2 Nëntor 2019 Intervistë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta për gazetën “MAPO”
GAZETARJA (Blerina Gjoka): Zoti President, po shkojmë në fund të një viti ku ju keni qënë padiskutim protagonist. Duke nisur nga kthimi i disa dekreteve, si ai për emërimin e ministrave dhe tek shpallja e një date tjetër për zgjedhjet. E gjitha kjo ju ka mbajtur në një betejë të vazhdueshme me qeverinë. Ju i keni motivuar qëndrimet tuaja si të bazuara në Kushtetutë, por nuk mund ta mohoni që keni mbajtur po ashtu qëndrime të forta me ngarkesë politike…
PRESIDENTI META: Sjelljet e mia kanë qenë gjithmonë në respekt të plotë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të bazuara në përgjegjësitë e mia kushtetuese si President i Republikës.
Çdo akt dhe çdo dekret ka qenë i mbështetur qartësisht në parimet kushtetuese dhe ligjore, argumentet kanë qenë shteruese, dhe janë bërë publike.
Të gjitha ligjet në përputhje me Kushtetutën dhe interesin e qytetarëve shqiptarë janë konfirmuar nga Presidenti i Republikës me përgjegjësinë më të plotë dhe me kënaqësi.
Çdo ligj që ka qenë në kundërshtim me interesin publik, interesin kombëtar dhe Kushtetutën, është kthyer për rishqyrtim në Kuvend në mënyrën më transparente.
I mbetet qytetarëve të shikojnë dhe të vlerësojnë qëndrimet kushtetuese të Presidentit në të mirë të vendit dhe interesit të popullit shqiptar.
GAZETARJA: Sa mendoni se kanë ndikuar vendimet tuaja, qëndrimet që keni mbajtur, aktet, në çtensionimin e situatës. Ndërkohë, është evidente që ju keni krijuar po ashtu një lloj tensioni në përplasjet me qeverinë e shumicën..
PRESIDENTI META: Të gjitha mesazhet e Presidentit, që nga dita e parë e bërjes së betimit me dorë mbi Kushtetutë, e deri më tani, kanë qenë në shërbim të stabilitetit të vendit, përmbushjes së reformave kyçe, përparimit në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian, si edhe të dekurajimit të konflikteve artificiale dhe absurde mes palëve, si një sport kolektiv politik i politikës shqiptare ku askush nuk mban përgjegjësi për veprimet që bën.
Të gjitha mesazhet e dhëna nga Presidenti dhe aktet e ndërmarra prej Tij, kanë synuar stabilizimin e jetës politike në vend dhe përmbushjen e reformave për integrimin europian të vendit, që duhet të ishin realizuar prej kohësh.
Nëse sipas jush ka patur tension në marrëdhënien midis Presidentit dhe qeverisë apo shumicës, të gjithë janë të ndërgjegjshëm që ky tension asnjëherë nuk e ka patur burimin tek Presidenca, por në dëshirën e paepur të kryeministrit për të zhbërë çdo institucion demokratik në vend.
Nuk është detyra e Presidentit të krijojë tensione, as me qeverinë, as me opozitën dhe as me një faktor tjetër, përkundrazi.
Është kryedetyra e Presidentit t’i qëndrojë me përpikmëri betimit të tij për të mbrojtur Kushtetutën dhe interesin e përgjithshëm të popullit shqiptar.
Përpjekjet e Presidentit kanë qenë gjithnjë për të mos lejuar cenimin e Kushtetutës dhe interesave të popullit shqiptar.
Presidenti gjithmonë ka ushtruar kompetencat e tij kushtetuese.
GAZETARJA: Si e parashikoni ju, cili është vendimi që do marrë mazhoranca në fund të hetimit parlamentar që po bën ndaj jush. A jeni i përgatitur për skenarin e shkarkimit nga detyra?
PRESIDENTI META: Kam qenë dhe jam i qartë se do i përmbahem betimit tim kushtetues, do përmbush me përgjegjshmëri të lartë e transparente detyrën time, dhe do mbroj parimet kushtetuese dhe demokratike të vendit deri më 24 korrik 2022.
GAZETARJA: Ndërkohë, ka rënë në sy, loja që keni bërë me simbolikat në rrjetin social “Facebook”. Ju keni postuar shpesh gjëra që duket se ju kanë shijuar. Kanë rënë në sy edhe publikime që nuk i shkojnë shumë një shtetari. Si për shembull foto gjysëm i zhveshur nga plazhet me aktorë të humorit, apo, peshkimi në një orar zytar në një ditë të premte, pra ditë pune..
PRESIDENTI META: Asnjëherë mos prisni nga unë që në sezonin e plazhit të shëtis buzë detit me kostum e kollare, për t’u dukur si shtetar.
Në jetën e përditshme dhe në kohën e lirë jam i thjeshtë si të gjithë qytetarët e tjerë.
Sjelljen prej shtetari e tregoj përmes detyrës që kryej.
Kënaqësi për mua që në kohën e lirë të shoqërohem me aktorë humori dhe artistë, gazetarë dhe sportistë, por dhe njerëz të thjeshtë kudo në bregdet dhe sidomos në malet e Shqipërisë.
Megjithatë kam qenë modest në postimet e mia pasi po të shikoni postimet e shumë figurave të tjera dhe Presidentëve të ndryshëm të botës, do ju binte të fikët.
GAZETARJA: A keni ju këshilltarë, njerëz të afërt që e kanë hapësirën t’iu kundërshtojnë, t’u thonë disa mendime disa të vërteta, si për shembull, që nuk bën shumë sens publikimi i këtyre fotove, ose ajo kur mbani në duar një mace..
PRESIDENTI META: Kam këshilltarë dhe njerëz të afërt të cilëve u marr mendime për çështje të ndryshme në raport me punën dhe përgjegjësitë që ka institucioni i Presidentit të Republikës, por pa u lejuar të më ndërhyjnë në raportet e mia me macen time të dashur Sasha apo në “dashurinë” time më të fundit Celtic FC.
GAZETARJA: Kur jeni larguar nga LSI, jeni shprehur se, i keni kërkuar Luan Ramës t’ua ruajë mirë teseren e partisë. Kur mendoni se do ta rimerrni prapë?
PRESIDENTI META: Më pëlqen shumë një thënie e Felipe Gonzales: “E ardhmja nuk është më ajo që ishte”.
GAZETARJA: Keni pasur shpesh këto kohë edhe kritika për opozitën. A kanë qënë ato gjenuine, apo për të balancuar qëndrimet tuaja. Ku mendoni se ka gabuar opozita, cilat janë vërejtjet tuaja..
PRESIDENTI META: Qëndrimet e mia kanë qenë të qarta për të dyja palët të cilat krijuan këtë situatë absurde dhe krizë artificiale në të cilën ndodhet vendi.
Në vlerësimin tim, opozita nuk duhet të kishte ndjekur rrugën e largimit dhe delegjitimimit të institucioneve, por duhet të bënte çdo gjë për të mos lejuar kapjen dhe uzurpimin e institucioneve.
Kam qenë gjithnjë i qartë që opozita të mos kishte qasjen e delegjitimimit dhe shumica atë të uzurpimit, qasje që nuk kanë asnjë pikë takimi, por të gjenin rrugën e dialogut politik në interes të integrimit të vendit.
Rezoluta e Bundestagut është pika e referimit për zgjidhjen e krizës në vend dhe integrimin në Bashkimin Europian.
Ajo është platforma më e mirë për daljen e vendit nga kriza dhe arritjen e reformave për një anëtarësim sa më të shpejtë të vendit në BE.
GAZETARJA: Pse ka fituar terren teza se ju nuk jeni të interesuar për drejtësinë e re, dhe se mund të jeni subjekt i saj, një ide që e artikulon shpesh edhe nga mazhoranca.
PRESIDENTI META: Kjo është një nga tezat më bajate e sponsorizuar majmërisht nga ata që duan qëllimisht dështimin e Reformës në Drejtësi dhe kapjen e të gjitha institucioneve të reja të drejtësisë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë.
Është e qartë nga të gjithë se pa përpjekjet e mia, Reforma në Drejtësi e 21-22 korrikut 2016, që u miratua me 140 vota, nuk do ishte arrirë, por do të kishte lindur e dështuar dhe Shqipëria nuk do të kishte marrë as rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave në vjeshtën e vitit 2016, për shkak të konsensusit të ndryshimeve kushtetuese.
Të gjithë e kanë të qartë se kujt i ka interesuar asgjësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.
Frika u përket frikacakëve. Kjo nuk ka lidhje me Presidentin, pasi të gjithë e dinë se ai nuk i përket kësaj kategorie.
GAZETARJA: Ju jeni në politikë që prej fillimit të viteve ‘90. Po bëhen tashmë 3 dekada. Dhe i keni pasur të gjithë postet më të larta shtetërore. E megjithatë nga energjia që shfaqni, dhe aktiviteti i përditshëm, ju krijoni idenë se nuk jeni aspak drejt mbylljes së karrierës, përkundrazi. Kur mendoni se është mjaft për një politikan?
PRESIDENTI META: Mjaft për një politikan është kur ai ka frikë dhe tmerr nga vota e lirë e qytetarëve të tij.