11 Qershor 2022 Nën kujdesin e Presidentit Meta, Qendra Historike e Holokaustit “Jad Vashem” vlerëson Kasem Koçerrin me titullin “Të Drejtë mes Kombeve”
Nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta si dhe në bashkëpunim me Ambasadën e Shtetit të Izraelit, u zhvillua në Institucionin e Kreut të Shtetit ceremonia e vlerësimit të Kasem Koçerrit dhe familjes së tij nga fshati Beshisht i Vlorës, për strehimin, mbrojtjen dhe shpëtimin e çiftit hebreo-vlonjat Moisi dhe Zhaneta Solomoni, nga Qendra Botërore e Kujtesës së Holokaustit “Jad Vashem”.
Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh:
“Ju uroj mirëseardhjen në Institucionin e Kreut të Shtetit!
Është privilegj të jemi së bashku me ambasadën e Shtetit të Izraelit, për të nderuar një familje të thjeshtë shqiptare, e cila në kohët më të errëta të historisë njerëzore, të Holokaustit, mori në besë, strehoi dhe shpëtoi nga përndjekja naziste, dy jetë njerëzish.
‘Torahu’, Bibla e Vjetër e hebrenjve thotë: ‘Ai që shpëton qoftë edhe një jetë njeriu, ka shpëtuar botën mbarë!’
Ndërsa ne, shqiptarët, themi: ‘Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut!’
Më 4 nëntor 1996, Jad Vashemi, Qendra Botërore e Përkujtimit të Holokaustit, pasi verifikoi historinë e të mbijetuarve dhe dokumentet përkatëse, e shpalli Kasem Koçerrin si ‘Të Drejtë mes Kombeve’.
Kasem Koçerri, një fshatar nga Beshishti i Vlorës, i dha besën, strehoi dhe shpëtoi nga kthetrat e nazistëve gjermanë Moisi dhe Zhani Solomonin, duke i fshehur në shtëpinë e tij, si dhe duke rrezikuar jetën e tij e të familjarëve.
Historia e familjes Solomoni është një nga dhjetëra e qindra histori të hebrenjve që u gjendën në vendin tonë, në ato vite të errëta të historisë njerëzore, dhe që me shumë dashuri u mbrojtën nga populli shqiptar.
Mikpritja, fisnikëria dhe bujaria shqiptare, sidomos gjatë periudhës së Holokaustit, nuk njohu kufij.
Mikpritja jonë është shndërruar në proverbiale, anembanë botës, që nga Izraeli, vendet europiane e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dhe ne, me të drejtë, jemi krenar për faktin që, asnjë hebre i vetëm, nuk u lejua të binte në duar e nazistëve gjermanë.
Ndërsa sot, kemi privilegjin të jemi dëshmitarë të një vlerësimi të rrallë dhe zyrtar nga Jad Vashemi i Shtetit të Izraelit, ndaj Kasem Koçerrit, një bashkatdhetari tonë të thjeshtë, por mbartës dhe përçues i denjë të virtyteve më të mira shqiptare.
Ky vlerësim është njëkohësisht, një shembull i lidhjes së fortë, që vazhdon të ekzistojë midis dy popujve tanë dhe i respektimit të veprës së shumë familjeve shqiptare, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Lavdi përjetë veprës së rrallë njerëzore të familjeve shqiptare! I përjetshëm qoftë kujtimi fisnik i Kasem Koçerrit si i “Drejtë mes Kombesh!”