Intervistë e Presidentit Meta për “Zërin e Amerikës”

Intervistë e Presidentit Meta për “Zërin e Amerikës”

Uashington D.C., SHBA

Gazetari (Arben Xhixho): Zoti President! Mirëserdhët në studiot e “Zërit të Amerikës”!

Presidenti Meta: Kënaqësi që takohemi këtu.

Gazetari: Zoti President! Gjatë ditëve që keni qenë në Uashington, në takimet që keni patur, ju jeni shprehur edhe për çështjen e dialogut të Kosovës me Serbinë. Beogradit dhe Prishtinës iu është kërkuar që të jenë krijuese në arritjen e një marrëveshjeje, gjë që është përkthyer edhe në mundësinë e shkëmbimit të territoreve, korrigjimit të kufirit, ndryshimit të kufijve; një temë që ka qenë tabu më parë. Ju jeni shprehur se nuk duhet të ketë ndryshim kufijsh. Nëse mund t’iu pyes: Përse kjo kundërshti, kur nuk dihet ende se për çfarë po diskutohet?

Presidenti Meta: Unë pajtohem plotësisht me ju që është i domosdoshëm, madje është i vonuar, do të thosha, gjithë ai proces që ka të bëjë me përfundimin e dialogut Kosovë-Serbi, pasi ky është një dialog që po vazhdon prej mjaft vitesh.

Është një dialog që u quajt “për normalizimin” dhe tani të gjithë kërkojnë finalizimin e tij, ndërkohë që ne ende nuk kemi një bilanc të plotë të normalizimit dhe të zbatimit të marrëveshjeve të deritanishme. Megjithatë, përsëri unë bashkohem me atë kërkesë, me atë interes të përgjithshëm, sepse është interes edhe i Shqipërisë, po është interes edhe i partnerëve tanë dhe i vet proceseve integruese, të cilave ne iu jemi bashkuar dhe që kërkojmë të fitojnë shtysë të re përmes realizimit të kësaj marrëveshjeje, që kjo gjë të realizohet sa më parë. Por i dimë vështirësitë e deritanishme, të cilat shpresojmë të kapërcehen me reflektim të përbashkët nga të dyja palët, për të krijuar atë mirëbesim, që ka munguar deri tani.

Gazetari: Zoti Meta! Të ndalemi te problemet, te zhvillimet në Shqipëri. Ju patët një përplasje të fortë me qeverinë për çështjen e Ministrit të Jashtëm si dhe pas publikimit të qëndrimit tuaj për çështjen e “Unazës së Madhe”, ku ju kërkuat të anulohen gjithë kontratat dhe projekti të ribëhet nga e para. Shumica iu akuzoi se ju po mbani pozicione politike, që bien ndesh me detyrën tuaj si President i vendit. Madje, Kryeministri Rama iu cilësoi si drejtuesin më serioz të opozitës. Si iu përgjigjeni ju këtyre kritikave?

Presidenti Meta: Në detyrën time si President unë i referohem vetëm Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, interesit kombëtar dhe interesit publik. Në çështjen e Ministrit të Jashtëm nuk besoj se kërkon shumë energji për t’iu përgjigjur të gjitha kundërshtimeve në lidhje me qëndrimin tim, për arsye se kam qenë mjaft i hapur për çdo zgjidhje për personin e propozuar nga Kryeministri. Por nuk besoj se dikush mund të fajësojë Presidentin, kompetencat e të cilit në fushën e politikës së jashtme janë përcaktuar shumë qartë edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i kërkuar nga vet Partia Socialiste dikur në opozitë për çështjen e marrëveshjes së detit; pra, që Presidentit iu kërkua të konfirmojë në këtë detyrë një person, cilatdo qofshin cilësitë e tij të shkëlqyera, të cilin nuk e ka takuar asnjëherë, të cilin nuk e njeh dhe i cili do të firmosë marrëveshje në emër të Republikës së Shqipërisë, të cilat mund të prodhojnë pasoja afatgjata dhe të paparashikueshme.

Qëndrimi ka qenë tepër konstruktiv dhe ka qenë një qëndrim, i cili ka patur në konsideratë Kushtetutën dhe detyrimet kushtetuese të Presidentit, edhe interesin kombëtar edhe interesin publik. Për më tepër personi kishte bërë deklarata në një televizion të Kosovës, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me qëndrimet shtetërore të Shqipërisë në fushën e politikës së jashtme.

Ndërsa përsa i takon Unazës së Re, në mos gaboj, sot bëhen 100 ditë nga fillimi i protestave dhe unë si President, pa patur asnjë paragjykim për shkak të problemit publik dhe protestave të vazhdueshme të transmetuara nga të gjithë mediat, dhe të kërkesave të qytetarëve, kam ushtruar përgjegjësitë e mia, kam kërkuar informacione në mënyrë të vazhduar, në mënyrë të përsëritur. Bazuar në ligjet e shtetit për informim ndaj çdo qytetari dhe zyrtari, po duke u bazuar edhe në Kushtetutën e vendit, institucionet janë të detyruar të japin informacione dhe përgjigje Presidentit për çdo kërkesë dhe për çdo shqetësim, e në fund fare kam qenë i detyruar të mbaj një qëndrim, pasi kam krijuar një bindje, për të cilën jam shprehur publikisht dhe të cilës vazhdoj t’i qëndroj me bindje të plotë: Shpikje të tilla jashtë legjislacionit që vendi ynë ka, jashtë rendit tonë juridik dhe kushtetues nuk tregojnë për një vend, ku sundon ligji, por tregojnë thjesht për një vend ku sundon shumica. Ky është një koncept që nuk ka lidhje me shtetin e së drejtës, për më tepër që jemi në qendër të vëmendjes përsa i takon respektimit të ligjit, përsa i takon rregullave të opinionit publik, përsa i takon çështjeve të konkurrencës edhe nga partnerët ndërkombëtar. Reflektimi ndaj kësaj çështje mendoj se është në interes të publikut, është në interes të vet qeverisë edhe të përmirësimit të perceptimit për seriozitetin që kemi në zbatimin e ligjit në vend për të ardhmen.

Gazetari: Ju u shprehët se një nga konsideratat për punën e Ministrit të Jashtëm ishte ajo e marrëdhënieve dhe negociatave me Greqinë për çështjen e detit. Tani që Ministri i Jashtëm u ndryshua dhe erdhi ministri i ri, i cili u ngarkua nga Kryeministri për të kryer funksionin e Ministrit të Jashtëm, më lejoni t’iu pyes: A do të ketë kjo ndikim lidhur me negociatat me Greqinë? Ju jeni shprehur se i keni shumë të qarta kompetencat se cilit institucion mund t’i delegoni autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë. A mund ta sqaroni këtë? A i ka ministri i ri i ngarkuar kompetencat e plota, që i ka patur i mëparshmi?

Presidenti Meta: Do të doja të bëja një korrigjim. Duke iu referuar asaj çfarë ka shprehur ish-kandidati për Ministër të Jashtëm: nuk kishte të bënte me çështjen e negociatave me Greqinë, por kishte të bënte me një qëndrim të shprehur prej tij në lidhje me një koncept të ri, që ka dalë për korrigjime të përgjithshme territoriale në Ballkanin perëndimor, sepse nuk ka lidhje me këtë çështje. Ndërsa çështjen e marrëdhënieve me Greqinë e lidha thjesht me vendimin që është në fuqi të Gjykatës Kushtetuese për shkak të marrëveshjes së mëparshme, që u rrëzua pas kërkesës së Partisë Socialiste, i cili përcakton se cilat janë kompetencat e Presidentit dhe të çdo institucioni në fushën e politikës së jashtme për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Për të ardhur në thelbin e pyetjes tuaj, se nuk doja të lija një keqkuptim: Presidenti e ka shumë të qartë dhe autorizon vetëm Ministrin e Jashtëm, i cili në këtë rast është vetë Kryeministri, me kërkesën e tij, dhe ai quhet zoti Edi Rama.

Gazetari: Ai transferoi kompetencat tek zoti Cakaj.

Presidenti Meta: Unë e kam shumë të qartë se cila është detyra ime dhe cili është detyrimi im kushtetues.

Gazetari: Jemi ende te bisedimet me Greqinë. Ndërsa u duk se palët ishin shumë afër arritjes së një marrëveshje ose përfundimit të negociatave, duket se çështjet kanë mbetur pezull, janë lënë në harrësë. A mendoni se ka ende shpresë, se mund të arrihet një marrëveshje së shpejti, ose ku është statusi i kësaj marrëveshjeje?

Presidenti Meta: Besoj se unë i kam përmbushur dhe vazhdoj t’i përmbush me përgjegjësi të gjitha detyrimet e mia kushtetuese si President i Republikës dhe për këtë një ndihmë të madhe kam nga vet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe për çdo marrëveshje të ngjashme të këtij karakteri dhe do të vazhdoj në këtë mënyrë deri në fund. Jam shumë i interesuar që kjo çështje të ishte zgjidhur që dje, pra, dhe jo sot apo nesër. Gjithmonë referuar Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në mënyrë që të hidhet një hap tjetër përpara edhe në marrëdhëniet tona me fqinjin jugor.

Gazetari: Zoti Meta! Muajin e kaluar në bazën e Pashalimanit ndodhi një vjedhje e një sasie municioni. Ministria e Mbrojtjes mori një seri masash pak ditë më parë. U shkarkuan 15 zyrtarë ushtarakë, ndërkohë që javën e kaluar Ministria e Mbrojtjes iu ka dërguar ju një propozim për shkarkimin e komandantit të Flotës Detare, Gjeneralin Ylber Dogjani. A keni marrë ndonjë vendim deri tani lidhur me këtë kërkesë?

Presidenti Meta: Nuk kam patur mundësi të marr ndonjë vendim, për arsye se edhe nuk kam qenë në zyrë gjatë kësaj kohe, por megjithatë ekipi im po punon, por njëkohësisht na duhet të kemi një vlerësim më të plotë dhe më shterues për rastin në fjalë, pasi kemi edhe pretendimet nga ana e komandantit të Forcave Detare, i cili pretendon që ka paralajmëruar për pasojat apo rreziqet e një fenomeni të tillë, ka kërkuar të merren disa masa. Ne kemi kërkuar të shohim edhe vlerësimin e ministrisë, të inspektimit që është bërë dhe do të marrim vendimin më të drejtë dhe do ta bëjmë publik në mënyrën më transparente.

Gazetari: Zoti Meta! Këto ditë ambasada amerikane në Tiranë bëri të ditur se ajo u ka mohuar dhe revokuar vizat mbi 170 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve publikë që nga viti 2017. Mendohet të jetë një numër relativisht i lartë zyrtarësh. Duket një shifër relativisht e lartë, duke iu referuar faktit që në vitin 2017 prokuroria shqiptare ka regjistruar vetëm 16 procedime për korrupsion të zyrtarëve të lartë. A mendoni se ky është një tregues i faktit se korrupsioni në Shqipëri është shtrirë në nivele të larta dhe lufta ndaj tij mbetet ende shumë e dobët?

Presidenti Meta: Për këtë nuk mjafton vetëm ky rast apo ky fakt që shprehni ju. Për fat të keq, raporti i “Transparency International” tregon një përkeqësim. Unë mendoj që është shumë e rëndësishme që SHBA dhe BE të vijojnë në mënyrë më aktive angazhimin e tyre për të ndihmuar në ngritjen e besueshme të institucioneve të reja të reformës në drejtësi, të japin një mbështetje dhe inkurajim më të madh për ONM-në, të cilën ne e vendosëm edhe në Kushtetutë, dhe për vlerësimet e saj, në mënyrë që ne t’i kemi sa më shpejt këto institucione në punë, t’i kemi sa më të besueshme dhe sa më të paanshme.

Gazetari: Edhe një pyetje e fundit lidhur me temën e korrupsionit, që ka dalë këto dy-tre ditë. Në teori të gjithë politikanët i japin mbështetje me zë të lartë luftës ndaj korrupsionit, por duket se kemi të bëjmë më shumë me një lloj retorike. Po të shohim reagimin e qeverisë ndaj rasteve që ka nxjerrë në pah media për korrupsionin, kemi vënë re një lloj shfajësimi ose deri diku një lloj marrjeje në mbrojtje të personave që janë të akuzuar. Po të njëjtën gjë vumë re pardje me opozitën. Në një përplasje që pati me Ministren e Drejtësisë, pasi Ministria e Drejtësisë arrestoi dhe po ndiqen penalisht disa persona që kanë qenë zyrtarë të LSI-së më parë për disa shkelje në këtë ministri, kryetarja e LSI-së goditi Ministren e Drejtësisë dhe i mori në mbrojtje këta njerëz. Madje, nxori edhe emrin tuaj; deri tani, tha, nuk e kam nxjerrë emrin e Ministres së Drejtësisë, pasi ajo ka lidhje familjare me ju. Zonja Kryemadhi kështu u shpreh. Si iu duken ju këto komente? A janë këto sinjale të qarta që politikanët duhet të nxjerrin, ndërkohë që vendi ka një problem serioz me korrupsionin?

Presidenti Meta: Problemi padyshim që është mjaft serioz përderisa, e theksoj edhe një herë, “Transparency International” e nxjerr të përkeqësuar dy vitet e fundit vlerësimin për Shqipërinë. Duhet të ndodhte e kundërta. Në kuadër të reformës në drejtësi duhet të kishte një frenim, duhet të kishte një kujdes më të madh në respektimin e ligjit dhe të Kushtetutës, duhet të kishte një reagim më të shpejtë ndaj rasteve të qarta dhe ndaj rasteve publike. Unë përshëndes çdo procedim, që bëhet ndaj kujtdo, qofshin edhe raste të tilla si ajo që ka ndodhur në Ministrinë e Drejtësisë ditët e fundit sipas këtij varianti që ju po shprehni.

Megjithatë, ka disa çështje që janë shumë madhore, sepse çështje të tilla padyshim që ka dhe do të ketë. Sepse çdo ditë ka prokurime dhe mund të ketë edhe shkelje edhe korrupsion. Por ka disa raste ku është e rëndësishme të përqendrohemi më shumë për të vendosur vërtet besimin në funksionimin e shtetit, në sundimin e ligjit.

Më konkretisht, unë do të theksoja faktin skandaloz të shkeljes së Kushtetutës lidhur me dhënien fuqi prapavepruese për shpërndarjen e dividentit për të kaluarën, i cili sjell implikime të mëdha dhe mund të sjellë edhe pasoja të mëdha në të ardhmen në dëm të interesit publik dhe në dëm të funksionimit normal të rendit juridik dhe kushtetues në një shtet të së drejtës. Apo edhe rasti tjetër i Unazës së Re është një rast flagrant, ku kemi një shkelje të hapur të të drejtave të njeriut, përveç fenomenit jo transparent.

Nga ana ime, Prokuroria dhe çdo agjenci ligjzbatuese ka patur, ka dhe do të ketë mbështetjen më të plotë, por edhe duhet të tregojë bindshëm se është jashtë çdo ndikimi politik edhe partiak.

Gazetari: Zoti President! Ju faleminderit!.

]]>