29 Maj 2020 Konferencë për Shtyp e Presidentit Meta (pyetje-përgjigjet)
Pyetje (ABC News): Zoti President a jeni njohur ju me opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias për sa u përket emërimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe a është pozitiv ai në vendimet që ju keni marrë?
Presidenti Meta: Unë jam njohur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, edhe për çështjen e Gjykatës Kushtetuese, që është shkruar nga Komisioni i Venecias. Kam qenë dhe jam gjithmonë i qetë për këtë çështje.
Pyetje (TV Klan): Zoti President, meqë ishim te ligjet që miraton parlamenti: Aktualisht në komisionet parlamentare është duke u diskutuar ligji për Policinë e Shtetit, ku mes të tjerash parashikohet që të ketë përgjime nga policia pa autorizmin e Prokurorisë. Si e vlerësoni ju dhe kur të vijë, a do ta dekretoni apo jo një ligj të tillë?
Dhe pyetja e dytë: Meqë ju tani do të keni në fokus Shqipërinë dhe jo Tiranën politike, kur do ta bëni publike akuzën që bëtë në emisionin “Opinion” se kryeministri sponzorizohet nga lobi serb, duke qenë se kjo është një çështje shumë e rëndësishme për vendin apo jo? Apo do të vazhdoni vetëm me denoncime për çështje që ju prekin ju personalisht, kompetencat tuaja si President i Republikës siç është Gjykata Kushtetuese apo reforma në drejtësi, ku ju bëtë publike edhe mesazhet?
Presidenti Meta: Gjërat janë tepër të qarta. Presidenti i Republikës ushtron me përgjegjësi maksimale detyrat e tij dhe kompetencat e tij kushtetuese, në të gjitha aspektet e tyre. Dhe do të jetë këtu çdo javë për t’ju njohur ju me veprimtarinë apo edhe me qëndrimet e tij për çështje që gjykoj se opinioni i meriton të dijë vlerësimin e Presidentit të Republikës.
Të jeni të sigurt se kjo do të ndodhë në mënyrën më koherente, më të qartë dhe më transparente.
Pyetje (News 24): Zoti President, pak ditë më parë, ju në nderimin e heroit të popullit Vasil Laçi, pas vdekjes, deklaruat se vendi dhe populli duhen çliruar nga tirania dhe diktatura. Ju vërtet besoni se Shqipëria është nën tirani dhe nën diktaturë?
Dhe nëse po, a do të jeni ju një Vasil Laçi i dytë, le të themi, për ta çliruar vendin nga tirania dhe diktatura?
Presidenti Meta: Nuk jam këtu për t’ju përgjigjur komenteve tuaja. Mesazhet e mia kanë qenë tepër të qarta. Në kuadër të 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut, unë kam përzgjedhur dy figura që i konsideroj të jashtëzakonshme në historinë e Shqipërisë për t’i vlerësuar përtej çdo aspekti idelologjik, sepse janë dy figura që i takojnë ideologjisë kombëtare dhe janë pjesë e pacenueshme e krenarisë kombëtare dhe gjithëshqiptare: Mujo Ulqinakun, Heroin e 7 prillit dhe Vasil Laçin, një tjetër figurë të jashtëzakonshme, i cili i dha mesazhet e tij shumë qartë, dhe për shkak të atyre mesazheve që ka dhënë, qëndron në përjetësi.
Aludimet e tjera, janë një çështje e juaja. Unë si President jam në krye të detyrës, dhe e kam bërë të qartë se uroj më të mirën për të gjitha zhvillimet në vend.
Jo çdo gjë varet nga unë, por ajo që varet nga unë është e pakthyeshme. Ky institucion do të vazhdojë të jetë deri më 24 korrik 2022 kështjellë e mbrojtjes së Kushtetutës dhe të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, për aq sa ka mundësi Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Kjo është një çështje e padiskutueshme.
Pyetje (A2 CNN): Zoti Meta, ju keni deklaruar se kur ndryshuat datën e zgjedhjeve për në tetor, qershorin e kaluar, kishit marrë premtimin e zotit Basha se do të merrte pjesë në zgjedhje. Një ditë më parë ai e mohoi këtë argument tuajin.
Kush gënjen, zoti Basha apo ju?
Presidenti Meta: E kuptoj, ju keni shqetësimin se ç’do të ndodhë me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Atëhere, meqenëse unë kam qenë gjithmonë i parashikueshëm, sepse mendoj se këtu dalloj nga të gjithë aktorët e tjerë, qofshin vendas, qofshin shqipfolës, duhet të keni të qartë këtë gjë: Vjet ju kam thënë që në qoftë se nuk do bëhen zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse, Shqipëria do të ngelë në klasë në tetor. Dhe jo vetëm kaq, por ju kam thënë se do të marrë më qafë edhe Maqedoninë e Veriut, dhe e mori më qafë apo jo, sepse është kriteri i Kopenhagës, që edhe pse këtu nuk e thotë njeri e nuk i përmend njeri ato kriteret, se na është mbyllur ambasada daneze, ato ekzistojnë atje në Bruksel, aty ku merren vendimet.
Pra ju e dini se si doli ai parashikim apo jo? U shtuan kushte të reja për Shqipërinë.
Tani kalojmë te Kodi Zgjedhor, se ky është shqetësimi juaj. Unë shpresoj shumë, jam shumë i entuziazmuar nga lajmet e fundit, nga të gjitha llojet e cicërimave që ka përparim për çështjen e Këshillit Politik. Mezi po pres që të duartrokas këtë konsensus…
Dhe kudo që të jem në Shqipëri, do të kthehem menjëherë këtu që ta firmos menjëherë konsensusin e tyre dhe të lajmërojmë të gjithë botën që kjo është një arritje shumë e madhe.
E zëmë se palët nuk ranë dakord apo jo? Unë nuk e di se për cilën arsye, por nuk e dëshiroj kurrë këtë gjë! Unë do të shikoj nëse miratohet në mënyrë të njëanshme, është apo nuk është në përputhje me Kushtetutën, me ligjet, me rekomandimet. Mundësia ime është ta kthej njëherë për reflektim, për çdo rast, dhe kaq! Pastaj se si veprojnë është në varësi të aktorëve të tjerë, nuk është në varësinë time.
Por në çdo rast dhe këtë mezi po e presim të gjithë, se edhe dy ditë kohë kanë ngelur, por edhe në mënyrë të njëanshme po të miratohej që nuk do të habiteshim, sepse këtu ka gjithmonë zhvillime të paprashikueshme dhe të befasisshme, përsëri si President i Republikës duhet ta bëj të qartë se në hapësirën kushtetuese dhe ligjore, që edhe Kodi do të më lejojë, i miratuar me konsesus apo jo, në ditën më të parë të mundshme, do të shpall ditën e ardhshme të zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri dhe nuk do të bëj asnjë konsultim formal me asnjë forcë politike.
Sepse jam i sigurt se që të gjithë mezi presin një parlament të ri, plotësisht legjitim, pra që do të thotë se të gjitha palët kanë vullnetin për zgjedhje të lira, të ndershme, që ato të mos jenë më një bllokim për integrimin europian të Shqipërisë.
Që ta kemi të qartë: Në qoftë se Kodi nuk miratohet me konsensus, regjistroheni këtë: Zero çeljesh negociatash të Shqipërisë me Bashkimin Europian!
Jo deri në zgjedhjet që vijnë, por edhe pas zgjedhjeve që vijnë! Pra sa i bie, nja pesë vite të paktën i keni të humbura.
Përgjegjësia duhet të jetë e atyre aktorëve, të cilët i bëjnë këto gjëra.
Apeli im është: Ecni në këtë rrugë të konsensusit se kjo është gjë shumë e mirë për vendin dhe unë ju inkurajoj fuqimisht të gjithëve në këtë drejtim!
Tjetër gjë: Mos harroni se kemi edhe kryesimin e radhës së OSBE-së! Dhe do të ishte një turp i madh që Shqipëria, përveç këtyre ngjarjeve të fundit me Teatrin Kombëtar, që Shqipëria të mos përmbushë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it! Do të ishte një rast i paprecedent në historinë e OSBE-së!
Megjithatë është zgjedhja e tyre, Presidenti është shumë i qartë! Firmoset dekreti, nuk kthehet më prapa, kush të dojë të hyjë në zgjedhje, kush të dojë të ikë nga zgjedhjet!
Natyrisht që kjo nuk do të mjaftojë, se Presidenti do të bëjë punën e tij! Presidenti do t’i drejtohet të gjithë botës demokratike, organizatave ndërkombëtare, mediave të huaja, do të marrë masat e tij për monitorimin e zgjedhjeve të ardhshme dhe kushdo që do të hyjë për të marrë pjesë në zgjedhje, ka inkurajimin e Presidentit që të marrë pjesë në zgjedhje dhe të luftojë për të përfaqësuar të gjithë shqiptarët që janë në opozitë e që sot kanë ngelur në rrugë, sepse nuk përfaqësojnë asnjë institucion.
Pyetje (Top Channel): I nderuar Zoti President, pyetja ime e parë ka të bëjë edhe me rolin tuaj si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë: Në dijeninë tuaj, a ka një kërkesë nga qeveria turke për ta përdorur bazën e Pashalimanit si një bazë të re ushtarake-detare?
Dhe pyetja e dytë: Disa muaj më parë, në një nga konferencat tuaja për shtyp na treguat se ish-ambasadori amerikan Donald Lu ju kishte kërkuar ndjesë. Se ai ishte i keqinformuar përsa i përket reformës në drejtësi. Po ambasadorja e re amerikane, Yuri Kim, në këndvështrimin tuaj, edhe ajo është e keqinformuar? Çfarë dini në lidhje me keqinformimin? Ju faleminderit!
Presidenti Meta: Ju falenderoj shumë, zoti Veliu! Jam këtu për të folur për gjëra më të rëndësishme, më institucionale.
Këto muhabete “rilindjeje” lerini për ndonjë vend tjetër! Jua thashë edhe njëherë, dhe po jua përsëris: Nuk merrem më me këto histori e me këto punë!
Aq më tepër me thashetheme. Presidenti është në detyrën e tij si Kryetar i Shtetit. I bën detyrat e tij me përgjegjësi. Mbron Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Mbi Presidentin është vetëm Kushtetuta, dhe mbi Kushtetutën është vetëm populli.
Gjithë vendet anëtare të Këshillit të Sigurisë në OKB, shto edhe fuqitë bërthamore që nuk janë anëtare, të bashkohen, nuk e detyrojnë dot Presidentin e Republikës së Shqipërisë të shkelë Kushtetutën e vendit të tij! Kaq!
Kemi gjë tjetër? Për Pashalimanin, do të më duhet të këshillohem me këshilltarët e mi dhe institucionet përkatëse dhe mund t’ju jap një përgjigje në kohën e duhur.
Ju faleminderit!