Intervistë e Presidentit Meta për emisionin “PËRBALLË” të gazetarit Lufti Dervishi në “RTSH”

Intervistë e Presidentit Meta për emisionin “PËRBALLË” të gazetarit Lufti Dervishi në “RTSH”

Pyetje (Lufti Dervishi): Z.Presidenti, Ju dje njoftuat që keni ndërmend të thërrisni mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, një organ konsultativ. Kjo mbledhje do të jetë virtuale apo do të jetë këtu në selinë e Presidentit të Republikës?

Presidenti Meta: Do të ketë në konsideratë situatën e veçantë dhe respektimin edhe të distancave sociale për këtë rast.

Pyetje: Cila është arsye le të themi apo gjëja që ju shqetëson më shumë ose problemi kryesor që kërkoni të diskutoni në këtë mbledhje?

Presidenti Meta: Bashkëpunimi ka qenë i vazhdueshëm për përballimin e kësaj sfide të re dhe tërësisht të pazakontë. Tani është momenti për të diskutuar edhe një herë, jo vetëm për masat e marra deri tani, por edhe rreth parashikimit mbase për një plan më afatgjatë, në varësi me skenarët e zhvillimit të kësaj pandemie në nivel kombëtar por edhe ndërkombëtar.

Njëkohësisht do përqëndrohemi edhe tek skenarët e ndikimit në ekonomi, në jetën sociale, në mënyrë që në çdo aspekt të jemi sa më të mbrojtur dhe të dalim nga kjo situatë e jashtëzakonshme me sa më pak pasoja, si për sa i takon shëndetit të qytetarëve tanë, por edhe ekonomisë tonë kombëtare dhe familjare.

Pyetje: Ju keni takuar Ministren e Shëndetësisë në Presidencë. Çfarë ju ka shqetësuar pas takimit me të, pas informacionit që keni marrë prej saj?

Presidenti Meta: Nuk mund të them se kam patur ndonjë shqetësim pas takimit, ndoshta më shumë shqetësime kam patur para takimit.

Kemi diskutuar të gjitha shqetësimet që unë kam patur vetë apo edhe nga informacionet që qarkullojnë.

Kam transmetuar disa shqetësime për të cilat kam vënë re që ka patur një gatishmëri për t’iu përgjigjur, sidomos në drejtim të marrjes së masave të jashtëzakonshme për të mbrojtur personelin tonë të shëndetësisë, që është në vijën e parë të përballimit të këtij virusi, si përsa i takon marrjes së masave shtesë për përballimin e kapaciteteve të shtuara për realizimin e terapisë intensive në rastet kur do të jetë e domosdoshme, por edhe për përgatitjen e të gjithë ambienteve të përshtatshme që do të jenë të domosdoshme për një karantinim të sigurt.

Në tërësi kemi diskutuar për të gjitha masat që i takon këtij sektori përfshirë këtu dhe angazhimin e të gjithë mjekëve apo dhe personelit, që nuk janë në shërbim aktiv, por që mund të kontribuojnë, edhe shumë prej tyre e kanë bërë këtë gjë.

Pyetje: Kur ju shikoni lajme që vinë nga Italia fqinje, kur shikoni kronikat brenda pavioneve dhe gjendjen me të cilën përballet Italia, çfarë mendoni për Shqipërinë?

Presidenti Meta: Në radhë të parë është një dhimbje e madhe besoj, jo vetëm për mua, por edhe për çdo qytetar Shqipërisë kur shikon lajmet tronditëse prej një kohe të gjatë nga Italia. Sepse Italia nuk është një vend i zakonshëm për ne shqiptarët, nuk është i zakonshëm as për vet Europën dhe njerëzimin.

Por në veçanti për ne, sepse sigurisht që do të ishim shumë më komodë në rast se Italia do të ishte në një situatë tërësisht normale, pasi padyshim që edhe ndihma dhe mbështetja e parë do të na vinte, si gjithmonë kur ne kemi patur kriza, kemi patur tragjedi, kemi patur vështirësi, nga Italia.

Kjo është një situatë tronditëse edhe për faktin se ne kemi gati gjashtëqind mijë shqiptarë që jetojnë atje, të cilët janë gjithashtu të rrezikuar, të kërcënuar.

Përveç planit njerëzor, të mos harrojmë se ekonomia jonë varet shumë nga ekonomia e Italisë, duke patur në konsideratë se shumica e eksporteve tona shkojnë në Itali dhe duket qartë që edhe ekonomia e këtij vendi mjaft të rëndësishëm për Shqipërinë ka marrë goditje serioze.

Kështu që kur shohim situatën në Itali, përveç dhimbjes, solidaritetit e keqardhjes, të gjithë ndërgjegjësohemi që masat kufizuese duhet t’i respektojmë me një disiplinë të hekurt e shembullore, pasi në këto momente vetëm kjo do të na ndihmojë ta kemi situatën sa më në kontroll dhe njëkohësisht të mos vëmë në vështirësi shëndetësinë tonë, personelin tonë shëndetësor, duke i vendosur ata përballë disa sfidave tepër të vështira si ç’po ndodh në Itali apo në Spanjë për shkak të përhapjes së gjerë të këtij virusi.

Pyetje: Kur flasim për Italinë, tani është kthyer në epiqendrën e koronavirusit në kontinent, flasim për një vend që konsiderohet se ka sistemin më të mirë shëndetësor në Europë dhe është i përmbytur, nuk po e përballon dot. Domethënë me informacionet që ju keni, është Shqipëria afër këtij skenari, afër skenarit italian? Pra, a është në këtë trajektore?

Presidenti Meta: Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për ta mbajtur sa më në kontroll këtë krizë. Kjo do të varet shumë nga përsosja e bashkëpunimit në orët dhe në ditët që vijnë midis gjithë autoriteteve dhe të gjithë qytetarëve.

Bashkëpunimi edhe brenda vet çdo komuniteti për të respektuar distancat sociale brenda dhe vet familjes për të bërë përsëri të njëjtën gjë, pasi ne vërtet nuk kemi mjekësinë aq të zhvilluar sa Italia, por është e vërtetë gjithashtu që ne jemi një vend për sa i takon dimensioneve ku me një organizim më efikas, më të kontrolluar, më të disiplinuar, i kemi të gjitha mundësitë që ta mbajmë nën kontroll.

Mos harrojmë që Italia dhe Kina kanë marrëdhënie të tjera në kuptimin e intensitetit të shkëmbimeve njerëzore, të turizmit reciprok. Në rastin tonë ne kemi mundësitë që t’i monitorojmë më mirë të gjitha rastet, jo vetëm të personave të cilët sipas testeve rezultojnë pozitivë, por edhe të gjurmueshmërisë së kontakteve që ata kanë patur për të izoluar përhapjen e mëtejshme të këtij virusi.

Pyetje: Në një anë kemi njerëzit e prekur dhe njerëz që po kurohen dhe në anën tjetër janë njerëzit, që po u kërkohet që të rrinë në shtëpi, të mos bëjnë asgjë, por të rrinë në shtëpi. Por këto njerëz duke ndenjur në shtëpi kanë nevojë edhe të ushqehen, në këtë pikëpamje ju keni takuar dhe ministrin Ahmetaj, që është dhe përgjegjës për këtë situatën. Jeni i kënaqur me planin e paraqitur të qeverisë?

Presidenti Meta: Plani i qeverisë unë mendoj që është plani i parë. Nuk mund të jetë plani i fundit, por si plan i parë padyshim që duhet përshëndetur dhe duhet mbështetur dhe ai synon të bëj disa adresime të shpejta të financimeve të domosdoshme në përballim e kësaj situate, si për sa i takon forcimit të shëndetësisë me mjetet, me aparaturat, me logjistikën shtesë që duhet.

Si përsa i takon pastaj mbështetjes për biznesin, të familjeve në nevojë. Natyrisht që është një proces i cili ka nevojë për detajim, për identifikim të mëtejshëm, në mënyrë të veçantë për të qenë sa më pranë familjeve me më pak mundësi për ta përballuar këtë situatë në mënyrë, që atyre të mos u mungojnë asnjëherë ato domosdoshmëri jetike, të cilat do t’i mbanin të qetë në shtëpitë e tyre, në familjet e tyre derisa kjo situatë të përmirësohet.

Pyetje: Ndërkohë javën tjetër është fundi i muajit, njerëz që duhet të paguajnë faturat duhet të paguajnë qira, bizneset…

Presidenti Meta: Qeveria ka ndërmarrë disa masa në drejtim të lehtësimit të shumë detyrimeve edhe në raport me bankat, pra edhe në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe përsa u takon shumë detyrimeve që qytetarët kanë pranë institucioneve të ndryshme. Ky është një proces që do të vazhdojë në mënyrë që kostoja e përballimit të kësaj krize po themi të ndahet në një mënyrë sa më të drejtë për të gjithë shoqërinë tonë.

Pyetje: E thënë thjeshtë, sfida është që të rrisim borxhin publik për shëndetin publik. A e shikoni që jemi të përgatitur të shkojmë drejt kësaj gjëje?

Presidenti Meta: Jemi në një situatë ku të gjitha vendet po ndërmarrin disa financime shtesë të paparashikuara dhe ky është një hap i parë. Në rast se do të duhen financime të tjera pa rrezikuar një rritje kritike të borxhit apo një çekuilibrim të treguesve ekonomikë do të ndërmerren masa të tjera në mënyrën më transparente.

Jemi përballë një fatkeqësie dhe sigurisht që përballimi i kësaj fatkeqësie me kosto minimale, por në fund të ditës cilado që të jetë kosto duhet bërë çdo gjë në këtë drejtim, sepse shëndeti dhe jeta e qytetarëve është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër, unë besoj se kjo gjë do të bëhet dhe duke u bërë në mënyrën më transparente padyshim që do të bëjë të mundur që çdo qytetar të ndihet, jo vetëm i përfshirë, por të ndihet edhe i mbrojtur maksimalisht nga shteti.

Pyetje: Deri javën e kaluar ka qenë ky debat, sidomos në Britaninë e Madhe po bëhet një debat midis shpëtimit të jetës së njerëzve përballë shpëtimit të ekonomisë, që ju e prekët pak. A e ndjeni që ky presion ka mbërritur edhe në Shqipëri tashmë?

Presidenti Meta: Natyrisht që fakti që është ndërmarrë një veprim, siç ishte edhe akti normativ i qeverisë për të bërë ndryshime të rëndësishme edhe në buxhetin e shtetit, tregon që ky shqetësim ka mbërritur.

Pyetje: Nga po anojmë ne, nga shpëtimi i ekonomisë apo shpëtimi i jetës së njerëzve?

Presidenti Meta: Mendoj se të dyja duhen patur në konsideratë, por prioritet i parë dhe absolut mbetet shëndeti dhe jeta e qytetarëve dhe padyshim edhe pasojat në ekonomi të jenë sa më të pakta apo sa më minimale, por në çdo rast jeta e qytetarëve, shëndeti i tyre mbeten dhe duhen të jenë prioriteti absolut.

Pyetje: Skenari më i mirë që po diskutohet në të gjithë vendet, edhe në Shqipëri, është që numri i të infektuarve dhe të sëmurëve të jetë në nivele të tilla që të përballohet nga sistemi shëndetësor që kemi. A kemi ne shenjat që jemi të përgatitur për skenarin më të keq?

Presidenti Meta: Janë katër skenarë dhe në varësi me secilin ecuri të kësaj pandemie në nivel ndërkombëtar, por edhe në nivelin tonë lokal apo kombëtar, do të përshkallëzohen masat dhe do të merren masa të reja nëse do të jetë e nevojshme dhe e domosdoshme.

Pyetje: Shqiptarët jashtë, domethënë vende si Gjermania dhe Kosova, një nga prioritetet që vendosën në ditët e para ishte riatdhesimi i qytetarëve që kishin jashtë. Kosova mbylli dje riatdhesimin në Azinë Juglindore. Do ta shtroni si problem kryesor në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare çështjen e riatdhesimit të shqiptarëve që kanë mbetur jashtë?

Presidenti Meta: Patjetër që ky ka qenë dhe mbetet një shqetësim i yni që në momentin e parë që u detyruam të merrnim masa kufizuese apo ndaluese sa i takon kontakteve apo fluturimeve me vendet të ndryshme. Është bërë një punë në këtë drejtim në identifikimin e të gjithë qytetarëve, të cilët nuk kanë patur mundësi për arsye të bllokimit të transportit apo të fluturimeve për t’u rikthyer në vend. Sigurisht që kjo është një çështje e rëndësishme edhe e mbledhjes së nesërme, për të vlerësuar situatën se ku jemi dhe cilat janë hapat që do të ndërmerren në këtë drejtim.

Pyetje: Nëse do të vihet përballë këtij shqetësimi fatura financiare ose pamundësia, cili do të jete qëndrimi juaj?

Presidenti Meta: Unë besoj se do të bëhen të gjithë përpjekjet për t’i hënë zgjidhjen e duhur kësaj çështjeje në interes të rikthimit të qytetarëve tanë, por edhe njëkohësisht të mbrojtjes së tyre atje ku janë, fjalë vjen në Itali apo në Greqi. Në këtë drejtim ambasadat tona, – unë kam qenë personalisht në kontakt disa herë me përfaqësuesit tanë, kam qenë në kontakt, i kam orientuar, jam përpjekur sidomos për qytetarët që kanë pasur mundësi më të kufizuar ekonomike ose që nuk kanë parashikuar të qëndrojnë për një kohë të gjatë, të ofrojnë edhe lehtësira duke u kujdesur edhe për ruajtjen e shëndetit të tyre.

Sigurisht që do të bëhet çdo gjë për riatdhesimin e tyre.

Pyetje: Kur flasim për kujdesin që tregon shteti ndaj njerëzve që janë në vijën e parë të luftës, kemi parasysh personelin shëndetësor, çfarë bën shteti shqiptar për për personelin diplomatik që ka jashtë në këto momente?

Presidenti Meta: Besoj se personeli diplomatik ka marrë të gjitha udhëzimet e duhura ashtu sikurse të gjithë shqiptarët, të cilët janë në misione të ndryshme jashtë vendit për të respektuar të gjithë rregullat e domosdoshme për t’u mbrojtur në këtë situatë.

Pyetje: Në kontaktet që ju keni pasur, çfarë shqetësimi keni ju personalisht për to?

Presidenti Meta: Shqetësimi është identifikimi i qytetarëve tanë kudo që ndodhen, dhënia e ndihmës për momentin që ata të mos dëmtohen në të gjitha aspektet, përfshirë edhe shëndetin e tyre dhe natyrisht marrja e masave për të gjetur mënyrën më të shpejtë dhe më të sigurt që i riatdheson.

Pyetje: Ne kemi edhe 500 ushtarakë shqiptarë që kryejnë misionet në vendet që janë prekur nga virusi. A keni kontakte me ta ose me familjarët e tyre?

Presidenti Meta: Kontaktet kryesisht në këtë raport i kam patur me Shefin e Shtatit të Përgjithshëm FA dhe sipas tyre gjendja paraqitet pa probleme dhe ata kanë marrë udhëzimet e duhura se si duhet të sillen dhe të mbrojnë shëndetin e tyre. Deri tani nuk kam patur ndonjë njoftim shqetësues për shëndetin e tyre dhe ky është një lajm i mirë.

Në rastin e ushtarakëve çështja është pak edhe më pozitive në drejtim të faktit që ata janë të vetdisiplinuar dhe kjo është edukatë e tyre e përditshme.

Pyetje: Kur flasim për ushtrinë dhe përdorimin e ushtrisë, ka një traditë në Shqipëri, që ushtria përdoret më shumë si zjarrfikës se sa si mjeti i fundit që duhet përdorur. Çfarë shije ju lë dalja e ushtrisë ditët e para me armë në rrugët e Tiranës?

Presidenti Meta: Nuk mendoj që kjo është çështja më e rëndësishme. Kjo është një situatë jo e zakonshme, e jashtëzakonshme, dhe padyshim derisa është vlerësuar nga Ministria e Shëndetësisë apo qoftë edhe nga Ministria e Brendshme, që ka nevojë për një prezencë të ushtrisë në interes të funksionimit sa më të mirë në tërësi të gjithë rendit publik dhe në ndihmë përsëri të qytetarëve kjo nuk është shqetësuese.

E rëndësishme është që çdo akt të jetë në përputhje dhe të harmonizohet me Kushtetutën e Shqipërisë, e cila gjithashtu ka parashikuar edhe këto situata jo normale.

Pyetje: Çfarë emri duhet t’i vëmë kësaj situate? Të flasim për krizë, flasim për gjendje të jashtëzakonshme, për gjendje të fatkeqësisë natyrore, për gjendje lufte?

Presidenti Meta: Kjo është një krizë ku ka pak nga të gjitha në kuptimin që nuk mund të themi që është një krizë e parashikuar në mënyrën më të mirëfilltë, por është një situatë e jashtëzakonshme, është një situatë emergjence dhe është në situatë ku ndeshemi në një farë mënyre me një fatkeqësi.

Kështu që të gjitha këto së bashku duhen trajtuar me vëmendje dhe duhet të jetë gjithçka në harmoni edhe me Kushtetutën e vendit, por njëkohësisht edhe me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut në mënyrë që edhe shëndeti i qytetarëve të ruhet dhe të mbrohet, sepse kjo është një detyrë e parë e çdo shteti demokratik, por njëkohësisht edhe interesat e shtetit në një plan afatgjatë të jenë të mbrojtura dhe të ruajtura.

Pyetje: Kur flasim për gjendje të jashtëzakonshme një nga shqetësimet është edhe gjendja e shtresave vulnerabël. Ka pasur një shqetësim për gjendjen e të burgosurve dhe a do të mundet që edhe ata të mbrohen si të gjithë të tjerët nga kjo situatë, nga koronavirusi?

Presidenti Meta: Pa asnjë diskutim që kjo është një detyrë mjaft e rëndësishme, pasi padyshim që edhe ato janë të rrezikuar dhe në këtë mënyrë unë shpresoj që të jenë marrë të gjitha masat pikërisht për të garantuar sigurinë e tyre dhe shëndetin e tyre.

Pyetje: Në intervistën që dhatë për emisioni “Përballë” fill pas tërmetit ju thatë që detyra e një politikani në kohë krize është që të sillet si i përgjegjshëm. Pyetja ime është, a e vlerësoni se po sillen në mënyrë të përgjegjshme politikanët në këtë moment? Politika është lënë mënjanë këto ditë, por nuk është se ka qenë e heshtur, cili ka qenë vlerësimi juaj, çfarë do të donit ju të shikoni nga përfaqësuesit politikë në këto momente?

Presidenti Meta: Së pari është pozitive që e gjithë politika është e fokusuar te shëndeti i qytetarëve. Së dyti, qeveria ka ndërmarrë të gjithë masat e saj që janë bërë publike, njëkohësisht kemi vënë re që edhe opozita ka qenë mjaft e angazhuar në gjithë këtë proces dhe në këtë sfidë edhe me propozimet e saj të vazhdueshme. Kemi vënë re që politikanët janë përpjekur të japin shembullin e respektimit të distancave sociale. Sigurisht që është një proces që ka nevojë edhe për më shumë bashkëpunim, edhe për më shumë gjithëpërfshirje dhe për bashkimin e të gjitha energjive pozitive dhe të gjitha kapaciteteve që Shqipëria ka në fushën e shëndetësisë, por edhe në fushën e ekonomisë.

Pyetje: Në përballimin e kësaj epidemie është folur për disa modele. Është folur për modelin kinez, për modelin korean, për modelin italian, modelin e Gjermanisë. Nga informacionet dhe kontaktet që ju keni pasur me përfaqësues të qeverisë, çfarë mendoni se ne kemi mësuar nga të tjerët, që janë disa javë përpara në përballimin e koronavirusit?

Presidenti Meta: Në radhë të parë, udhëzimi kryesor ose referencat kryesore kanë qenë ato të OBSH-së, të cilat gjithashtu kanë qenë të ndryshueshme në varësi edhe me eksperiencat e ndryshme që kanë ardhur nga Kina apo që kanë ardhur nga Itali, Spanja dhe vende të tjera. Skenarët e qeverisë shqiptare janë bazuar në skenarët e OBSH-së. Nuk mund të themi që mund të ndiqet apo do të ndiqet një model i caktuar, sepse vende të ndryshme kanë tipare të veçanta, por mendoj që ne gjithashtu kemi patur edhe eksperiencat tona pozitive në të kaluarën, sikurse është rasti i SARS-it, rasti i gripit të derrit apo rasti i krizës së Kosovës. Të mos harrojmë që ka qenë një krizë e paprecedentë humanitare dhe resurset kanë qenë tepër të mangëta.

Ajo që unë mendoj se është kryesore është ndërgjegjësimi i të gjithë qytetarëve, është një mesazh bashkëpunues, edukativ, që çdo qytetar të ndihet pjesë e përballimit të kësaj sfide dhe njëkohësisht edhe transparenca është mjaft e rëndësishme në mënyrë që të gjithë të kuptojnë që shteti, që qeveria, që të gjithë institucionet po bëjnë më të mirën se në fund fare qytetari jetën e tij të përditshme në kushte normale kryesisht e përballon vetë dhe domosdoshmëria e shtetit bëhet akoma dhe më e madhe për çdo qytetar në momente të tilla, kur ai mund të ndihet i pafuqishëm, i vetëm të përballojë nevojat më të rëndësishme të ekzistencës së tij, por njëkohësisht ka nevojë edhe për kurajo sa më shumë për një të ardhme, për një perspektivë më të mirë pas kësaj krize apo kësaj fatkeqësie.

Pyetje: Politikanët në vendimet e tyre në këto momente dëgjojnë ekspertët, por shkenca ka ecur përpara duke gabuar, duke bërë eksperimente. Kam parasysh në ditët e para, ku ende këtu nuk kishim rastet e krizës, ekspertët, që i dëgjojmë dhe sot thonin që ky është grip i lehtë, ka karakteristikë që nuk i prek fëmijët, por prek vetëm moshat e mëdha dhe tani po ndodh që situata është krejt tjetër.

Sa druheni që duke dëgjuar në mënyrë strikte vetëm ekspertët ndoshta vendimmarrja politike ndonjëherë mund të jetë e gabuar?

Presidenti Meta: Duhet të kemi parasysh qe jemi në përgjegjësinë e një stine virozash, pra jo vetëm problemi COVID-19, që është një problem i ri dhe është një problem madhor, sepse kemi të bëjmë me një kundërshtar ende të panjohur mirë, të paidentifikuar mirë dhe këtu është rreziku dhe shqetësimi kryesor, sepse nuk ka edhe një protokoll të saktë e të sigurt për ta luftuar atë.

Por, mos të harrojmë që është edhe një situatë në tërësi gripi, virozash dhe statistikat janë shumë të larta siç është gjithmonë në këtë periudhë të vitit. Rreziku më i madh është që ky kundërshtar i panjohur dhe ende i paidentifikuar mirë dhe duke u bashkuar edhe me viroza të tjera, por me probleme të tjera, që kanë të sëmurë kronikë mund të rezultojë fatale.

Për fat të keq ka rezultuar edhe në disa raste këtu të ne dhe në shumë raste të tjera në Itali apo në vende të tjera. Theksoj edhe njëherë tjetër, që kjo është një luftë, një betejë ku mekanizmi parandalues, reagues vjen duke u përmirësuar, sepse e gjithë bota është në këtë proces jo vetëm ne.

Pyetje: Virozat e stinës do përfundojnë pas dy apo tre javësh dhe pastaj do të mbetet vetëm koronavirusi. Nga informacionet që ju keni dhe nga kontaktet me zyrtarë të qeverisë, ka shenja që do të bëhet më mirë, apo do të bëhet më keq, para se të bëhet më mirë?

Presidenti Meta: Sigurisht, të gjithë do dëshironim që të bëhet më mirë dhe që kjo të ndodhte dje jo sot apo nesër, por jo çdo gjë varet në dorën tonë. Ka disa faktorë të cilët ndikojnë edhe në ecurinë në vendin tonë dhe këto janë në radhë të parë faktorë të cilët kanë të bëjnë me faktin që kemi të bëjmë më një sfidë globale.

Varet shumë sesi do të eci edhe në raport me vendet e tjera dhe në rastin tonë sigurisht, ecuria në Itali është mjaft e rëndësishme dhe shpresojmë që aty të ketë përmirësime. Pra, më e keqja të ketë kaluar, ta kemi lënë pas.

Por, në çdo rast ne duhet të përgatitemi edhe për një variant edhe më të vështirë, në mënyrë që të mos jemi të papërgatitur dhe të mos kalojmë në një situatë paniku apo daljen nga kontrolli të menaxhimit të kësaj situate dhe për momentin duhet të pranojmë që është nën kontroll.

Pyetje: Pas çdo krize ka një moment reflektimi, ishte tërmeti dhe dukej se kishte një moment reflektimi. Por, kjo është një gjë krejt tjetër dhe flitet që do të ketë një reflektim të madh në kuptimin e ndryshimit të jetës, do të japë tronditje të mëdha në ekonomi. Çfarë mendoni që do të jenë reflektimet që do të kemi ne si shoqëri, pas përballimit të koronavirusit?

Presidenti Meta: Mendoj që reflektimet do të jenë të shumta, por një ndër reflektimet kryesore përsa i takon sistemit të shëndetësisë është dhënia prioritet e sektorit të epidemiologjisë në shëndetësi.

Pasi në sistemin e kaluar në rrëgjimin komunist, për shkak edhe të shumë sëmundjeve të trashëguara që kishin të bënin edhe me një Shqipëri shumë herë më të prapambetur, ku ka qenë një sistem mjaft i centralizuar, ku ishte investuar jo pak.

Por, në kushtet e reja ndoshta nuk ka marrë atë peshë që duhet dhe globalizimi sikundër e shohim nuk ka vetëm disa të mira të përbashkëta që i ndajmë me gjithë njerëzimin por, ka edhe disa rreziqe të tilla të përbashkëta sikurse ndër janë epidemitë apo pandemitë për të cilat duhet të jemi më të përgatitur në të ardhmen. Sot po ndeshemi me Covid-19, nesër mund të dali diçka tjetër kështu që do të duhet të investojmë më shumë si shtet, si shoqëri në këtë mënyrë që të jemi sa më të mbrojtur, sa më të përgatitur.

Pyetje: Në goditjen e parë që dha koronavirusi duket që gjithsecili u fut në guaskën e vet. Ka ndonjë debat që globalizimi po merr një goditje të madhe dhe secili vend duhet të mendojë për veten.

Presidenti Meta: Globalizimi siç ka patur zhvillime të mëdha ka sjellë edhe pasoja. Sfida është që të gjithë të bashkëpunojmë, për të ndarë gjithçka pozitive dhe avantazhuese, që sjell globalizimi për njerëzimin dhe çdo vend. Por, njëkohësisht të rritet edhe bashkëpunimi ndërkombëtar në mbrojtjen e përbashkët ndaj këtyre rreziqeve.

Në këtë drejtim duke qenë se ne jemi vend anëtar i NATO-s, dhe njëkohësisht jemi dhe vend që duam të jemi anëtar të Bashkimit Europian, një sfidë e madhe mbetet vetë mënyra sesi Bashkimi Europian do të reflektojë për të ardhmen në raport me sfida të tilla dhe në raport në tërësi me të gjithë ecurinë e globalizimit.

Pyetje: Dje, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara bëri një apel, ku tha sot po u bëjë thirrje për zjarr pushim të menjëhershëm anekënd botës, është koha që të izolohen konfliktet e armatosura dhe të fokusohemi së bashku për betejën e vërtetë për jetët tona, beteja e vërtetë është pandemia Covid-19.

Kjo është një thirrje globale që ka të bëjë me krizat globale, por nëse do ta përshtatnim në situatat në Shqipëri, apo në rajon, a mendoni që ka një emërues të përbashkët tashmë të gjithë faktorëve politikë në Shqipëri, që bëhet fjalë për jetë njerëzish nuk bëhet fjalë për llogari politike?

Presidenti Meta: Unë besoj se të gjithë faktorët politikë, përfaqësuesit e institucioneve janë të përqendruar vetëm në këtë çështje, vetëm në këtë sfidë. Nëse duket sikur ka një debat, përsëri debati është si të përballohet sa më mirë dhe secili sipas përgjegjësive që ka, jep mendimin e tij. Por të gjithë bëjnë thirrje për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, të gjithë mbështesin masat kufizuese në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve tanë.

E rëndësishme është tani mekanizmi që të funksionojë sa më mirë, dhe për këtë duhet një angazhim i të gjithë aktorëve. Padyshim, mjeku i familjes ka një rol të rëndësishëm, ku i gjithë personeli shëndetësor në të gjithë Shqipërinë, përfshi edhe infermierët në zonat më të largëta të cilët duhet të jenë vazhdimisht të udhëzuar në trajtimin e këtij virusi apo qytetarëve që shfaqin simptoma.

Pushteti vendor ka një rol mjaft të rëndësishëm në funksionimin e gjithë mekanizmit, i cili do të bëjë të mundur normalizimin e kësaj situata jo normale që po jetojmë, ku askujt mos t’i mungojë asgjë. Në mënyrë të veçantë familjeve më të prekura, të moshuarve, të cilët janë edhe më të rrezikuar. Por sidomos edhe atyre që jetojnë të vetmuar për shkak të emigracionit dhe të gjithë fenomeneve të tjera të migrimit.

Pyetje: Kjo është një pandemi që ka trondit globin, vendet, bizneset dhe këdo. Në planin personal çfarë ka ndryshuar te ju?

Presidenti Meta: Në planin personal ka ndryshuar ajo, që ju përshëndes si japonez, nuk ju jap dorën dhe gjithë të tjerëve, që nuk ka qenë një gjë e lehtë për mua. Në kuptimin e natyrës sonë, të zakonit tonë për të respektuar për të përshëndetur dikë dhe natyrisht kjo gjë ka ndikuar kudo dhe në raport me familjen, me fëmijët, me prindërit, rritje e kujdesit për të tjerët. Kjo mendoj që më udhëheq mua në këto momente.

Pyetje: Është kthyer në obsesion larja e duarve, sa herë i lani duart në ditë?

Presidenti Meta: Disa herë, sa herë që hap një dorezë, apo bëj diçka jam i detyruar që t’i laj, sepse nuk është problemi vetëm për të ruajtur veten time. Padyshim çdo qytetar i përgjegjshëm duhet ta bëj këtë gjë, por pa dashje ti mund të marrësh një virus dhe mund t’ua transmetosh të tjerëve edhe në një mënyrë jo të drejtpërdrejtë.

Pyetje: A e gjeni ndonjëherë veten duke larë duart, duke thënë kjo është një çmenduri nuk ka kuptim?

Presidenti Meta: Jo, nuk mendoj që është çmenduri kujdesi. Më mirë të kemi kujdes të tepërt sesa një pakujdesi e rastit të sjellë një pasojë të pakëndshme.

Pyetje: Meqë jemi të kjo temë më bënë përshtypje një gjë; Nëse të gjitha vendet në rajon e kudo e kanë luftën me koronavirusin, duket që në Kosovë lufta më tepër është luftë politike sesa luftë me koronavirusin.

Sigurisht që ju i ndiqni zhvillimet në Kosovë, por a keni një koment për zhvillimet e ditëve të fundit, përpjekja për mocion, për të rrëzuar qeverinë, përplasja President-Kryeministër e mbrëmshmja?

Presidenti Meta: Meqenëse jemi te Kosova, sot është 24 mars, që është një ditë historike, një ditë e jashtëzakonshme për popullin e Kosovës, por edhe për të gjithë rajonin tonë.

Është dita kur NATO realizoi një nga misionet e saj ose filloi të realizoi një nga misionet e saj më të shkëlqyera në të gjithë historinë, siç ishte dhënia fund e gjenocidit në Kosovë dhe njëkohësisht gjenocidit në të gjithë rajonin tonë.

Në një ditë të tillë padyshim apeli im është edhe vëllezërit tanë në Kosovë, të gjithë udhëheqësve të Kosovës duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë në unitet, në radhë të parë në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve të Kosovës, pasi për fat të keq edhe aty në ditët e fundit ka një shtim të rasteve dhe njëkohësisht dhe në bashkimin e të gjithë energjive të tyre, për sfidat e tjera që ka Kosova.

Vetëm përmes bashkëpunimit do ta faktorizojnë më tej Kosovën si shtet jo vetëm i ri, por si shtet i suksesshëm. Ata kanë arritje mjaft të rëndësishme, sikundër janë zgjidhja e krizave të fundit që kanë patur në mënyrë mjaft demokratike, zgjedhje jashtëzakonisht pozitive dhe shembullore dhe në nivel rajonal. Besoj që do t’i udhëheqë interesi i përbashkët edhe në këto momente.

Pyetje: Kosova del nga kriza dhe futet shpejt në krizë. A e shihni që po futen drejt krizës apo do të jetë e përkohshme?

Presidenti Meta: Unë shpresoj edhe një herë që në këtë situatë ata të bëjnë më të mirën për ta përballuar këtë pandemi, pasi e theksova që ditët e fundit, – kanë qenë pak më mirë se sa ne, – por ditët e fundit ka një shtim të rasteve, edhe atje. Dallimet e tyre politike t’i zgjidhin në mënyrën më demokratike dhe më të përgjegjshme. Në fund fare, ata janë sovranë në vendimet që duhet të marrin. Janë përgjegjësit kryesorë para të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe unë shpresoj se në sjelljen e të gjithëve të rëndojë gjithmonë përgjegjësia kombëtare, shtetërore dhe humanizmi.

Pyetje: Pavarësisht pandemisë globale me koronavirusin, jeta vazhdon, politika vazhdon. Këshilli për Çështjet e Jashtme në Bashkimin Evropian i hapi dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Por ajo ç’ka shihet është se lista ka ardhur duke u zgjeruar dhe janë së paku pesë vende anëtare të BE-së që kanë kërkesa specifike. A keni një koment për vendimin e Këshillit të Çështjeve të Jashtme të BE-së?

Presidenti Meta: Unë i qëndroj asaj bindjeje që kam që anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një interes kombëtar. Është një interes i parë i çdo force politike në Shqipëri në programin e saj. Është një interes i parë në programin e shpallur e të votëbesuar edhe të qeverisë apo edhe në angazhimet publike të opozitës.

Në këtë drejtim, prej kohësh kam qenë i bindur që si sfidë kombëtare, kjo kërkon një trajtim të tillë, një përgjegjësi shumë të lartë, në mënyrë që ato prioritete kyçe të përmbushen me përgjegjshmëri, me besueshmëri dhe ky proces të ecë pa pengesa apo pa vështirësi të shtuara. Të ecë më shpejt.

Pyetje: Dakord Zoti President! Unë do të flas pak më konkretisht: Përveç kushteve të Bundestagut, u shtuan kushtet e Parlamentit holandez, ka kushte të reja Greqia. A keni një koment për kushtet e reja që i janë shtuar Shqipërisë përpara se të hapë de facto negociatat?

Presidenti Meta: Nuk dëshiroj të hyj në mënyrë specifike në këtë çështje, por më duhet të them se që të jemi më të besueshëm në këtë proces, duhet bashkëpunim më i sinqertë brenda vendit në përmbushjen e përbashkët të këtyre detyrimeve. Kriteret e Kopenhagës nuk janë ndërruar dhe pavarësisht se ambasada daneze këtu është mbyllur prej kohësh duhet ta kemi të qartë se ato mbeten një detyrim për çdo vend që kërkon të ecë më përpara në këtë proces. Dhe unë jam i sigurt se të gjithë qytetarët shqiptarë janë të paduruar, madje janë edhe pak të frustruar nga këto vonesa, në përmbushjen e këtij qëllimi që është një qëllim kombëtar në rastin tonë.

Evropa ka vështirësitë e saj dhe ne këto i ndiejmë, por sidoqoftë kjo është e vetmja alternativë që na orienton drejt progresit, drejt shtetit ligjor, drejt një të ardhmeje të sigurt jo vetëm për ne, por edhe për fqinjët tanë.

Kështu që jemi të detyruar për të mirën e të gjithë qytetarëve shqiptarë, por edhe të gjithë shqiptarëve në këtë rajon e të popujve të tjerë, të ecim në këtë drejtim. Dhe që të ecim më shpejt duhet të bashkëpunojmë më shumë për t’i përmbushur në mënyrë më të besueshme të gjitha detyrimet dhe kriteret e Kopenhagës.

Pyetje: Kur ju flisni për bashkëpunim, për sinqeritet dhe për transparencë, në këto kushte kemi, pavarësisht pezullimit për shkak të situatës, është një komision parlamentar që kërkon shkarkimin tuaj, Komisioni i Venecias duhej të jepte opinionin dhe e ka shtyrë për në qershor, në këto situata, cili është opinioni juaj për shtyrjen e bërjes publike të opinionit të Komisionit të Venecias për çështjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?

Presidenti Meta: Nuk do të dëshiroja të hyja në këtë çështje, por ju duhet të keni parasysh që Kushtetutën e Shqipërisë, sidomos për sa i takon Gjykatës Kushtetuese, pra mënyrës se si ndërtohet Gjykata Kushtetuese për sa i takon ruajtjes së balancave, por edhe radhës se si ndërtohet që është e fiksuar në Kushtetutë, është e shkruar nga vetë Komisioni i Venecias. Kështu që nuk kam qenë dakord që kjo çështje të shkojë në Komisionin e Venecias, sepse Komisioni i Venecias e ka shprehur mendimin e tij në mënyrën më të qartë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë për këtë çështje.

Dhe Komisioni i Venecias me dorën e vet, kur ne kemi bërë Kushtetutën, pra ndryshimet kushtetuese ka thënë që jo vetëm balanca është e rëndësishme, President, parlament dhe Gjykatë e Lartë, tre anëtarë secili për të zgjedhur, por edhe radha, – dhe e ka caktuar në Kushtetutë radhën, – është shumë e rëndësishme. Dhe e ka dhënë të shkruar Komisioni i Venecias që atëhere.

Përse është radha e rëndësishme? Sepse mund të qëllojë që një president dhe një mazhorancë në një parlament të jenë të një linje politike. Atëherë këta marrin gjashtë vendet e para, në rast se nuk do të ketë radhë në Gjykatën Kushtetuese. Marrin çdolloj vendimi dhe nuk ka as mendim oponent në Gjykatën Kushtetuese ndaj një vendimi arbitrar. Dhe mendimi oponent në Gjykatën Kushtetuese është bërë i qartë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që bëhet publik, sepse juridiksioni nuk përfundon këtu. Përfundon këtu në nivel kombëtar dhe shtetëror, por Shqipëria ka detyrimet e saj ndërkombëtare dhe për çdo çështje që dikush është i pakënaqur, ndjek rrugën e gjykatave evropiane apo ndërkombëtare.

Pra nuk besoj se Komisioni i Venecias mund të japë një opinion ndryshe nga ajo që ka shkruar vetë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Pyetje: Pyetjet e fundit meqë jemi në minutat e fundit të emisionit që është fokusuar kryesisht te situata me COVID-19, me koronavirusin. Ka pasur akuza ndaj medias për infodemi. A ka lajme që ju shqetësojnë në këtë lloj situate?

Presidenti Meta: Jemi në pluralizëm. Jemi në demokraci. Sigurisht që jemi në një emergjencë, në një situatë të jashtëzakonshme. Është mjaft e rëndësishme që autoritetet të jenë sa më transparente me opinionin publik, në mënyrë që hapësira për lajme apo për spekulime të jetë sa më e paktë, por unë në përgjithësi kam vënë re se gazetarët kanë bërë një punë shumë të mirë, sidomos në terren se kuptohet që ata janë vetë të rrezikuar duke u ekspozuar, duke lëvizur, duke pasqyruar realitetin, duke qenë në kontakt me mjekët apo personelin shëndetësor që është më i ekspozuari nga të gjithë ne. Dhe sigurisht kanë dhënë një ndihmë të madhe në edukimin apo ndërgjegjësimin e qytetarëve për të respektuar të gjitha këto masa, të cilat janë bërë publike nga autoritetet.

Gazetari: I rikthehem pak pyetjes në kuptimin e pezullimit të veprimtarive të bizneseve, por edhe të politikës. Disa kushte që janë vendosur për të hapur negociatat janë reformat. Është reforma zgjedhore. Është reforma në drejtësi. Do t’i shohim këto reforma të filluara që të ecin përpara në mënyrë virtuale apo prisni që të ketë një vullnet më të madh politik për t’i realizuar sa më shpejt që të jetë e mundur?

Presidenti Meta: Kam përshtypjen se reforma zgjedhore ka mbetur për çështje formaliteti për t’u përmbyllur me aq sa unë jam në dijeni. Nuk kam qenë i përfshirë drejtpërdrejtë, sepse nuk është se Presidenti ka ndonjë rol të veçantë. Kam inkurajuar përmbushjen e këtij detyrimi sa më parë.

Për sa i takon reformës në drejtësi kjo është një çështje e vullnetit politik. Dhe ajo që duhet të bien të gjithë dakord në këtë vend një herë e përgjithmonë, është që nuk mund të luajmë me Kushtetutën tonë, sepse ajo është gjëja më e shenjtë që ka një shtet serioz dhe që mbron vendin, që mbron shoqërinë, që mbron qytetarin nga çdo padrejtësi, nga çdo rrezik i brendshëm, nga çdo rrezik i jashtëm. Kushtetuta jonë ka qenë dhe është e qartë në këtë drejtim. Ka munguar vullneti politik i të gjithë aktorëve për ta respektuar atë. Kushtetuta jonë është bërë me 14 vota nga 140 deputetë që ka pasur Kuvendi i Shqipërisë. Dhe nuk mundet kurrsesi të ndërmerren apo të inkurajohen ligje antikushtetuese, të cilat cenojnë Kushtetutën, të cilat minojnë edhe besueshmërinë e reformës në drejtësi.

Pyetje: Zoti President, ju patët paralajmëruar më 8 dhjetor një miting, por ndodhi tërmeti. Paralajmëruat më 15 mars një manifestim të dytë dhe doli koronavirusi. Pyetja cinike është kjo: A keni ndërmend të paralajmëroni ndonjë gjë tjetër?

Presidenti Meta: Ju besoj se jeni këtu për një kohë të gjatë dhe unë kam paralajmëruar gjithmonë që zbatimi i njëanshëm i reformës në drejtësi do të cenojë besueshmërinë e arritjes më të madhe. Nëse Shqipëria ka një arritje të prekshme apo të shënuar apo pozitive të padiskutueshme në këto katër vite, sepse u bënë katër vite, është reforma në drejtësi me konsensusin e të gjitha palëve apo jo?

Pyetje: Në 2016-ën.

Presidenti Meta: Po! Më 22 korrik 140 vota për ndryshimet kushtetuese. Ndryshime madhore për një transformim rrënjësor të sistemit në drejtësi. Dhe ishte kjo arritje që solli arritjen tjetër, aty kemi ngelur: Te rekomandimi pozitiv në tetor të atij viti për çeljen e negociatave. Se është ai rekomandim që përsëritet vit pas viti. Këto janë dy arritjet. Por u bënë katër vite që zbatimi, – dhe unë për zbatimin e Kushtetutës në mënyrë kushtetuese kam bërë të gjitha përpjekjet e mia, edhe si ish-kryetar i Kuvendit, dhe më pas, edhe si President.

Pra, ka qenë moszbatimi me përgjegjshmëri të plotë, në mënyrë transparente, konstruktive i kësaj reforme madhore, kushtetuese, në terrenin konkret, për ndërtimin e të gjitha institucioneve, që na ka sjellë në këtë situatë ku kemi edhe kushte, të cilat nuk duhej të ekzistonin në rast se vullneti politik do të kishte qenë për të pasur atë drejtësi që parashikon Kushtetuta jonë, që është dhe që duhet të ishte një drejtësi e pavarur dhe që duhet të kishte dhënë rezultate tashmë.

Pyetje: Pyetja e fundit, por në fakt nuk është pyetje: Ju përmendët 24 marsin, por 24 marsi është ditëlindja juaj.

Presidenti Meta: Po, është edhe ditëlindja ime.

Gazetari: Krejt e pazakontë, sepse ju nuk do të takoni sot asnjë, në kuptimin e shtrëngimit të duarve.

Presidenti Meta: Padyshim, por këtë e theksoj edhe një herë: 24 marsi për mua është një ditë shumë e rëndësishme, sepse është dita kur NATO-ja nisi fluturimet e para për t’i dhënë fund gjenocidit në Kosovë me shpresën dhe besimin se ky do të ishte edhe fundi i gjenocidit në rajonin tonë, për një perspektivë të re. Dhe atë ditë ishte ndoshta një nga rastet e rralla kur unë po përpiqesha të festoja ditëlindjen në një ambient familjar të kufizuar, por nuk pata mundësinë ta festoja, sepse atë mbrëmje nisi diçka e jashtëzakonshme jo vetëm për Kosovën, por mendoj për të gjithë rajonin tonë.

Kështu që më 24 mars kjo është ajo që më mbetet, më kujtohet më shumë se sa thjesht ditëlindja ime.

Pyetje: Ditëlindje në kohë lufte që zgjati 78 ditë. Urojmë që lufta ndaj koronavirusit të jetë me një interval më të shkurtër kohor!

Presidenti Meta: Shpresojmë që kjo luftë të kishte mbaruar që dje, por në çdo rast unë apeloj edhe një herë për bashkëpunim, për të ruajtur jo vetëm veten tonë, por duke ruajtur veten tonë, ruajmë fëmijët tanë, ruajmë prindërit tanë, ruajmë gjyshërit tanë, ruajmë miqtë tanë!

Dhe unë jam optimist se në këtë mënyrë, duke forcuar bashkëpunimin me njëri-tjetrin, ne do të ruajmë edhe Shqipërinë më mirë.

Pyetje: Zoti President ju faleminderit që ishit në emisionin “Përballë”!

Presidenti Meta: Ju faleminderit!

Gazetari: Të nderuar teleshikues, ky ishte emisioni “Përballë” për sonte. Lutja ime personale është: Ju lutem të qëndroni në shtëpi! Është shumë më mirë se sa të rrini në spital. Bashkë do të shikohemi javën e ardhshme. Mirupafshim!