Konferencë për shtyp e Presidentit Meta

Konferencë për shtyp e Presidentit Meta

Pyetje: Zoti President, javët e fundit opozita ka hedhur një lumë akuzash ndaj qeverisë për sa i përket disa tenderave sekretë sipas saj për blerjen e pajisjeve, masave mbrojtëse me disa fish të çmimit të tregut. Kështu ishte dhe deklarata e djeshme për blerjen e kiteve të testeve, sipas opozitës janë blerë me katërfishin e çmimit të tregut.

A keni një koment, një reagim dhe a do t’i kërkoni ju institucioneve shtetërore informacione të mëtejshme? Dhe së dyti, dy ditë më përpara Kryeministri Edi Rama në një intervistë për “News 24” vlerësoi angazhimin tuaj në këtë situatë, në luftën kundër Covid-19, madje tha se meritoni respekt. Ju Kryeministrit çfarë note do t’i vinit dhe a gëzon shefi i ekzekutivit vlerësimet dhe respektin tuaj?

Presidenti Meta: Lidhur me shqetësimet që ka ngritur opozita, unë dua të vlerësoj që këto kufizime, që imponohen për shkak të një pandemie globale, duhet të shërbejnë vetëm për të rritur përgjegjshmërinë në menaxhimin e kësaj krize dhe mënyra më e mirë për të rritur këtë përgjegjshmëri, por edhe efektivitetin e këtyre masave, është rritja e transparencës.

Aq më tepër që kemi të bëjmë me një vëmendje të shtuar të të gjithë qytetarëve për çdo veprim apo mosveprim, me përgjegjësi apo pa përgjegjësi, me transparencë apo jo nga të gjitha institucionet përfshirë edhe qeverinë apo pushtetin vendor.

Unë mund të apeloj vetëm për t’u rritur transparenca, për t’u respektuar ligjshmëria e të gjitha akteve dhe e të gjitha veprimeve, për të mos lejuar asnjë spekulim dhe sigurisht që është dhe detyra e organeve të drejtësisë të flasin për akuza konkrete dhe unë i inkurajoj në këtë drejtim.

Pyetje: Çfarë note i vini qeverisë për mënyrën e menaxhimit të kësaj situate?

Presidenti Meta: Nuk ka ardhur akoma qershori, koha e provimeve.

Pyetje: Zoti President, duket se përhapja e Covid-19 la në mes betejën tuaj për të sjellë pranverën shqiptare, teksa duket se po përjetoni një pranverë në marrëdhëniet tuaja me Kryeministrin. Ndërkohë keni mbledhur dy herë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, a i keni kërkuar shpjegime Kryeministrit se mbi ç’bazë ka marrë ai mendje nga Komiteti Teknik për të vendosur këto masa, që qytetarët mund të qarkullojnë në bazë të kategorive duke i darë në pensionistë apo nëna me fëmijë? A keni kërkuar informacion nga Kryeministri se përse nuk po përdoren ambientet e shtëpisë së pushimit në Durrës për të mirëpritur të riatdhesuarit, por ata duhet të karantinohen me shpenzimet e tyre? Dhe a keni kërkuar informacion nga Kryeministri ose a i keni kërkuar atij më saktë të mbyllë fasoneritë, sepse një biznes i tillë në Krujë është bërë shkak që të infektohen 80 persona? E fundit, cili është qëndrimi juaj për tërheqjen e qeverisë nga neni 8 dhe 11 i Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut?

Presidenti Meta: Urime dhe “Syri TV”, sepse keni nisur një performancë të re televizive.

Së dyti, besoj se kam qenë i qartë në të gjitha qëndrimet e mia prej kohësh, që shteti shqiptar duhet t’i përmbahet detyrimeve të veta ndaj të gjithë shtetasve, të cilët dëshirojnë të kthehen në vendin e tyre. Kemi patur disa vështirësi në këtë drejtim, qeveria ka marrë disa masa, por besoj se duhet të marrë edhe më shumë për të plotësuar kushte sa më të pranueshme për të garantuar karantinimin e tyre në të gjitha mjediset që do të vlerësohet më e mundshme, kjo në varësi edhe të rrethanave gjeografike dhe fizike, se nga vijnë ata apo paraqiten në kufirin nga hyjnë për në Republikën e Shqipërisë.
Në këtë drejtim duhet bërë edhe më shumë dhe shpresojmë në ditët që vijnë të merren masa më të plota.

Nuk mund të them se ku duhet të vendosen. Ajo që mund t’ju them është që kushtet që unë i kam verifikuar vetë në Konvaleshencën e Ministrisë së Mbrojtjes janë optimale, por se kush do të trajtohet atje ky është një vendim që i takon autoriteteve të shëndetësisë në mënyrë të veçantë.

Sa i takon çështjes së ditëve të fundit dhe të lajmeve shqetësuese që kanë ardhur kryesisht nga Kruja apo edhe nga Kurbini, është me mjaft rëndësi të respektohen kudo distancat sociale dhe të ketë kudo standarde të detyrueshme nga institucionet e shëndetit publik për çdo lloj aktiviteti.

Çdo lloj nënvlerësimi do të ishte me kosto të jashtëzakonshme, pasi këto sakrifica që janë bërë për javë të tëra mund të shkojnë dëm dhe kjo do të jetë një kosto shumë e shtuar edhe financiare, edhe ekonomike, por edhe psikologjike për të gjithë qytetarët.

Kështu që duhet përqendrim më i madh në këtë drejtim për të parandaluar krijimin apo shpërthimin e vatrave të reja në mënyrë të paparashikuar.

Lidhur me çështjen e Konventës, kjo është një praktikë që njihet edhe nga vetë Këshilli i Europës në raste të caktuara, kur për një arsye madhore një vend anëtar ndërmerr kufizime të imponuara. Por sigurisht që besoj se edhe Këshilli i Europës, edhe Komisioni i Venecias e kanë bërë të qartë se nuk duhet kurrsesi abuzuar me situata të tilla për të dëmtuar parimet kushtetuese, për të cenuar të drejtat kushtetuese dhe prandaj unë e çmoj shumë të domosdoshme rritjen e transparencës dhe të frymës bashkëpunuese.

Sa më shumë transparencë, aq më shumë konsensus, aq më shumë mirëkuptim.

Nëse nuk garantohen standardet e domosdoshme të mbrojtjes së shëndetit në kushtet aktuale, të cilat duhet të verifikohen nga ekspertët konkretë, aktivitete të tilla nuk duhen të lejohen dhe sipërmarrje të tilla dhe punonjësit duhet të mbështeten nga ana e qeverisë.

Pyetje: Mënyra sesi po e menaxhon qeveria, kryeministri Edi Rama, gjithë këtë situata që po krijohet prej korona virusit, a mendoni se po i jep më shumë pushtet? I referohem këtu ndryshimeve që janë bërë Kodit Penal dhe masave të marra deri tani, siç ishte nxjerrja e grupeve të caktuara, në ditë të caktuara, në orare të caktuar!

President Meta: Shqetësimi im besoj dhe i juaji është shëndeti i çdo qytetari, dhe shëndeti i ekonomisë sonë kombëtare, se nga kjo varet shëndeti i ekonomisë familjare dhe personale i çdo qytetari.

Nuk besoj se është koha për të përdorur apo keqpërdorur cilindo, për qëllime pushteti në një krizë të tillë, pasi padyshim, që do të ishte tepër e papërgjegjshme dhe me kosto të madhe për cilindo, që përpiqet ta përdorte, ose keqpërdorte.

Pyetje: A ka keqpërdorime?

President Meta: Besoj isha i qartë.

Pyetje: I nderuar zoti Presidenti, do doja të dija nëse iniciativë më e fundit e qeverisë për një amnisti të gjerë fiskale, parimisht a e gëzon mbështetjen e Presidentit të Republikës? Pyetja e dytë me lejen tuaj, komunitete të tëra, si Shkodra, Durrësi apo Vora, vijojnë të mos kenë një kryebashkiak! Kur mendoni se mund të dekretoni, zgjedhje të pjesshme në këto bashki? Arsyet ne i dimë, se përse kanë mbetur pa kryebashkiakë.

President Meta: Për çështjen e amnistisë nuk mendoj se është ky momenti për të dhënë një vlerësim, pasi kemi të bëjmë më shumë më një iniciativë më shumë të bërë publike, por pa një relacion dhe argumentim të qartë.

Në një kohë të dytë do të më duhet të mbajë një qëndrim të qartë dhe shterues për këtë çështje.

Aktualisht, shqetësimi i të gjithëve është menaxhimi i situatës së pandemisë nga pikëpamja e shëndetit. Së dyti, nga suksesi apo përmirësimi i kësaj situate do të varet edhe rihapja e ekonomisë gradualisht dhe të gjitha aktivitetet që do të ndodhin në mënyrë të sigurt, të qëndrueshme dhe të pakthyeshme pas, kështu që këtu duhet të jemi të përqendruar.

Në këtë drejtim dua të theksoj se është e rëndësishme të mos nënvleftësojmë asgjë, të rrisim numrin e testimeve, të rrisim efikasitetin e gjurmueshmërisë, të rrisim aftësitë izoluese të të gjitha këtyre rasteve në mënyrë që të jemi më të qetë për vendimet që do të marrim për zhbllokimin e kësaj situate ekonomike, sociale, pasi problemet sa vijnë dhe bëhen më të mprehta. Veç të tjerave është edhe çështja e arsimit, e vitit shkollor, kështu që mendoj që këtu duhet të përqendrohemi më shumë për momentin.
Ju falënderoj për vëmendjen, mirupafshim!