Intervistë e Presidentit Meta për “SYRI.net” me gazetarin Çim Peka

Intervistë e Presidentit Meta për “SYRI.net” me gazetarin Çim Peka

Çim Peka: Zoti President, mirëmbrëma! Ju falënderoj që gjetët kohën për të qenë sot në studio. Po e filloj me atë që është shqetësimi kryesor: Në orën 24:00, fiks pas 4 orësh, të paktën sipas medieve, por edhe sipas disa juristëve, përfundon afati kushtetues që ka Presidenti i Republikës për të dekretuar propozimin e Kryeministrit Rama si ministër të Brendshëm, zotin Sandër Lleshin. A ka marrë një vendim Presidenti i Republikës për këtë? Do ta dekretoni, apo jo?

Presidenti Meta: Sikurse edhe ju e thatë, unë sot jam kthyer nga Firence, ku kam pasur kënaqësinë të jem pjesëmarrës në aktivitete të shumta që u zhvilluan atje për nder të 90-vjetorit të Kardinalit tonë, Dom Ernest Troshani. Dhe natyrisht, që unë do të gjej mënyrën e duhur për t’u shprehur në kohën e duhur.

Gazetari: Do të gjeni mënyrën e duhur…

Presidenti Meta: Ju po numëroni sekondat?

Gazetari: Jo. Por ju do të gjeni kohën e duhur, por koha e duhur e Presidentit është edhe fiks 4 orë… Nuk besoj se Presidenti i Republikës pret informacione shtesë, a keni një vendim?

Presidenti Meta: Presidenti ka për detyrë të ushtrojë të gjithë përgjegjësitë e tij kushtetuese për të krijuar bindje të plotë për çdo propozim që i bëhet për dekretim. Presidenti nuk mund të hedhë firmën për dekrete formale, sepse do të ishte papërgjegjshmëri. Aq më tepër për një detyrë të tillë, e cila në momentin aktual kërkon akoma edhe më shumë përgjegjësi dhe vëmendje.

Gazetari: Do të ishte një papërgjegjshmëri nga ana e Presidentit për të hedhur thjesht një firmë për një funksion të tillë në një moment delikat – u shprehët pak a shumë zoti President. Megjithatë, janë edhe 4 orë. Po ngul këmbë këtu! Deri në këtë moment nuk keni pasur kohë të krijoni një përshtypje nëse ky kandidat i propozuar nga Edi Rama për ministër të Brendshëm i plotëson këto kritere apo jo?

Presidenti Meta: Më duket se ua kam thënë të qartë që kam bërë punën time institucionale. Kam bërë përpjekjet e mia, dhe kam qenë mjaft bashkëpunues me të gjithë institucionet dhe personat që duhet të jenë të interesuar njëkohësisht për këtë çështje, ndaj edhe unë di t’i marr përgjegjësitë e mia me përgjegjshmëri të plotë, i pa ndikuar nga askush, as nga orët tuaja, as nga sekondat tuaja dhe askujt tjetër, pavarësisht nga respekti që kam për ju.

Gazetari: Por i ndikuar në bazë të Kushtetutës, zoti President?

Presidenti Meta: Më duket se Kushtetuta është shumë e qartë: Presidenti ka përgjegjësi për çdo firmë që hedh. Përndryshe, Presidenti nuk do ta kishte këtë mundësi dhe këtë instrument konfirmimi, verifikimi, kontrollimi, dhe garantimit të integritetit të çdo ministri.

Gazetari: Atëherë për të qenë dhe unë korrekt me kolegët, dhe për të mos u treguar egoist…

Presidenti Meta: I paduruar me orët dhe sekondat …

Gazetari: I paduruar jo, por këmbëngulës, për të qenë dhe unë korrekt dhe për të mos u treguar egoist me kolegët, sepse të pretendoj se do ta deklaroni në një studio televizive nëse do ta dekretoni apo jo, është ndoshta një kërkesë pak e tepërt, sepse Presidenti mund ta deklarojë në konferencë shtypi, apo njoftim shtypi, apo ndonjë zgjidhje tjetër. Por gjithsesi, deri në këtë moment ka një firmë për të apo jo?

Presidenti Meta: Sigurisht që në qoftë se do të kishte firmë, unë atë nuk do ta lija për ta shpallur në studion tuaj, pasi ajo do të ishte bërë publike.

Gazetari: Pra, deri në këtë moment nuk ka një vendim për Sandër Lleshin. Megjithatë, zoti President ka një debat të orëve të fundit ku thuhet se Presidenti i Republikës, analistë afër Kryeministrit, juristë afër Kryeministrit, paraardhësi juaj, të cilët thonë se Presidenti i Republikës nuk ka kompetencë për të mos dekretuar një propozim për ministër të Kryeministrit. Madje këmbëngulin se tashmë ka një precedent, dhe precedenti nuk mund të prishet: Bujar Nishani pasi na la të dyshonim se nuk do ta dekretonte zotin Xhafaj, u shpreh se nuk do ta dekretoja, por nuk ma lejon ligji, nuk kam kompetenca. A ka kompetencë Presidenti për të mos dekretuar një propozim për ministër të Kryeministrit?

Presidenti Meta: Pa dashur të hyj në diskutime dhe debate me ju, sepse ju doni që unë të shndërrohem në gazetar, apo ndonjë…

Gazetari: Ju kam ftuar si President!

Presidenti Meta: Po. Ndaj dua të them që çdo President ka për detyrë që me veprimet e tij, apo me mos veprimet e tij, të marrë përgjegjësinë e duhur publike dhe të tregojë përgjegjshmëri maksimale. Kështu që në këtë drejtim, askush të mos ketë dyshime që unë, përgjegjësitë e mia, sidomos, në këtë situatë do ti ushtroj në mënyrë mjaft maksimale dhe mjaft kurajoze.

Gazetari: Mjaft kurajoze?!

Presidenti Meta: Sepse Shqipëria po kalon një periudhë në luftë me krimin e organizuar. dhe kjo është prej vitesh, dhe kjo po e mban Shqipërinë ende larg edhe çeljes së negociatave. Sepse të gjitha prioritetet lidhen me këtë çështje. Dhe Presidenti është edhe kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që është një institucion kushtetues, për të gjithë ata që mendojnë se Presidenti duhet thjesht të konfirmojë në mënyrë formale propozimet që mund t’i vinë. Dhe për të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare duhet të jetë mjaft i vëmendshëm, në mënyrë që ata që zgjidhen të jenë lartësinë që kërkon ky institucion.

Gazetari: Zoti President sapo u shprehët se do të vepronit në mënyrë mjaft kurajoze! Dhe thatë…

Presidenti Meta: Kjo do të thotë që gjithmonë të vazhdoj në marrjen e përgjegjësive të plota, të cilat Presidenti i mbron dhe nuk përfshihet.

Gazetari: Të marrësh vendimet, dakord, por…

Presidenti Meta: Siç dhe ka ndodhur në të kaluarën edhe mund të ndodhi edhe në të ardhmen…

Gazetari: Dakord. Por kjo është një deklaratë mjaft e fortë, sepse dekretimi do të ishte një veprim normal, në të kundërt, mos dekretimi është një veprim kurajoz. A po paralajmëroni ju Ilir Meta mos dekretimin e zotit Lleshi?

Presidenti Meta: Unë nuk paragjykoj askënd. Unë ushtroj përgjegjësitë e mia me qetësi maksimale. Të gjithë ata, përfshirë edhe juve, të më falni, sepse edhe po më ngacmoni, pra të gjithë ata që mendojnë që mund të ndikojnë në mënyra të ndryshme sipas interesit të tyre, apo të vlerësimit të tyre, sepse ka edhe nga ata që mund të bëjnë përjashtime, të pavarura, duhet të jenë të qetë sepse nuk ndikohem nga asgjë. Përveçse nga bindja ime për t’i shërbyer asaj detyre që ka Presidenti për të qenë vërtet një institucion tepër i përgjegjshëm, sidomos kur bëhet fjalë për një çështje të tillë.

Gazetari: Për çështje të tilla jemi mësuar të kemi kandidatë deputetë apo ministra politikë, të cilët, për të qenë korrekt, kanë dështuar të paktën në luftën kundër drogës. Është hera e parë që kemi një kandidat teknik. A do të ndikojë ky fakt në vendimin e Presidentit?

Presidenti Meta: Jo. Nuk ka asnjë arsye që kjo të ndikojë, por ajo që dua të theksoj është se pavarësisht nga background-i i cilitdo kandidat: Pra nëse është politikan i njohur, apo politikan i ri, se është një ekspert i caktuar, përfaqësues i shoqërisë civile, siç kemi pasur në të kaluarën plot raste të tilla të përfshirjes së tyre. Është tepër e rëndësishme të kuptojmë që lufta kundër drogës dhe kundër krimit të organizuar nuk është një luftë teknike, por është një luftë politike. Që të jem edhe më konkret: Po të ishte teknike, Habilajt duhet ti kishte arrestuar ky komisari…

Gazetari: Zagani?

Presidenti Meta: Po, Zagani, në Fier apo Vlorë ku ishte ai, dhe nuk duhej ta kishin shkarkuar ata Zaganin, që ishte një kuadër i Policisë dhe shumë i trajnuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë dhe ta detyronin që të shkonte në azil në Zvicër dhe ata më pas të arrestoheshin nga anti-mafia në Itali. Por, sepse ishte politike ndodhi kjo gjë. Po të ishte teknike, do të ishte diçka ndryshe. Kështu që kjo kërkon një vullnet shumë të fortë politik, dhe kjo jo vetëm në përgjegjësinë vetëm të një ministri, apo kushdo qoftë ai. Por kjo është përgjegjësi e gjithë Qeverisë, e gjithë Parlamentit, e Presidentit, dhe të gjithë institucioneve për të treguar një vullnet të fortë për të çrrënjosur krimin e organizuar, i cili ka dhe një rritje të ndikimit edhe në jetën politike, për fat të keq. Dhe njëkohësisht, nga forcat e policisë në radhë të parë, dhe të sigurisë. Ministri i cili dha dorëheqjen, zoti Xhafaj, mendoj se tregoi një vullnet për të ecur në këtë drejtim, pavarësisht nga vështirësitë dhe rrethanat e komplikuara. Por, në çdo rast kjo nuk është një betejë e asnjë individi, kjo është një betejë e të gjithëve dhe, absolutisht, që përgjegjësitë e ministrit janë shumë të rëndësishme dhe integriteti i tij është shumë i rëndësishëm për të mos iu bindur askujt që nga Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, dhe kujtdo tjetër që do të përpiqet që të ndikonte politikisht mbi Policinë e Shtetit.

Gazetari: A e njihni personalisht kandidatin e propozuar nga z. Rama për ministër të Brendshëm?

Presidenti Meta: Nuk kam ndonjë njohe të veçantë. E njoh si emër, si funksionar u caktuar që ka qenë në Forcat e Armatosura, apo në Kabinetin e Kryeministrit, por nuk kam asnjë paragjykim për të.

Gazetari: Mund të ndikoj te ju fakti që ai ka qenë kandidat për president? Është investuar shumë z. Kadare për të, është investuar dhe vet z. Rama për të.

Presidenti Meta: Ka pasur nja një mijë kandidatë për president në atë periudhë dhe po të jetë se do të ndikohemi për të gjithë për këtë fakt, kjo pastaj do të ishte një…

Gazetari: Po fakti që z. Lleshi mund të mbetet kandidat për të njëjtin funksion a mund të paragjykojë…?

Presidenti Meta: Këtë gjë nuk e paragjykon askush dhe nuk mendoj se mund të ndikojë te ndikojë te Presidenti Ilir Meta deri në minutat e fundit që ai do të jetë President me interpretime.

Gazetari: Z. Meta tani nuk po ju drejtohem si President. Për 27 vjet keni përballur dhe ndoshta keni qenë politikani në nivelin e z. Berisha dhe z. Nano keni përballur më shumë beteja individuale shumë të forta…

Presidenti Meta: Pas ngjitjes së Jezercës ju siguroj që edhe më të forta do t’i përballojmë të gjithë së bashku. Kështu që mos na i kujto ato vitet e së kaluarës.

Gazetari: Në fakt, në Jezercë treguat që keni një kondicion fizik të jashtëzakonshëm, por po flasim për një kondicion politik dhe psikologji. A do të ishte Ilir Meta … që vjen nga një parti e vogël dhe jo dy partitë e mëdha në Presidencë, të përballet me faktin të përballonte precedentin e parë të refuzimit të një ministri kur propozohet nga kryeministri?

Presidenti Meta: Këto janë gjëra pa asnjë lidhje dhe ju kërkoni me pahir që të…

Gazetari: A keni shpatulla për të përballur një gjë të tillë?

Presidenti Meta: Nuk është çështje shpatullash është çështje bindjes dhe të jeni të sigurt, jo një por edhe 10 edhe 20 që nuk do të më bindin, nuk do t’i dekretoj, nuk do t’i firmos. Të jenit të sigurt për këtë gjë. Presidenti nuk është një figurë që merret as më PPP dhe as me këto, por kur vjen momenti që merret me çështjet të tilla, siç kemi rastin e Italisë ku presidenti ka të njëjtat kompetenca dhe mendonte që një profesor i ekonomisë që e kishin propozuar për ministër të ekonomisë, rrezikonte me idetë e tij të cenonte objektivat e Italisë dhe prezencën e saj në Euro tha që nuk e firmos. Tha të bëhet ministër të zyra për Europën dhe u bë. Askush nuk mund ta detyrojë presidentit të firmosë apo të konfirmojë një emër për një detyrë të tillë kushtetuese, të cilën atij ja jep Kushtetuta, jashtë bindjes së tij.

Gazetari: Pak më parë u shprehët vlerësues për punën e z. Xhafa pavarësisht rrethanave të vështira të tij, të komplikuara edhe për shkak të të vëllait. Z. Meta realisht e vlerësoni z. Xhafa si Ministër i Brendshëm në luftën kundër drogës dhe trafikut.

Presidenti Meta: E thashë dhe një herë që çështja e luftës kundër drogës dhe trafikut nuk është çështje e një ministri, por ministri ka rëndësi që të bëjë detyrën e ministrit dhe jo të zëvendësministrit dhe as të zëvendës zëvendësministrit. Pra të jetë një autoritet, ashtu sikurse Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të bëjë detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe në rast se ai e bën këtë gjë kjo është një gjë e mrekullueshme, sepse ne kemi ligjin për Policinë e Shtetit dhe ai është një ligj shumë i mirë, por ne e dimë shumë mirë sesi shpesh herë drejtorët kanë qenë të anashkaluar apo të ndikuar shumë nga funksionarët politikë.

Gazetari: Z. Meta në momentin që erdhën dy dekretet në zyrën tuaj, pra dekreti i largimit të Z. Xhafa dhe dekreti i emërimit të z. Lleshi nuk hezituat për dekretin e shkarkimit të z. Xhafa, nuk u menduat dy herë apo u nisët nga fakti që ishte një dorëheqje?

Presidenti Meta: Në momentin që z. Xhafa ka konfirmuar që ka dhënë dorëheqjen dhe më pas ka ardhur dekreti unë e kam firmosur menjëherë, sepse nuk mund të mbahet askush jashtë vullnetit të tij në detyrë. Kjo mendoj se është mëse normale.

Gazetari: Presidenti është dhe drejtues i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe sigurisht që i keni ndjekur raportet e mediave, ku ka një perceptim se Fatmir Xhafaj është shantazhuar për të dhënë dorëheqjen, sepse vetëm dy ditë më parë njoftoi në krah të Drejtorit të Policisë Gjermane se “prisni do të ketë rezultate” dhe ndërmori një aksion mjaft të madh, i cili sipas opozitës u la në gjysmë. A ju ka shtyrë kureshtja, qoftë edhe detyra për të pyetur ministrin e Brendshëm, nëse ishte i shantazhuar për të dhënë dorëheqjen?

Presidenti Meta: Ju kërkoni të nxirrni sa më shumë lajme sot dhe unë këtë gjë e kuptoj.

Gazetari: Është normale.

Presidenti Meta: Z. Xhafa nuk është një ministër i ri, ai është një ministër më përvojë dhe eksperiencë. Ka gjykuar se duhet të jepte dorëheqjen dhe këtë e ka shprehur publikisht. Natyrisht që këtu nuk ka vend për të bërë investigime apo për të hyrë në diskutime të rrethanave të tjera për të shuar kuriozitetin. Ai e ka gjykuar këtë gjë që kështu është më mirë dhe ky vullnet është respektuar.

Gazetari: Z. President dje ish-ministri i Brendshëm nën hetim në Shqipëri në një dalje për mediat të pazakontë i ka sulmuar të gjithë, por në mënyrë të veçantë ju ka sulmuar ju, Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. Ju ka kujtuar, madje dhe darkën në shtëpinë tuaj një natë para vendimit të gjykatës ku u shpallët të pafajshëm për video-përgjimin e famshëm. Si President, ndoshta nuk doni të flisni, po a keni ndonjë koment?

Presidenti Meta: Nuk mund t’u shmangem gjithë pyetjeve tuaja, po ç’koment mund të kem unë për një delinkuent që mbyti me drogë, jo vetëm Shqipërinë, por edhe Europën. Ç’koment mund të kem unë!

Gazetari: Gjithsesi duket sikur ka një riinvestim ndaj tij, nga z. Rama, për ta rikthyer në Partinë Socialiste. Duke qenë se keni këtë bindje si President dhe si Kryetar i Këshillit të Sigurisë, a ju shqetëson fakti që personazhe të tilla mund të rikthehen sërish në politikë?

Presidenti Meta: Nuk dëshiroj të vazhdoj më me këtë çështje. Besoj se dhashë një përgjigje shteruese, e cila natyrisht që nuk më shkarkon dhe mua nga përgjegjësia, për të kaluarën time. Besoj se një nga përgjegjësitë e mia është që një person i tillë kurrë nuk duhet të ishte bërë Ministër i Brendshëm dhe unë e kisha gjithë mundësinë për ta parandaluar një gjë të tillë. Por duke patur insistimin e Kryeministrit se ky ishte njeriu më i besuar se do të vendoste rendin dhe ligjin në Shqipëri, mendova të mos ja hiqnim këtë mundësi.

Gazetari: Pra ju bindi Kryeministri…?

Presidenti Meta: Jo se më bindi, unë kisha qëndrimin tim dhe e kam shprehur.

Gazetari: Z. Rama ka aluduar se e ka shkarkuar si ministër për t’i bërë qejfin partnerit në koalicion, Ilir Metës?

Presidenti Meta: Kjo nuk është fare e vërtetë dhe besoj këtë gjë ne e kemi bërë fare të qartë publikisht. E dinë vetë ata përse e kanë shkarkuar.

Gazetari: Me qenë se jemi të dekretet dhe mos-dekretet, një tjetër emër në zyrën tuaj z. President është i drejtorit të SHISH, pas dorëheqjes së ish-drejtorit të SHISH të cilin nuk e keni firmosur. Sigurisht që SHISH ka një raport me partnerët, në mënyrë të veçantë me amerikanët dhe me NATO. Është një institucion mjaft delikat ku edhe partnerët, të paktën në traditë, investohen apo këshillohen për emrat. A keni një këshillim apo interesim, në mënyrë të veçantë nga amerikanët për drejtorin në detyrë të SHISH të cilin nuk e keni firmosur?

Presidenti Meta: Së pari nuk mendoj se është vendi këtu për të bërë diskutime të tilla dhe së dyti e theksoj edhe një herë, unë vendos me bindje të plotë.

Në rastin aktual as nuk e kam kthyer, sepse mund ta kisha kthyer mbrapsht këtë propozim dhe as e kam konfirmuar dhe puna vazhdon.

Gazetari: A keni komunikim të mirë mes Presidencës dhe SHISH-it?

Presidenti Meta: Po, kemi një komunikim shumë të mirë me Zv.Drejtorin aktual të SHISH-it që kryen funksionet e Drejtorit.

Gazetari: Nuk ka pengesë fakti që nuk keni firmosur për atë?

Presidenti Meta: Jo, nuk ka asnjë pengesë.

Gazetari: Megjithatë, a ju shqetëson fakti se po të krijoni një traditë “mos-firmash” ndaj propozimeve të Kryeministrit dashur padashur krijoni një ngërç mes dy institucioneve kryesore?

Presidenti Meta: Jo, rrethanat se si u bë dorëheqja e z. Ajazi, të cilat sipas vlerësimit tim ka qenë një dorëheqje e papritur, e paimponuar dhe jo korrekte, sepse dorëheqja i jepet Presidentit, sepse emërohet nga Presidenti dekreti.

Megjithatë, unë vetëm për faktin, sepse ai nuk meritonte për këtë sjellje një dekret tjetër nga Presidenti apo nga presidenca, meqenëse dekretin e parë ia kishte dhënë Presidenti i mëparshëm, por unë ia kisha konfirmuar që ai do të vazhdonte detyrën vetëm me një kusht: të vazhdonte luftën kundër krimit, drogës dhe asgjë tjetër. Dorëheqja që ndodhi ishte një dorëheqje që nuk më ka pëlqyer për gjithë mënyrën se si ka ndodhur.

Gazetari: Nuk e meritonte dekretimin as për këtë rast?

Presidenti Meta: Normalisht, unë duke të njohur ty për shembull, e di që po ta kishte bërë ty, ti as ambasador nuk do ta kishe bërë, as dekoratë nuk do t’i kishe dhënë. Unë i dhashë edhe dekretin për në NATO, i dhashë edhe dekoratë.

Gazetari: Po dekoratën përse, nëse nuk e meritonte as dekretimin?

Presidenti Meta: Për arsye se unë kam qenë edhe vet dëshmitar në mbledhjet e këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku ai ka mbajtur qëndrime shumë të qarta përsa i takon problemit të kanabizimit, të drogës, të krimit të organizuar dhe SHISH në këtë drejtim ka qenë një institucion që ka punuar më mirë se sa institucionet e tjera edhe pse ka qenë vazhdimisht nën presion për të mos e bërë atë punë.

Kështu që për këto arsye unë mendoj që disa aspekte të tjera, të cilat edhe i kuptojmë për arsye sepse tani jemi me eksperiencë në politikë, t’i tejkalojmë dhe të bëjmë vlerësimin e duhur apo një vlerësim sa më të përshtatshëm.

Gazetari: Jemi në një moment tjetër, institucioni ku Presidentit të Republikës duhet të kishte bashkëpunim apo pasqyrën e punës së tij është Gjykata Kushtetuese. Vendi momentalisht është pa Gjykatë Kushtetuese. Sa ndikon kjo në përgjithësi dhe në punën e Presidentit të Republikës?

Presidenti Meta: Nuk është problemi thjesht për Presidentin, këtu është problemi për të gjithë sistemin demokratik në vend. Këtu bëhet fjala për të gjithë garancitë e kujtdo, të qytetarëve të opozitës, të atyre që merren me aktivitete private, me gjithçka. Kështu që ky është një problem shumë i madh, unë i kam dhënë mesazhet e mia në mënyrë të vazhdueshme dhe do të vazhdoj t’i jap dhe do të bëj gjithçka për aq sa mund të bëj si President për t’i kontribuar këtij procesi.

Gazetari: A keni folur me Kryeministrin si mund të ketë një zgjidhje për këtë?

Presidenti Meta: Tani unë kam dhënë mendimet e mia, por duhet të kemi parasysh që çështja e krijimit të institucioneve të drejtësisë nuk është në rrugën e duhur, pasi bërja e Kushtetutës në mënyrë mjaft të detajuar ka bërë atë gjë që ne sot të mos kemi ende KED dhe të mos kemi të gjithë këto institucionet e reja të drejtësisë dhe të mos kemi Gjykatë Kushtetuese, ku KED-ja ka një rol të veçantë për të kontribuar për krijimin e gjykatës.

Edhe me qeverinë, edhe me partnerët ndërkombëtarë që u angazhuan për të qenë si garantë të kësaj reforme, kam qenë mjaft i hapur për të bashkëpunuar në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje që ai sukses i madh që u shpall përpara dy vjetësh me miratimin me konsensus të Kushtetutës, të vijojë në zbatimin korrekte të Kushtetutës në ndërtimin e gjithë këtyre institucioneve, pasi kjo është vendimtare. Pasi ne gjithmonë në bërjen e ligjeve kemi qenë të mirë, por në zbatim kemi qenë të dobët.

Gazetari: Edhe pak kohë na mbetet nga komenti kur Presidenti i Republikës duhet të propozojë një emër për Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Mediat kanë publikuar një listë prej 34 individësh të cilat kanë shprehur interes për të qenë drejtues të KLSH. Besoj se me këtë listë jeni njohur z. President?

Presidenti Meta: Po, jam njohur me 2-3 emra të cilët kanë shprehur para datës 30 tetor, pra janë administruar me postë pak më vonë. Por lista është bërë publike sipas rendit alfabetik.

Gazetari: Por ligji si e përcakton, pra propozimi juaj duhet të jetë vetëm brenda kësaj liste?

Presidenti Meta: Përderisa unë kam ndjekur një rrugë të tillë, që në mënyrë publike secili që dëshiron të aplikojë që plotëson kriteret e ligjeve, që ka vullnet të jetë në krye të këtij institucioni dhe unë dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë aplikuar, sepse kanë respektuar edhe këtë ftesë publike që është bërë.

Sigurisht që nuk do të kishte kuptim për arsye, sepse aty mesa kam parë ka mjaft emra të spikatur. Rreth gjysma e tyre janë me tituj të lartë shkencorë, akademikë, me përvoja nga më të ndryshmet. Kështu që normalisht padyshim që duhet të jetë kjo listë.

Gazetari: Pra emri që do të propozohet nga ju është brenda kësaj liste?

Presidenti Meta: Normalisht po.

Gazetari: Ka aludime në media për Anasatas Angjelin, pasi është kandidatura surprizë për të drejtuar KLSH-në. Ka zëra që thonë se Edi Rama do të ishte i gatshëm t’ju votonte vetëm këtë emër. A është i gatshëm Ilir Meta të propozojë Anastas Angjelin me kushtin që KLSH të mos mbetet pa kryetar?

Presidenti Meta: Unë kam respekt për të gjithë emrat që kanë aplikuar aty. Ky është një proces që do të kërkojë kohën e vet për t’i parë, për t’i studiuar. Ky është një raport midis Presidentit dhe Kuvendit. Presidenti ka përgjegjësinë për të bërë propozimin dhe besoj se do të gjykohet nga propozimi që do të bëjë për drejtimin e këtij institucioni të pavarur. Kuvendi ka të drejtën e tij sovrane për t’u shprehur, për të aprovuar apo për të mos aprovuar. Nuk ka asnjë shqetësim këtu.

Gazetari: Pra nuk keni ndërmend të hyni në konsultime me z. Rama se cili emër mund të mos konsiderohet provokativ për të?

Presidenti Meta: Unë jam për të ushtruar përgjegjësitë e mia me transparencë të plotë në raport me opinionin dhe në raport me Kuvendin. Pastaj secili bën vlerësimin e tij dhe Kuvendi ka sovranitetin e vet për të konfirmuar, për të refuzuar. Ky është një proces i hapur.

Gazetari: Emër tjetër është ai i ish-Kryetares së KQZ-së…

Presidenti Meta: Nuk mendoj se do të ishte etike të merrmi me emrat. Kush dëshiron të njihet me emrat i ka te faqja zyrtare në internet e Presidencës të sakta.

Gazetari: Keni në këtë listë dy ish-deputetë të Partisë Socialiste dhe dy ish-Ministra Financash. Është edhe z. Shkëlqim Cani aty. A ndikon profili i tyre politik në vendimmarrjen tuaj?

Presidenti Meta: Në radhë të parë aty ka shumë emra të cilët mund të ishin në krye të këtij institucioni në rrethana të caktuara. Und do të gjykoj duke parë me shumë vëmendje në atë listë se kush do të jetë emri më i përshtatshëm në rrethanat aktuale. Dhe në bazë të këtij propozimi që do të bëj do të më gjykoni ju si gazetarë, do të gjykojë opinioni, ata që kanë interes për këtë institucion. Do të gjykojë edhe parlamenti.

Gazetari: Pra edhe për këtë rast ju nuk keni marrë akoma vendim, ende po e shqyrtoni?

Presidenti Meta: Sigurisht.

Gazetari: Dje keni qenë në Firence për 90-vjetorin e Kardinalit Troshani, por ajo çfarë kanë komentuar mediat z. President është një foto nga darka ku ishit në krah të Kardinalit dhe aty ishte edhe deputeti Tom Doshi, i cili dikur ju kishte akuzuar se kishit porositur vrasjen e tij. Si u ndjetë kur e kishit në krah z. Doshi në këtë darkë?

Presidenti Meta: Së pari, jam ndjerë shumë mirë 24 orë në Firence për shkak të atij vlerësimi të jashtëzakonshëm që i është bërë Kardinalit tonë, jo vetëm nga Kardinali i Firences, nga Kryetari i Bashkisë, nga gjithë autoritetet atje dhe nga mesha e veçantë që ishte zgjedhur për të vlerësuar Kardinalit tonë. Në mënyrë të veçantë dhe nga mesazhi i posaçëm që Kardinali i Firences i dorëzoi Kardinalit tonë në emër të Papa Françeskut. Kështu që jam ndjerë jashtëzakonisht mirë dhe akoma më mirë në studion tuaj, veçse pak i lodhur nga rruga.

Gazetari: Në fakt unë ju pyeta për z. Tom Doshi….

Presidenti Meta: Z. Tom Doshi ka qenë atje i ftuar sepse është një njeri i afërt i Kardinalit Troshani, ndërkohë që unë kam qenë i ftuar në mënyrë të veçantë nga Kardinali i Firences, i cili me ftesën time bëri një vizitë në Shqipëri pak muaj më parë, edhe nga Kryetari i Bashkisë së Firences. Pavarësisht se e kam pasur shumë të vështirë kam bërë gjithçka për të qenë në këto ceremoni sepse mendoj që është një nder jo vetëm kardinalit tonë, por është edhe një vëmendje, një mesazh për të gjithë komunitetin shqiptar në Firence dhe në rajonin Toskanës.

Gazetari: A ju kërkoi ndjesë z. Doshi në prani të Kardinalit për akuzën? Është një akuzë e rëndë z. Meta.

Presidenti Meta: Z. Peka shiko përpara. Ishim për ditëlindje, ishim për një festë, për mesazhe pozitive.

Gazetari: Presidenti i Kosovës, Thaçi ka hedhur një ide për rishikimin e kufijve, por sipas dokumenteve të fundit që po dalin në dritë nuk bëhet më fjalë për korrektim kufijsh, por vetëm për dhurimin e veriut, pra të Mitrovicës në shkëmbim të njohjes së Kosovës nga Beogradi, Kina dhe Rusia. Sipas Këshillit për marrëdhëniet me jashtë i SHBA-ve, dega e Europës, ka vizituar Beogradin nga datat 17-18 nëntor 2018. Pra, para dy javësh raporti i saj arrin në konkluzione, që deri tani nuk i janë thënë publikut, nuk i janë thënë kosovarëve, shqiptarëve, se serbët janë të qartë: Vuçiç dhe Thaçi po arrijnë diçka. Nëse ka një marrëveshje ajo është që Mitrovica e veriut të kalojë me Serbinë dhe Serbia njeh Kosovën dhe merr përsipër edhe njohjen e saj edhe nga Rusia dhe Kina. Z. President a keni biseduar në takimet që keni pasur me Presidentin Thaçi se realisht cili është projekti i tij?

Presidenti Meta: Lidhur me këtë çështje besoj se herë pas here kam shprehur disa qëndrime të cilat janë publike edhe në institucionet ndërkombëtare, si në OKB apo së fundmi në Qendrën Marshall në Gjermani edhe në ngjarje të tjera.

Ajo që mund të them është kjo: së pari, si President i Shqipërisë duhet t’ju them juve dhe të gjithëve se Shqipëria nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj askujt dhe për asgjë. Dhe njëkohësisht nuk pranon as nuk ka për të pranuar asnjë lloj pretendimi nga kushdo dhe për asgjë. Shqipëria ka vetëm një projekt, që është integrimi europian pavarësisht se ky është një projekt që po kalon kohë të vështira. Dhe shqiptarët besoj kanë vetëm një interes, t’i shërbejnë integrimit europian të gjithë rajonit, sepse shqiptarë nga ky projekt kanë përfituar më shumë se çdo komb tjetër. Gjithçka tjetër që nuk shkon në këtë linjë bëhet vetë një pengesë për procesin e integrimeve europiane në Ballkan por natyrisht mund t’i pozicionojë edhe shqiptarët dhe mund t’i çojë drejt një situate të vështirë.

Gazetari: Pra, Presidenti i Republikës së Shqipërisë është kundër idesë së korrektimit të kufijve?

Presidenti Meta: Unë fola në emër të Shqipërisë, Kosova ka institucionet e saj. Ato të marrin përgjegjësitë e tyre, ajo që unë sugjeroj si President i Shqipërisë është uniteti i brendshëm në mënyrë që këtë çështje ta zgjidhin dhe ta përballojnë së bashku. Nuk mund të hyj në komente më mëtejshme. Më duket se jam shumë i qartë për këtë çështje.

Gazetari: Megjithatë, keni qenë mjaft aktiv. Shkuat në Prishtinë dhe vizituat në shtëpinë e tij Kryetarin e sëmurë të LDK-së, z. Isa Mustafa…

Presidenti Meta: Kisha kohë që e kisha lënë për t’i bërë një vizitë në familje. Kemi pasur biseda telefonike, jam kujdesur vazhdimisht për gjendjen e tij shëndetësore, kam qenë në kontakt me familjarët e tij dhe për fat të mirë z. Mustafa është shumë mirë.

Gazetari: Gjithsesi nuk besoj se shkuat deri në Prishtinë për të vizituar një njeri të sëmurë, por takuar kryetarin e opozitës atje….

Presidenti Meta: Jo, e para një herë ishte në aspektin njerëzor, por nuk ishte një takim thjeshtë me kryetarin e opozitës. Në radhë të parë ishte aspekti njerëzor, sepse unë nuk isha për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Gazetari: A keni diskutuar me z. Mustafa për idenë e Presidentit Thaçi?

Presidenti Meta: Ne kemi shkëmbyer mendime rreth rëndësisë së dialogut dhe mënyrës së ecjes së tij. Ajo që unë i kam thënë edhe z. Mustafa, që i kam thënë edhe z. Kurti kur kam patur rastin këtu për të qëndruar me të, ka qenë që edhe këta si opozitë duhet të përfshihen në dialog. Kam thënë edhe këtë tjetrën, që nuk mendoj se zgjedhjet e shpejta janë një zgjidhje në Kosovës, sepse edhe nëse, e zëmë, se do të ketë zgjedhje dhe këto dy parti janë të favorizuara për të pasur një shumicë nesër, dialogu është një çështje që as këto nuk mund ta zgjidhin.

Pra, do të duhet patjetër një bashkëpunim edhe me opozitën e ardhshme, kështu që kam dhënë mendimin tim, sepse ata janë vetë sovran në vendimet e tyre, që çështjen e dialogut ta shikojnë në një mënyrë sa më gjithëpërfshirëse sepse është një çështje afatgjatë për Kosovën.

Gazetari: Mjaft aktiv me liderët e politikës së Kosovës, aktivitete dhe takime me ta jo normale krahasuar me kohë më përpara…

Presidenti Meta: Nëse një ministër nga Kosova kërkon të takohet unë patjetër kam qenë i hapur për t’u takuar, por janë vendime të tyre. Kosova ka shtetin e saj dhe duhet ta ruajë si sytë e ballit, ka institucionet e saj, ka Kushtetutën e saj. Ajo që unë sugjeroj është të krijojnë një unitet të brendshëm.

Gazetari: Jeni takuar shpesh me liderët e politikës shqiptare, po me Kryeministrin tonë kur jeni takuar për herë të fundit z. Meta se edhe Shqipëria nuk është pa problemet e saj?

Presidenti Meta: Jemi takuar dhe takohemi vazhdimisht sa herë na jepet mundësia.

Gazetari: Për çfarë çështje keni diskutuar me Kryeministrin Rama për herë të fundit?

Presidenti Meta: Do të përpiqem ta verifikoj që të jemi i saktë, sepse ju pastaj edhe në gabime të kritikoni fort. Fakti që nuk po jap një përgjigje të saktë, do të thotë se kjo nuk është shumë e rëndësishme. Unë mesazhet e mia i jap vazhdimisht, komunikoj me takime, me shkresa, me çdo gjë që gjykohet e arsyeshme apo e domosdoshme.

Gazetari: Përveç Kryetares së LSI-së, e cila është bashkëshortja juaj, me cilin lider të opozitës takoheni z. Meta?

Presidenti Meta: Unë takohem me të gjithë ata me të cilët më lidh puna për shkak të funksionit apo me të gjithë ata që dëshirojnë të takohemi dhe unë kam mundësi t’i takoj.

Gazetari: Një ngjarje tjetër, e cila ka tërhequr vëmendjen jashtë mase të opinionit publik dhe madje gati-gati është kthyer në problem në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë është ngjarja e para pak ditëve në Gjirokastër, kur një ekstremist shqiptaro-grek mori armën dhe u asgjësua fizikisht nga policia shqiptare. Zoti President a jeni informuar më shumë rreth këtij incidenti dhe a keni një gjykim tuajin se si kjo mund të ndikojë në raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Presidenti Meta: Është një ngjarje e rëndë, sepse është një ngjarje e provokuar. Është detyrë e institucioneve që të bëjnë një hetim shterues, që të gjejnë qëllimet, prapavijën e saj nëse ka një të tillë. Por padyshim është një ngjarje, e cila synon të krijojë një acarim artificial të marrëdhënieve shqiptaro-greke, që nuk është hera e parë që ndodh. Që të duket sikur ka tensione, çështje, sikur ka probleme të mëdha mes Shqipërisë dhe Greqisë. Që natyrisht ka disa probleme, por ka përpjekje për t’i amplifikuar ato, sepse ndërkohë interesat e bashkëpunimit janë shumë herë më të mëdha. Dhe kjo do të dalë në një kontekst pak më të gjerë rajonal ku ka në opinionin publik, kam vënë re që ka mjaft zëra të arsyeshëm, si Ministria greke e Kulturës, e cila mbajti një qëndrim shumë objektiv, ose ish-ministri i Jashtëm Pangalos dhe është e rëndësishme që shikohet si një rast i izoluar, që të frenohet që në gjenezë me atë frymën provokuese, nacionaliste. Dhe unë mendoj se minoriteti grek në Shqipëri i ka të gjitha të drejtat; është mjaft i integruar; është një pasuri e madhe për vendin tonë. Natyrisht që ka njerëz të caktuar që janë të frustruar, që kanë problemet e tyre, që janë edhe të helmuar nga një propagandë, e cila kërkon herë pas here të krijojë tensione dhe që bien viktimë e propagandës. Por në një mënyrë më të përgjegjshme dhe transparente të tregojmë vullnetin tonë për t’i forcuar këto raporte miqësie dhe bashkëjetese.

Gazetari: Megjithatë deklarata e parë zyrtare e qeverisë greke ka qenë korrekte, ku thjesht kërkohej informacion. Menjëherë ka pasur një reagim zyrtar, ku me tone folklorike, zoti Rama u shpreh i habitur nga deklarata e Greqisë: “Duhet të na falënderojmë që e vramë?! Duhet të falënderojmë Zotin që nuk ka edhe të vrarë të tjerë!” A ju duket korrekt ky reagim i Kryeministrit?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë arsye që të bëj komente të tilla. Unë kam qëndrimin për këtë çështje, që e kam bërë publik.

Gazetari: E di që nuk keni një gjykim për institucionet e tjera, por flasim për …

Presidenti Meta: Përderisa kam mbajtur një qëndrim… Nëse nuk do të kisha një qëndrim, mund të flisja… Kjo do të thotë se ky është qëndrimi i Presidentit për këtë çështje, deri tani.

Gazetari: Të nesërmen e kësaj ngjarje, në stadiumin e Tiranës, nga tifozët e “Partizanit” u shfaq një banderolë, e cila për 90 minuta nuk u prek nga policia. U la “Një grek më pak! Një bastard më pak!” A ka një koment Presidenti i Republikës? Grekët e kanë për natyrë, madje kanë shkuar deri në vrasje të tifozëve shqiptarë, në vitin 2004, rasti i famshëm, por në Shqipëri kjo është hera e parë që ndodh. Ndodh nën syrin e institucioneve shqiptare, të policisë, që në fakt duhet të ndërhynin. A ju duk, të paktën nga ana zyrtare…?

Presidenti Meta: Nuk është në mirë të bësh një deklaratë të tillë. Është racizëm, ashtu sikurse kanë ndodhur raste të tjera nga ana tjetër. Kjo është një ndezje e zjarrit, ndërkohë që ne e kemi këtë luks… Kemi probleme të tjera. Duhet të bashkëpunojmë të gjithë fqinjët që të ecim në rrugën e zhvillimit ekonomik të këtij rajoni.

Ndërsa për këtë rast, nuk mund të kem mundësi më të mirë se sa t’i referohem kolegut tuaj, Babaramo, në një shkrim të bërë për këtë ngjarje në stadium, që vinte në dukje se shumë nga futbollistët më të mëdhenj të Shqipërisë, që kanë luajtur për kombëtaren tonë, janë pikërisht minoritarë. Dhe kanë qenë nga futbollistët më të dashur për të gjithë shqiptarët dhe kanë bërë çdo gjë për përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë. Dhe ajo që ndodhi në stadium, është edhe një fyerje për këta korifej të futbollit do të thoja, të sportit shqiptar, madje shumë prej tyre kanë luajtur edhe me ekipin e “Partizanit”. Por jam i bindur se kjo nuk është bërë nga tifozë, nga njerëz të përgjegjshëm. Mund të ketë qenë edhe ndonjë provokim për të cilin policia, arbitrat duhet të kishin marrë masa që më parë.

Gazetari: Zoti Meta në fakt para 3-4 ditësh, ishte lajm surprizë, kur të gjithë prisnin ta shikonim në krah të “Sulltan Erdoganit”, të “vëlla Erdoganit”, ju pamë ju. Që nga koha e ardhjes në pushtetit të Partisë Socialiste, në aleancë me ju, zoti Rama është akuzuar për raporte të afërta me Presidentin Erdogan. Vajtja juaj në këtë vizitë për të përuruar një vepër madhore, siç ishte ajo e aeroportit të Stambollit, ftesa ndaj jush, as ka qenë surprizë për ju?

Presidenti Meta: Së pari nuk ka qenë surprizë. Kam pasur edhe raste e ftesa të tjera nga Presidenti i Turqisë, por për shkak të angazhimeve të tjera, të mbivendosjeve në axhendë, nuk kam pasur mundësi. Në rastin konkret pata mundësi dhe ishte kënaqësi të merrja pjesë në një ceremoni tepër interesante, kur bëhej fjalë për përfundimin e aeroportit më të madh në botë, i cili do të ketë impakt për mbarë rajonin tonë, në shumë aspektet, në drejtim të turizmit.

Gazetari: Zoti President, duke parë zhvillimet e brendshme – jemi te çështja e fundit, kur realisht vendi ka një ngërç politik. Edhe nga raportet e brendshme, edhe nga ato të institucioneve ndërkombëtare, ka një ikje as më shumë e as më pak të rreth 25% të shqiptarëve. Opozita po denoncon skandale me prova, me audion, me zë, me figurë, me dokumente të zyrtarëve më të lartë të mazhorancës. Akoma nuk kemi një opozitë, e cila po e zhvendos për shpatulla për muri këtë qeveri që ka krijuar këtë situatë. Para pak kohësh, gazetari i njohur Frrok Çupi, duke parë udhëtimet tuaja të shpeshta në Alpe, ju kërkonte të ktheheshit nga stani në Presidencë e të merrnit përsipër detyrat që jua ka ngarkuar Kushtetuta. A është penduar Ilir Meta që nuk është në politikën aktive, duke parë këtë zbrazëti politike, por është ngujuar në Presidencë?

Presidenti Meta: Ju bini në kontradiktë me veten tuaj, sepse nga njëra anë thoni i ngujuar Presidenti dhe nga tjetër shkon në Alpe e mos bridh kaq shumë nëpër male.

Gazetari: I ngujuar politikisht është ideja…

Presidenti Meta: Së pari nuk jam i ngujuar politikisht, por unë bëj një politikë: Politikën e Presidentit të Shqipërisë, që udhëhiqet nga interesat kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Dhe këtë e bëj me përgjegjshmëri. Kështu që askush nuk duhet të presë nga Ilir Meta të bëjë as punët e qeverisë, as punët e opozitës, as punët e shoqërisë civile dhe as punët e gazetarëve. Unë do të përmbush detyrat e mia me përgjegjësi maksimale.

Gazetari: Duke parë këtë situatë, a mendoni se do të ishit më aktiv jashtë Presidencës?

Presidenti Meta: Unë jam i vendosur që t’i përmbush të gjitha detyrimet e mia si President. Nuk merrem me hipoteza se si do të ishte më mirë për mua.

Për mua, nga dita që kam hyrë në Zyrën e Presidentit e deri në ditën kur do të dal nga ajo Zyrë e Presidentit, ka përkushtim të plotë për ta bërë këtë detyrë. Dhe vetëm një politikë: Politikën e Presidentit të Shqipërisë.

Gazetari: Zoti President, sapo jeni kthyer nga një udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në sesionin e përvitshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shqipëria po bëhet, të paktën tre herë brenda këtij viti, që voton në OKB kundër votës së Shteteve të Bashkuara, aleatit tonë strategjik. Në takimet që ka pasur Presidenti Meta në Nju-Jork, a keni hasur në një reagim nga partnerët tanë, nga aleatët tanë strategjikë, mbi këto votë të Shqipërisë? Nuk është një herë, është dy herë, është tre herë, madje edhe pardje ka pasur një votë.

Presidenti Meta: Rezervohem të diskutoj për një çështje të tillë. Dihet që Shqipëria gjithmonë ka pasur një…

Gazetari: Po i referohem letrës suaj ndaj Presidentit Trump…

Presidenti Meta: Letrës nuk keni përse i referoheni, sepse ajo ka qenë publike. Nuk ka qenë sekrete.

Gazetari: I referohem qëndrimit tuaj se ishit kundër kësaj vote. Në qoftë se ju do të ishit dakord…

Presidenti Meta: Po, qëndrimi ka qenë dhe është se ne gjithmonë duhet të ruajmë një raport me interesat tona kombëtare, me aleatët tanë strategjikë dhe me detyrimet që kemi si anëtarë të NATO-s dhe njëkohësisht si kandidatë për në Bashkimin Europian, si një vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian dhe të harmonizojë politikën e vet të jashtme me atë të BE-së.

Ka raste, për fat të keq gjë që ndodh, edhe midis partnerëve me qëllime të përbashkëta, kur ka diferenca, ka qëndrime siç ndodh midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Ashtu sikurse ne shohim që edhe vetë BE-ja nuk është se voton gjithmonë kur të gjitha vendet kanë një qëndrim të unifikuar. Kjo duhet studiuar rast pas rasti për të ruajtur një ekuilibër sa më të mirë për këtë përkatësi që ka Shqipëria në NATO dhe në BE.

Gazetari: Zoti President, kur e filluam këtë emision, Kushtetuta ju kishte lënë edhe katër orë afat për të dekretuar propozimin e kryeministrit Rama për ministër. Një orë jua mora unë. Për të qenë në lartësinë kushtetuese këto tri orë nuk po jua bllokoj. Ju faleminderit që ishim së bashku sonte!

Presidenti Meta: Unë ju falënderoj shumë dhe shpresoj që të mos numëroni sekondat!