Intervistë e Presidentit Meta për gazetën “Panorama”

Intervistë e Presidentit Meta për gazetën “Panorama”

PYETJE: Z. President, si e vlerësoni ecurinë ekonomike të vendit?

PRESIDENTI META: Rritja ekonomike është ngadalësuar në vitin 2019, respektivisht në 2.4% dhe 2.3% në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit. Ndikime negative kanë dhënë eksportet neto, për shkak të defiçitit në rritje gjatë tremujorit të dytë. Bilanci tregtar është përkeqësuar më tej gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019. Investimet totale vijuan prirjen rënëse të filluar që nga tremujori i tretë i vitit 2018, duke u tkurrur me 0.9% në tremujorin e dytë të këtij viti.

Performanca e investimeve gjatë tremujorit të tretë pritet të jetë e ngjashme me atë të tremujorit të dytë. Investimet e huaja direkte kanë treguar një tendencë në rënie në tremujorin e dytë të vitit 2019. Ndërsa sektori i energjisë ka treguar në vijimësi një dobësi financiare.

Mbledhja e të ardhurave të buxhetit deri në tremujorin e tretë dhe në vazhdim për 10 mujorin e vitit 2019, ka treguar një performancë të dobët në realizimin e tyrë. Në veçanti dinamika e të ardhurave nga TVSH-ja është përkeqësuar edhe më tej gjatë tremujorit të tretë dhe më tej në 10 mujorin e vitit 2019. Prodhimi i Përgjithshëm Bruto pritet të ketë një ulje të ndjeshme në tremujorin e katërt të vitit 2019 si pasojë e dëmeve të shkaktura nga tërmeti i muajit nëntor. Klima e biznesit sipas raportit të Doing Busines 2020 është përkeqesuar dhe indeksi i perceptimit të korrupsionit në vend është rritur ndjeshëm.

PYETJE: Cilat do jenë efektet ekonomike dhe sociale të shtuara pas tërmetit?

PRESIDENTI META: Efektet negative në ngadalësimin e rritjes ekonomike të vitit 2019, do të kenë pasoja të cilat do të transmetohen dhe gjatë tremujorit të parë dhe të dytë të vitit 2020. Dëmeve direkte si shkatërrimi i ndërtesave, infrastrukturës publike, paisjeve dhe inventarit, i është shtuar dhe humbja indirekte si ndërprerja e prodhimit, stanjacioni i biznesit të shërbimeve, etj; si rezultat i humbjes së vlerës së shtuar të produkteve dhe shërbimeve të parealizuara.

Sektorët më të prekshëm, janë sektori i shërbimeve si hotelieri, imobiliare, të tregëtisë dhe shërbimeve publike, sektori i fasonerisë dhe sektori i ndërtimit.

Duhet të kemi një vëmendje për humbjet e biznesit të vogel, sektor i cili punëson një masë të konsiderueshme punonjësish dhe është prekur më shumë nga dëmet e tërmetit. Humbjet dhe ndërprerja do të reflektohen në ulje të ndjeshme të të ardhurave buxhetore. Ndërsa një risk i shtuar mund të jetë ngadalësimi i kredisë në ekonomi ndaj biznesit dhe individëve. Efektet sociale do të jenë edhe më të renda duke konsideruar numrin e lartë të personave të pastrehë, mungesën e shërbimeve publike, të trajtimit mjekësor dhe social të personave në nevoje, thellimi i varfërisë, humbja e vendeve të punes, si dhe efektet psikologjike.

PYETJE: Nga se do varet rimëkëmbja ekonomike?

PRESIDENTI META: Rimëkëmbja ekonomike do të varet nga vlerësimi sa më I shpejtë i dëmeve dhe humbjeve, përcaktimi i kategorive të dëmeve, hartimi i një strategjie të rindërtimit dhe sigurimi në kohë i fondeve të nevojshme për finacimin e kostove të rindërtimit, si dhe mbështetjes së aktivitetit ekonomik.

Rimëkëmbja ekonomike do të kërkojë burime për të financuar rindërtimin e infrastrukturës publike dhe private të dëmtuar, të mbështetjes financiare sociale të familjeve të prekura dhe atyre në nevojë, të kompensimit të humbjeve nga ndërprerja e aktivitetit prodhues dhe të shërbimeve, si dhe trajtimi shëndetësor dhe psikologjik i personave të dëmtuar.

PYETJE: Cilat duhet të jenë mënyrat e financimit të nevojave të rimëkëmbjes ekonomike?

PRESIDENTI META: Rimëkëmbja ekonomike mbas një tërmeti të këtij niveli do të jetë e kushtueshme, një ndërmarrje komplekse dhe sigurisht që do të kërkojë bashkëpunimin e të gjithë aktorëve ekonomikë dhe politikë, institucioneve qeverisëse, sektorit privat, organizatave joqeveritare dhe individëve. Burimet financiare duhet të mbulojnë:

Shpenzime për nevojat emergjente;
Ndërtimi dhe riparimi i banesave;
Ndërtimi dhe riparimi i infrastrukturës publike, spitale, shkolla etj;
Shpenzime për mbështetjen sociale të familjeve të dëmtuara nga tërmeti;
Shpenzime për mbeshtetjen ekonomike dhe fiskale nga humbjet e shkaktuara;

Në mungesën e një programi kombëtar të sigurimit, financimi i nevojave do të duhet të vijë kryesisht nga qeveria qendrore dhe lokale, si dhe donatorët e brendshëm dhe të huaj. Financimi nga burimet e brendshme i jep më shumë kredibilitet angazhimit të institucioneve qeverisëse kundrejt qytetarëve dhe donatorëve.

Mënyrat e financimit të nevojave mund të jenë:

Rialokimi i disa shpenzimeve të planifikuara për vitin 2020 për fondin e emergjencës;
Rialokimi i disa investimeve publike të financuara direkt apo dhe në formën e projekteve PPP, të cilat mund të gjykohen që nuk kanë karakter emergjent;
Rialokimi i huave me terma të buta nga Banka Botërore për nevojat e emergjencës;
Mbështetje nga Fondi Monetar Ndërkombëtar;
Mbështetje nga Bashkimi Europian;
Donacione nga donatorë të brendshëm dhe të huaj;
Kontributi nga organizimi i konferencës së donatorëve me qëllim të sigurimit të fondeve shtesë si në vlerë apo dhe në natyre, nga donatorë të ndryshëm që do të duhet të ftohen si:

o Donacione nga Asistenca Europiane e Emergjencave;
o Donacione nga organizatat e Kombeve të Bashkuara;
o Organizatat humanitare;
o Donacione në formën e ndihmës bilaterale.

PYETJE: Si mund të mbledhim sa më shumë fonde?

PRESIDENTI META: E rëndësishme është që sigurimi maksimal i fondeve do të kërkojë:

(i) një konsensus të gjerë politik,
(ii) një besim mbi angazhimin real të institucioneve shqiptare për rimëkëmbjen ekonomike,
(iii) sigurimin e shpejtë të fondeve për arsye të emergjencave të tjera që mund të shfaqen.

Për të pasur konferencë të donatorëve të suksesshme do të duhet:

-Përgatitja dhe hartimi i një dokumentacioni të plotë me vlerësime realiste të dëmeve dhe humbjeve të shkaktuara nga tërmeti;
-Ndarja sipas kategorive e demeve të shkaktura si dhe prioritetet e mbulimit të nevojave;
-Hartimi i një strategjie të besueshme të rindërtimit në kohe dhe të detajuar sipas prioriteteve;
-Nevojën e një konsensusi të institucioneve qeverisëse, partive politike si dhe organizatave jo qeveritare;
-Angazhimin financiar, në radhë të parë i qeverisë, i miratuar me ligj mbi fondet e rindërtimit që do të vihen në dispozicion;
-Struktura ekzekutive transparente dhe që gëzojnë një besim në zbatimin e strategjise së miratuar dhe përdorimit të fondeve;
-Përgatitjen me transparencë të një raporti të përditesuar të fondeve te dhuruara nga donatorët në vlerë dhe në natyrë;
-Mundësisht mbledhjen e fondeve dhe transferimin e tyre në një llogari të vetme të Qeverisë;
-Përgatitjen e një plani të rindërtimit sipas një kalendari transparent dhe raportimin e zbatimit të tij;
-Përgatitjen me transparencë të procesit të prokurimit dhe shpenzimeve të fondeve për rimëkëmbjen ekonomike, dhe rezultateve të arritura;
-Ngritjen e një komisioni për auditimin dhe vlerësimin e përdorimit të fondeve të rimëkëmbjes.

PYETJE: Cilat janë shqetësimet që lidhen me planin e rimëkëmbjes ekonomike?

PRESIDENTI META: Shqetësimet duhet të lidhen në radhë të parë me transparencën dhe angazhimin qeverisës në drejtim të mbledhjes së fondeve si dhe përdorimit të tyre. Shqetësim serioz është përgatitja për konferencën e donatorëve sepse nuk është se ne kemi një eksperiencë të madhe në këtë drejtim. Ajo që do të vlerësohet nga donatorët do të jetë vlerësimi real i dëmeve, angazhimi i besueshëm i qeverisë shqiptare për maksimizimin e kontributit të saj të brendshëm dhe nevojat që mbeten për t’u kërkuar, si dhe një strategji e rindërtimit e besueshme me një konsensus të plotë.

Në një klimë të rënduar nga rritja e korrupsionit dhe ulja e besimit ndaj performancës së qeverisë, duhet që donatorëve dhe qytetarëve t’u jepet mundësia e një transparence në mënyrën se si do të vendosen prioritetet për të adresuar dëmet dhe humbjet, por dhe se si do të administrohen këto fonde.

Është e rëndësishme që të kuptohet se dëmet do të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë dhe të huaj. Qeveria nuk paguan. Qeveria vlerëson nevojat, ndërton strategjinë dhe menaxhon fondet në bazë të prioriteteve.

Sa më e gatshme të jetë qeveria për transparencë dhe llogaridhënie në menaxhim, aq më i sukesshëm do të jetë ky proces i rindërtimit dhe i rikuperimit të pasojave nga tërmeti.