Intervistë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta për Televizionin Publik të Bullgarisë BNT

Intervistë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta për Televizionin Publik të Bullgarisë BNT

Sofje

Gazetari: Si ka ndryshuar arkitektura origjinale e sigurisë në Ballkan që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia?

Presidenti Meta: E gjithë arkitektura e sigurisë globale do të ndryshojë dhe do të përshtatet pas këtij agresioni të paprovokuar dhe të pajustifikuar rus kundër Ukrainës, pasi ky është një precedent i tmerrshëm i krijuar nga një aktor shumë i rëndësishëm në skenën ndërkombëtare, anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Arkitektura e sigurisë europiane, natyrisht, do të duhet t’i përshtatet këtij realiteti. Shumë vende, përfshirë anëtarë të NATO-s do të duhet të rregullojnë politikat e tyre të mbrojtjes dhe të sigurisë. Edhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë gjithashtu pjesë e kësaj përshtatje me situatën e re.

Për fat të mirë, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë anëtarë të NATO-s. Vendet e tjera janë gjithashtu pjesë e një partneriteti me NATO-n të cilat kanë interes të anëtarësohen në BE. Ata do të duhet të harmonizojnë politikën e tyre të jashtme me atë të Bashkimit Europian.

Ne nuk duhet ta marrim si të mirëqenë atë që është arritur deri tani për të vendosur paqen, por të kujdesemi për ta ruajtur dhe konsoliduar atë; të punojmë së bashku për të mbetur një rajon i sigurt, jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe tërheqës për zhvillim më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm, për të përfituar nga kjo situatë, që ta bëjë rajonin një mjedis më të rëndësishëm për investime, siguri energjetike dhe korridore interaktive.

Kjo është shumë e rëndësishme për ne – Shqipërinë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm.

Gazetari: Po, ju pyes për Korridorin VIII. Gjatë vizitës së zotit Borrell në Tiranë, më kujtohet se ai tha se dezinformimi rus në Ballkan po rritet dhe se ai shërben si një mjet për të penguar integrimin europian.

Presidenti Meta: Nuk jam këtu për të shtuar asgjë tjetër se ajo ç’ka thënë zoti Borrell. Është e rëndësishme që vetë Bashkimi Europian t’u përmbahet më shumë vlerave të tij thelbësore dhe të përpiqet të kujdeset më shumë për demokracitë tona në rajon – që ato të rriten dhe të konsolidohen.

Kjo do të shmangte erozionin e besimit si në Bashkimin Europian ashtu edhe në vendet tona, që mund të keqpërdoret nga Rusia apo aktorët e tjerë, që kanë interes të minojnë këto vlera europiane në rajonin tonë.

Gazetari: Ne përmendëm sigurinë rajonale. A ekziston rreziku i rishikimit, ndryshimit të kufijve të Ballkanit, veçanërisht në lidhje me situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë?

Presidenti Meta: Ne e dimë se sa shumë ka vuajtur Ballkani dhe e gjithë Europa nga këto lojëra të çmendura të ndryshimit të kufijve që kanë shkaktuar lumenj gjaku në rajonin tonë, në të cilat fatkeqësisht janë përfshirë edhe ish-zyrtarë të lartë të BE-së. Në këtë kontekst, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të përkushtuara ndaj vlerave të pakontestueshme të BE-së.

Zgjidhja nuk mund të jetë kurrë ndryshimi i kufijve por vetëm heqja e kufijve në bazë të të modelit të Europës së Bashkuar. Kjo në radhë të parë.

Së dyti, të zbatohen të njëjtat standarde europiane për pakicat dhe të drejtat e tyre në të gjitha vendet tona. Kjo është e vetmja zgjidhje në këtë kontekst.

Gazetari: Cili është dimensioni i Korridorit VIII për Bullgarinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe konteksti i politikave të transportit dhe lidhjes së energjisë në këtë pjesë të Ballkanit?

Presidenti Meta: Ngjarjet e fundit kanë bërë më të rëndësishme përpjekjet tona të përbashkëta për t’i dhënë një shtysë të re Korridorit VIII, që ka ngecur prej kohësh. Duhet të marrin fund fjalët boshe, retorikat dhe të kalohet në vepra dhe projekte konkrete.

Në këtë drejtim, u thashë liderëve të vendit tuaj, dhe në veçanti Kryetarit të Asamblesë Kombëtare, se do të ishte shumë e rëndësishme të kërkojmë angazhim më serioz nga Qeveritë dhe institucionet tona, të punojmë së bashku – Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe gjithashtu me vendet e tjera, që janë të interesuara, në veçanti Italia, që gjithashtu mund të përfitojë në masë të madhe nga ky projekt, si dhe vende të tjera dhe mike në Bashkimin Europian.