Intervistë e Presidentit Meta për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, në Tv Klan

Intervistë e Presidentit Meta për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, në Tv Klan

Gazetari Blendi Fevziu: A ka pasur dijeni shteti shqiptar, Ju si Kreu i Shtetit, për atë që do ndodhte në Kosovë? Ndërkombëtarët a janë konsultuar me ju për këtë çështje?

Presidenti Meta: Nuk ka pasur një informacion zyrtar, por një situatë e tillë në tërësi ka qenë e pritshme.

Është një akuzë, është një dyshim dhe gjykata është ngritur për të shqyrtuar pikërisht këto dyshime që janë ngritur.

Janë akuza të bëra publike me prapavijë të qartë politike, të sponsorizuara nga Serbia dhe aleatët e saj, prej gati dy dekadash.

Gazetari: Është e konfirmuar në fakt, është deklaruar që Serbia ka furnizuar me dokumente Dick Marty-n dhe Gjykatën Speciale në rrugë zyrtare përmes prokurorisë së saj….

Presidenti Meta: Po ka furnizuar me shpifje, siç ka ndodhur dhe herët e kaluara me zotin Haradinaj, me zotin Limaj dhe me shumë figura të tjera të UÇK-së.

Gazetari: A e prek kjo akt-akuzë luftën e Kosovës dhe strukturën po e quaj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Pra është çështje individësh, apo është një çështje e Luftës së Kosovës?

Presidenti Meta: I gjithë qëllimi është për të dëmtuar, jo vetëm Luftën e Kosovës, por është një përpjekje për të kontribuar në zhbërjen e shtetit të Kosovës, që ka arritur suksese të mëdha, nga Çlirimi, shpallja e Pavarësisë e deri tek njohja nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që ka qenë edhe dështimi më i madh i Serbisë.

Është një revansh i Serbisë, për të penguar konsolidimin e shtetit të Kosovës, konsolidimin e njohjeve të saj të mëtejshme dhe njëkohësisht që me akte të tilla të krijohen përçarje të brendshme, që situata të tilla të shfrytëzohen për kriza, apo për të kaluar në momente të vështira të funksionimit të shtetit, gjë që unë jam i sigurt që nuk ka për të ndodhur.

Kjo lloj gjykate dihet se është një kosto për atë që Kosova ka arritur, është një sponsorizim i fuqishëm i Serbisë dhe i aleatëve të saj më të fortë në Këshillin e Sigurimit.

Sigurisht që ka qenë edhe një kompromis i Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe aleatëve kryesorë të Kosovës.

Nuk kemi të bëjmë me akuza personale, pavarësisht se çdo shkelje ligji nga cilido është personale.

Është e qartë që në situatën aktuale kemi të bëjmë me akuza politike dhe me përpjekje për të dëmtuar dhe për të njollosur lidershipin politik të UÇK-së.

Ishte e vështirë të mendohej se Presidenti Thaçi, për shkak se ka qenë figura kryesore politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbetej jashtë këtyre akuzave dhe përpjekjeve, për të inskenuar një proces të tillë, që kuptohet se do kërkojë kohën e vet.

Gazetari: Zoti President, a keni biseduar me z. Hashim Thaçi, Presidentin e Kosovës, tani mund ta quaj edhe ish- President, në këto muaj që kur janë bërë akuzat e para. Çfarë Ju ka thënë?

Presidenti Meta: Po, ne kemi biseduar, kemi qenë për një drekë të gjatë në shtëpinë time, bashkë edhe me z. Pacolli dhe kolegë të tjerë.

Ai, ka qenë jashtëzakonisht i qetë për këto akuza. Kemi pasur disa herë shkëmbime dhe biseda telefonike.

Z. Thaçi, ka qenë i ndërgjegjshëm dhe dinjitoz për faktin që i duhet të marrë prapë një përgjegjësi në emër të sakrificave të së kaluarës, në emër të shtetit të Kosovës, dhe së ardhmes së saj.

Sjellja e tij ka qenë tepër e përgjegjshme dhe tepër dinjitoze.

Unë, jam i bindur që ai do konfirmojë drejtësinë e luftës së Kosovës, ashtu si dhe z.Veseli e z.Krasniqi, ashtu si ka ndodhur edhe në të kaluarën me z.Haradinaj, z.Limaj dhe disa nga figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo është një përpjekje e Serbisë, për t’u fshehur pas Gjykatës dhe gjoja pas drejtësisë ndërkombëtare, për të penguar konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe për të vënë në pikëpyetje legjimitetin e luftës.

Gazetari: Ose për të hequr klasën politike, që ka një të shkuar që vjen nga lufta, dhe për ta pasur më të lehtë marrëdhënien me Kosovën, edhe për opinionin e saj në Serbi?

Presidenti Meta: Ta heqi Serbia?

Gazetari: Po.

Presidenti Meta: Nuk e besoj se është thjesht kjo çështje, pasi po të shikojmë udhëheqës të tjerë politikë në Kosovë, të cilët ndoshta nuk kanë qenë në pozitat drejtuese në UÇK, janë sot në pozita pak më radikale, apo ballafaquese me Serbinë.

Kjo për arsye se, ajo që vihet re në Serbi, është një përpjekje për t’u sjellë si një vend i veçantë në rajon. Larg frymës së partneritetit që duhet të ekzistojë midis gjithë vendeve të rajonit tonë, që synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian.

Një proces i tillë europianizues kërkon një marrëdhënie partneriteti dhe jo një marrëdhënie imponuese, përmes përpjekjeve për të diktuar nisma në mënyrë të njëanshme, apo përmes lobimeve të ndryshme, që nuk bazohen tek reciprociteti dhe interesi reciprok.

Ata janë përpjekur në mënyrë të vazhdueshme për ta vënë Kosovën në një situatë të vështirë, edhe për çështje që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë, siç është çështja e UNESCO-s, apo siç është çështja e INTERPOL-it, që duhet të ishte edhe interesi i Serbisë, për të luftuar krimin e organizuar në Kosovë, në rajon, edhe kudo tjetër.

Gazetari: Zoti President, meqenëse është një moment shumë i vështirë për Kosovën, që nga Pavarësia e këtej, cili është mesazhi juaj për shqiptarët e Kosovës në këtë moment?

Presidenti Meta: Mesazhi im ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë: Unitet, për këto çështje kaq të rëndësishme, që kanë të bëjnë me funksionimin dhe dinjitetin e shtetit të Kosovës, në interesin më të lartë kombëtar.

Kjo situatë kërkon një bashkëpunim midis mazhorancës dhe opozitës në Kosovë, për të parë përtej interesave afatshkurtra dhe për ta fuqizuar Kosovën edhe në procesin e dialogut, edhe në të gjithë proceset e tjera ku Kosova është palë.

Sa më e fortë të jetë Kosova, aq më periferike bëhen efektet e një inskenimi të tillë, që ka vite që ka nisur, për të dëmtuar në radhë të parë shtetin e Kosovës, për të bllokuar apo paralizuar sa të jetë e mundur, njohjen e mëtejshme ndërkombëtare të saj, për të vënë në pikëpyetje atë vendim të jashtëzakonshëm, që duhet ta përmendim të gjithë më shpesh, të Gjykatës Ndërkombëtare, që në fakt e vuri në lëvizje Serbia dhe nga mori një përgjigje të merituar.

Dua të shpreh solidaritetin tim më të thellë, me të gjithë popullin e Kosovës, me të gjitha institucionet e Kosovës, me Presidentin Thaçi, me z.Veseli, me z.Krasniqi dhe me familjarët e tyre.

Jam i bindur që ata do të dalin faqebardhë, nga një sfidë e re, ku u thirrën pas 20 vitesh, ashtu sikurse besoj se klasa aktuale politike në Prishtinë, do të marrë përgjegjësitë e duhura për të forcuar më tej shtetin e Kosovës.