24 Maj 2022 Në Institucionin e Kreut të Shtetit përurohet libri “Kurani – me referenca nga Bibla: Një kuptim bashkëkohor”
Nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në mjediset e Kreut të Shtetit u përurua libri “Kurani – me referenca nga Bibla: Një kuptim bashkëkohor”, i autorëve amerikanë Dr. Safi Kaskasi dhe Dr. David Hungerford.
Duke iu drejtuar të pranishmëve: autorit Kaskasi, deputetëve, krerë të bashkësive fetare, klerikë studiues, përfaqësuesve të shoqërisë civile, intelektualë, gazetarë, etj., Presidenti Meta u shpreh:
“Jam i lumtur që jemi sot, së bashku, në promovimin e librit ‘Kurani – me referenca nga Bibla”, të autorëve Dr. Safi Kaskas dhe Dr.David Hungerford, që vjen tashmë edhe në gjuhën shqipe për lexuesit e vendit tonë.
Që në titullin e librit, dallojmë mesazhin e harmonisë dhe të afrimit të dy librave të shenjtë, Kuranit dhe Biblës, të cilat, siç tregohet edhe në këtë libër, kanë qëllim kryesor të përbashkët pajtimin e njerëzve me fjalën e Zotit.
Qëllimi i librit është të bashkojë edhe më shumë njerëzit me përkatësi të ndryshme fetare, duke treguar se ajo që i bashkon besimet është më e madhe dhe më e fortë nga ajo që i dallon, dhe fuqia që e bashkon njerëzimin, pra Zoti, krijon harmoni e jo ndasi.
Nën këtë frymë, ky libër ndihmon në ndërtimin e urave të mirëkuptimit, të tolerancës dhe harmonisë së besimeve, duke hedhur dritë mbi të vërtetat epokale që përmbajnë Kurani dhe Bibla dhe duke nxitur lexuesit t’i duan njerëzit dhe të shmangin radikalizmat.
Ky libër të shtyn të ndjekësh ‘rrugën e drejtë’ të pajtimit të njeriut me Zotin.
Jo vetëm titulli dhe përmbajtja, por edhe vetë autorët e këtij libri shërbejnë si një simbol bashkimi dhe harmonie.
‘Kurani me referenca nga Bibla’ është fryt i një pune të madhe disavjeçare të dy profesionistëve të shquar: Dr. Safi Kaskas, një mysliman nga Lindja e Mesme dhe të ndjerit Dr. David Hungerford, një kirurg ortoped, një i krishterë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dr. Kaskas lindi në Bejrut gjatë Luftës së Dytë Botërore e u rrit duke përjetuar si momente paqje midis myslimanëve dhe të krishterëve ashtu edhe periudha konfliktesh midis tyre, përvoja të cilat e formuan Dr. Kaskas të bëhej një figurë e shquar në pajtimin e njerëzve me kultura dhe prejardhje të ndryshme fetare.
Nga ana tjetër, bashkëautori i këtij libri, i ndjeri Dr. Hungerford nuk kishte takuar kurrë më parë një mysliman, derisa nisi të studionte mjekësi.
Dhe teksa shërbeu për 41 vjet në Universitetit Johns Hopkins si kirurg ortoped, përmes Fondacionit të tij ‘Tree of Life’, ai zhvilloi një veprimtari të gjerë humanitare, në shumë vende me shumicë myslimane.
Me prejardhje krejt të ndryshme, të dy autorët kanë shpalosur kontributin e tyre të vyer falë kombinimit të kulturave, përvojave dhe traditave të ndryshme fetare.
Dr. Kaskas dhe Dr. Hungerford u bashkuan për t’i sjellë bijtë dhe bijat e Abrahamit, babait të kombeve, prej të cilit rrjedhin të gjitha besimet monoteiste, drejt një kuptimi më të mirë të njëri-tjetrit, si dhe për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit për të jetuar në paqe dhe harmoni me njëri-tjetrin.
Libri ‘Kurani me referenca nga Bibla’, ofron jo vetëm një përkthim të ri të Kuranit, por ai shoqërohet me referenca të gjera biblike, që arrijnë deri në 3 mijë prej tyre, duke ndihmuar kështu në përmbushjen e qëllimit për harmoni fetare.
Ai qartëson keqkuptimet apo keqpërdorimet e vargjeve të Kur’anit, duke ndërgjegjësuar të krishterët dhe myslimanët, për ngjashmëritë e shumta e të përbashkëta, që ekzistojnë në Kuran dhe në Bibël.
Ky libër shërben si një reflektim, si për akademikët, ashtu edhe për kureshtarët, pavarësisht nga niveli arsimor, mosha, përvoja jetësore apo tradita e tyre fetare.
I ardhur tashmë në gjuhën shqipe, libri është një vlerë më shumë në fushën e letrave dhe studimeve në vendin tonë.
Ky libër do mirëpritet dhe kuptohet fare mirë nga lexuesit shqiptarë, pasi vendi ynë është shembull në mbarë botën, i harmonisë dhe bashkëjetesës fetare.
Shqiptarët kanë nderuar, respektuar e dashur ndër shekuj njëri-tjetrin, pavarësisht përkatësive fetare, duke e kuptuar që besimi në Zot bashkon dhe nuk ndan, të shtyn të duash e jo të urresh.
Ky shembull i jashtëzakonshëm i bashkëjetesës sonë fetare është arritur edhe falë drejtuesve dhe përfaqësuesve të bashkësive të ndryshme fetare në vendin tonë, të cilët i kanë interpretuar dhe predikuar shkrimet e shenjta, në kuptimin e tyre fillestar e të vërtetë, duke përçuar mesazhin e tyre të shenjtë, që është: Dashuria për Zotin dhe njëri-tjetrin, Paqja dhe Harmonia.
Ky është edhe mesazhi i librit ‘Kurani me referenca nga Bibla’, në të cilin lexuesi dëshmon harmoninë midis librave të shenjtë, dhe dobinë e tyre për paqen dhe pajtimin, për bashkimin dhe afrimin me njëri-tjetrin, për ta bërë individin më të mirë, dhe të gjithë shoqërinë më të moralshme, më të bashkuar dhe më tolerante.”