen. Në këtë drejtim mund të them që vlerësimi është që situata paraqitet e qëndrueshme, duke patur në konsideratë që nuk ka një mbingarkesë në spitalet tona të qytetarëve, të cilët janë të shtruar dhe janë të hospitalizuar për këtë çështje.
Po kështu janë marrë masat dhe tashmë është një infrastrukturë shumë më e mirë për përballimin e situatës aktuale apo edhe në vijimësi. Njëkohësisht, mendoj që pavarësisht nga disa dallime apo nga disa diferenca, numri i testimeve është rritur dhe do të vijojë të rritet akoma më tej, jo si një qëllim në vetvete, por si një domosdoshmëri që përmes testimit dhe gjurmimit të realizojmë izolimin dhe të kurojmë sa më shpejt të gjithë vendin nga çdo vatër kontaminuese e këtij virusi.
Në këtë drejtim situata paraqitet pozitive, dhe një falënderim i veçantë i shkon gjithë personelit shëndetësor në të gjithë vendin.
Pyetje: Morët shifra konkrete nga Kryeministri për kapacitetet e testeve që kemi, të mundësive që kemi, të të gjitha pajisjeve që nevojiten?
Presidenti Meta: Po, kemi marrë shifra konkrete në veçanti nga Ministria e Shëndetësisë, që nga testimet, që nga infrastruktura për të përballuar terapinë intensive, mjetet mbrojtëse dhe çdo gjë tjetër.
Në këtë drejtim situata padyshim ka një përmirësim në raport me përpara tre javësh edhe si rezultat i akteve të para të qeverisë për të rritur buxhetin për Ministrinë e Shëndetësisë për këto qëllime.
Së dyti, për situatën ekonomike është tashmë e qartë që do të ketë një paketë të dytë, për të dhënë një mbështetje për sipërmarrjen dhe për të gjithë qytetarët, të cilët janë cenuar, humbasin vendet e punës apo kanë probleme të paparashikuara për shkaqe sociale të kësaj pandemie.
Këto janë bërë dhe do të bëhen publike dhe në ditët që vijnë nga vetë qeveria dhe u shkëmbyen mendime të ndryshme lidhur me këtë situatë.
Sa i takon çështjes së arsimit, që nuk patëm mundësi ta diskutonim në mbledhjen e parë, sot ishte një çështje e një rëndësie të veçantë dhe kemi ndarë të gjithë vlerësimin unanim se ky vit shkollor duhet patjetër të përmbyllet dhe për këtë arsye kemi shkëmbyer mendime dhe do të shkëmbejmë mendime edhe në ditët që vijnë për të gjetur mënyrat më të mira, qofshin edhe graduale dhe me prioritete të caktuara, në mënyrë që të gjithë fëmijët dhe të gjithë studentët të kenë mundësi ta përfundojnë këtë vit. Sigurisht dhe ndryshimet në Kodin Penal që ju i përmendët, që është një zhvillim i fundit….
Pyetje: Zoti Meta, dua të flas pak më vonë për ndryshimet në Kodin Penal se dua të ndalem dhe pak tek ekonomia. Ju e keni prekur nga afër ne dimë atë që publikon zoti Rama normalisht, ju e keni parë nga afër dhe e keni diskutuar në gjykimin tuaj këto paketa financiare, që ofrohen janë të mjaftueshme për të mbajtur një lloj stabiliteti të ekonomisë të vendit dhe të ekonomisë së njerëzve apo janë paketa mbijetese?
Presidenti Meta: Këto janë paketa të një situate krize, nuk janë paketa të një shpërthimi ekonomik. Kjo është shumë e qartë. E rëndësishme është efektiviteti i tyre.
Këto akte janë shumë të rëndësishme dhe shumë pozitive, por akoma më pozitive është që të zbatohen në mënyrën më të drejtë, që ndihma dhe mbështetja të shkojë atje ku pritet edhe ku ka më shumë nevojë. Në këtë drejtim kemi shkëmbyer mendimet tona sesi të përmirësohet më tej.
Jam i bindur që në këtë proces do të bëhen përpjekje dhe më të mëdha në mënyrë që të lehtësohet kostoja e gjithë kësaj krize për të gjithë aktorët. Pra, edhe shteti, edhe sipërmarrja, edhe qytetari të ndajnë në mënyrën më të drejtë këtë kosto me një qëllim të vetëm, të garantimit të një solidariteti, që na ndihmon sa më shpejt të rimarrim veten në kushtet e reja të një normaliteti të plotë, afërsia e të cilit varet nga përgjegjshmëria me të cilën ne do të vazhdojmë të zbatojmë të gjitha kufizimet dhe angazhimet që na takojnë.
Pyetje: Keni publikuar pak më parë zoti Meta, një status për mbarëvajtjen e mbledhjes ku keni përmendur edhe faktin që shumë shpejt do të fillojë ai lehtësimi i masave, që do të kontribuojë edhe në një jetesë më normale të qytetarëve. Kjo normalisht shkon drejtpërsëdrejti edhe për një jetesë më normale të bizneseve në vend. Është marrë një vendim se kur do të fillojë ky lehtësimi i masave? Keni diskutuar për afate kohore?
Presidenti Meta: Nuk kemi diskutuar për afate kohore, por besoj shumë shpejt do të ketë një strategji më të qartë për t’ju rikthyer hap pas hapi normalitetit. Për këtë sigurisht që është shumë e rëndësishme të vazhdohet me disiplinë shembullore menaxhimi i pandemisë.
Gjithashtu më rëndësi është të rritet edhe numri i testimeve, siç paralajmëronte sot edhe vetë Presidentja e Komisionit Europian, në mënyrë që të kontrollohet situata më mirë, pra të mos na kthehet në një bumerang, që më pas të na duhet të kthehemi pas, duke u ndeshur me rritjen e rasteve të të infektuarave dhe me sfida të tilla që do ta vinin në vështirësi personelin shëndetësor, apo mund të krijonin dhe një lloj paniku për daljen e situatës së shëndetësisë nga kontrolli.
Kështu që mendoj se do të ecet në këtë drejtim. Sot, Kancelaria Merkel ka shpallur disa masa lehtësuese në bazë të kufizimeve të caktuara, disa vende të tjera po e mendojnë këtë alternativë, por kjo do të varet gjithmonë nga ecuria e menaxhimit të pandemisë.
Prandaj dhe qytetarët duhet të kuptojnë, dhe besoj ata e kanë kuptuar, sepse falë këtij bashkëpunimi dhe ndërgjegjësimi është dhe kjo situatë e qëndrueshme, që respektimi i çdo kufizimi është në interesin e lënies pas të të gjitha kufizimeve sa më parë të jetë e mundur, por kjo do të ndodhi hap pas hapi.
Pyetje: Zoti President, Shqipëria për fat të keq nuk ka vetëm goditjen e koronavirusit, sepse jo më larg se data 26 nëntor u goditëm nga një tërmet i tmerrshëm që shkaktoi përveç jetëve të humbura të njerëzve dhe tragjedisë në shumë familje, një dramë të vërtetë ekonomike dhe sociale në vendin tonë. Një nga pikëpyetjet e mëdha që shkaktoi jo thjesht pasiguri, por madje dhe panik te një pjesë e madhe e qytetarëve, është çfarë do të ndodhë në aspektin ekonomik për ta? Ne kemi folur për borxhe që do të marrë qeveria deri tani, natyrisht që kemi dhe ndihma, sepse Mattheë Palmer, edhe sot ka folur për të ndihmuar Shqipërinë, por të gjitha këto nuk mjaftojnë. Apo jo? Rrezikojmë rënien në një krizë të thellë?
Presidenti Meta: Padyshim që ekonomia është ngadalësuar dhe ka marrë një goditje jo të vogël. Goditja nga tërmeti është ndjerë sidomos në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Por edhe sot, përveçse kemi dhe probleme sociale për integrimin dhe krijimin e kushteve për të gjithë të dëmtuarit e tërmetit të 26 nëntorit, puna po vazhdon pavarësisht nga situata e re e paparashikuar e pandemisë, pra nga kriza e re që është krijuar dhe që është një krizë globale, jo vetëm shqiptare.
E rëndësishme është që angazhimet ndërkombëtare dhe të vetë qeverisë për planin e rindërtimit qëndrojnë siç kanë qenë dhe puna në terren po vazhdon në këtë drejtim, pavarësisht se duket sikur ka dalë në plan të dytë për shkak të situatës së re, e cila është në plan të parë.
Ekonomia padyshim ka pësuar dhe po pëson një goditje, por në kushtet kur rrezikohet shëndeti dhe mbi të gjitha jeta e qytetarëve, ne e dimë shumë mirë dhe populli jonë nuk e ka kot dhe shprehjen shëndeti është kryesori.
Në këtë drejtim, duhet të mbrojmë dhe sigurojmë shëndetin e qytetarëve dhe jetën e tyre dhe padyshim shëndetin e ekonomisë tonë. Prandaj duhet i gjithë ky bashkëpunim që të kemi në konsideratë, që kostoja të jetë sa më e pakët e gjithë kësaj krize dhe nga menaxhimi i krizës së pandemisë, do të varet shumë lehtësimi, ulja e kostove e një dëmi të ekonomisë kombëtare, familjare, të çdo qytetari të këtij vendi, me qëllim rimarrjen e vetes dhe padyshim edhe ringritjen e ekonomisë.
Pyetje: Zoti Meta, nesër mblidhet Parlamenti i munguar që nga shpërthimi i pandemisë në vendin tonë. Ajo që po diskutohet shumë janë ndryshimet në Kodin Penal, vitet e burgut me të cilat kërcënohen qytetarët nuk janë të vogla, sepse variojnë nga 1 deri në 15 vjet, në bazë të thyerjes së urdhrave të infektimit të personave të tjerë, që ju e dini mirë, se keni ngritur zërin për këtë. Do të doja të dija nëse e keni diskutuar me zotin Rama, ditën e sotme dhe ndoshta mund të besojmë se do të ketë ndryshime nesër në Parlament dhe nuk do të shkohet në këto masa kaq të forta ndëshkuese.
Presidenti Meta: Duhet të presim derisa sa Parlamenti të përmbyllë punimet e tij dhe të shprehet për këto ndryshime. Ajo që mund t’ju them, është që drafti i parë i bërë publik ka sjellë mjaft shqetësime dhe shumë prej tyre kanë qenë plotësisht të drejta dhe legjitime.
Unë personalisht nuk dua të paragjykoj qëllimet, sikur këto janë qëllime frikësuese ndaj qytetarëve, pasi përballimi i një situate të tillë nuk ka qenë plotësisht i parashikuar në Kodin Penal.
Në këtë drejtim mendoj që nuk synohet dhe nuk duhet të synohet për ta përdorur këtë situatë për të shkelur të drejtat e qytetarëve, por për të ndëshkuar ata persona të cilët me me dashje krijojnë probleme me pasojë jo vetëm infeksionin e qytetarëve të tjerë, por me pasojë edhe humbjen e jetës së tyre e kështu me radhë.
Nuk dua të hyj në shumë detaje, por ka pasur shkëmbime mendimesh, idesh dhe unë kam shprehur mendimin tim, me të cilin kanë rënë dakord edhe pjesëmarrësit e tjerë, që deri në minutën e fundit duhet punuar me përgjegjshmëri, për të realizuar ndryshimet, të cilat jo vetëm nuk bien ndesh me Kushtetutën tonë, por as me rekomandimet e Këshillit të Europës dhe Konventën Europiane të të drejtave të Njeriut dhe duhet çdo përpjekje në këtë drejtim.
Çdo lloj boshllëku që mund të jetë për një situatë të tillë kaq specifike, por edhe të ngjashme pak a shumë, të plotësohet por me shumë përgjegjshmëri, duke ruajtur ligjshmërinë në kuptimin më të drejtë të kësaj fjale.
Pyetje: Ju e keni përshëndetur ndërhyrjen, apo deklaratën e Këshillit të Europës, për të ruajtur liritë dhe vlerat demokratike të vendeve në këtë situatë, ku masat që merren janë të rrepta. Por ka një pikëpyetje të madhe për vendet si ne zoti President, që jemi konsideruar me demokraci të brishtë. Sa mund të abuzohet dhe të keqpërdoret situata?
Presidenti Meta: Prandaj e theksoj edhe një herë, që është shumë e rëndësishme që reflektimet të vazhdojnë deri në minutën e fundit, në mënyrë, që këto masa të jenë në funksion të qëllimeve pozitive që ka një nismë e tillë.
Pyetje: Dhe në kushtet kur ne jemi në mungesë zoti President të një Gjykate Kushtetuese, e cila do të ishte normalisht institucioni që mund të kontrollonte edhe shumë akte normative që ndërmerren së fundmi, edhe shumë vendime të Parlamentit që mund të merren ditën e nesërme, sa kompetenca ka Kreu i Shtetit, Presidenti i Republikës për të mbajtur në një farë mënyrë nën monitorim apo nën kontroll dhe për të ndërhyrë?
Presidenti Meta: Gjatë gjithë këtyre ditëve ne kemi qenë në komunikim edhe në raport me opinionin publik, pra ka patur deklarata nga ana ime si President apo Institucionit për të vlerësuar se si duhet të jenë aktet që ndërmerren në një situatë të tillë, gjithmonë në respekt të Kushtetutës, të të drejtave të njeriut, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe në vijim, të jenë proporcionale, pra të mos ketë abuzim, të mos ketë teprim.
Sigurisht, situata është e jashtëzakonshme dhe kërkon edhe një përgjigje për këto kushte specifike, por kjo nuk duhet keqpërdorur për qëllime të tjera, të cilat bien ndesh me objektivin kryesor, për të përballuar dhe për të përmirësuar menaxhimin e kësaj krize apo të kësaj fatkeqësie.
Presidenti do të shprehet edhe në të ardhmen, në varësi me vendimet që do të marrë edhe Kuvendi. Unë kam qenë dhe jam i hapur për një bashkëpunim sa më konstruktiv në këtë drejtim.
Pyetje: Deri më tani në fat ka qenë vetëm Kryeministri Edi Rama që dukej sikur kishte marrë të gjithë situatën në dorë dhe vendoste vetëm ai. Nga historia trembemi pak kur shohim pushtetin vetëm të një lideri normalisht, ndërkohë që pas mbledhjes së sotme Edi Rama ishte shumë i kënaqur për bashkëpunimin, madje tha që në rast se edhe në komunikimet publike do të ishit kaq të mirëkuptueshëm me njëri-tjetrin, politika shqiptare do të ishte shumë ndryshe. Në fakt, ju keni patur komunikime të drejtpërdrejta me zotin Rama në këtë periudhë kohore përveç mbledhjes së parë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare?
Dhe e dyta, realisht do të duhet që të funksionojë pak ndryshe zoti President, pra që të mos jetë vetëm Kryeministri që të marrë vendimet por të jetë një lloj kolegjiumi nëse mund ta quajmë kështu?
Presidenti Meta: Çdo institucion duhet të marrë vendimet që i takojnë në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Sigurisht, që në aspektin institucional, për arsye të cilat nuk kanë të bëjnë me kohën e krizës së pandemisë, por janë të menjëhershme, dhe që kanë të bëjnë në vlerësimin tim me mënyrën se si është zbatuar reforma në drejtësi, kemi boshllëqe shumë të mëdha institucionale, kushtetuese, të cilat kanë krijuar probleme të mëdha me sistemin e llogaridhënies në vend nga të gjithë institucionet.
Ndaj dhe rivendosja e këtij sistemi llogaridhënës, demokratik në përputhje me Kushtetutën është një sfidë, që nuk mund të zgjidhet këto ditë dhe këto javë, sepse është krijuar prej gati 3-4 vitesh dhe ajo që zgjidh çdo situatë në vendin tonë është vetëm respektimi i Kushtetutës në frymën e saj dhe në germën e saj.
Por janë krijuar kaq shumë probleme dhe kaq shumë boshllëqe në këto vite saqë këto ditë kjo është çështje që nuk mund të zgjidhet dot dhe për arsye se të gjitha energjitë tani janë të fokusuar në një çështje tjetër.
Megjithatë, është vendimtare, sikurse e kam theksuar gjatë gjithë kësaj periudhe, të ruhet kushtetutshmëria në çdo aspekt, në çdo vendimmarrje, të ruhet ligjshmëria dhe të ruhen e të mbrohen të drejtat e njeriut. Edhe kufizimet që janë marrë duhen parë pikërisht në këtë këndvështrim, pra si një përpjekje për të ruajtur të drejtat e qytetarëve tanë dhe e drejta dhe detyra për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve është nga kryesoret për shtetin dhe për të gjithë institucionet tona.
Pra, nëse kufizohet një liri e caktuar kjo bëhet për të garantuar një të drejtë dhe për të përmbushur shteti një detyrim thelbësor për shëndetin dhe për jetën e qytetarëve.
Pyetje: Nuk më thatë nëse keni komunikuar me zotin Rama gjatë kësaj periudhe në vazhdimësi.
Presidenti Meta: Që nga dita e parë që kam hyrë në Institucionin e Presidentit të Republikës e deri tani unë komunikoj çdo ditë me qeverinë dhe me institucionet në të gjitha format dhe mënyrat.
Pra, në format zyrtare, shkresore, publike, formale, informale.
Pyetje: Zoti President ka një pikëpyetje në opinion, nëse po marrim situatën reale të koronavirusit në vendin tonë, nëse kemi shifrat reale. Ndaj doja t’ju pyesja si President i Republikës informoheni vetëm nga Task Forca apo keni edhe burime të tjera? Sepse ne si media marrim informacione nga qytete të ndryshme, por që normalisht në rast se ato nuk konfirmohen nga ministria përkatëse shpeshherë edhe nuk mund t’i komunikojmë për publikun. Ju nga e merrni informacionin kryesisht?
Presidenti Meta: Informacionet padyshim që i marr të ndryshme. I marr nga institucionet qeveritare dhe shtetërore, i marr nga mediat, nga shoqëria civile, pra ato janë të gjithanshme.
Në këtë aspekt sigurisht që rritja e mëtejshme e numrit të testimeve do të na ndihmonte për të patur statistika dhe më të qarta, jo vetëm kaq, por edhe për të bërë një gjurmim më efikas dhe një izolim më të plotë.
Një tregues i pamanipulueshëm është numri i viktimave, ku natyrisht 25 viktima nuk janë pak, janë shumë, sidomos për të gjithë njerëzit e tyre të dashur dhe të shtrenjtë dhe padyshim për të gjithë popullin tonë, sepse ata janë shqiptarë, por nuk duhet të harrojmë që vende të tjera kanë patur një bilanc edhe më tragjik.
Ashtu sikurse ka edhe vende që mund të kenë një bilanc pak më pozitiv në këtë drejtim, por në të mos harrojmë që nga vendet e rajonit jemi vendi me lidhjet më të forta me Italinë.
Pra, edhe në drejtim të lidhjeve njerëzore të shqiptarëve, që jetojnë atje apo që kanë shkëmbime me Italinë, të italianëve që jetojnë në Shqipëri, të tregtisë, të eksporteve. Shumica e eksporteve tona janë në drejtim të Italisë dhe ne e dimë se sa rëndë u godit Italia dhe ka qenë e pamundur që Shqipëria t’i shpëtonte kësaj situate globale.
Pyetje: Që t’ua bëj pyetjen më të drejtpërdrejtë zoti President, a po na thuhet realiteti?
Presidenti Meta: Tani unë mendoj që edhe me ndihmën tuaj të gjithë vijmë më me këmbë në tokë, pra pavarësisht nga vlerësimet e ndryshme që mund të kenë institucione të ndryshme përsëri media dhe ky pluralizëm mediatik që kemi ndihmon për të na sjellë të gjithëve më pranë realitetit dhe të vërtetës.
Pyetje: Zoti President, ishte kënaqësi që ju kisha drejtpërsëdrejti në “Byro Politike” këtu në “Abc News”. Nëse keni një apel për qytetarët meqë jemi edhe në javën e Pashkës, sepse qëlloi edhe periudhë e festimeve të rëndësishme që detyrimisht do t’i bëjnë të gjithë në shtëpi.
Presidenti Meta: Jemi midis dy Pashkëve, Pashkëve që lamë pas dhe Pashkëve që po na vijnë dhe sigurisht që Pashkët janë edhe një mesazh i rëndësishëm shprese edhe besimi dhe unë dua ta ndaj shpresën dhe besimin tim të plotë se ditët më të mira i kemi përpara, por tani kemi dy kundërshtarë.
Në rast se në fillim kishim panikun dhe paqartësinë, sepse ishte një sfidë e re për të gjitha vendet dhe për vetë OBSH-në, që ndryshoi disa herë udhëzimet e saj dhe politikat e saj, tani pasi kemi siguruar një situatë relativisht të qëndrueshme kundërshtari ynë kryesor është padurimi dhe shkujdesja që mund të na krijojnë vatra të paparashikuara apo të pakontrolluara.
Kështu që të vazhdojmë të ruajmë qetësinë, durimin, bashkëpunimin dhe padyshim që shumë shpejt në këtë mënyrë do t’i rikthehemi normalitetit, gjallërisë së përditshme që na mungon dhe afërsisë jo vetëm shpirtërore, por edhe fizike me shokët, me miqtë, me bashkëpunëtorët tanë dhe me njëri-tjetrin.
Pyetje: Zoti President, faleminderit që ishit në “Abc News” dhe shpresoj që kur kjo situatë të kalojë dhe të na fillojnë ato situatat e tjera pastaj që nuk i shmangim dot, sepse kemi debate dhe çështje të lëna në mes, shpresoj t’ju kem në studio dhe t’i diskutojmë.
Presidenti Meta: Patjetër, me shumë kënaqësi dhe shpresojmë që të vijë sa më shpejt ai moment. Faleminderit dhe përshëndetjet më të mira për ju dhe për të gjithë teleshikuesit tuaj! Të kaloni sa më mirë!